Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përfito plotësisht nga leximi i Biblës

Përfito plotësisht nga leximi i Biblës

‘Në të vërtetë kënaqem me ligjin e Perëndisë.’ROM. 7:22.

1-3. Ç’dobi vijnë nga leximi i Biblës dhe zbatimi i mësimeve të saj?

«MËNGJES për mëngjes falënderoj Jehovain që më ndihmon të kuptoj Biblën.» Motra e moshuar që tha këto fjalë e ka lexuar të gjithë Biblën më se 40 herë dhe s’ka ndër mend të ndalojë. Një motër më e re shkroi se leximi i Biblës e ka ndihmuar të kuptojë se Jehovai është real. Kështu është afruar më tepër me Atin e saj qiellor. Ajo thotë: «Kurrë nuk kam qenë më e lumtur në jetën time!»

2 Apostulli Pjetër i nxiti të gjithë ‘të ushqenin një dëshirë të zjarrtë për qumështin e papërzier të fjalës’. (1 Pjet. 2:2) Ata që e plotësojnë këtë dëshirë përmes studimit të Biblës dhe që i zbatojnë mësimet e saj, kanë një ndërgjegje të pastër dhe një qëllim në jetë. Zhvillojnë miqësi të qëndrueshme me të tjerë që, po ashtu, e duan Perëndinë e vërtetë dhe i shërbejnë atij. Të gjitha këto janë arsye të vlefshme ‘për t’u kënaqur me ligjin e Perëndisë’. (Rom. 7:22) Por, ka edhe dobi të tjera. Cilat janë disa prej tyre?

3 Sa më shumë të mësosh për Jehovain dhe për Birin e tij, aq më shumë do të të rritet dashuria për ta e për të tjerët. Njohuria e saktë për Shkrimet do të të ndihmojë të kuptosh se së shpejti Perëndia do t’i shpëtojë njerëzit e bindur nga ky sistem që po merr fund. Ke një mesazh pozitiv për t’ua dhënë njerëzve në shërbim, lajmin e mirë. Jehovai do të të bekojë teksa u mëson të tjerëve gjërat që ke mësuar nga leximi i Fjalës së Tij.

LEXO DHE BLUAJ NË MENDJE

4. Çfarë do të thotë ta lexosh Biblën «nën zë»?

4 Jehovai nuk do që shërbëtorët e tij ta lexojnë me nxitim Fjalën e vet. Ai i tha Josiut të kohëve të lashta: «Ky libër i ligjit të mos ndahet nga goja jote. Lexoje nën  ditë e natë.» (Jos. 1:8; Psal. 1:2) A do të thotë ky udhëzim se të gjitha fjalët nga Zanafilla deri te Zbulesa duhen shqiptuar me zë të ulët? Jo. Do të thotë se duhen lexuar me një ritëm që na lejon të meditojmë. Kur lexon Biblën «nën zë», do të përqendrohesh më mirë te pjesët që janë inkurajuese dhe veçanërisht të dobishme në këtë moment. Kur gjen shprehje, vargje ose tregime të tilla, lexoji ngadalë, ndoshta duke i formuar fjalët me gjuhë dhe buzë. Kështu, domethënia e plotë e një pike nga Shkrimet mund të të prekë thellë në një mënyrë të veçantë. Pse ka rëndësi kjo? Kur e kap frymën e këshillës së Perëndisë, ke një motiv të fortë për ta zbatuar.

5-7. Ilustro se si leximi nën zë i Fjalës së Perëndisë mund të të ndihmojë (a) të mbetesh i pastër moralisht; (b) t’i trajtosh të tjerët me durim e mirëdashje; (c) të forcosh besimin te Jehovai edhe në kohë të vështira.

5 Leximi nën zë të ndihmon kur shqyrton libra të Biblës që nuk i njeh aq mirë. Për ta ilustruar, përfytyro tri skena. E para, mendo për një vëlla të ri që po lexon profecinë e Hozesë sipas programit personal të leximit. Në kapitullin 4, ndalon pasi lexon nën zë vargjet 11-13. (Lexo Hozenë 4:11-13.) Pse? Këto vargje i tërheqin vëmendjen sepse po lufton t’i rezistojë presionit që has në shkollë për të shkelur parimet morale. Bluan në mendje këto vargje dhe mendon: «Jehovai i sheh gjërat e këqija që bëjnë njerëzit edhe larg syve të të tjerëve. Nuk dua ta fyej.» Vëllai është i vendosur të mbetet i pastër moralisht para Perëndisë.

