Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 SI TË KEMI NJË FAMILJE TË LUMTUR?

Kur fëmija yt është me aftësi të kufizuara

Kur fëmija yt është me aftësi të kufizuara

KARLO: * «Djali ynë, Anxhelo, vuan nga sindromi Daun. Sëmundja e tij na i shteron fuqitë fizike, mendore dhe emocionale. Mendo sa energji të duhen për t’u kujdesur për një fëmijë të shëndetshëm dhe këtë shumëzoje me njëqind. Ndonjëherë edhe martesa jonë vuan.»

MIA: «Nevojitet ngulmim dhe jashtëzakonisht shumë durim t’i mësosh Anxhelos edhe gjërat më të thjeshta. Kur lodhem shumë, prirem të acarohem e të humbas durimin me burrin, Karlon. Nganjëherë s’biem dakord për disa gjëra dhe pastaj grindemi.»

A të kujtohet dita kur lindi fëmija yt? Pa dyshim që mezi prisje ta mbaje në krahë. Gjithsesi, për prindër si Karlo dhe Mia, gëzimi përzihet me ankthin kur marrin vesh se fëmija është i sëmurë ose me aftësi të kufizuara.

A është fëmija yt me aftësi të kufizuara? Mbase pyet veten në do t’ia dalësh mbanë. Nëse po, mos u dëshpëro. Prindër si ti i kanë kaluar me sukses probleme të ngjashme. Shqyrto tri vështirësi të zakonshme që mund të hasësh dhe si mund të të ndihmojë mençuria e Biblës.

VËSHTIRËSIA 1: E KE TË VËSHTIRË TA PRANOSH DIAGNOZËN.

Shumë prindër ndihen të dërrmuar kur mësojnë se fëmija i tyre është sëmurë. Juliana, një nënë nga Meksika, thotë: «Kur mjekët më thanë se djali ynë,  Santiago, kishte paralizë cerebrale, s’arrija ta besoja! M’u duk sikur më ra qielli mbi kokë!» Të tjerë mund të ndihen si Vilana, një nënë nga Italia: «Zgjodha të kisha një fëmijë, edhe pse ka rreziqe për gratë e moshës sime. Tani ndihem fajtore kur shoh djalin që vuan nga sindromi Daun.»

Në qoftë se të mundojnë ndjenjat e dëshpërimit e të fajit, mbaj në mendje se është normale të ndihesh kështu. Sëmundjet nuk ishin pjesë e qëllimit fillestar të Perëndisë. (Zanafilla 1:27, 28) Ai nuk i krijoi prindërit me aftësinë për ta pranuar lehtë diçka të panatyrshme. Në njëfarë kuptimi, mund «ta vajtosh» atë që s’e ke më: shëndetin e fëmijës. Të duhet kohë t’i kapërcesh këto ndjenja dhe të përshtatesh me rrethanat e reja.

Po nëse ndihesh fajtor për gjendjen e fëmijës? Mos harro se askush nuk e kupton plotësisht si ndikon trashëgimia, mjedisi dhe faktorë të tjerë në shëndetin e fëmijës. Nga ana tjetër, mbase priresh t’ia hedhësh fajin bashkëshortit. Rezistoji kësaj prirjeje! Më mirë bashkëpuno me të dhe përqendrohu te përkujdesja e fëmijës.—Eklisiastiu 4:9, 10.

SUGJERIM: Informohu për gjendjen e fëmijës. Bibla thotë: «Nevojitet mençuri për të pasur një familje të mirë dhe nevojitet kuptueshmëri për ta forcuar atë.»—Proverbat 24:3, New Century Version.

Mund të mësosh shumë nga specialistët e mjekësisë dhe nga botimet e besueshme. Të mësosh për gjendjen e fëmijës tënd, është si të mësosh një gjuhë të huaj. Mbase në fillim është e vështirë, por mund t’ia dalësh.

