Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet të jesh gjithmonë i ndershëm?

A duhet të jesh gjithmonë i ndershëm?

 A duhet të jesh gjithmonë i ndershëm?

TË GJITHË janë të ndershëm disa herë; mjaft njerëz ndoshta janë të ndershëm shumë herë. Po, sa njerëz njeh që përpiqen të jenë të ndershëm gjithmonë?

Sot, në shumë fusha të jetës mbizotëron pandershmëria. Megjithatë, dihet cila është pikëpamja e Perëndisë për ndershmërinë. Për shembull, shumica e njerëzve e di mirë këtë urdhërim të Biblës: «Mos vidh.» (Dalja 20:15) Por, shumë janë të mendimit se rrethanat ndonjëherë e justifikojnë vjedhjen ose ndonjë pandershmëri tjetër. Le të shohim tre raste kur vjedhja zakonisht justifikohet.

A e justifikon varfëria vjedhjen?

Njëherë, një burrë shteti romak tha: «Krimi është pjellë e varfërisë.» Një i varfër mund ta justifikojë veten kur vjedh. Ata që shohin aktin e vjedhjes, mund të kenë të njëjtin mendim. Cila ishte pikëpamja e Jezuit për këtë? Ai ishte shumë i dhembshur me nevojtarët. Jezui «ndjeu keqardhje për ta». (Mateu 9:36) Prapëseprapë, kurrë nuk e toleroi vjedhjen, pavarësisht nga rrethanat. Po çfarë duhet të bëjë një i varfër?

Perëndia ka dhembshuri për ata që përpiqen me gjithë zemër t’i binden dhe do t’i bekojë përpjekjet e tyre për të siguruar gjërat e nevojshme. (Psalmi 37:25) Bibla premton: «Jehovai nuk do të bëjë që shpirti i të drejtit të ketë uri, por do ta shtyjë tutje dëshirimin e të ligjve.» (Proverbat 10:3) A mund t’i besojë një i varfër këtij premtimi? Viktorina është e sigurt se po.

Duke qenë vejushë me pesë fëmijë në moshë shkollore, Viktorina e ka shumë të vështirë. Ajo jeton në një vend në zhvillim ku përkrahja sociale është e paktë. Njerëzit e kalojnë ditën kryesisht jashtë shtëpisë, ku rastet për të vjedhur janë të shumta. Megjithatë, Viktorina nuk tundohet të vjedhë. Ajo përpiqet t’ia dalë me atë që fiton si shitëse e ndershme ambulante. Pse nuk heq dorë nga ndershmëria ajo?

«Së pari, besoj se Perëndia është i ndershëm dhe se do të jetë i ndershëm me mua nëse e imitoj. Së dyti, fëmijët e mi mund ta mësojnë ndershmërinë vetëm nëse e shohin tek unë.»

A ia ka dalë mbanë? «Kemi ç’të hamë, ç’të veshim dhe ku të futim kokën. Megjithatë, ka pasur raste kur më është dashur t’u kërkoj ndihmë miqve, për shembull, për të përballuar shpenzimet e papritura mjekësore.  Gjithmonë më kanë dhënë atë që më është dashur. Pse? Sepse miqtë e mi e dinë se ua kam shpjeguar me ndershmëri problemin tim dhe se nuk po përpiqem të marr prej tyre më shumë nga ç’më nevojitet.

Fëmijët po mësojnë ndershmërinë. Kohët e fundit, një fqinjë pa disa monedha mbi tavolinën tonë dhe më pyeti: «Nuk ke frikë se mos i marrin fëmijët?» Ajo e kishte të vështirë ta besonte kur i thashë që fëmijët e mi nuk do ta bënin kurrë. Pa e ditur unë, ajo vendosi t’i provokonte. Fshehurazi la në shtëpinë tonë dy monedha prej 100 frangash në një vend ku fëmijët mund t’i gjenin kollaj. Ditën tjetër, ngeli gojë hapur kur pa që monedhat nuk i kishte luajtur njeri. Të kesh fëmijë të ndershëm është më shpërblyese sesa të kesh shumë nga ana materiale.»

