Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Shërbimi ndaj Jehovait ka qenë kënaqësia ime

Shërbimi ndaj Jehovait ka qenë kënaqësia ime

 Shërbimi ndaj Jehovait ka qenë kënaqësia ime

Treguar nga Fred Raski

Kur isha fëmijë, provova vërtetësinë e fjalëve të Davidit te Psalmi 27:10: «Edhe sikur nëna dhe babai të më braktisnin, Jehovai do të më merrte në gji.» Më lejoni t’ju tregoj si doli e vërtetë kjo në rastin tim.

U RRITA në fermën e pambukut që kishte gjyshi im në shtetin e Xhorxhias, SHBA, gjatë Depresionit të Madh të viteve 30. Babai, që ishte i dërrmuar nga vdekja e nënës sime dhe e vëllait të sapolindur, më la te gjyshi që ishte i ve dhe shkoi të punonte në një qytet të largët. Më vonë, u përpoq disa herë të më merrte edhe mua, por kjo nuk ndodhi kurrë.

Shtëpinë e gjyshit e drejtonin vajzat e tij të mëdha. Ndonëse ai nuk ishte njeri fetar, vajzat e tij ishin baptiste jugore mjaft fanatike. Ngaqë më kërcënonin se do të më rrihnin, shkoja në kishë çdo të diel. Prandaj, që në vogëli nuk kisha ndonjë vlerësim të madh për fenë. Sidoqoftë, më pëlqente shkolla dhe sporti.

Një vizitë që më ndryshoi jetën

Një pasdite të vitit 1941, kur isha 15 vjeç, erdhi në shtëpi një burrë i moshuar me gruan e tij. Ai u prezantua si «xhaxha Talmaxh Raski». Nuk kisha dëgjuar kurrë për të, por mësova se bashkë me gruan ishin Dëshmitarë të Jehovait. Ajo çka na shpjegoi për qëllimin e Perëndisë, pra se njerëzit do të jetonin përgjithmonë në tokë, ishte shumë ndryshe nga ajo që kisha dëgjuar në kishë. Shumica e familjes e refuzuan​—madje e përbuzën—​atë që na thanë. Ata nuk i lejuan të vinin më kurrë në shtëpinë e gjyshit. Megjithatë, halla ime, Meri, vetëm tre vjet më e madhe se unë, pranoi një Bibël dhe disa botime që ndihmonin për ta shpjeguar atë.

Meri u bind shumë shpejt se kishte gjetur të vërtetën dhe u pagëzua si Dëshmitare e Jehovait në vitin 1942. Edhe ajo përjetoi atë që kishte parathënë Jezui: «Armiqtë e njeriut do të jenë njerëzit e shtëpisë së vet.» (Mat. 10:34-36) Kundërshtimi i familjes ishte i egër. Njëra nga motrat e saj të mëdha që ishte me pozitë në atë zonë, komplotoi bashkë me kryetarin e bashkisë dhe arrestuan xhaxha Talmaxhin. E akuzuan se shiste pa licensë. Ai u shpall fajtor.

Gazeta e qytetit raportoi se kryetari i bashkisë, që ishte edhe gjykatësi, u kishte thënë atyre të gjykatës së qytetit: «Literatura që shpërndan ky njeri . . . është po aq e rrezikshme sa helmi.» Xhaxhai e fitoi çështjen  në apel, por ndërkohë kaloi dhjetë ditë në burg.

Si më ndihmoi hallë Meri?

Përveçse më fliste mua për besimin e sapogjetur, Meri nisi t’u jepte dëshmi fqinjëve. Shkova me të në një studim biblik që drejtonte me një burrë, i cili kishte pranuar librin Bota e re. * Gruaja e tij na tha se i shoqi kishte ndenjur zgjuar gjithë natën duke e lexuar. Edhe pse nuk doja të përfshihesha menjëherë në gjëra fetare, ajo që po mësoja më tërhiqte. Sidoqoftë, nuk ishin kryesisht mësimet biblike që më bindën se Dëshmitarët ishin populli i Perëndisë, por mënyra si i trajtonin.

Për shembull, ndërsa po ktheheshim një ditë nga prashitja e domateve, Meri dhe unë pamë se te vendi i plehrave motrat kishin djegur literaturën, përfshirë një gramafon e disqe me mesazhe biblike. Më hipën nervat, por njëra prej hallave ma ktheu: «Do të na falënderoni pas ca vitesh për këtë!»