Karlo dhe Mia, që u përmendën në hyrje të artikullit, i kërkuan informacione mjekut të tyre dhe një organizate të specializuar për gjendjen e të birit. Ata thonë: «Kjo na ndihmoi të kuptonim jo vetëm problemet që mund të prisnim, por edhe aspektet ‘pozitive’ të sindromit Daun. Kuptuam se djali ynë mund të bënte një jetë që, në shumë aspekte, mund të quhet normale. Kjo na dha shumë zemër.»

PROVO KËTË: Përqendrohu tek ajo që mund të bëjë fëmija. Planifiko aktivitete si familje. Kur fëmija yt arrin edhe sikur një «fitore» të vogël, ji i shpejtë për ta lavdëruar dhe gëzoni së bashku.

VËSHTIRËSIA 2: NDIHESH I RRASKAPITUR DHE I IZOLUAR EMOCIONALISHT

Ndoshta mendon se përkujdesja për fëmijën e sëmurë t’i harxhon të gjitha energjitë. Xheni, një nënë nga Zelanda e Re, thotë: «Vitet e para, pasi im bir u diagnostikua me sëmundjen e shpinës së ndarë, rraskapitesha dhe qaja nëse bëja ndonjë gjë tjetër përveç punëve të shtëpisë.»

Beni ka një djalë që vuan nga distrofia muskulore dhe sindromi i Aspergerit. «Shumë veta s’do ta kuptojnë kurrë se si është jeta jonë»,—thotë ai. Mund të kesh mall të flasësh me dikë. Prapëseprapë, shumë nga miqtë e tu kanë fëmijë të shëndetshëm. Prandaj, ngurron t’u hapesh në mirëbesim atyre.

SUGJERIM: Kërko ndihmë dhe pranoje kur të jepet. Juliana, që u përmend më sipër, pranon: «Ndonjëherë unë dhe burri ndihemi në siklet të kërkojmë ndihmë.» Gjithsesi, ajo shton: «Kemi mësuar se s’ia dalim dot vetëm. Kur të tjerët na ndihmojnë, nuk ndihemi edhe aq të vetmuar.» Nëse një mik i ngushtë ose një familjar ofrohet të ulet bashkë me fëmijën tënd në një rast shoqëror ose në një mbledhje të krishterë, pranoje me mirënjohje. Një proverb i Biblës thotë: «Shoku i vërtetë të do në çdo kohë, dhe të bëhet vëlla në ditë të vështira.»—Proverbat 17:17.

Kujdesu për shëndetin tënd. Ashtu si një ambulancë duhet të furnizohet rregullisht me karburant që të vazhdojë të çojë pacientë në spital, edhe ti duhet të rimarrësh energji duke u ushqyer siç duhet, duke bërë ushtrime fizike dhe duke u çlodhur. Kështu do të arrish t’i japësh fëmijës tënd kujdesin që meriton. Savieri, i cili ka një djalë të gjymtuar, thotë kështu: «Ngaqë im bir s’mund të ecë, përpiqem të ushqehem mirë. Në fund të fundit, ai lëviz rreth e rrotull falë meje. Këmbët e mia janë këmbët e tij!»

Ku ta gjesh kohën për shëndetin tënd? Disa prindër kujdesen me radhë për fëmijën e tyre. Në këtë mënyrë, njëri prind ka mundësi të çlodhet ose t’u kushtojë vëmendje nevojave të tjera. Të duhet të blesh kohë nga aktivitetet e tjera jo shumë të rëndësishme, dhe mund të jetë sfidë të ruash ekuilibrin. Por, siç thotë edhe Majuri, një nënë nga India: «Me kalimin e kohës ia merr dorën.»

 Fol me një mik të besueshëm. Edhe miqtë që s’kanë fëmijë të sëmurë mund të të dëgjojnë me empati. Gjithashtu, mund t’i lutesh Perëndisë Jehova. A do të të ndihmojë vërtet lutja? Jasmina ka dy fëmijë me fibrozë cistike. Ajo pranon: «Në disa momente jam ndier nën presion kaq të madh, sa gati më zihej fryma.» Sidoqoftë, ajo thotë më tej: «I lutem Jehovait për lehtësim dhe forcë. Më pas, ndihem me fuqi të reja.»—Psalmi 145:18.

