Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Viti i Ri Hënor​—A është për të krishterët?

Viti i Ri Hënor​—A është për të krishterët?

 Viti i Ri Hënor​—A është për të krishterët?

NJË herë në vit, në janar ose shkurt, Azia pret numrin më të madh të njerëzve në shkallë botërore. Qindra milionë aziatikë kthehen te familjet e tyre për të festuar Vitin e Ri Hënor. *

Viti i Ri Hënor është festa më e rëndësishme në kalendarin aziatik. Festa fillon me hënën e parë të re të kalendarit hënor kinez, ose aty mes 21 janarit dhe 20 shkurtit, në kalendarët perëndimorë. Zgjat nga disa ditë deri në dy javë.

Koncepti bazë i festimit të Vitit të Ri është ripërtëritja, mbyllja e së vjetrës dhe mikpritja e së resë. Në përgatitjet për festën, njerëzit pastrojnë dhe zbukurojnë shtëpitë, blejnë rroba të reja, përgatitin ushqime me emra që rimojnë me «fatin e mirë» ose «begatinë» dhe lajnë borxhet e zgjidhin mosmarrëveshjet. Ditën e Vitit të Ri, mund të këmbejnë dhurata dhe urime, zakonisht për pasuri e begati, të japin pako të kuqe me të ashtuquajturat para fati, të hanë ushqime të veçanta, të ndezin fishekzjarrë, të shohin vallëzime shumëngjyrëshe dragonjsh a luanësh ose thjesht kënaqen duke festuar me familjen dhe miqtë.

Këto zakone kanë shumë domethënie. Një libër (Mooncakes and Hungry Ghosts: Festivals of China) shpjegon: «Kryesisht familja, miqtë dhe të afërmit janë të interesuar të sigurojnë fat të mirë, t’u bëjnë nderime perëndive e frymërave e të urojnë fat për vitin që vjen.» Si duhet ta shohin të krishterët këtë festë, meqë janë përfshirë kaq shumë elemente tradicionale e fetare? A duhet që thjesht t’i ndjekin edhe ata zakonet? A është për të krishterët kjo festë?

«Kujto burimin»

Një proverb i njohur kinez thotë: «Kur të pish ujë, kujto burimin.» Kjo pasqyron respektin e thellë që kanë tradicionalisht shumë aziatikë për prindërit dhe të parët e tyre. Prindërit u kanë dhënë jetën, prandaj është e natyrshme që fëmijët t’u tregojnë këtë respekt, i cili luan rol të rëndësishëm në festimet e Vitit të Ri.

Pa dyshim, një pikë kulmore për shumë familje aziatike është nata e Vitit të Ri. Atë natë, shumë familje mblidhen për një gosti speciale. Është një rast kur e gjithë familja bashkohet, dhe njerëzit në atë pjesë të botës bëjnë çmos të mos e humbin. Në tryezën e gostisë, ka vende jo vetëm për familjarët e pranishëm, por edhe për ata që kanë vdekur, pasi besohet se janë të pranishëm në frymë. Sipas një enciklopedie, në këtë  vakt «ka komunikim real mes të parëve të vdekur dhe familjarëve». Një tjetër vepër referimi komenton: «Pasi përtërihet në këtë mënyrë lidhja mes të gjallëve e të vdekurve, të parët do ta mbrojnë familjen gjatë vitit.» Si duhet ta konsiderojnë të krishterët këtë zakon?

Dashuria e respekti për prindërit janë të rëndësishme edhe për të krishterët. Ata ia vënë veshin udhëzimit hyjnor: «Dëgjoje atin tënd që të solli në jetë, dhe mos e përbuz nënën tënde vetëm se është plakur.» (Proverbat 3:22) Gjithashtu, i binden urdhrit të Biblës: «‘Ndero atin dhe nënën tënde’, që është urdhërimi i parë me premtimin: ‘Që të të vejë mbarë dhe të jetosh gjatë në tokë.’» (Efesianëve 6:2, 3) Po, të krishterët e vërtetë dëshirojnë t’i nderojnë e t’i duan prindërit e tyre.

Gjithashtu, Bibla flet mirë për grumbullime familjare ndërtuese. (Jobi 1:4; Luka 15:22-24) Megjithatë, Jehovai urdhëron: «As të mos gjendet ndokush ndër ju . . . që të thërrasë shpirtrat e të vdekurve, ose xhindet, ose të kërkojë të vërtetën prej të vdekurve.» (Ligji i përtërirë 18:10, 11, Simon Filipaj) Përse ky ndalim? Sepse Bibla shpjegon gjendjen e vërtetë të të vdekurve. Ajo thotë: «Të gjallët janë të vetëdijshëm se do të vdesin, por të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë.» Meqë të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë, s’mund të marrin pjesë në veprimtaritë e të gjallëve; as na ndihmojnë e as na dëmtojnë dot. (Eklisiastiu 9:5, 6, 10) Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, e krahasoi vdekjen me një gjumë të thellë. Të vdekurit do të ngrihen nga ky gjumë vetëm në ringjalljen e ardhme.—Gjoni 5:28, 29; 11:11, 14.