6 Në skenën e dytë, një motër po lexon profecinë e Joelit dhe është te kapitulli 2, vargu 13. (Lexo Joelin 2:13.) Ndërsa lexon vargun nën zë, bluan në mendje se si duhet të imitojë Jehovain, që është «hirmadh e i mëshirshëm, nuk zemërohet shpejt e plot dashamirësi». Ajo vendos të përpiqet të mos përdorë më sarkazëm dhe të mos flasë me nerva, siç kishte vepruar nganjëherë me të shoqin e me të tjerë.

7 E treta, përfytyro një baba të krishterë që ka humbur punën dhe është në merak për mirëqenien e së shoqes dhe të fëmijëve. Te Naumi 1:7 lexon nën zë se Jehovai «e di se kush kërkon strehë tek ai» dhe i mbron si «një kala në ditë vuajtjeje». Ky mendim e ngushëllon. Ndien kujdesin e dashur të Jehovait dhe nuk e bren më meraku. Pastaj, lexon nën zë vargun 15. (Lexo Naumin 1:15.) Vëllai ynë kupton se, kur predikon lajmin e mirë në kohë të vështira tregon se vërtet e sheh Jehovain si kalanë e tij. Edhe pse vazhdon të kërkojë punë, tani nxitet të dalë në shërbim me kongregacionin gjatë javës.

8. Shkurtimisht trego një xhevahir frymor që ke zbuluar gjatë leximit të Biblës.

8 Pikat e dobishme të trajtuara më sipër, janë marrë nga librat biblikë, të cilët për disa mund të duken të vështirë për t’i kuptuar. Ndërsa shqyrton librat e Hozesë, të Joelit dhe të Naumit me dëshirën për të mësuar, do të bëje mirë t’i lexoje nën zë edhe vargjet e tjera prej tyre. Imagjino sa shumë ngushëllim dhe mençuri mund të gjesh në shkrimet e këtyre profetëve! Ç’të themi për pjesën tjetër të Biblës? Fjala e Perëndisë është si një minierë diamantesh goxha prodhuese. Puno mirë në këtë minierë! Po, lexoje të gjithë Biblën me synimin për të gjetur në të xhevahire që na japin siguri dhe drejtim hyjnor.

PËRPIQU TË KUPTOSH

9. Si mund ta rritim kuptueshmërinë për vullnetin e Perëndisë?

9 Edhe pse është e rëndësishme të lexosh çdo ditë një pjesë të Biblës, duhet të fitosh edhe kuptueshmëri e gjykim të thellë. Prandaj, përdori mirë botimet e organizatës  së Jehovait, që të bësh kërkime për prejardhjen e njerëzve, për sfondin historik të vendeve e të ngjarjeve për të cilat po lexon. Ose, nëse nuk e ke të qartë si mund të ndikojë në jetën tënde ndonjë mësim biblik, mund të kërkosh ndihmën e një plaku të kongregacionit ose të një të krishteri tjetër të pjekur. Për ta ilustruar pse ka rëndësi ta rritim kuptueshmërinë, le të shohim shembullin e një të krishteri në shekullin e parë që u përpoq të bënte pikërisht këtë. Ai ishte Apoli.

10, 11. (a) Si u ndihmua Apoli që të përmirësohej si predikues i lajmit të mirë? (b) Çfarë mund të mësojmë nga tregimi për Apolin? (Shihni kutinë «A është e përditësuar ajo që u mëson të tjerëve?»)

10 Apoli ishte një i krishterë jude, «njohës i mirë i Shkrimeve» dhe «i zjarrtë në frymë». Libri i Veprave tregon për të: «Fliste dhe mësonte me saktësi gjërat për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit.» Pa dashje, Apoli po e shpjegonte pagëzimin sipas kuptueshmërisë së mëparshme. Pasi e dëgjuan teksa mësonte në Efes, një çift i krishterë që quheshin Prishila dhe Akuila, i shpjeguan «më saktë udhën e Perëndisë». (Vep. 18:24-26) Ç’dobi nxori Apoli nga kjo?

