Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A është dobiprurëse zbavitja jote?

A është dobiprurëse zbavitja jote?

 A është dobiprurëse zbavitja jote?

«Vazhdoni të siguroheni se çfarë është e pranueshme para Zotërisë.»​—EFES. 5:10.

1, 2. (a) Si tregon Fjala e Perëndisë se Jehovai dëshiron që ta gëzojmë jetën? (b) Çfarë do të bëjmë nëse i konsiderojmë argëtimet si «dhuratë nga Perëndia»?

NË TË gjithë Biblën gjejmë tregues se Jehovai dëshiron që jo vetëm ta jetojmë jetën, por edhe ta gëzojmë atë. Për shembull, Psalmi 104:14, 15 thotë se Jehovai bën «që nga toka të dalë ushqimi, vera që ia gëzon zemrën njeriut, vaji që bën t’i shkëlqejë fytyra dhe buka që ia mban atij zemrën». Në fakt, Jehovai bën që bimët dhe pemët të rriten e të japin drithëra, vaj dhe verë si ushqim. Mirëpo, vera ‘na gëzon zemrën’. Pra, nuk është e nevojshme vetëm për të na mbajtur gjallë, por edhe për të na shtuar gëzimin. (Ekl. 9:7; 10:19) Po, Jehovai dëshiron që të jemi të gëzuar, t’i kemi zemrat «plot hare».​—Vep. 14:16, 17.

2 Prandaj, nuk kemi pse të ndihemi fajtorë nëse herë pas here programojmë kohë që ‘të vështrojmë me kujdes zogjtë e qiellit’ dhe «zambakët e fushës» ose të kënaqemi me disa aktivitete që na çlodhin e na pasurojnë jetën. (Mat. 6:26, 28; Psal. 8:3, 4) Një jetë e shëndetshme është «dhuratë nga Perëndia». (Ekl. 3:12, 13) Nëse e konsiderojmë kohën e lirë si pjesë të kësaj dhurate, do ta përdorim në një mënyrë që i sjell kënaqësi Dhuruesit. *

Shumëllojshmëri dhe kufij

3. Përse është e arsyeshme të pranojmë se për sa u përket argëtimeve ka vend për shumëllojshmëri?

3 Ata që kanë një pikëpamje të ekuilibruar për argëtimet, e kuptojnë se ka vend për shumëllojshmëri, por e pranojnë edhe se ka nevojë për kufij. Përse? Që të përgjigjemi, le ta krahasojmë zbavitjen me ushqimin. Ushqimet e njohura ndryshojnë nga njëri vend i botës në tjetrin. Faktikisht, ajo që mund të jetë e shijshme për njerëzit e një vendi, mund të mos jetë e tillë gjetkë. Në mënyrë të ngjashme, gjërat që të krishterët në një vend të botës i shohin si argëtime të këndshme, mund të mos jenë tërheqëse për të krishterët diku tjetër. Edhe për të krishterët që jetojnë në të njëjtin vend, ajo që për dikë mund të jetë qetësuese (ndoshta të ulet e të lexojë një libër të bukur), për një tjetër mund të jetë e mërzitshme; ajo që për dikë mund të jetë çlodhëse (mbase një xhiro me biçikletë), për një tjetër mund të jetë sfilitëse. Gjithsesi, e pranojmë se në çështje të tilla, si ushqimi dhe argëtimet, ka vend për shumëllojshmëri dhe preferenca personale.​—Rom. 14:2-4.

4. Pse duhet të vendosim kufij për llojin e argëtimit që zgjedhim? Ilustroje.

4 Sidoqoftë, e kuptojmë se shumëllojshmëria e argëtimeve nuk është leje për të plotësuar çdo tekë. Për ta ilustruar, të marrim përsëri shembullin e ushqimit. Ndonëse mund të kemi dëshirë të hamë një shumëllojshmëri ushqimesh, nuk do të hanim me dashje ushqim të prishur. Kjo nuk do të ishte e logjikshme dhe mund të na dëmtonte shëndetin. Po kështu, ndonëse mund të ketë lloje të ndryshme zbavitjesh të shëndetshme, nuk do të merreshim me aktivitete dëfryese të rrezikshme për jetën, të dhunshme ose të  korruptuara moralisht. Përfshirja në këto aktivitete do të ishte kundër parimeve të Biblës dhe do të vinte në rrezik shëndetin tonë fizik ose frymor. Që të jemi të sigurt se po qëndrojmë brenda kufijve të arsyeshëm, bëjmë mirë të përcaktojmë që më parë nëse janë apo jo dobiprurëse disa argëtime që na pëlqejnë. (Efes. 5:10) Si mund ta bëjmë këtë?