Meri u detyrua të largohej nga shtëpia në vitin 1943 sepse nuk pranoi të hiqte dorë nga besimi i saj i sapogjetur dhe të mos u predikonte fqinjëve. Sa i entuziazmuar isha në atë kohë ngaqë kisha mësuar se Perëndia jo vetëm ka një emër, Jehova, por edhe është i dashur, i dhembshur e nuk i djeg njerëzit në një ferr të zjarrtë! Gjithashtu, mësova se Jehovai ka një organizatë të dashur, pavarësisht se nuk kisha marrë pjesë ende në ndonjë mbledhje.

Më vonë, ndërsa po korrja barin, erdhi ngadalë një makinë dhe njëri nga dy burrat që ishin brenda më pyeti nëse isha Fredi. Kur e kuptova se ishin Dëshmitarë, u thashë: «Më lejoni të hipi dhe do t’ju tregoj një vend të sigurt ku të flasim.» I kishte dërguar Meri që të më takonin. Njëri nga burrat ishte Shilld Tutxhani, një shërbëtor udhëtues që më dha inkurajim dhe drejtim frymor në kohën e duhur. Tani kundërshtimi i familjes u përqendrua tek unë, sepse mbroja bindjet e Dëshmitarëve të Jehovait.

Meri më shkroi nga Virxhinia, ku ishte transferuar, dhe më tha se po të isha i vendosur t’i shërbeja Jehovait mund të shkoja të jetoja me të. Menjëherë vendosa të shkoja. Një të premte në mbrëmje, në tetor të vitit 1943, futa ca gjëra të domosdoshme në një kuti dhe e lidha në një pemë larg shtëpisë. Të shtunën mora kutinë, i rashë nga shtëpia e një fqinji dhe gjeta një mjet për në qytet. Udhëtova për në qytetin e Roanokut dhe e gjeta Merin në shtëpinë e Edna Foulsit.

 Rritja frymore, pagëzimi dhe Betheli

Edna ishte një Dëshmitare e mirosur shumë e dhembshur​—një Lidia e ditëve moderne—​e cila kishte marrë me qira një shtëpi të madhe. Përveç hallë Merit, kishte strehuar edhe nusen e vëllait të vet bashkë me dy vajzat. Këto vajza, Gledis dhe Greis Gregori, më vonë u bënë misionare. Gledisi, tani në të 90-at, shërben ende me besnikëri në degën e Japonisë.

Ndërkohë që jetoja në shtëpinë e Ednës, ndiqja rregullisht mbledhjet dhe u stërvita për shërbimin. Duke qenë i lirë të studioja Fjalën e Perëndisë dhe të merrja pjesë në mbledhje, po shuaja etjen time frymore që shtohej gjithnjë e më shumë. U pagëzova më 14 qershor 1944. Meri dhe motrat Gregori filluan shërbimin si pioniere dhe pranuan të shërbenin në veri të Virxhinias. Atje ndihmuan shumë që të formohej një kongregacion në Lizbërg. Në fillim të vitit 1946 fillova shërbimin si pionier në një konté ngjitur. Atë verë udhëtuam së bashku për në kongresin e paharrueshëm ndërkombëtar që u mbajt nga 4 deri më 11 gusht në Klivlend, Ohajo.

Në atë kongres, Nejthën Nori, i cili në atë kohë merrte drejtimin në organizatë, tregoi për planet e zgjerimit të Bethelit në Bruklin. Këtu përfshihej ndërtimi i një rezidence të re dhe zgjerimi i shtypshkronjës. Nevojiteshin shumë vëllezër të rinj. Kuptova se ai ishte vendi ku do të më pëlqente t’i shërbeja Jehovait. Kështu që bëra kërkesën dhe pas disa muajsh, më 1 dhjetor 1946 shkova në Bethel.

Rreth një vit më vonë, Maks Larsoni, mbikëqyrës i shtypshkronjës, ndaloi para tryezës sime në Repartin e Postës dhe më njoftoi se isha caktuar në Repartin e Shërbimit. Në atë caktim mësova shumë për zbatimin e parimeve biblike dhe për rolet e ndryshme të organizatës së Perëndisë, sidomos teksa punoja me mbikëqyrësin e repartit, Bad Salivanin.

Im atë më vizitoi disa herë në Bethel. Nga fundi i jetës ai ishte bërë fetar. Kur më vizitoi për herë të fundit në vitin 1965, më tha: «Ti mund të vish të më takosh, por unë nuk do të vij më kurrë të të takoj këtu.» Shkova ta takoja disa herë para se të vdiste. Ishte i bindur se do të shkonte në qiell. Shpresoj që të jetë në kujtesën e Jehovait. Nëse po, kur të ringjallet babai nuk do të jetë ku mendonte, por këtu në tokë me shpresën që të jetojë përgjithmonë në Parajsën e rivendosur.

