Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mbreti David dhe muzika

Mbreti David dhe muzika

 Mbreti David dhe muzika

NË KA një emër që të sjell ndër mend muzikën e kohëve biblike, është ai i Davidit, një njeriu të jashtëzakonshëm që jetoi rreth 3.000 vjet më parë. Madje, shumë gjëra që dimë për muzikën e asaj kohe, i dimë nga dokumentimi i Biblës për veprimtaritë e Davidit: që nga koha kur ishte një bari i vogël e deri kur u bë mbret dhe organizues i aftë.

Nëpërmjet Davidit mund të mësojmë shumë për muzikën në kohët biblike. Për shembull, ç’lloj veglash muzikore kishte atëherë dhe ç’lloj këngësh këndoheshin? Ç’rol kishte muzika në jetën e Davidit dhe, në një shkallë më të gjerë, në kombin e Izraelit?

Vendi i muzikës në Izraelin e lashtë

Kur themi fjalët e një kënge, shpesh na vjen ndër mend melodia që i shoqëron. Në Bibël gjenden tekstet e shumë këngëve, muzika e të cilave mjerisht nuk dihet. Megjithatë, duhet të ketë qenë e bukur, madje madhështore. Gjuha e lartë poetike e librit të Psalmeve të lë të kuptosh se edhe muzika që i shoqëronte, ishte po aq e bukur.

Kurse veglat muzikore Bibla i përshkruan vetëm shkurtimisht. (Shih kutinë  «Veglat muzikore në kohët biblike».) Nuk dihet me siguri as se ç’lloj harpe përdorte Davidi. Sidoqoftë, vlen të përmendet se izraelitët shpikën disa vegla muzikore, siç janë harpat e rralla e të çmuara prej druri.—2 Kronikave 9:11; Amosi 6:5.

Një gjë është e sigurt: muzika zinte vend të rëndësishëm në jetën e hebrenjve, e sidomos në adhurimin që i bënin Perëndisë. Luhej muzikë gjatë kurorëzimit të mbretërve, në ceremonitë fetare dhe në luftëra.  Gjithashtu, ajo magjepste oborrin mbretëror, gjallëronte dasmat dhe grumbullimet familjare e krijonte atmosferë gjatë festave të korrjes së grurit e vjeljes së rrushit. Mjerisht, muzika lidhej edhe me vendet që s’kishin nam të mirë. Së fundi, kur vdiste dikush, muzika i ngushëllonte të pikëlluarit.

Në Izrael, muzika luante edhe role të tjera. Dihej se ajo kthjellonte mendjen dhe i përgatiste profetët të merrnin vegime frymore. Eliseu mori udhëzime nga Jehovai sapo dëgjoi tingullin e një vegle me tela. (2 Mbretërve 3:15) Muzika përdorej edhe për të njoftuar ngjarjet e shënuara. Hëna e re dhe festat njoftoheshin me tingullin e dy trumbetave prej argjendi. Ditën kur niste Jubileu, tingulli i bririt shpallte lirinë e skllevërve dhe kthimin e tokave e të shtëpive te pronarët e tyre. Kushedi sa gëzoheshin të varfrit kur dëgjonin melodinë që u njoftonte rikthimin e lirisë ose të pronave!—Levitiku 25:9; Numrat 10:10.

Disa izraelitë duhet të kenë qenë muzikantë ose këngëtarë të jashtëzakonshëm. Në fakt, sipas një basorelievi asirian, mbreti Senakerib i kërkoi si haraç mbretit Hezekia muzikantë meshkuj e femra. Duket se ata ishin muzikantë të klasit të parë. Megjithatë, Davidi shquhej mes gjithë atyre muzikantëve virtuozë.

Një muzikant i jashtëzakonshëm

Davidi ishte i veçantë, pasi ishte si muzikant, edhe poet. Thuhet se ai ka shkruar më shumë se gjysmën e psalmeve. Kur ishte i vogël, kishte qenë bari, dhe skenat baritore të Betlehemit ia kishin ushqyer mendjen e ndjeshme dhe të mprehtë. Kishte dëgjuar me kënaqësi gurgullimën e përrenjve dhe blegërimën e qengjave që i përgjigjeshin zërit të tij. I prekur nga bukuria e kësaj «melodie» në mjedisin që e rrethonte, mori harpën dhe i këndoi lavdi Perëndisë. Sa përvojë prekëse duhet të ketë qenë të dëgjoje muzikën që kompozoi Davidi për Psalmin 23!

Që i ri, Davidi i binte kaq bukur harpës, sa ia rekomanduan mbretit Saul që e mori në shërbim të tij. Kur Saulin e pushtonte ankthi dhe turbullimi mendor, Davidi shkonte tek ai dhe i këndonte me harpë vargjet melodioze e të qeta që ia qetësonin zemrën mbretit. Mendimet e errëta që e mundonin Saulin, zhdukeshin dhe ai nuk kishte më ankth.—1 Samuelit 16:16.