Për më tepër, Bibla tregon se «shpirtrat» e të vdekurve dhe «xhindet» në të vërtetë janë krijesa të liga frymore që hiqen sikur janë të vdekurit. Me cilin qëllim? Që t’i mashtrojnë njerëzit dhe t’i vënë nën kontrollin e tyre të lig. (2 Selanikasve 2:9, 10) Pra, urdhrat e Perëndisë na mbrojnë nga dëmet serioze. Prandaj, nga dashuria për Jehovain dhe ngaqë duan të jenë të sigurt, me mençuri të krishterët shmangin çdo zakon që përfshin adhurimin e ‘shpirtrave’ të familjes ose me të cilin kërkohet mbrojtja e tyre.—Isaia 8:19, 20; 1 Korintasve 10:20-22.

Në anën tjetër, të krishterët duan të nderojnë edhe ‘Atin, nga i cili merr emër çdo familje në qiell dhe në tokë’. (Efesianëve 3:14, 15) Kush është Ati? Është Krijuesi dhe Jetëdhënësi ynë, Perëndia Jehova. (Veprat 17:26) Prandaj, kur shqyrtoni zakonet e Vitit të Ri Hënor, duhet të pyesni veten: si i sheh Jehovai këto zakone? A kanë miratimin e tij?—1 Gjonit 5:3.

Nderojnë perënditë e shtëpisë

Ndër festimet që bëhen për Vitin e Ri Hënor janë shumë zakone të përhapura që bëhen për të respektuar a nderuar perëndi e hyjni të panumërta të shtëpisë, si: perëndia i dyerve, perëndia i tokës ose fryma mbrojtëse, perëndia i pasurisë ose i fatit dhe perëndia i kuzhinës ose i sobës. Mendo për zakonin e përhapur të nderimit të perëndisë së kuzhinës. * Njerëzit besojnë se disa ditë para Vitit të Ri, ky perëndi shkon në qiell që t’i raportojë për familjen perandorit Nefrit, qenies supreme të panteonit kinez. Me shpresën se perëndia i kuzhinës do të japë një raport të mirë, familja e përcjell me një vakt special, duke i ofruar pasta dhe ëmbëlsira me sherbet. Për t’i uruar udhëtim të shpejtë, familja ul nga muri portretin e tij, nganjëherë ia lyen buzët me ëmbëlsira dhe e djeg përjashta. Mbrëmjen e Vitit të Ri, vënë në mur mbi sobën e kuzhinës një portret të ri të  perëndisë, duke e ftuar sërish në shtëpi për vitin që vjen.

Edhe pse shumë zakone mund të duken të pafajshme, të krishterët duan të ndjekin drejtimin e Fjalës së Perëndisë kur bëhet fjalë për adhurimin. Në lidhje me këtë, Jezu Krishti tha: «Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.» (Mateu 4:10) Është e qartë se Perëndia dëshiron të adhurojmë vetëm atë. Përse? Mendo për këtë: Jehovai është Ati ynë qiellor. Si do të ndihej një baba sikur fëmijët e vet t’i kthenin shpinën e të nderonin një baba tjetër? A nuk do të lëndohej thellë?

Jezui e pranoi Atin e tij qiellor si «të vetmin Perëndi të vërtetë», e madje vetë Jehovai u tha qartë adhuruesve të tij se ‘nuk duhej të kishin perëndi të tjera’ përveç tij. (Gjoni 17:3; Dalja 20:3) Prandaj, të krishterët e vërtetë duan ta kënaqin Jehovain, jo ta zhgënjejnë ose ta lëndojnë duke u shërbyer perëndive të tjera.—1 Korintasve 8:4-6.

Besëtytnitë dhe spiritizmi

Viti i Ri Hënor është shumë i lidhur edhe me astrologjinë. Në kalendarin hënor, çdo vit emërtohet sipas njërës nga 12 kafshët e zodiakut kinez: dragoi, tigri, majmuni, lepuri, e kështu me radhë. Supozohet se kafsha përcakton personalitetin dhe sjelljen e atyre që lindin atë vit ose e bën të favorshëm atë vit për disa aktivitete. Shumë zakone të tjera të Vitit të Ri Hënor, duke përfshirë edhe nderimin e perëndisë së pasurisë ose fatit, kanë si synim specifik të sjellin ‘fat’. Si duhet t’i shohin të krishterët këto zakone?

Në Fjalën e tij, në Bibël, Jehovai i dënoi ata që u drejtoheshin ‘adhuruesve të qiejve, shikuesve të yjeve dhe atyre që bënin parashikime kur dilte hëna e re lidhur me gjërat që do t’u ndodhnin’. Gjithashtu, e denoncoi adhurimin e ‘perëndisë së Fatit të Mirë’ dhe të ‘perëndisë së Riskut’. (Isaia 47:13; 65:11, 12) Në vend që t’u besojnë ndikimeve misterioze ose të padukshme që gjoja lidhen me sferën frymore ose me yjet, adhuruesve të vërtetë u thuhet: «Beso te Jehovai me gjithë zemër dhe mos u mbështet në kuptueshmërinë tënde. Kushtoji vëmendje në të gjitha udhët e tua, dhe ai vetë do t’i drejtojë shtigjet e tua.» (Proverbat 3:5, 6) Po, besëtytnitë i mbajnë të skllavëruar njerëzit, kurse të vërtetat e Biblës i lirojnë.—Gjoni 8:32.

