Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jezu Krishti​—Mesazhi i tij dhe ti

Jezu Krishti​—Mesazhi i tij dhe ti

 Jezu Krishti​—Mesazhi i tij dhe ti

«Unë erdha që [ata] të kenë jetë e ta kenë me bollëk.» —GJONI 10:10.

JEZU KRISHTI erdhi në tokë kryesisht për të dhënë, jo për të marrë. Me anë të shërbimit, i dha njerëzimit një dhuratë të çmuar: mesazhin që zbulonte të vërtetën për Perëndinë dhe vullnetin e tij. Ata që i përgjigjen këtij mesazhi mund të gëzojnë një jetë më të mirë që tani, ashtu siç mund të dëshmojnë edhe miliona të krishterë të vërtetë. * Por dhurata më e çmuar nga të gjitha është jeta e përsosur që ai dha për të mirën tonë, dhe ky ishte thelbi i mesazhit që Jezui predikoi. Mirëqenia jonë e përhershme varet se si do t’i përgjigjemi këtij aspekti kyç të mesazhit.

Çfarë dhanë Perëndia dhe Krishti? Jezui e dinte se do të kishte një vdekje të dhembshme në duart e armiqve. (Mateu 20:17-19) Megjithatë, te fjalët e njohura që gjenden te Gjoni 3:16, ai tha: «Perëndia e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që tregon besim tek ai, të mos shkatërrohet, por të ketë jetë të përhershme.» Jezui tha edhe se erdhi «të japë shpirtin [ose jetën] e vet si shpërblesë për shumë njerëz». (Mateu 20:28) Pse tha se jetën do ta jepte dhe jo se do t’ia merrnin?

I shtyrë nga dashuria e pashoqe, Perëndia mori masa që njerëzit të shpëtonin nga mëkati i trashëguar e nga pasojat e tij: papërsosmëria dhe vdekja. Për të bërë këtë, Perëndia dërgoi në tokë Birin e vetëmlindur që të vdiste si flijim. Jezui u bind vullnetarisht duke dhënë jetën e përsosur për të mirën tonë. Kjo masë, e quajtur shpërblesa, është dhurata më e madhe që i ka bërë Perëndia njerëzimit. * Është një dhuratë që mund të na çojë drejt jetës së përhershme.

Çfarë duhet të bësh? A është shpërblesa një dhuratë që të është bërë ty? Kjo varet nga ti. Ta ilustrojmë: imagjino sikur dikush të zgjat një dhuratë. Ajo do të bëhet jotja vetëm po të zgjatësh dorën e ta marrësh. Po kështu, Jehovai të ofron shpërblesën, por kjo dhuratë do të bëhet jotja vetëm nëse e pranon. Si ta bësh këtë?

Jezui tha se jetën e përhershme do ta marrin ata që ‘tregojnë besim’ tek ai. Besimi duket te mënyra si jeton. (Jakovi 2:26) Të tregosh besim te Jezui do të thotë të jetosh në përputhje me ato që tha e bëri. Për ta arritur këtë, duhet ta njohësh Jezuin, si edhe Atin e tij. Jezui pohoi: «Që të marrin jetën e përhershme, duhet të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që dërgove, Jezu Krishtin.»—Gjoni 17:3.

Rreth 2.000 vjet më parë, Jezu Krishti dha një mesazh që u ka ndryshuar jetën miliona njerëzve në gjithë botën. A dëshiron të dish më shumë për këtë mesazh? Dhe si mund të nxjerrësh dobi ti dhe njerëzit e tu të dashur, jo vetëm tani, por përgjithmonë? Dëshmitarët e Jehovait do të të ndihmojnë me kënaqësi për këtë.

Artikujt vijues do të të njohin më shumë me Jezu Krishtin, njeriun që predikoi një mesazh që mund të të ndryshojë jetën përgjithmonë.

[Shënimet]

^ par. 3 Jo çdokush që thotë se është i krishterë është dishepull i vërtetë i Krishtit. Dishepujt e vërtetë të Jezuit janë ata që jetojnë në përputhje me të vërtetat që na mësoi për Perëndinë dhe vullnetin e Tij.—Mateu 7:21-23.

^ par. 5 Për më shumë informacion në lidhje me mësimin e shpërblesës në Bibël, shih kapitullin 5 me titull «Shpërblesa—Dhurata më e madhe e Perëndisë» në librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.