Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Lundrimet përtej Mesdheut në lashtësi

Lundrimet përtej Mesdheut në lashtësi

 Lundrimet përtej Mesdheut në lashtësi

Sot njerëzit s’e kanë për gjë t’i hipin aeroplanit dhe të fluturojnë nga një kontinent në tjetrin. A ju duket çudi që edhe në kohët biblike njerëzit përshkonin distanca të largëta?

RRETH një mijë vjet para Krishtit, mbreti Solomon ndërtoi një flotë anijesh që lundronin bashkë me anijet e mbretit të Tirit dhe sillnin në Izrael gjëra të çmuara nga vise të largëta. (1 Mbretërve 9:26-28; 10:22) Në shekullin e nëntë p.e.s., profeti Jona i hipi një anijeje në portin mesdhetar të Jopës, në Izrael, që të shkonte në Tarshish. * (Jonai 1:3) Në shekullin e parë të e.s., apostulli Pavël bëri një udhëtim nga Cezarea e Izraelit në Puteoli, Pocuoli i sotëm, në gjirin e Napolit, Itali.—Veprat 27:1; 28:13.

Historianët e dinë se në ditët e Pavlit, tregtarët e Mesdheut lundronin rregullisht për në Indi nëpërmjet Detit të Kuq dhe, nga mesi i shekullit të dytë, disa kishin arritur pak nga pak gjer në Kinë. * Por, çfarë dimë për lundrimet e hershme përtej Mesdheut, drejt perëndimit? Deri ku arritën  të shkonin lundërtarët e antikitetit në atë drejtim?

Lundrimet e hershme fenikase

Shekuj para kohës së Pavlit, popuj detarë kishin themeluar koloni tregtare në Perëndim. Mendohet se fenikasit, atdheu i të cilëve gjendej në Libanin e sotëm, arritën në Atlantik aty nga viti 1.200 p.e.s. Rreth vitit 1.100 p.e.s. themeluan Gadirin, sot qyteti-port i Kadiksit të Spanjës, pak më tej ngushticës së Gjibraltarit. Ndër gjërat që shiteshin atje ishte argjendi i nxjerrë nga minierat vendëse dhe kallaji i importuar nga tregtarët që lundronin në Atlantik.

Historiani grek, Herodoti, shkroi se, në shekullin e shtatë p.e.s., faraoni Neko i Egjiptit mblodhi në pjesën e sipërme të Detit të Kuq një flotë me anije fenikase të drejtuara nga ekuipazh fenikas. Synimi ishte t’i binte rreth e qark Afrikës nga lindja në perëndim.

Në atë kohë, fenikasit tashmë kishin shekuj që i eksploronin brigjet e Afrikës. Gjithsesi, për shkak të erërave dhe rrymave që i kishin kundër, për detarët që niseshin drejt jugut përgjatë bregut afrikan në Atlantik, duhet të ketë qenë tejet e mundimshme të shkonin shumë larg. Sipas Herodotit, për ekspeditën e re, fenikasit u nisën nga Deti i Kuq dhe lundruan përgjatë bregut lindor të Afrikës drejt jugut për në Oqeanin Indian. Nga mesi i vitit dolën në breg, mbollën e ndenjën aq sa morën prodhimin, pastaj u nisën sërish. Në vitin e tretë, siç thotë Herodoti, i ranë qark tërë kontinentit, hynë në Mesdhe dhe u kthyen në Egjipt.

Herodoti e përfundon këtë tregim duke thënë se fenikasit treguan gjëra që atij s’i besoheshin, përfshirë këtu edhe pohimin e tyre se, ndërsa lundronin përgjatë kepit më jugor të Afrikës, panë diellin në të djathtën e tyre. Për një grek të lashtë ishte vërtet e vështirë ta besonte këtë. Çdokush që gjithë jetën e ka kaluar në veri të ekuatorit është mësuar ta shohë diellin në jug. Prandaj, kur ai shkon drejt perëndimit, diellin e ka në të majtë. Por në Kepin e Shpresës së Mirë, që gjendet në jug të ekuatorit, dielli i mesditës është në veri, pra nëse drejtohesh për në perëndim, e ke në të djathtë.