«Të gjithë vjedhin»

Vjedhja në punë është mjaft e përhapur. Si rrjedhojë, shumë mendojnë: «Të gjithë vjedhin, pse të mos vjedh edhe unë?» Përkundrazi, Bibla thotë: «Mos shko pas shumicës për qëllime të liga.» (Dalja 23:2) Viktuaria ia ka vënë veshin kësaj këshille. A ka nxjerrë dobi?

Kur ishte 19 vjeçe, ajo filloi punë në një punishte ku përpunonin vaj palmash. Shumë shpejt, vuri re se të 40 gratë që punonin aty, vidhnin fara palmash duke i futur në shporta. Çdo fundjavë, i shitnin dhe fitonin sa për tre ose katër ditë punë. Viktuaria tregon: «Pa ekzagjerim, të gjitha vidhnin. Prisnin që edhe unë të vidhja, por nuk pranoja duke u thënë se bëja një jetë të ndershme. Ato talleshin me mua, duke më thënë se isha unë ajo që humbja në këtë mes.

Një ditë, kur po dilnim nga puna, erdhi papritur përgjegjësi. Ai i kontrolloi shportat tona dhe gjeti fara palme në të gjitha, përveç times. Të gjitha ato që kishin vjedhur ose duhej të largoheshin menjëherë nga puna, ose duhej të punonin dy javë pa të drejtë rroge. Gjatë atyre dy javëve, gratë u bindën se nuk isha unë ajo që humbja.»

«E gjeta unë, është e imja»

Si ndihesh kur gjen diçka me vlerë që i ka humbur dikujt? Shumë veta menjëherë duan ta mbajnë për vete dhe as që e çojnë nëpër mend ta kthejnë. Filozofia e tyre është: «Tani që e gjeta unë, është e imja.» Disa mendojnë se kështu nuk i bëjnë keq askujt. Në fund të fundit, arsyetojnë ata, pronari tashmë e konsideron të humbur. Të tjerë thonë se nuk e kanë për detyrë të kërkojnë pronarin, diçka që mund të dojë shumë përpjekje.

Po cila është pikëpamja e Perëndisë për këtë çështje? Te Ligji i përtërirë 22:1-3 tregohet se ai që gjente diçka, nuk duhej ta mbante pa e vrarë mendjen, por ta mbante ‘gjersa [pronari] ta kërkonte, e pastaj t’ia kthente’. Nëse nuk tregonte për atë që kishte gjetur, mund të akuzohej për vjedhje. (Dalja 22:9) A vlen kjo edhe për sot? Kristina është e bindur se po.

Kristina është drejtoreshë në një shkollë private. Një të mërkurë, mori rrogën e muajit. Siç bëjnë zakonisht në vendet e Afrikës Perëndimore, i bëri kartmonedhat tufë dhe i futi në çantë. Ia bëri me shenjë një motoçiklete-taksi dhe nxitoi për të shkuar në një mbledhje. Kur mbërriti, rrëmoi kuturu nëpër çantë për monedha që t’ia jepte shoferit. Ishte errësirë dhe nuk e vuri re që i ranë paratë.

Ca minuta më vonë, Blezi 19-vjeçar, që ishte i huaj në atë zonë, po kalonte atypari. Kishte lënë takim me një shok që ishte në të njëjtën mbledhje ku shkoi edhe Kristina. I zunë sytë tufën me para dhe e futi në xhep. Në fund të mbledhjes, ai i tregoi shokut të tij se kishte gjetur diçka aty jashtë dhe kushdo që kishte humbur ndonjë gjë mund ta merrte  në telefon e t’i thoshte çfarë kishte humbur konkretisht.

Pasi mbërriti në shtëpi atë mbrëmje, Kristina u trondit kur kuptoi që kishte humbur rrogën e muajit. Një javë më pas, kur i tregoi shoqes së saj, Zhozefinës, për paratë që kishte humbur, mori vesh se një vizitor në atë mbledhje kishte gjetur diçka. Kristina e mori në telefon Blezin dhe i shpjegoi me saktësi çfarë i kishte humbur. Ajo u gëzua jashtë mase kur Blezi ia ktheu rrogën. Po Blezi? I kishte mbajtur paratë për një javë, por tha: «Gëzimi që pata ngaqë i ktheva paratë, ishte më i madh sesa po t’i kisha mbajtur për vete.»