Tregoje dashurinë për Perëndinë

Të dish prejardhjen e zakoneve dhe besimeve që lidhen me festimet e Vitit të Ri Hënor është një gjë; të vendosësh të mos marrësh pjesë, është krejt tjetër gjë. Nëse jeton në një vend ku e kanë zakon të festojnë Vitin e Ri Hënor ose nëse familja jote i ndjek tradicionalisht zakonet e Vitit të Ri, duhet të marrësh një vendim me peshë.

Natyrisht, duhet guxim e vendosmëri të qëndrosh i patundur nën presion. Një e krishterë që jeton në Azi thotë: «Kisha shumë frikë, sepse të gjithë përreth meje po festonin Vitin e Ri, kurse unë jo.» Çfarë e ndihmoi atë? «Arrita të qëndroja e palëkundur vetëm duke zhvilluar një dashuri të fortë për Perëndinë.»—Mateu 10:32-38.

A ke një dashuri të tillë të fortë për Jehovain? Ke çdo arsye ta duash. Jetën nuk ia detyron ndonjë hyjnie misterioze, por Perëndisë Jehova, për të cilin Bibla thotë: «Ti je burimi i jetës. Me anë të dritës që vjen nga ti, ne mund të shohim dritën.» (Psalmi 36:9) Vetëm Jehovai të siguron gjërat e nevojshme dhe të ndihmon të kesh një jetë të lumtur, jo perëndia i fatit ose perëndia i kuzhinës. (Veprat 14:17; 17:28) A do t’ia kthesh këtë dashuri që të tregon? Të jesh i sigurt se nëse vepron kështu, Jehovai do të të bekojë jashtë mase.—Marku 10:29, 30.

[Shënimet]

^ par. 2 Quhet edhe Viti i Ri Kinez, Festa e Pranverës, Chun Jie (Kinë), Tet (Vietnam), Solnal (Kore) ose Losar (Tibet).

^ par. 14 Zakonet e përshkruara në këtë artikull ndryshojnë në vende të ndryshme të Azisë, por bazohen në një origjinë të përbashkët. Për informacion të mëtejshëm, shih Zgjohuni!, 22 dhjetor 1986, faqet 20-21, dhe Zgjohuni!, 8 janar 1970, faqet 9-11, të dyja në anglisht.

 [Kutia dhe figura në faqen 23]

Siguroji miqtë dhe të afërmit

Kuptohet që, kur një pjesëtar i familjes nuk merr më pjesë në festimet e Vitit të Ri Hënor, miqtë dhe të afërmit e tij a të saj mund të tronditen. Ndoshta mërziten, lëndohen ose edhe ndihen të tradhtuar. Megjithatë, mund të bëjmë shumë për të mbajtur lidhje familjare të lumtura. Shqyrto këto komente të të krishterëve që jetojnë në pjesë të ndryshme të Azisë:

Jiangu: «Mjaft kohë para Vitit të Ri, u shkova për vizitë të afërmve dhe me takt u shpjegova pse nuk do të merrja pjesë më në disa zakone të përhapura. Bëra kujdes të mos i përçmoja bindjet e tyre dhe me respekt iu përgjigja pyetjeve të tyre nga Bibla. Kështu, bëmë disa biseda shumë të mira për fenë dhe Perëndinë.»

Lia: «Para Vitit të Ri Hënor, me takt e me respekt i thashë tim shoqi se duhet ta dëgjoj ndërgjegjen time që të jem vërtet e lumtur. I premtova se nuk do ta vija në siklet kur të vizitonim familjen e tij gjatë periudhës së festave. Për habinë time, ditën kur familja e tij adhuronte të parët, ai më çoi në një vend tjetër që të ndiqja një mbledhje të krishterë.»

Shia: «E sigurova familjen se i doja dhe u thashë se bindjet e mia do të më bënin njeri më të mirë. Pastaj u përpoqa shumë të shfaqja cilësi të krishtere si butësia, takti dhe dashuria. Pak nga pak, filluan ta respektonin fenë time. Më vonë, im shoq studioi Biblën e madje u bë një i krishterë i vërtetë.»

Mini: «U fola prindërve me butësi e respekt. Në vend që t’u uroja ‘fat’, u thashë se i lutem gjithnjë për ta Jehovait, Krijuesit tonë, duke i kërkuar t’i bekojë dhe t’u japë paqe e lumturi.»

Fuongu: «U thashë prindërve se s’kisha pse të prisja Vitin e Ri që të vizitoja familjen. I vizitoja shpesh. Kjo i lumturoi prindërit dhe nuk më kritikuan më. Edhe vëllai im i vogël nisi të interesohej për të mësuar të vërtetën e Biblës.»

[Burimi i figurës në faqen 20]

Panorama Stock/​age Fotostock