Muzika, të cilën Davidi e donte aq shumë dhe që e mbushte me lumturi, nganjëherë i shkaktonte probleme. Një ditë, ndërsa Davidi dhe Sauli ktheheshin fitimtarë nga  lufta me filistinët, mbretit i erdhi në vesh muzika ngadhënjyese dhe e gëzueshme. Gratë këndonin: «Sauli ka vrarë mijëra, e Davidi dhjetëra mijë.» Sa dëgjoi këtë, Sauli u zemërua aq shumë dhe u bë aq xheloz, saqë «që nga ajo ditë, Sauli e shikonte me dyshim Davidin».—1 Samuelit 18:7-9.

I frymëzuar nga muzika

Kompozimet e Davidit, të frymëzuara nga Perëndia, shkëlqenin në shumë drejtime. Këngët e tij përfshijnë edhe psalme medituese, edhe baritore. Variojnë nga shprehjet e lëvdimit deri te rrëfimet historike, nga gëzimet e vjeljes së rrushit te ceremonia e përurimit të pallatit, nga kujtimet te shpresa, nga kërkesat te përgjërimet. (Shih Psalmet 32, 23, 145, 8, 30, 38, 72, 51, 86 dhe mbishkrimet e tyre.) Kur vdiqën Sauli dhe i biri, Jonatani, Davidi kompozoi një këngë të përvajshme, që e quajti «Harku» dhe e filloi me këto fjalë: «O Izrael, bukuria gjendet e vrarë në vendet e tua të larta.» Toni ishte i zymtë. Davidi dinte të shprehte një larmi ndjenjash, si me fjalë, edhe me tingujt e harpës së tij.—2 Samuelit 1:17-19.

Davidi kishte një personalitet rrezatues dhe i pëlqente muzika e gëzueshme dhe e gjallë, që ishte mjaft ritmike. Kur solli në Sion arkën e besëlidhjes, ai hovte dhe hidhte valle me sa fuqi që kishte, për të festuar këtë rast. Tregimi biblik lë të kuptohet se muzika duhet të ketë qenë tejet entuziazmuese. E përfytyron dot atë skenë? Gruaja e tij, Mikala, u ankua tek ai për këtë. Por Davidi s’donte t’ia dinte. Ai e donte Jehovain dhe kjo muzikë, që e mbushte me kaq shumë  gëzim, e bënte të hovte para Perëndisë së tij.—2 Samuelit 6:14, 16, 21.

Por nuk mbaronte me kaq, pasi Davidi u shqua edhe ngaqë shpiku vegla muzikore të reja. (2 Kronikave 7:6) Si përfundim, duket se Davidi ishte një artist me dhunti të jashtëzakonshme, që u shqua si bërës veglash muzikore, poet, kompozitor dhe këngëtar. Megjithatë, ai bëri gjëra edhe më të mëdha.

Të kënduarit dhe muzika në tempull

Si trashëgimi nga Davidi mbeti organizimi i të kënduarit dhe i muzikës në shtëpinë e Jehovait. Në krye të 4.000 këngëtarëve e muzikantëve, ai vuri Asafin, Hemanin dhe Jeduthunin (që me sa duket quhej edhe Etan). Davidi i shoqëroi me 288 mjeshtra, që stërvitnin dhe mbikëqyrnin pjesën tjetër të grupit. Të 4.000 këngëtarët dhe muzikantët ishin të pranishëm në tempull për tri festat e mëdha vjetore. Përfytyroni sa madhështor ishte ai kor gjigant!—1 Kronikave 23:5; 25:1, 6, 7.

Në tempull këndonin vetëm burrat. Shprehja «për ‘Vashëzat’» në mbishkrimin e Psalmit 46, i referohet një zëri ose vegle me tingull të mprehtë. Burrat këndonin njëzëri, siç tregohet te 2 Kronikave 5:13: «Këngëtarët si një trup i vetëm nisën të lëvdonin.» Termi këngë mund t’u referohej edhe melodive, si për shembull te Psalmi 3 dhe shumë psalme të tjera të Davidit, e disa herë këngët përfshinin edhe refrene, si ai te Psalmi 42:5, 11 dhe 43:5. Shumë të pëlqyera ishin edhe këngët me antifoni, ku koret dhe(ose) solistët i përgjigjeshin njëri-tjetrit. I tillë është Psalmi 24, që me siguri u kompozua për kohën kur Davidi solli në Sion arkën e besëlidhjes.—2 Samuelit 6:11-17.

Megjithatë, nuk këndonin vetëm levitët. Populli këndonte ndërsa ngjitej në Jerusalem për festat vjetore. Ndoshta këtë kuptim ka titulli «Këngë e ngjitjeve». (Psalmet 120 deri 134) Për shembull, në Psalmin 133, Davidi i thur lavde vëllazërisë që shijonin  izraelitët në ato raste. Ai fillon me këto fjalë: «Ja, sa mirë dhe sa bukur është që vëllezërit të banojnë së bashku në unitet!» A e përfytyron dot muzikën që shoqëronte këtë këngë?