Për shekuj me radhë, tregimi i Herodotit ka qenë temë debatesh ndërmjet historianëve. Mbase shumë vetave u duket e pabesueshme që marinarë në kohë kaq të hershme t’i kenë rënë përqark Afrikës. Sidoqoftë, studiuesit besojnë se faraoni Neko e autorizoi vërtet një ekspeditë të tillë dhe se ky udhëtim ishte i mundur, duke marrë parasysh aftësitë dhe njohuritë që zotëronin asokohe. «Një lundrim i tillë ishte plotësisht i realizueshëm,—thotë historiani Lajonel Kason.—Nuk ka arsye përse një ekuipazh fenikas të mos lundronte sipas harkut kohor dhe mënyrës që përshkruan Herodoti.» Deri në ç’pikë është i vërtetë tregimi i Herodotit, kjo s’mund të përcaktohet me siguri. Sidoqoftë, ai na hap një dritare të vogël rreth përpjekjeve të palodhura për të arritur vise të panjohura qysh në kohë kaq të hershme.

Piteu lundron drejt veriut

Në lashtësi, nuk ishin fenikasit të vetmit mesdhetarë që çanë në perëndim drejt Atlantikut. Ndër kolonitë që marinarët grekë krijuan përreth Mesdheut ishte Masalia, qyteti i sotëm francez i Marsejës. Qyteti u begatua falë tregtisë në rrugë detare e tokësore. Nga Masalia, tregtarët dërgonin verë, vaj dhe artikuj bronzi të Mesdheut në veri, dhe, prej andej, merrnin metale të papërpunuara dhe qelibar. Pa dyshim, masalianëve u interesonte burimi i këtyre të mirave. Kështu rreth vitit 320 p.e.s, Piteu, grek nga Masalia, u nis t’i shihte vetë këto vende të largëta veriore.

 Kur u kthye, Piteu shkroi një rrëfim për udhëtimet e tij, i titulluar Në oqean. Ndonëse teksti origjinal në greqisht i librit të tij nuk ekziston më, është cituar nga të paktën 18 autorë të antikitetit. Këto citime tregojnë se Piteu i përshkroi me kujdes detet, baticat e zbaticat, gjeografinë dhe popujt e vendeve ku shkoi. Gjithashtu përdorte gjatësinë e hijes që krijonte shtylla e orës diellore, për të llogaritur këndin e ngritjes së diellit në mesditë në një datë të caktuar dhe nga kjo llogariste sa në veri kishte shkuar.

Interesat personale të Piteut ishin shkencore. Gjithsesi, eksplorimi shkencor zor se mund të ketë qenë synimi kryesor i lundrimit të tij. Studiuesit janë të mendimit se në të vërtetë, ai u autorizua dhe u financua nga tregtarët e Masalisë. Ata e dërguan Piteun të gjente një rrugë detare drejt atyre brigjeve të largëta ku e dinin se mund të merrnin qelibar dhe kallaj. Atëherë, cilat vende përshkoi Piteu?

Në Bretanjë, Britani dhe përtej

Duket se Piteu lundroi përreth Iberisë dhe shkoi sipër bregut të Galisë deri në Bretanjë, ku doli në breg. Këtë e dimë, pasi një prej matjeve të këndit të diellit mbi horizont, të cilën me siguri e bëri në tokë, tregon një pozicion që përkon me Bretanjën Veriore. *

Njerëzit në Bretanjë ishin ndërtues anijesh me përvojë dhe detarë që bënin tregti me Britaninë. Kornuelli, kepi jugperëndimor i Britanisë, ishte i pasur në kallaj, një përbërës thelbësor i bronzit, e pikërisht për atje mori udhën më tej Piteu. Raporti i tij përshkroi madhësinë dhe formën pak a shumë trekëndëshe të Britanisë, duke thënë se me siguri i kishte rënë përqark ishullit.

Ndonëse rruga e saktë që përshkoi Piteu është çështje hamendjeje, ai mund të ketë lundruar fare mirë midis Britanisë dhe Irlandës dhe të jetë ndalur në ishullin e Menit, gjerësia gjeografike e të cilit përkon me matjen e tij të dytë të këndit diellor. Matjen e tretë mund ta ketë bërë në Luis të Hebrideve të Jashtme, pranë bregut perëndimor të Skocisë. Prej andej, ka të ngjarë që vazhdoi në veri drejt Ishujve Orkade, në veri të Skocisë, pasi tregimi i tij, i cituar nga Plini  Plaku, thotë se këta ishin një grumbull me 40 ishuj.

Piteu shkroi se gjashtë ditë lundrimi larg në veri të Britanisë, shtrihej një vend që u quajt Tule. Disa autorë të lashtë e përmendin përshkrimin që i bën Piteu Tules, si vendi i diellit të mesnatës. Ai shkroi se, pas një dite tjetër lundrimi që andej, arrije aty ku deti ishte «i ngrirë». Se ku gjendej saktësisht vendi Tule i përshkruar nga Piteu, kjo ka ngjallur shumë debate: disa thonë në Ishujt Farer, të tjerë në Norvegji, kurse të tjerë në Islandë. Kudo që të ishte, autorët e lashtë besonin se ishte «pika më veriore nga të gjitha vendet e njohura».

