Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Problem global, zgjidhje globale

Problem global, zgjidhje globale

 Problem global, zgjidhje globale

VUAJTJE ka kudo dhe shumë veta i ndihmojnë me dhembshuri ata që vuajnë. Për shembull, ekipet mjekësore punojnë me orë të gjata në spitale që të ndihmojnë të sëmurët ose të plagosurit. Zjarrfikësit, policët, ligjvënësit dhe punonjësit e urgjencës përpiqen t’ua lehtësojnë ose parandalojnë vuajtjet të tjerëve. Me këto përpjekje bëhet shumë për t’i ndihmuar njerëzit në nivel personal, por asnjë njeri ose organizatë nuk është në gjendje t’i zhdukë vuajtjet në mbarë tokën. Krejt ndryshe nga ata, Perëndia është në gjendje të sjellë një zgjidhje globale dhe do ta sjellë atë.

Kjo siguri na jepet në librin e fundit të Biblës: «[Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.» (Zbulesa 21:4) Mendo se çfarë përfshin ky premtim.  Përmbledh qëllimin e Perëndisë për t’u dhënë fund të gjitha vuajtjeve. Këtë do ta bëjë duke hequr nga toka luftërat, urinë, sëmundjet dhe padrejtësitë, si dhe njerëzit e ligj. Këtë s’mund ta arrijë asnjë njeri.

Ç’do të bëjë Mbretëria e Perëndisë

Premtimet e tij, Perëndia do t’i përmbushë me anë të personit të dytë më të fuqishëm në univers, Jezu Krishtit të ringjallur. Po vjen koha kur Jezui do të sundojë mbi gjithë tokën si Mbret, pa asnjë rival. Njerëzit nuk do të qeverisen më nga mbretër, presidentë ose politikanë njerëzorë. Do të qeverisen nga një Mbret i vetëm dhe një qeveri e vetme, Mbretëria e Perëndisë.

Kjo Mbretëri do të shfarosë çdo qeveri njerëzore. Kohë më parë, Bibla paratha: «Perëndia i qiellit do të vendosë një mbretëri që nuk do të shkatërrohet kurrë. Kjo mbretëri nuk do t’i kalojë asnjë populli tjetër. Ajo do të thërrmojë dhe do t’u japë fund të gjitha këtyre mbretërive dhe vetë do të qëndrojë përgjithmonë.» (Danieli 2:44) Njerëzit e të gjithë tokës do të jenë të bashkuar nën një qeveri të vetme të drejtë, Mbretërinë e Perëndisë.

Jezui foli në shumë raste për këtë Mbretëri, kur ishte në tokë si njeri. Iu referua në lutjen model, duke i udhëzuar dishepujt të luten kështu: «Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt, si në qiell, edhe në tokë.» (Mateu 6:10) Siç e shikon, Jezui tregoi se Mbretëria lidhet me kryerjen e vullnetit të Perëndisë në tokë. Vullneti i Perëndisë është t’i zhdukë vuajtjet nga e gjithë toka.

Qeveria e drejtë e Perëndisë do të sjellë bekime që asnjë qeveri njerëzore nuk do të mund t’i sillte kurrë. Kujto që Jehovai dha Birin e tij si shpërblesë, që njerëzit të merrnin jetën e përhershme. Nën sundimin dashamirës të Mbretërisë, njerëzit do të përparojnë drejt përsosmërisë. Me çfarë rezultati? Jehovai «do ta përpijë vdekjen përgjithmonë. Zotëria Sovran Jehova do të fshijë lotët nga çdo fytyrë».—Isaia 25:8.

Disa mund të pyesin: «Po pse s’ka vepruar deri tani Perëndia? Çfarë pret?» Jehovai mund të kishte ndërhyrë kohë më parë për t’i zhdukur ose edhe parandaluar të gjitha vuajtjet. Por i ka lejuar të vazhdojnë, jo për ndonjë arsye egoiste, po për dobinë e përhershme të fëmijëve të tij tokësorë. Një prind i dashur do të lejonte që fëmija e tij të vuante në ndonjë mënyrë, po ta dinte se kjo do t’i sillte fëmijës dobi afatgjata. Po kështu, ka arsye të forta pse Jehovai ka lejuar që njerëzit të vuajnë përkohësisht. Këto arsye shpjegohen në Bibël. Përfshijnë gjëra të tilla si vullneti i lirë, mëkati dhe një çështje që ka të bëjë me legjitimitetin e sundimit të Jehovait. Bibla shpjegon edhe se, për një kohë të kufizuar, një krijesë e ligë e padukshme është lejuar të sundojë botën. *

Ndonëse hapësira këtu s’na lejon t’i shqyrtojmë ato arsye, ka dy fakte që mund të na japin shpresë e inkurajim. I pari është ky: Jehovai do të na kompensojë shumë më tepër për çdo vuajtje që mund të kemi kaluar. Për më tepër, ai na siguron: «Gjërat e mëparshme nuk do të vijnë më në mendje dhe as do të zgjohen më në zemër.» (Isaia 65:17) Perëndia do të zhbëjë plotësisht dhe një herë e mirë vuajtjet dhe mjerimet që erdhën ngaqë lejoi përkohësisht ligësinë.

Fakti i dytë është ky: Perëndia ka vendosur një kohë fikse për t’u dhënë fund vuajtjeve. Të kujtohet që profeti Habakuk e pyeti Jehovain deri kur do t’i lejonte dhunën dhe grindjet? Jehovai iu përgjigj: «Vegimi është ende për kohën e caktuar . . . Nuk do të vonojë.» (Habakuku 2:3) Siç do ta shohim në artikullin vijues, kjo ‘kohë e caktuar’ është afër.

[Shënimi]

^ par. 9 Për një trajtim të hollësishëm të arsyeve pse Perëndia i ka lejuar vuajtjet, shih kapitullin 11 të librit Çfarë mëson vërtet Bibla?, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

 [Kutia në faqen 7]

Shkrime që flasin për një të ardhme të lumtur

S’KA MË LUFTËRA:

«Ejani dhe shihni veprat e Jehovait, se si ka bërë të ndodhin ngjarje befasuese në tokë. Ai i pushon luftërat deri në skaj të dheut.»—Psalmi 46:8, 9.

RIKTHEHEN NJERËZIT E AFËRT:

«Do të ringjallen si të drejtët, edhe të padrejtët.»—Veprat 24:15.

USHQIM PËR TË GJITHË:

«Në tokë do të ketë drithë me bollëk, edhe në majat e maleve drithi do të vërshojë.»—Psalmi 72:16.

S’KA MË SËMUNDJE:

«Asnjë banor nuk do të thotë: ‘Jam sëmurë.’»—Isaia 33:24.

TË LIGJTË DO TË ZHDUKEN:

«Të ligjtë do të shfarosen nga toka dhe të pabesët do të shkulen prej saj.»—Proverbat 2:22.

DREJTËSIA DO TË TRIUMFOJË:

«Ja, një mbret [Krishti Jezu] do të mbretërojë për të siguruar të drejtën, kurse princat do të qeverisin për të siguruar drejtësinë.»—Isaia 32:1.

[Figurat në faqen 7]

Mbretëria e Perëndisë do të na kompensojë për çdo vuajtje që mund të kemi kaluar