Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Jehovai sheh zemrën»

«Jehovai sheh zemrën»

 Afrojuni Perëndisë

«Jehovai sheh zemrën»

1 SAMUELIT 16:1-12

PAMJA e jashtme mund të të gënjejë. Mënyra si duket njeriu nga jashtë nuk zbulon medoemos si është nga brenda, thellë në zemrën e tij. Njerëzit kanë prirjen t’i gjykojnë të tjerët nga pamja e jashtme. Sa mirë që Perëndia Jehova sheh përtej pamjes së jashtme! Këtë e tregojnë qartë fjalët që gjejmë te 1 Samuelit 16:1-12.

Imagjino skenën. Jehovai është gati të mirosë një mbret të ri për kombin e Izraelit. Perëndia i thotë profetit Samuel: «Do të të dërgoj te Jeseu, betlehemiti, sepse kam zgjedhur për mbret një nga bijtë e tij.» (Vargu 1) Jehovai nuk e tregon emrin, por thotë se i zgjedhuri do të jetë një nga bijtë e Jeseut. Rrugës për në Betlehem, Samueli mbase pyet veten: «Si do ta kuptoj cilin prej bijve të Jeseut ka zgjedhur Jehovai?»

Me të mbërritur në Betlehem, Samueli fton Jeseun dhe bijtë e tij në një vakt që të hanë një kafshë të flijuar. Kur hyn Eliabi, djali i madh, Samuelit menjëherë i bën shumë përshtypje pamja e tij. Samueli mendon se Eliabi, me shtatin e tij, ka tamam pamje mbreti dhe thotë me vete: «Me siguri para Jehovait gjendet i mirosuri i vet.»​—Vargu 6.

Megjithatë, Jehovai i sheh gjërat ndryshe. Ai i thotë Samuelit: «Mos i shiko pamjen dhe shtatin e lartë, sepse unë e kam hedhur poshtë.» (Vargu 7) Jehovait nuk i bën përshtypje sa shtatlartë dhe i pashëm është Eliabi. Sytë e Jehovait, që shohin gjithçka, depërtojnë përtej pamjes së jashtme dhe shohin aty ku gjendet bukuria e vërtetë.

Jehovai i shpjegon Samuelit: «Perëndia nuk sheh si sheh njeriu, sepse njeriu sheh atë që sheh syri, kurse Jehovai sheh zemrën.» (Vargu 7) Po, për Jehovain ka rëndësi zemra: njeriu i brendshëm, burimi i mendimeve, qëndrimeve dhe ndjenjave të njeriut. «Ai që shqyrton zemrat» e hedh poshtë Eliabin, si dhe gjashtë bijtë e tjerë të Jeseut që paraqiten para Samuelit.​—Proverbat 17:3.

Jeseu ka edhe një djalë tjetër, Davidin, më të voglin, që «po kullot dhentë». (Vargu 11) Kështu dikush dërgohet ta marrë Davidin nga fushat, dhe ai vjen para Samuelit. Jehovai i thotë Samuelit: «Ngrihu dhe mirose, sepse ky është!» (Vargu 12) Vërtet, Davidi është djalosh «me sy të bukur e i pashëm», por është zemra ajo që e bën të pëlqyeshëm në sytë e Perëndisë.​—1 Samuelit 13:14.

Në një botë që i jep kaq rëndësi bukurisë së jashtme, mund të ngushëllohemi kur dimë se Perëndia Jehova nuk ndikohet nga pamja. Për të nuk ka rëndësi sa i gjatë je ose nëse të tjerët të konsiderojnë të pashëm a të bukur. Ajo që ka rëndësi për Jehovain është si je nga brenda, çfarë zemre ke. A nuk të nxit kjo të kultivosh ato lloj cilësish që të bëjnë të bukur në sytë e Perëndisë?