5. Si mund të përcaktojmë nëse argëtimet tona i plotësojnë standardet e Perëndisë?

5 Që argëtimet të jenë dobiprurëse për ne dhe të pëlqyeshme në sytë e Jehovait, duhet të plotësojnë disa standarde specifike të vendosura në Fjalën e Perëndisë. (Psal. 86:11) Mund të kesh nevojë t’i krahasosh me një listë të thjeshtë, për të përcaktuar nëse argëtimet që të pëlqejnë janë të tilla. Lista ka tri pyetje që mund të përmblidhen me fjalët çfarë, sa dhe cilët. Le t’i shqyrtojmë një nga një.

Çfarë përfshin?

6. Ç’lloj zbavitjeje duhet të refuzojmë dhe pse?

6 Përpara se të zbavitesh në ndonjë mënyrë, pyetja e parë që duhet t’i bësh vetes është: çfarë? Domethënë, ç’lloj dëfrimi është ky që po më tërheq? Teksa kërkon përgjigjen, është e dobishme të mbash ndër mend se, në thelb, ka dy lloje zbavitjesh. Të parit, i themi «jo», kurse të dytit «ndoshta». Cili është lloji i parë? Në këtë botë të ligë, një pjesë e madhe e zbavitjeve karakterizohet nga aktivitete që dhunojnë në mënyrë flagrante parimet e Biblës ose thyejnë ligjet e Perëndisë. (1 Gjon. 5:19) Të krishterët e vërtetë u përgjigjen me një «jo» të vendosur të gjitha këtyre zbavitjeve. Këtu përfshihen zbavitje që përmbajnë sadizëm, demonizëm, homoseksualizëm, pornografi a dhunë, ose që lartësojnë praktika të tjera të poshtra imorale. (1 Kor. 6:9, 10; lexo Zbulesën 21:8.) Kur nuk pranojmë as t’u afrohemi këtyre lloj zbavitjeve, pavarësisht nëse jemi vetëm ose me të tjerë, i tregojmë Jehovait se ‘e urrejmë thellësisht atë që është e ligë’.​—Rom. 12:9; 1 Gjon. 1:5, 6.

7, 8. Si mund ta vlerësojmë cilësinë e një lloj zbavitjeje? Ilustroje.

7 Lloji i dytë i dëfrimeve përfshin forma që nuk përqendrohen në praktika të dënuara qartësisht në Fjalën e Perëndisë. Në këto raste, para se të zgjedhim zbavitjen, duhet ta krahasojmë me kujdes me pikëpamjen e Jehovait për atë që është e shëndetshme, siç tregojnë parimet biblike. (Prov. 4:10, 11) Pastaj, duhet të marrim një vendim personal që të na lërë me ndërgjegje të pastër. (Gal. 6:5; 1 Tim. 1:19) Si mund ta bëjmë këtë? Mendo: para se të hamë një lloj të ri gatimi, së pari duhet të dimë cilët janë përbërësit kryesorë. Në mënyrë të ngjashme, para se të përfshihemi në një formë zbavitjeje, duhet të zbulojmë cilat janë veçoritë e saj kryesore.​—Efes. 5:17.

8 Për shembull, ndoshta të pëlqejnë sportet, dhe kjo kuptohet lehtësisht. Sportet mund të jenë argëtuese dhe emocionuese. Mirëpo, ç’të themi nëse disa sporte të tërheqin për shkak të konkurrencës së egër, rrezikut të tepërt, shkallës së lartë të dëmtimeve, festimeve të zhurmshme, frymës së zjarrtë nacionaliste apo «përbërësve» të ngjashëm? Pasi të kesh shqyrtuar se çfarë përfshihet, ka të ngjarë të vendosësh se mënyra jote e të menduarit zor se përputhet me atë të Jehovait dhe me mesazhin e paqes e të dashurisë që u predikojmë të tjerëve. (Isa. 61:1; Gal. 5:19-21) Nga ana tjetër, nëse ndonjë formë zbavitjeje ka «përbërës» që janë të shëndetshëm në sytë e Jehovait, atëherë ajo mund të jetë vërtet dobiprurëse dhe çlodhëse.​—Gal. 5:22, 23; lexo Filipianëve 4:8.

 Sa zbavitem?

9. Çfarë zbulon përgjigjja e pyetjes: «Sa zbavitem?»