11 Pasi predikoi në Efes, Apoli shkoi në Akai. «Si arriti atje, ai i ndihmoi shumë ata që kishin besuar falë dashamirësisë së pamerituar të Perëndisë. Ai u fliste me zjarr dhe provonte plotësisht publikisht se judenjtë e kishin gabim, ndërsa u tregonte me anë të Shkrimeve se Jezui ishte Krishti.» (Vep. 18:27, 28) Tani ai mund ta shpjegonte siç duhet domethënien e pagëzimit të krishterë. Me këtë kuptueshmëri më të plotë «ai i ndihmoi shumë» të krishterët e rinj që të përparonin në adhurimin e vërtetë. Çfarë mund të mësojmë nga ky tregim? Si Apoli, ne përpiqemi të kuptojmë atë që lexojmë  në Bibël. Megjithatë, kur një bashkëbesimtar me përvojë na jep sugjerime si të jemi mësues më të mirë, duhet ta pranojmë ndihmën me përulësi dhe mirënjohje. Nëse veprojmë kështu, do të përmirësojmë cilësinë e shërbimit të shenjtë.

NDIHMO TË TJERËT ME ATË QË MËSON VETË

12, 13. Ilustro se si përdorimi me takt i Shkrimeve mund t’i ndihmojë studentët e Biblës të përparojnë.

12 Ashtu si Prishila, Akuila dhe Apoli, edhe ne mund të jemi një bekim për të tjerët. Si ndihesh pasi i jep zemër një të interesuari, dhe falë kësaj ai arrin të kapërcejë diçka që pengon përparimin e tij frymor? Ose, si plak, si ndihesh kur një bashkëbesimtar të falënderon për këshillat nga Shkrimet, që e kanë ndihmuar të përballojë momente të vështira? Pa dyshim, po ta përdorësh Fjalën e Perëndisë për të ndihmuar të tjerët të përmirësojnë jetën, ndien kënaqësi dhe gëzim. * Vëre si mund ta arrish këtë synim.

13 Për sa i përket adhurimit të vërtetë ose të rremë, shumë izraelitë në ditët e Elijas nuk ishin as andej, as këtej. Këshilla që u dha Elija mund të ndihmojë një student të Biblës që është i pavendosur dhe ngurron të ecë para frymësisht. (Lexo 1 Mbretërve 18:21.) Le të shohim një situatë tjetër: nëse një i interesuar ka frikë nga reagimi i miqve ose i familjarëve, mund t’ia forcosh vendosmërinë që të adhurojë Jehovain, duke arsyetuar mbi Isainë 51:12, 13.Lexoje.

14. Çfarë do të të ndihmojë të rikujtosh vargje biblike kur të të duhen për të ndihmuar të tjerët?

14 Kuptohet, Bibla përmban shumë fjalë që mund t’u japin zemër, t’i ndreqin ose t’i forcojnë lexuesit e saj. Por, mund të pyesësh: «Si mund t’i kem në majë të gjuhës shkrimet kur të më duhen?» Përditë lexo Biblën dhe medito për mendimet e Perëndisë. Kështu, do të kesh një bagazh me thënie hyjnore, të cilat fryma e Jehovait mund të të ndihmojë t’i kujtosh kur të të duhen.Mar. 13:11; lexo Gjonin 14:26. *

15. Ç’do të të ndihmojë ta kuptosh më plotësisht Fjalën e Perëndisë?

15 Ashtu si mbreti Solomon, lutju Jehovait për mençuri ndërsa plotëson përgjegjësitë teokratike. (2 Kron. 1:7-10) Siç vepruan profetët e lashtë, ‘shqyrto me ngulm dhe kërko me kujdes’ njohurinë e saktë për Jehovain dhe për vullnetin e tij në Bibël. (1 Pjet. 1:10-12) Apostulli Pavël e nxiti Timoteun të mbruhej «me fjalët e besimit dhe të mësimit të shkëlqyer». (1 Tim. 4:6) Duke vepruar kështu, edhe ti do të jesh më se në gjendje t’i ndihmosh të tjerët frymësisht. Njëkohësisht, do të ndërtosh edhe besimin tënd.

MBROJTJE E SIGURT FALË FJALËS SË PERËNDISË

16. (a) Si nxorën dobi bereasit ngaqë «çdo ditë i shqyrtonin me kujdes Shkrimet»? (b) Pse leximi i përditshëm i Biblës është kaq i rëndësishëm për ne sot?