Muzika dhe adhurimi i Jehovait

Një e dhjeta e Biblës përbëhet nga këngë, dhe libri i Psalmeve i nxit të gjithë njerëzit të thurin lavde. (Psalmi 150) Muzika ka fuqinë ta bëjë dikë të harrojë hallet e jetës dhe të kënduarit mund të jetë melhem për zemrat e plagosura. Sidoqoftë, Bibla i këshillon edhe ata që janë në gjendje të mirë shpirtërore, të këndojnë psalme.—Jakovi 5:13.

Të kënduarit është një veprim me anë të të cilit mund të shprehim besimin dhe dashurinë për Perëndinë. Natën para se të ekzekutohej, Jezui dhe apostujt e përfunduan darkën me këngë. (Mateu 26:30) Kushedi ç’zë duhet të ketë pasur Biri i Davidit, ai që kishte njohur të kënduarit e lavdishëm të oborrit qiellor të Perëndisë! Ka mundësi të kenë kënduar psalmet Halel, Psalmet 113 deri 118. Nëse po, bashkë me apostujt, të cilët nuk ishin në dijeni të të gjitha ngjarjeve që do të ndodhnin, Jezui do të ketë kënduar me zë të lartë: «Mbushem me dashuri kur Jehovai dëgjon zërin dhe përgjërimet e mia. . . . Litarët e vdekjes më rrethuan, vuajtjet e Sheolit më pushtuan. . . . ‘O Jehova, shpëtoje shpirtin tim!’»—Psalmi 116:1-4.

Muzikën nuk e ka shpikur njeriu. Bibla flet për muzikë e këngë edhe në qiej, ku krijesat frymore luajnë në harpat e figurshme dhe këndojnë lavdi përreth fronit të Jehovait. (Zbulesa 5:9; 14:3; 15:2, 3) Ishte Perëndia Jehova që ua dha njerëzve muzikën, duke u rrënjosur në zemër ndjenjën e muzikës dhe nxitjen e fortë për t’i shprehur emocionet duke i rënë një vegle muzikore ose duke kënduar. Për njerëzit me besim, muzika mbi të gjitha është një dhuratë nga Perëndia.—Jakovi 1:17.

[Diçitura në faqen 27]

«Në ditë gëzimi, periudha festash . . . duhet t’u bini trumbetave.»—NUMRAT 10:10

[Diçitura në faqen 28]

«Jehovai është Bariu im. Nuk do të më mungojë asgjë. Ai më çon të shtrihem në livadhe plot bar, më çon të prehem në vende të ujitura mirë.»—PSALMI 23:1, 2

[Diçitura në faqen 29]

«Kishte . . . katër mijë veta që i thurnin lavde Jehovait me veglat për të cilat Davidi kishte thënë: ‘I kam bërë për të thurur lavde.’»—1 KRONIKAVE 23:4, 5

[Diçitura në faqen 29]

Davidi shprehu një sërë ndjenjash qoftë me fjalë, qoftë me muzikë

[Diçitura në faqen 30]

«Lëvdoni Jah! Lëvdojeni me dajre e me valle. Çdo gjë që merr frymë, le të lëvdojë Jah!»—PSALMI 150:1, 4, 6

[Kutia dhe figurat në faqen 28]

 Veglat muzikore në kohët biblike

Ndër veglat me tela ishin llautat, harpat dhe veglat me dhjetë tela. (Psalmi 92:3) Ishin akorduar në Alamoth dhe Sheminith, shprehje që ndoshta u referohen oktavave të larta e të ulëta. (1 Kronikave 15:20, 21, shënimi) Ndër veglat e tunxhit dhe të frymës ishin pipëza, flauti, briri, si dhe trumbetat, të cilave «u binin fort». (2 Kronikave 7:6; 1 Samuelit 10:5; Psalmi 150:3, 4) Në kushtimin e tempullit, trumbetat dhe këngëtarët «bënë të dëgjohet bashkarisht zëri i tyre». (2 Kronikave 5:12, 13, Diodati i Ri) Kjo, me sa duket, tregon se ishin të akorduar dhe nuk kishin mospërputhje. Ndër veglat e perkusionit ishin dajret dhe sistrat, një lloj rraketake muzikore, si dhe «të gjitha llojet e veglave prej dëllinje». Kishte edhe cimbale, të vogla me «tingujt e ëmbël» dhe të mëdha që quheshin «cimbale kumbuese».—2 Samuelit 6:5; Psalmi 150:5.

[Figurat]

Sipër: Hollësi nga Harku i Titit, Romë, Itali, ku janë paraqitur trumbetat e marra nga tempulli në Jerusalem, në vitin 70 të e.s. Monedha që datojnë rreth vitit 130 të e.s., ku janë paraqitur vegla muzikore judaike

[Burimi]

Monedhat: © 2007 nga David Hendin. Të gjitha të drejtat të rezervuara.