9 Pyetja e dytë që duhet t’i bësh vetes është: sa? Domethënë, sa kohë do të kaloj duke u zbavitur? Përgjigjja që i japim pyetjes «çfarë» tregon shumë për prirjet tona​—çfarë na duket e pranueshme dhe çfarë e papranueshme. Kurse, përgjigjja për pyetjen «sa» pasqyron përparësitë tona​—çfarë na duket e rëndësishme dhe çfarë jo. Si ta përcaktojmë, pra, se sa rëndësi po i japim zbavitjes?

10, 11. Si na ndihmojnë fjalët e Jezuit te Mateu 6:33 që të vendosim se sa kohë të kalojmë duke u argëtuar?

10 Jezu Krishti tha: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde dhe me gjithë forcën tënde.» (Mar. 12:30) Prandaj, dashuria për Jehovain është gjëja e parë në jetën tonë. E tregojmë këtë kur ndjekim nxitjen e Jezuit: «Vazhdoni të kërkoni në radhë të parë mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë, dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.» (Mat. 6:33) Si mund të na ndihmojnë këto fjalë për të përcaktuar se sa kohë dhe rëndësi duhet t’u kushtojmë argëtimeve?

 11 Vër re këtë hollësi: Jezui na nxiti ‘të vazhdojmë të kërkojmë në radhë të parë mbretërinë’. Ai nuk na tha ‘të vazhdojmë të kërkojmë vetëm mbretërinë’. Natyrisht që Jezui e dinte se do të kishim nevojë të kërkonim shumë gjëra në jetë përveç Mbretërisë. Kemi nevojë për një strehë, veshje, arsimim bazë, punë, argëtim e kështu me radhë. Megjithatë, ndër të gjitha gjërat që kërkojmë, vetëm një është e para​—interesat e Mbretërisë. (1 Kor. 7:29-31) Kjo e vërtetë themelore duhet të na nxitë të merremi me aktivitetet dytësore, përfshirë argëtimet, në atë mënyrë që të na japë mundësi të përmbushim aktivitetin parësor, të kujdesemi për interesat e Mbretërisë. Nëse e bëjmë këtë, njëfarë argëtimi brenda kufijve mund të jetë dobiprurës.

12. Si mund të zbatohet për argëtimet parimi i Lukës 14:28?

12 Kështu, pra, në lidhje me kohën që kalojmë duke u zbavitur, është mirë të llogaritim që më parë koston. (Luka 14:28) Duhet të përcaktojmë se sa kohë do të na marrë njëfarë zbavitjeje. Më pas, duhet të vendosim sa kohë ia vlen të harxhojmë me të. Nëse dhënia pas një zbavitjeje nënkupton se duhet të lëmë pas dore aktivitete të rëndësishme, si studimi personal i Biblës, adhurimi familjar, ndjekja e mbledhjeve të krishtere ose dalja në predikim, atëherë nuk ia vlen barra qiranë. (Mar. 8:36) Nga ana tjetër, nëse ndonjë zbavitje e herëpashershme na përtërin energjitë që të vazhdojmë të ndjekim interesat e Mbretërisë, atëherë me të drejtë mund të vendosim se koha që do të kalojmë me të ia vlen.

Cilët janë shokët e mi?

13. Pse duhet të shqyrtojmë me kujdes se me cilët zbavitemi?

13 Pyetja e tretë që duhet t’i bësh vetes është: cilët? Domethënë, me cilët dua të zbavitem? Është e rëndësishme ta mbajmë parasysh këtë aspekt të argëtimit. Pse? Sepse cilësia e argëtimit ndikohet thellësisht nga cilësia e shokëve tanë. Ashtu si një vakt të shijon më shumë kur je në shoqërinë e miqve të mirë, edhe argëtimet shpesh janë më të këndshme kur jemi me shokë të mirë. Prandaj, është e kuptueshme që shumë prej nesh, sidomos të rinjtë, kemi qejf të zbavitemi bashkë me të tjerë. Megjithatë, që të jemi të sigurt se një aktivitet do të jetë dobiprurës, është e mençur të përcaktojmë që më parë ç’lloj individësh duhet të zgjedhim si shokë  dhe ç’lloj duhet të shmangim.​—2 Kron. 19:2; lexo Proverbat 13:20; Jak. 4:4.

14, 15. (a) Çfarë shembulli la Jezui në zgjedhjen e shokëve të duhur? (b) Ç’pyetje duhet t’i bëjmë vetes lidhur me shoqëritë tona?