16 Judenjtë në qytetin maqedonas të Beresë e kishin zakon që ‘çdo ditë t’i shqyrtonin me kujdes Shkrimet’. Kur Pavli u predikoi lajmin e mirë, ata i krahasuan fjalët e tij me atë që dinin vetë për Shkrimet. Me ç’rezultat? Shumë u bindën se ai po mësonte të vërtetën, dhe «u bënë besimtarë». (Vep. 17:10-12) Kjo tregon se leximi i përditshëm i Biblës nxit besim të fortë te Jehovai. Një besim i tillë,  pra «pritja e sigurt e gjërave të shpresuara», është jetësor nëse duam të mbijetojmë e të gëzojmë jetën në botën e re të Perëndisë.Hebr. 11:1.

17, 18. (a) Si mund ta mbrojnë zemrën figurative të një të krishteri besimi i fortë dhe dashuria? (b) Si na mbron nga rreziqet shpresa?

17 Jo më kot, Pavli shkroi: «Por ne që i përkasim ditës, le të ruajmë gjykimin dhe të mbajmë veshur parzmoren e besimit e të dashurisë, dhe si përkrenare shpresën e shpëtimit.» (1 Sel. 5:8) Zemra e një ushtari duhet mbrojtur nga armiku. Po njësoj, zemra figurative e të krishterëve duhet mbrojtur nga fuqia e mëkatit. Ç’ndodh kur një shërbëtor i Jehovait ndërthur besimin e fortë te premtimet e Perëndisë me dashurinë për Të e për të tjerët? Një shërbëtor i tillë vishet me parzmoren frymore të një cilësie që s’ka të krahasuar. Vështirë se do të bëjë diçka që do t’i sillte humbjen e miratimit të Perëndisë.

18 Gjithashtu, Pavli përmendi përkrenaren, «shpresën e shpëtimit». Nëse një ushtar në kohët biblike nuk e mbronte kokën, fare kollaj mund të humbte jetën në betejë. Mirëpo, me një përkrenare të mirë mund të pësonte goditje në kokë pa u dëmtuar rëndë. Ne e ndërtojmë shpresën në veprat shpëtuese të Jehovait duke studiuar Fjalën e tij. Falë shpresës së patundur mund t’u bëjmë ballë apostatëve dhe ‘fjalëve boshe’ që përhapen si gangrenë. (2 Tim. 2:16-19) Shpresa do të na forcojë t’u themi jo atyre që na shtyjnë drejt një sjelljeje që Jehovai e dënon.

ÇELËSI PËR TË MBIJETUAR

19, 20. Pse e vlerësojmë shumë Fjalën e Perëndisë dhe si e tregojmë çmueshmërinë për të? (Shihni kutinë «Jehovai më jep tamam atë që më duhet».)

19 Sa më thellë zhytemi në ditët e fundit, aq më tepër kemi nevojë të mbështetemi te Fjala e Jehovait. Këshillat që gjejmë atje, na ndihmojnë të ndreqim zakonet e këqija e t’u vëmë fre prirjeve mëkatare. Me inkurajimin dhe ngushëllimin që marrim prej saj, do t’i kalojmë me sukses sprovat që na sjell Satanai dhe bota e tij. Me anë të drejtimit që siguron Jehovai në Fjalën e tij, do të qëndrojmë në udhën drejt jetës.

20 Mos harro se vullneti i Perëndisë është «që njerëz të çdo lloji të shpëtojnë». Mes ‘njerëzve të çdo lloji’ janë shërbëtorët e Jehovait. Gjithashtu, janë ata që mund t’i ndihmojmë me anë të veprës së predikimit dhe të mësimdhënies. Sidoqoftë, kushdo që dëshiron të shpëtojë, duhet ‘të fitojë njohurinë e saktë të së vërtetës’. (1 Tim. 2:4) Prandaj, mbijetesa në ditët e fundit varet nga leximi i Biblës dhe nga ndjekja e drejtimit të saj të frymëzuar. Po, leximi ynë i përditshëm i Biblës tregon sa shumë e çmojmë Fjalën e vyer të së vërtetës të Jehovait.Gjoni 17:17.

^ par. 12 Sigurisht, nuk i përdorim këshillat nga Bibla për t’u bërë presion të tjerëve ose për t’i fajësuar. Duhet të jemi të durueshëm e mirëdashës me një student të Biblës ashtu si është Jehovai me ne.Psal. 103:8.

^ par. 14 Po sikur të kujtosh fjalët kyçe të një fragmenti biblik, por jo librin, kapitullin a vargun? Duke i kërkuar këto fjalë në renditjen e fjalëve biblike në fund të Përkthimit Bota e Re ose në Bibliotekën Watchtower, ka gjasa t’i gjesh shkrimet.