Mendohet se Piteu u kthye në Britani duke ndjekur pak a shumë të njëjtën rrugë nga ishte nisur që andej e më tej e plotësoi xhiron përqark ishullit, duke përshkuar pjesën lindore të tij. Nuk dimë nëse e eksploroi më tej bregun verior të Evropës para se të kthehej në Mesdhe. Sido që të jetë, Plini Plaku citon se Piteu ishte njohës i mirë i rajoneve të prodhimit të qelibarit. Burimet e lashta të këtij materiali të çmuar gjenden në Jutlandë, pjesë e Danimarkës së sotme, dhe në bregun jugor të detit Baltik. Sigurisht, Piteu mund të ketë mësuar për këto vende në ndonjë port të Britanisë Lindore dhe, me sa dimë, nuk ka thënë se ka shkuar vetë atje.

Udhëtari tjetër i njohur mesdhetar që ka shkruar për vizitën e tij në Britani është Jul Cezari, që zbarkoi në jug të këtij ishulli në vitin 55 p.e.s. Aty nga viti 6 i e.s., fushata të tjera romake ishin bërë deri në Jutlandë.

Zgjerojnë horizontin

Fenikasit dhe grekët i zgjeruan njohuritë gjeografike jo vetëm për vendet e Mesdheut e të Atlantikut, por edhe për viset më jugore të Afrikës e deri në Arktik, në veri. Bota e asaj kohe ishte një botë eksplorimesh, tregtie, zgjerimi dijesh, udhëtimesh në largësi të stërmëdha dhe fryt i gjithë kësaj ishte vërshimi i ideve dhe i njohurisë.

Dëshmitë e mbijetuara rreth eksplorimeve të lashta me siguri tregojnë vetëm një pjesëz të lundrimeve që detarët e guximshëm realizuan me sukses. Sa detarë të lashtë u kthyen në vendin nga u nisën pa shkruar kurrë se ku kishin qenë? Sa të tjerë u nisën nga vendi i tyre drejt vendeve të largëta për të mos u kthyer më kurrë? Këto pyetje mbeten pa përgjigje. Por mund të kuptojmë diçka për përhapjen e hershme të krishterimit.—Shih  kutinë më sipër.

[Shënimet]

^ par. 3 Shpesh me këtë emër quhet një krahinë në Spanjën Jugore, të cilën shkrimtarët grekë dhe romakë e quanin Tartes.

^ par. 4 Për më shumë informacione rreth lundrimeve në lindje, shih «Sa larg në lindje mund të shkonin misionarët?», në Kullën e Rojës të 1 janarit 2009.

^ par. 16 Po të shprehemi me termat e sotëm, përkon me 48°42’ gjerësi gjeografike veriore.

[Kutia në faqen 29]

 Lajmi i mirë «iu predikua të gjitha krijesave»

Rreth vitit 60-61 të e.s., apostulli Pavël shkroi se lajmi i mirë «iu predikua të gjitha krijesave nën qiell». (Kolosianëve 1:23) A donte të thoshte se të krishterët tashmë kishin predikuar në Indi, Lindjen e Largët, Afrikë, Spanjë, Gali, Britani, vendet baltike dhe në vendin Tule të Piteut? Duket e pamundur, por s’mund të jemi të sigurt.

Gjithsesi, s’ka dyshim se lajmi i mirë u përhap gjerësisht. Për shembull, judenjtë dhe prozelitët që përqafuan krishterimin në festën e Ditës së Pesëdhjetë në vitin 33 të e.s., e përhapën besimin e sapogjetur të paktën deri në Partë, Elam, Medi, Mesopotami, Arabi, Azi të Vogël, viset e Libisë afër Kirenës dhe në Romë, pra, në botën që njihnin lexuesit e Pavlit.—Veprat 2:5-11.

[Diagrami dhe harta në faqet 26, 27]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Herodoti tha se, kur lundruan përqark kepit të Afrikës, detarët e panë diellin në të djathtë

[Harta]

AFRIKA

DETI MESDHE

OQEANI ATLANTIK

OQEANI INDIAN

[Diagrami dhe harta në faqet 28, 29]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Lundrimi i gjatë i detarit grek, Piteut

[Harta]

IRLANDË

ISLANDË

NORVEGJI

Deti i Veriut

BRITANI

BRETANJË

GADISHULLI IBERIK

BREGU I AFRIKËS VERIORE

DETI MESDHE

Marsejë