Kongrese dhe ndërtime të paharrueshme

Kongreset ishin gjithnjë ngjarje të shënuara për rritjen frymore. Të tillë ishin në veçanti  kongreset ndërkombëtare që u mbajtën në vitet 50 në stadiumin Jenki, Nju-Jork. Më 1958, gjatë një sesioni, 253.922 veta nga 123 vende mbushën stadiumet Jenki dhe Polo Graunds. Nuk do ta harroj kurrë një ngjarje që ndodhi në atë kongres. Ndërsa po ndihmoja në zyrën e kongresit, vëlla Nori m’u afrua e më tha me të shpejtë: «Fred, nuk e di se si, po kam harruar të caktoj një vëlla që t’u mbajë një fjalim të gjithë pionierëve që janë mbledhur këtu afër në një lokal të madh të marrë me qira. A do të shkosh një vrap e t’u mbash një fjalim të mirë rreth një teme që do ta mendosh gjatë rrugës?» U luta shumë derisa arrita atje, pa frymë.

Meqë gjatë viteve 50 e 60 numri i kongregacioneve u rrit jashtëzakonisht në qytetin e Nju-Jorkut, nuk ishte më praktike të merrje me qira ambiente për Salla Mbretërie. Prandaj, nga viti 1970 deri më 1990 u blenë dhe u rimodeluan tri ndërtesa në Manhatan që të ktheheshin në vende të përshtatshme për mbledhje. Isha drejtues i komiteteve të ndërtimit për këto projekte dhe kam mjaft kujtime të këndshme se sa shumë i bekoi Jehovai kongregacionet që bashkëpunuan për të financuar dhe për të përfunduar këto ndërtesa që vazhdojnë të shërbejnë kaq mirë si qendra të adhurimit të vërtetë.

Ndryshime në jetë

Më 1957, një ditë ndërsa po ecja në parkun mes godinave të banimit dhe shtypshkronjës në Bethel, filloi shiu. Pashë para meje një bethelite të re bjonde e të lezetshme. Ajo nuk kishte çadër, prandaj i thashë nëse dëshironte të futej nën çadrën time. Kështu u njoha me Marxhërinë dhe, që kur u martuam më 1960, në shi ose në diell kemi ecur bashkë të lumtur në udhën e jetës duke i shërbyer Jehovait. Në shtator të 2010-s festuam 50-vjetorin e martesës sonë.

Sapo kishim hapur valixhet nga muaji i mjaltit, kur vëlla Nori më tha se isha caktuar instruktor në Shkollën e Galaadit. Sa privilegj i veçantë ishte! Nga viti 1961 deri më 1965 u formuan pesë klasa me kurse që zgjatnin më shumë dhe që përbëheshin kryesisht nga personeli i zyrave të degëve, të cilëve u jepej stërvitje e specializuar për administrimin e degëve. Në vjeshtën e vitit 1965 rifilluan kurset pesëmujore dhe u përqendruan përsëri te stërvitja e misionarëve.

Në vitin 1972 u transferova nga Shkolla e Galaadit në Repartin e Korrespondencës për Pyetjet Biblike ku shërbeva si mbikëqyrës. Kërkimet për të trajtuar pyetje dhe probleme të ndryshme më kanë ndihmuar të kuptoj  më mirë mësimet e Biblës dhe zbatimin e parimeve të larta të Perëndisë që të ndihmoj të tjerët.

Pastaj, në vitin 1987 u caktova në një repart të ri të quajtur Shërbimi i Informacioneve Shëndetësore. U organizuan seminare për t’i mësuar pleqtë e Komiteteve të Lidhjes me Spitalet se si të kishin kontakte me mjekët, gjykatësit dhe punonjësit socialë për të diskutuar rreth qëndrimit tonë biblik ndaj gjakut. Një problem i madh ishte se mjekët vendosnin në mënyrë arbitrare që t’u bënin transfuzion gjaku fëmijëve tanë, shpesh duke marrë urdhra gjykate për ta bërë këtë.