PROVO KËTË: Shiko me kujdes çfarë ushqimesh ha, kohën kur bën ushtrime fizike dhe sa fle. Kupto nga cilat gjëra më pak të rëndësishme mund të blesh kohë, që të kujdesesh për shëndetin tënd. Rregulloje vazhdimisht programin sipas nevojës.

VËSHTIRËSIA 3: I KUSHTON MË TEPËR VËMENDJE FËMIJËS SË SËMURË, SE PJESËS TJETËR TË FAMILJES.

Sëmundja e fëmijës mund të ndikojë tek lloji i ushqimit që ha familja, ku shkon ajo dhe sa kohë kalojnë prindërit me secilin fëmijë. Si pasojë, fëmijët e tjerë mbase ndihen të lënë pas dore. Për më tepër, prindërit mund të përkujdesen kaq shumë për fëmijën e sëmurë, sa edhe martesa e tyre vuan. Lajoneli, një baba nga Liberia, thotë: «Ndonjëherë gruaja thotë se shumicën e barrës po e mban ajo mbi shpatulla dhe se unë nuk interesohem edhe aq për tim bir. Ndihem i përçmuar dhe nganjëherë ia kthej ashpër.»

SUGJERIM: Që t’i sigurosh të gjithë fëmijët se interesohesh për ta, planifiko aktivitete që i kënaqin. «Ndonjëherë, bëjmë diçka të veçantë për djalin e madh, edhe sikur thjesht të hamë drekë në restorantin e tij të preferuar»,—thotë Xheni që u përmend më lart.

Trego interes për gjithë fëmijët e tu

Që ta mbrosh martesën, fol dhe lutu me bashkëshortin. Asimi, një baba në Indi, djali i të cilit vuan nga kriza epileptike, thotë: «Megjithëse unë dhe gruaja herë-herë ndihemi shumë të lodhur e të rraskapitur, gjejmë kohë të ulemi, të flasim e të lutemi së bashku. Çdo mëngjes, para se të zgjohen fëmijët, diskutojmë bashkë një varg nga Bibla.» Çifte të tjera mund të flasin veçmas para se të flenë. Bisedat për gjëra personale dhe lutjet e sinqerta do t’jua forcojnë martesën gjatë periudhave tejet stresuese. (Proverbat 15:22) Siç e thotë edhe një çift: «Momentet më të ëmbla të jetës sonë i kemi kaluar në ditët më të vështira.»

PROVO KËTË: Lavdëroji fëmijët për gjithë mbështetjen që i japin fëmijës së sëmurë. Shprehe rregullisht dashurinë dhe vlerësimin për ta dhe për bashkëshortin.

MOS E HUMB OPTIMIZMIN

Bibla premton se së shpejti Perëndia do të zhdukë çdo sëmundje e paaftësi që mundon si të rinjtë, edhe të moshuarit. (Zbulesa 21:3, 4) Në atë kohë, «asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’» *Isaia 33:24.

Ndërkohë, mund t’ia dalësh mbanë si prind i një fëmije me aftësi të kufizuara. «Mos u shkurajo kur të duket se gjithçka ka marrë tatëpjetën,—thonë Karlo dhe Mia, të përmendur më lart.—Përqendrohu te gjërat e mrekullueshme të fëmijës, sepse ka shumë prej tyre.»

^ par. 3 Emrat në këtë artikull janë ndryshuar.

^ par. 29 Për më shumë informacion se çfarë premton Bibla për shëndetin e përsosur, mund të lexosh në kapitullin 3 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

PYET VETEN . . .

  • Si përpiqem ta mbaj sa më të fortë të jetë e mundur shëndetin tim fizik, emocional dhe frymor?

  • Kur ishte hera e fundit që i lavdërova fëmijët e tjerë për ndihmën që japin?