14 Ndjekja e shembullit të Jezuit në zgjedhjen e shoqërive, do të na ndihmojë. Që nga krijimi, Jezui i ka dashur njerëzit. (Prov. 8:31) Kur ishte në tokë, ai u kujdes me dashuri për çdo lloj njeriu. (Mat. 15:29-37) Megjithatë, Jezui tregoi qartë se është ndryshe të jesh miqësor dhe ndryshe të jesh mik i ngushtë. Ai ishte miqësor kundrejt njerëzve në përgjithësi, por ishte mik i ngushtë vetëm me ata që përmbushën disa kërkesa specifike. Jezui u tha 11 apostujve të tij besnikë: «Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni atë që po ju urdhëroj.» (Gjoni 15:14; shih edhe Gjonin 13:27, 30.) Të vetmit individë që Jezui i konsideroi miq, ishin ata që e ndoqën atë dhe i shërbyen Jehovait.

15 Pra, para se të zgjedhësh nëse një individ duhet të jetë ose jo miku yt i ngushtë, do të ishte e mençur të sillje ndër mend fjalët e Jezuit. Bëji vetes këto pyetje: «A tregon ky individ, me fjalë e me vepra, se u bindet urdhërimeve të Jehovait e të Jezuit? A ka të njëjtat vlera dhe norma morale të bazuara në Bibël si unë? A do të më inkurajojë shoqërimi me të që të vendos Mbretërinë në radhë të parë në jetën time dhe të jem një shërbëtor besnik i Jehovait?» Nëse je i sigurt se përgjigjet e këtyre pyetjeve janë «po», ke gjetur një shok të mirë me të cilin mund të kënaqesh kur zbavitesh.​—Lexo Psalmin 119:63; 2 Kor. 6:14; 2 Tim. 2:22.

A e kalojnë provën zbavitjet tona?

16. Çfarë duhet të përcaktojmë në lidhje me zbavitjen?

16 Kemi shqyrtuar shkurtimisht tri aspekte të zbavitjes: cilësinë, sasinë dhe shoqërinë. Që të jetë dobiprurëse, zbavitja duhet të përputhet ngushtësisht me standardet biblike për secilin prej këtyre aspekteve. Prandaj, para se të zbavitemi në ndonjë mënyrë, duhet të vëmë në provë atë lloj zbavitjeje. Në lidhje me cilësinë, duhet të dimë: «Çfarë përfshin? A është e shëndetshme apo degraduese?» (Prov. 4:20-27) Në lidhje me sasinë, duhet të zbulojmë: «Sa kohë do të kaloj? A është e përshtatshme apo jo kjo sasi kohe?» (1 Tim. 4:8) Në lidhje me shoqërinë, duhet të përcaktojmë: «Me cilët do të zbavitem? A janë shokë të mirë apo të këqij?»​—Ekl. 9:18; 1 Kor. 15:33.

17, 18. (a) Si mund ta vëmë veten në provë për të parë nëse zbavitjet tona i plotësojnë standardet e Biblës? (b) Çfarë je i vendosur të bësh personalisht në lidhje me zgjedhjen e zbavitjes?

17 Nëse një lloj zbavitjeje nuk arrin të plotësojë standardet biblike në ndonjë nga këto tri aspekte, nuk e kalon provën. Në krahun tjetër, nëse jemi të sigurt se argëtimet i plotësojnë standardet biblike në të tria këto aspekte, do të nderojnë Jehovain dhe do të jenë dobiprurëse për ne.​—Psal. 119:33-35.

18 Pra, për sa u përket argëtimeve, le të përpiqemi të bëjmë gjënë e duhur, t’i kushtojmë kohën e duhur dhe të zgjedhim njerëzit e duhur. Po, le të ketë secili prej nesh dëshirën e zjarrtë që të ndjekë këshillën e Biblës: «Nëse hani, nëse pini apo nëse bëni diçka tjetër, gjithçka bëjeni për lavdi të Perëndisë.»​—1 Kor. 10:31.

[Shënimi]

^ par. 2 Në këtë artikull, termat «argëtim» dhe «zbavitje» janë përdorur si sinonime për kohën që u kushtojmë aktiviteteve dëfryese që na sjellin kënaqësi.

A mund të shpjegosh?

Në lidhje me zbavitjet, si mund t’i zbatosh parimet që gjejmë te . . .

Filipianëve 4:8?

Mateu 6:33?

Proverbat 13:20?

[Pyetjet]

[Diagrami në faqen 9]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Çfarë

[Diagrami në faqen 10]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Sa

[Diagrami në faqen 12]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Cilët

[Figura në faqen 10]

Si mund të ndjekim shembullin e Jezuit në zgjedhjen e miqve dhe të argëtimeve?