Kur mjekëve u sugjerohej të përdornin alternativat e transfuzionit të gjakut, zakonisht përgjigjeshin se nuk kishte ose ishin tepër të shtrenjta. Kur ndonjë kirurg më thoshte kështu, atëherë i përgjigjesha: «A mund të më tregoni duart, ju lutem?» Kur ai e bënte, i thosha: «Ja, ju keni në dispozicion një nga alternativat më të mira të transfuzioneve të gjakut!» Ky kompliment i kujtonte kirurgut atë që e dinte mjaft mirë​—të përdorte me kujdes bisturinë që të humbte sa më pak gjak.

Gjatë dy dekadave të fundit, Jehovai i ka bekuar me bollëk përpjekjet për të informuar mjekët dhe gjykatësit. Sjellja e tyre ndryshonte dukshëm kur kuptonin më mirë qëndrimin tonë. Kanë mësuar që kërkimet mjekësore tregojnë se alternativat e transfuzionit të gjakut janë të efektshme dhe tani ka shumë mjekë të gatshëm për të bashkëpunuar, si dhe spitale ku mund të transferohet një pacient.

Që nga viti 1996 bashkë me Marxhërinë po shërbejmë në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, rreth 110 kilometra në veri të Bruklinit. Këtu punova për një periudhë të shkurtër në Repartin e Shërbimit dhe pastaj për ca kohë jepja mësim për personelin e zyrave të degëve dhe mbikëqyrësit udhëtues. Gjatë 12 viteve të fundit kam shërbyer përsëri si mbikëqyrës i Repartit të Korrespondencës për Pyetjet Biblike, që është transferuar nga Bruklini në Paterson.

Sfidat e moshës së shkuar

Tani që jam në mes të të 80-ave, po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kujdesem për privilegjet e mia të shërbimit në Bethel. Kam luftuar me kancerin për më shumë se dhjetë vjet. Ndihem si Hezekia, të cilit Jehovai ia zgjati jetën. (Isa. 38:5) Edhe ime shoqe ka probleme me shëndetin dhe të dy bashkëpunojmë për të përballuar sëmundjen e Alcajmerit nga e cila vuan. Marxhëria ka qenë e zonja në shërbim të Jehovait, një këshilltare për të rinjtë dhe një ndihmëse e shoqe besnike për mua. Ka qenë gjithmonë një studiuese e mirë e Biblës dhe një mësuese e shkëlqyer e saj. Shumë nga fëmijët e saj frymorë vazhdojnë të mbajnë lidhje me ne.

Halla ime, Meri, vdiq në mars të 2010-s në moshën 87-vjeçare. Ajo ishte një mësuese e shkëlqyer e Fjalës së Perëndisë dhe i ndihmonte të tjerët të merrnin anën e adhurimit të vërtetë. Kaloi shumë vite në shërbimin e plotkohor. I jam shumë mirënjohës për rolin që luajti duke më ndihmuar të mësoja të vërtetën e Fjalës së Perëndisë dhe të bëhesha si ajo, një shërbëtor i Perëndisë tonë të dashur, Jehovait. Meri është varrosur pranë bashkëshortit të saj, që më parë kishte shërbyer si misionar në Izrael. Kam besim se janë në kujtesën e Jehovait me shpresën e ringjalljes.

Kur mendoj për 67 vitet që kam kaluar në shërbim të Jehovait, jam shumë mirënjohës për bekimet e pasura që kam marrë. Ka qenë kënaqësi për mua të bëj vullnetin e tij! Ngaqë kam besuar te dashamirësia e pamerituar e Jehovait, shpresoj me zjarr të shoh plotësimin e premtimit që bëri Biri i tij: «Kushdo që ka lënë shtëpi ose vëllezër, motra, baba, nënë, fëmijë, a toka për hir të emrit tim, do të marrë shumë herë më tepër dhe do të trashëgojë jetën e përhershme.»​—Mat. 19:29.

[Shënimi]

^ par. 11 Botuar në vitin 1942, por tani nuk shtypet më.

[Figura në faqen 19]

Në fermën e pambukut që kishte gjyshi në Xhorxhia, SHBA, 1928

[Figura në faqen 19]

Hallë Meri dhe xhaxha Talmaxhi

[Figura në faqen 20]

Meri, Gledisi dhe Greisi

[Figura në faqen 20]

Pagëzimi im në 14 qershor 1944

[Figura në faqen 20]

Në Repartin e Shërbimit në Bethel

[Figura në faqen 21]

Me Merin në kongresin ndërkombëtar në stadiumin Jenki, 1958

[Figura në faqen 21]

Me Marxhërinë në ditën e dasmës

[Figura në faqen 21]

Bashkë në vitin 2008