Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Sa para duhet të hedh për fenë?

Sa para duhet të hedh për fenë?

 Lexuesit pyesin

Sa para duhet të hedh për fenë?

«Perëndia do një dhënës të gëzuar.» (2 Korintasve 9:7) Miliona veta anembanë botës i dinë këto fjalë. Megjithatë, disa njerëz fetarë mund të ndihen të detyruar që të hedhin më shumë para nga sa ua lejojnë mundësitë. Ç’është e vërteta, disa fe kërkojnë që anëtarët e tyre të hedhin një shumë fikse. Kjo praktikë quhet e dhjeta, pra nënkupton që 10 për qind e të ardhurave të hidhet për kishën.

A kërkon vërtet Bibla që të japim një shumë fikse parash për fenë? Secili mund të pyesë veten: «Sa duhet të hedh?»

Detyrimet dhe dhuratat vullnetare në të kaluarën

Bibla ka udhëzime të qarta që iu dhanë kombit të Izraelit për shumën që Perëndia u kërkonte atyre. (Levitiku 27:30-32; Numrat 18:21, 24; Ligji i përtërirë 12:4-7, 11, 17, 18; 14:22-27) Këto detyrime nuk ishin përtej mundësive të tyre. Jehovai premtoi se në shkëmbim të bindjes ndaj ligjeve të tij, ai do t’i jepte kombit ‘mbarësi e bollëk’.—Ligji i përtërirë 28:1, 2, 11, 12.

Në raste të tjera, izraelitët mund të dhuronin vullnetarisht pak ose shumë, sipas dëshirës. Për shembull, kur mbreti David planifikoi të ndërtonte një tempull për Jehovain, nënshtetasit e tij dhanë «ar me vlerë pesë mijë talenta». * (1 Kronikave 29:7) Krahasoje këtë vlerë me atë që pa Jezui kur ishte në tokë. Ai pa «një vejushë nevojtare, që hodhi dy qindarka» në arkat e thesarit. Ç’vlerë kishte dhurata e saj? Ishte veç 1/​64-ta e rrogës për një ditë pune. Prapëseprapë, Jezui tha se kjo shumë e vogël ishte e pranueshme.—Luka 21:1-4.

A janë të detyruar të krishterët të japin një shumë fikse?

Të krishterët nuk janë në besëlidhjen e Ligjit që iu dha Izraelit. Prandaj, nuk janë të detyruar të hedhin një shumë fikse për Perëndinë. Gjithsesi, në kongregacionin e të krishterëve të vërtetë, dhënia është burim i madh gëzimi. Vetë Jezu Krishti tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.»—Veprat 20:35.

Dëshmitarët e Jehovait e mbështetin veprën e tyre mbarëbotërore të predikimit me anë të dhuratave vullnetare. Këto kontribute përdoren për të shtypur literaturë, siç është revista që po lexon, dhe për të ndërtuar e mirëmbajtur vendet e adhurimit që njihen si Salla Mbretërie. Asnjë nga fondet e mbledhura nuk përdoret për të paguar rroga. Disa prej atyre që i kushtojnë pjesën më të madhe të kohës veprës së bërjes së dishepujve marrin një ndihmë për të mbuluar shpenzimet e transportit dhe shpenzime të tjera personale. Por askush nuk e pretendon këtë ndihmë. Faktikisht, pjesa dërrmuese e Dëshmitarëve të Jehovait nuk marrin përkrahje financiare për pjesëmarrjen e tyre në veprën e predikimit. Shumica punojnë për të siguruar paratë, siç bënte Pavli kur punonte si bërës tendash.—2 Korintasve 11:9; 1 Selanikasve 2:9.

Sa duhet të japë dikush që dëshiron të bëjë një kontribut për veprën që kryejnë Dëshmitarët e Jehovait? Apostulli Pavël shkroi: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër, jo me pahir a me detyrim, sepse Perëndia do një dhënës të gëzuar.»—2 Korintasve 8:12; 9:7.

[Shënimi]

^ par. 7 Në vitin 2008, çmimi mesatar i arit ishte 30,7 dollarë grami. Pra, ky kontribut ishte nja 4.794.855.000 dollarë amerikanë.