Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pyetja 1: A ka ndonjë qëllim jeta ime?

Pyetja 1: A ka ndonjë qëllim jeta ime?

ROZALINDA, e cila u rrit në Angli, kishte etje të pashuar për njohuri. Gjithashtu donte të ndihmonte të tjerët. Pasi u diplomua, zuri një punë prestigjoze ku ndihmonte të pastrehët. U vinte në ndihmë edhe individëve me kufizime fizike e çrregullime në të mësuar. Ndonëse kishte punë të kënaqshme dhe me goxha të ardhura, ajo thotë: «Për vite me radhë pyesja veten ‘Pse ekzistojmë?’ dhe ‘Cili është qëllimi i jetës?’»

Pse e bëjmë këtë pyetje?

Njerëzit nuk janë si kafshët, të cilat s’arsyetojnë. Kemi aftësi të mësojmë nga e kaluara, të planifikojmë të ardhmen dhe të kërkojmë një qëllim në jetë.

Cila është përgjigjja sipas disave?

Mjaft veta mendojnë se qëllimi kryesor në jetë është të fitosh pasuri ose famë, dhe kështu të arrish lumturinë.

Ç’nënkupton kjo përgjigje?

Ne vendosim përparësitë tona në jetë. Dëshirat tona janë më të rëndësishme se vullneti i Perëndisë.

Çfarë mëson Bibla?

Mbreti Solomon mblodhi pasuri pa fund dhe u dha pas kënaqësive, por kuptoi se këto gjëra të përkohshme nuk i sollën qëllim të vërtetë në jetë. Ai tregoi se çfarë i dha qëllim të vërtetë në jetë kur shkroi: «Përfundimi i çështjes, pasi është dëgjuar çdo gjë, është: frikësoju Perëndisë së vërtetë dhe përmbushi urdhërimet e tij. Sepse ky është tërë detyrimi i njeriut.» (Eklisiastiu 12:13) Çfarë përfshin të përmbushim urdhërimet e tij?

Pjesë e qëllimit të Perëndisë për ne është ta gëzojmë jetën. Solomoni shkroi: «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se të hajë e të pijë  dhe që shpirti i tij të shohë të mira, për shkak të mundit të tij. Edhe këtë e kam parë që është nga dora e Perëndisë së vërtetë.»​—Eklisiastiu 2:24.

Gjithashtu, Perëndia do që ta duam familjen e të kujdesemi për të. Ja çfarë udhëheqjeje praktike e të thjeshtë i jepet secilit pjesëtar të familjes.

  • «Burrat duhet t’i duan gratë e tyre, si vetë trupat e tyre.»​—Efesianëve 5:28.

  • «Gruaja duhet të ketë respekt të thellë për burrin e saj.»​—Efesianëve 5:33.

  • «Fëmijë, bindjuni prindërve tuaj.»​—Efesianëve 6:1.

Nëse i zbatojmë këto parime biblike, do të gjejmë njëfarë lumturie e kënaqësie. Megjithatë, gjëja më e rëndësishme është të mësojmë gjithçka mundemi për Krijuesin dhe t’i afrohemi si mikut tonë. Në fakt, Bibla na fton ‘t’i afrohemi Perëndisë’. Më pas bën këtë premtim të jashtëzakonshëm: «Ai do t’ju afrohet.» (Jakovi 4:8) Po ta pranosh këtë ftesë, do të gjesh qëllim të vërtetë në jetë.

Rozalinda që u përmend më sipër, tani mendon se e ka gjetur qëllimin e jetës. Mund të lexosh ç’e shtyu të ndryshonte qëndrim në artikullin «Bibla të ndryshon jetën».