Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Dëgjues i lutjes»

«Dëgjues i lutjes»

 Afrojuni Perëndisë

«Dëgjues i lutjes»

1 KRONIKAVE 4:9, 10

A U PËRGJIGJET vërtet Perëndia Jehova lutjeve të sinqerta të adhuruesve të tij të përkushtuar? Tregimi biblik për një njeri me emrin Jabez, për të cilin nuk kemi shumë informacion, tregon se Jehovai është vërtet ‘Dëgjuesi i lutjes’. (Psalmi 65:2) Ky tregim i shkurtër gjendet në një vend që nuk ta pret mendja, në mes të listës gjenealogjike që hap librin e parë të Kronikave. Le të shqyrtojmë 1 Kronikave 4:9, 10.

Gjithçka që dimë për Jabezin gjendet në këto dy vargje. Sipas vargut 9, «emrin Jabez ia vuri nëna e tij, e cila tha: ‘E linda me dhembje.’» * Pse zgjodhi këtë emër? Mos vallë e solli në jetë të birin me më shumë dhembje lindjeje se zakonisht? Apo ishte vejushë dhe po vajtonte për burrin që nuk ishte aty për të mirëpritur foshnjën e sapolindur? Bibla nuk e thotë. Por kjo nënë në të ardhmen do të kishte arsye të krenohej shumë për këtë bir. Vëllezërit e Jabezit mund të kenë qenë burra të drejtë, por «Jabezi u bë më i nderuar se vëllezërit e tij».

Jabezi lutej shumë. Në një lutje ai filloi duke kërkuar bekimin e Perëndisë. Më pas bëri tri kërkesa që pasqyrojnë një zemër plot besim.

Së pari, iu përgjërua Perëndisë me fjalët: ‘Zgjeroje territorin tim.’ (Vargu 10) Ky njeri i nderuar nuk po lakmonte tokën e tjetrit. Kërkesa e tij me gjithë zemër mund të ketë pasur më shumë lidhje me njerëzit, sesa me territorin. Ai mund të ketë kërkuar një zgjerim paqësor të territorit të tij që të mbushej edhe më shumë me adhurues të Perëndisë së vërtetë. *

Së dyti, Jabezi u përgjërua që «dora» e Perëndisë të ishte me të. Dora simbolike e Perëndisë është fuqia që ai e përdor në ndihmë të adhuruesve të tij. (1 Kronikave 29:12) Që t’i plotësoheshin kërkesat e zemrës, Jabezi iu drejtua Perëndisë, pasi dora e tij nuk është e shkurtër ndaj atyre që tregojnë besim tek ai.​—Isaia 59:1.

Së treti, Jabezi u lut: «Të më ruash nga gjëma, që të mos më dëmtojë.» Shprehja «që të mos më dëmtojë» mund të nënkuptojë se Jabezi nuk u lut që t’i shpëtonte gjëmës, por që të mos hidhërohej ose mposhtej nga e keqja.

Lutja e Jabezit tregon se merakosej për adhurimin e vërtetë dhe se besonte te Dëgjuesi i lutjes. Si iu përgjigj Jehovai? Ky tregim i shkurtër mbyllet me fjalët: «Kështu, Perëndia përmbushi atë që i kishte kërkuar.»

Dëgjuesi i lutjes nuk ka ndryshuar. Ai kënaqet me lutjet e adhuruesve të vet. Ata që besojnë tek ai mund të kenë këtë siguri: «Çfarëdo që të kërkojmë sipas vullnetit të tij, ai na dëgjon.»​—1 Gjonit 5:14.

[Shënimet]

^ par. 2 Rrënja e fjalës Jabez do të thotë «dhembje».

^ par. 4 Targumet, parafrazime judaike të Shkrimeve të Shenjta, i përkthejnë kështu fjalët e Jabezit: «Më beko me fëmijë dhe zgjeroji kufijtë e mi me dishepuj.»