Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shkëmbinj koralorë në re

Shkëmbinj koralorë në re

 Letër nga Papua Guineja e Re

Shkëmbinj koralorë në re

ËSHTË e martë, ora pesë e mëngjesit. Në Lae të Papua Guinesë së Re bën zagushi. Bashkë me time shoqe po bëhemi gati të nisemi për në Lengbati, lart në malin Rolinson të provincës së Morobes, për të vizituar një grup Dëshmitarësh të Jehovait.

Fluturimi me aeroplanin katër vendësh me një motor zgjat vetëm 30 minuta. Gjatë këtyre fluturimeve, shpesh ulem afër pilotit dhe komunikojmë nëpërmjet kufjeve nën uturimën e motorit. Teksa tregon aparaturat matëse dhe pajisjet në panelin drejtues, më shpjegon përse shërbejnë dhe me shaka më thotë se, po t’i ndodhë gjë, duhet ta drejtoj unë aeroplanin. Sakaq më kujtohet historia e një shërbëtori tjetër udhëtues të Dëshmitarëve të Jehovait këtu në Papua Guinenë e Re. Kur piloti humbi ndjenjat në mes të fluturimit, Dëshmitari me gruan u sorollatën në ajër të drejtuar nga autopiloti, derisa piloti erdhi në vete dhe u ulën. Shyqyr që udhëtimi ynë shkon për bukuri.

Tani po fluturojmë paralel me vargmalin kur, papritur, kthehemi nëpër një të çarë mes reve dhe kapërcejmë një kreshtë mali, së cilës i kaluam vetëm nja 100 metra sipër. Përpara nesh shtrihet fshati i Lengbatit, një grumbull shtëpish të ndërtuara me materiale shkurresh dhe që kanë çati me një shtresë të trashë bari. Ndërsa fluturojmë mbi pistë, piloti i hedh sytë nga ajo që të kontrollojë gjendjen e saj dhe se mos ka fëmijë që luajnë futboll. Gjithashtu shikon nëse derrat kanë gërmuar gropa që nga hera e fundit që ka qenë aty. Teksa kthehet drejt luginës, thotë: «Çdo gjë në rregull. Provojmë të ulemi.» Vijmë përqark dhe ulemi në pistën e shkurtër që fshatarët kanë hapur në anë të malit e që kohët e fundit e kanë shtruar sërish me gurë gëlqerorë të thërrmuar, të marrë nga një mal aty afër.

Në udhëtimet e mëparshme në këto vise, i kam parë formacionet e thyera gëlqerore koralore dhe kam pyetur veten sa i vjetër është vërtet ky vargmal. Vetëm imagjinoni forcat e fuqishme që i kanë shtyrë jashtë oqeanit këta shkëmbinj koralorë të gjatë qindra kilometra dhe i kanë ngritur katër kilometra në ajër! Ndërsa zbresim nga aeroplani, qëndrojmë në ata që i quaj shkëmbinj koralorë në re.

Si gjithnjë, fshatarët vijnë me vrap nga çdo anë me të dëgjuar zhurmën e aeroplanit që ulet. Teksa piloti fik motorin, shoh një burrë që del nga turma dhe vjen drejt aeroplanit. Është Zungu. Është një nga burrat e caktuar nga vendësit për t’u kujdesur për programet javore të mësimit që mbahen nga  Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën. Ai njihet si burrë i ndershëm e i besueshëm. E pranon se është bërë njeri i tillë ngaqë zbaton parimet biblike. Pasi përshëndetemi e shtrëngojmë duart, marrim rrugën me Zungun dhe Dëshmitarë të tjerë për të shkuar pak më poshtë malit. Të rinjtë na vijnë pas, duke diskutuar me zjarr me njëri⁠⁠-⁠⁠tjetrin se kush do t’i mbajë çantat tona të shpinës.

Mbërrijmë në një shtëpi të vogël druri, të ndërtuar nga Dëshmitarët vendës për shërbëtorin udhëtues që i viziton rreth çdo gjashtë muaj. Edhe pse Papua Guineja e Re është vend tropikal, këtu lart bën goxha fresk për shkak të lartësisë. Natën, kur ndezim llambën me vajguri, shpesh shoh retë, që, gjatë mesditës, janë ngjitur dalëngadalë mbi mal nga lugina e që tani përvidhen në shtëpi nëpër hapësirat midis dërrasave të dyshemesë. Duket pak e çuditshme të veshësh një xhup për ski dhe xhinse kur vetëm disa orë përpara po plasnim në zhegun tropikal, poshtë në bregdet.

Në mesin e viteve 80 të shekullit të 20⁠⁠-⁠⁠të, një vendës studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait në Lae. Kur u kthye këtu në fshatin e tij, ai dhe disa të tjerë ndërtuan një vend të vogël për t’u mbledhur, për të cilin ndiheshin krenarë. Pastaj, pastori i kishës luterane bashkë me përkrahësit e tij e bënë shkrumb e hi këtë ambient për mbledhje. Ata shpallën me mburrje se ky ishte një vend absolutisht luteran. Që prej asaj kohe, pavarësisht nga kundërshtimi i vazhdueshëm, Dëshmitarët kanë ndërtuar një vend tjetër mbledhjeje dhe numri i tyre është rritur vazhdimisht, e tani ka rreth 50 shpallës aktivë të lajmit të mirë. Disa nga ata që më parë kundërshtonin veprën e Dëshmitarëve, tani marrin pjesë me zell në të.

Në ditët tona, shpesh fshatarët i mirëpresin Dëshmitarët e Jehovait, të cilët i mësojnë për Biblën. Ndonëse pak në fshat dinë të lexojnë, shumica e Dëshmitarëve vendës kanë mësuar shkrim e këndim që t’u japin të tjerëve mesazhin e Biblës. Çdo javë në mbledhjet që zhvillojnë në Sallën e Mbretërisë, vijnë nja 200 veta.

Këtu nuk ka elektricitet. Në mbrëmje të gjithë mblidhemi rreth zjarrit ku edhe gatuhet. Hamë, flasim dhe qeshim bashkë. Gëzimi që sjell shërbimi i Jehovait duket qartë në fytyrat rrëzëlluese të miqve tanë, që ndriçojnë në dritën e ngrohtë të zjarrit. Pak nga pak, teksa ora kalon, disa marrin nga zjarri një bombom, një gjethe palme të ndezur. Shpresojnë që të digjet ngadalë, e kështu të kenë pak dritë ndërsa vrapojnë nëpër shtigjet mes shkurreve drejt shtëpive të veta.

Rrugës për në shtëpi, ndiejmë qetësinë që mbretëron këtu. Na rrethojnë tingujt e natyrës. Para se të flemë, i hedhim një vështrim të fundit qiellit të kthjellët dhe mahnitemi sa shumë yje dallon nga kjo lartësi.

Java ikën pa u ndier, e nesër jemi prapë për fluturim. Edhe një natë tjetër e freskët në retë e Lengbatit, pastaj kthehemi sërish në vapën dhe lagështinë e bregdetit.