Pse përpiqen të jenë të ndershëm gjithmonë?

Viktorina, Viktuaria dhe Blezi jetojnë në vende të ndryshme dhe nuk njihen me njëri-tjetrin. Por kanë një të përbashkët. Janë Dëshmitarë të Jehovait, të cilët mbështetin atë që thotë Bibla për ndershmërinë. Ata presin të përmbushet premtimi i Perëndisë për një botë të re. «Sipas premtimit të tij, ne presim qiej të rinj e një tokë të re, dhe në ta do të banojë drejtësia.» Të gjithë njerëzit që do të jetojnë në atë kohë, do të jenë të drejtë dhe të ndershëm.—2 Pjetrit 3:13.

Viktorina nuk ka shumë shpresë se situata e saj financiare do të përmirësohet kushedi se çfarë, derisa Perëndia t’i ndryshojë gjërat. Megjithatë, ajo është e pasur nga ana frymore, dhe kjo është diçka që nuk mund të blihet me para. Fëmijët e saj janë të ndershëm dhe të sjellshëm. Çdo të diel, ata fluturojnë nga gëzimi kur flasin me fqinjët e tyre për mirësinë e Perëndisë dhe u shpjegojnë se si ai do t’i kënaqë ‘tërë ata që e thërrasin me të vërtetë’ dhe do të ruajë «të gjithë ata që e duan».—Psalmi 145:7, 18, 20.

Më vonë, Viktuaria e la punën te punishtja e vajit të palmës. Filloi një biznes të sajin dhe shiste në treg garri (një lloj gatimi që bëhet me maniokë). Ndershmëria e saj tërhiqte shumë blerës. Në fakt, shumë shpejt arriti të pakësonte orët që punonte në treg dhe të kalonte më shumë kohë duke u folur të tjerëve për shpresën e jetës në një botë të ndershme. Pas ca kohësh, u martua dhe bashkë me burrin tani shërbejnë si shërbëtorë në kohë të plotë.

Kristina i humbi paratë para një Salle Mbretërie të Dëshmitarëve të Jehovait. Blezi njihte vetëm pak veta nga ata që ishin në atë mbledhje, por e dinte se ishin vëllezërit e motrat e tij të krishterë, që përpiqen të jenë gjithmonë të ndershëm.

Sa njerëz njeh që përpiqen me gjithë zemër të jenë gjithmonë të ndershëm? Vetëm imagjino sikur të jesh me 50, 100 ose 200 njerëz që janë të ndershëm. Këtë kënaqësi e kanë Dëshmitarët e Jehovait në Sallat e tyre të Mbretërisë. Pse të mos shkosh e të njihesh me ta?

[Diçitura në faqen 12]

«Të kesh fëmijë të ndershëm është më shpërblyese sesa të kesh shumë nga ana materiale.»—VIKTORINA

[Kutia në faqen 14]

A e justifikon Proverbat 6:30 vjedhjen?

Te Proverbat 6:30 thuhet: «Njerëzit nuk e përbuzin hajdutin që vjedh për të ngopur shpirtin, kur është i uritur.» A e justifikon ky shkrim vjedhjen? Aspak. Konteksti i këtij shkrimi tregon se për Perëndinë hajduti është gjithsesi përgjegjës për fajin e tij. Vargu më pas thotë: «Por kur ta gjejnë, ai do të dëmshpërblejë shtatë herë aq sa ka marrë; do të japë gjithë sendet me vlerë të shtëpisë së tij.» (Proverbat 6:31) Megjithëse ai që vjedh nga uria mund të mos jetë aq fajtor sa ai që vjedh nga lakmia ose me qëllim që t’i bëjë keq dikujt, prapëseprapë është përgjegjës dhe duhet të «dëmshpërblejë». Ata që duan të kenë miratimin e Perëndisë nuk duhet të vjedhin në asnjë rrethanë.