Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vraponi që ta fitoni çmimin

Vraponi që ta fitoni çmimin

 Vraponi që ta fitoni çmimin

«Vraponi në mënyrë të tillë që ta fitoni.»​—1 KOR. 9:24.

1, 2. (a) Çfarë përdori Pavli për t’u dhënë zemër të krishterëve hebrenj? (b) Çfarë këshillohen të bëjnë shërbëtorët e Perëndisë?

NË LETRËN drejtuar Hebrenjve, apostulli Pavël përdori një ilustrim të fuqishëm për t’u dhënë zemër të bashkëkrishterëve. Ai u kujtoi se nuk ishin vetëm në garën për jetën. I rrethonte ‘një re e madhe dëshmitarësh’, të cilët e kishin përfunduar me sukses garën. Duke pasur të qarta në mendje veprat besnike dhe përpjekjet energjike të këtyre vrapuesve të lashtësisë, të krishterët hebrenj do të nxiteshin që të vazhdonin përpara me vendosmëri dhe të mos hiqnin dorë nga gara e tyre.

2 Në artikullin e mëparshëm shqyrtuam jetën e disa prej individëve që ishin pjesë e ‘resë së dëshmitarëve’. Të gjithë treguan atë besim të patundur që i ndihmoi të qëndronin besnikë ndaj Perëndisë, njësoj sikur të ishin duke vazhduar me vendosmëri vrapimin në një garë për ta çuar deri në fund. Mund të nxjerrim një mësim nga suksesi i tyre. Siç u theksua në artikull, Pavli u dha këtë këshillë bashkëshërbëtorëve të tij, përfshirë edhe neve: «Le të flakim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht, e të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»​—Hebr. 12:1.

3. Ç’këshillë theksoi Pavli kur iu referua vrapuesve në lojërat greke?

3 Në lidhje me vrapimin, një nga ngjarjet atletike më popullore të asaj kohe, në një libër thuhet se «grekët stërviteshin dhe bënin  gara të zhveshur». * (Backgrounds of Early Christianity) Në këto raste, vrapuesit hiqnin çdo peshë ose barrë të panevojshme që mund t’ua ngadalësonte vrapimin. Sigurisht, kjo ishte mungesë modestie dhe sjellje e pahijshme nga ana e tyre, megjithatë ata vraponin në atë mënyrë me synimin e vetëm që të fitonin çmimin. Pavli po theksonte se, që të fitojnë çmimin në garën për jetën, është thelbësore që vrapuesit të heqin çfarëdolloj pengese. Kjo ishte një këshillë e shëndoshë për të krishterët e atëhershëm dhe është e tillë edhe për ne sot. Cilat pesha ose barra mund të na pengojnë të fitojmë çmimin në garën për jetën?

‘Të flakim çdo peshë’

4. Për çfarë shqetësoheshin njerëzit në ditët e Noesë?

4 Pavli këshilloi që ‘të flakim çdo peshë’. Kjo përfshin gjithçka që mund të na pengojë t’i kushtojmë vëmendje të plotë dhe përpjekje maksimale garës ku po vrapojmë. Cilat mund të jenë këto pesha? Kur mendojmë për Noenë​—një prej shembujve që përmendi Pavli—​kujtojmë atë që tha Jezui: «Ashtu si ndodhi në ditët e Noesë, kështu do të jetë edhe në ditët e Birit të njeriut.» (Luka 17:26) Jezui nuk po fliste kryesisht për shkatërrimin e paparë që do të ndodhë, por po i referohej mënyrës së jetesës së njerëzve. (Lexo Mateun 24:37-39.) Shumica e njerëzve në kohën e Noesë nuk treguan interes për Perëndinë, e jo më të përpiqeshin t’i pëlqenin Atij. Çfarë i kishte shpërqendruar? Asgjë e jashtëzakonshme. Ngrënia, pirja dhe martesa​—gjëra që janë normale në jetë. Problemi i vërtetë ishte se, siç tha Jezui, ata «nuk kushtuan vëmendje».

5. Ç’mund të na ndihmojë që ta përfundojmë me sukses garën?

5 Ashtu si Noeja e familja e tij, edhe ne kemi shumë për të bërë çdo ditë. Duhet të sigurojmë jetesën dhe të kujdesemi për veten e familjen. Kjo mund të na marrë një pjesë të madhe të kohës, të energjisë dhe të të ardhurave. Sidomos në kohë të vështira nga ana ekonomike, është e lehtë të të zërë ankthi për gjërat e nevojshme të jetës. Si të krishterë të kushtuar, kemi edhe përgjegjësi të rëndësishme teokratike: dalim në shërbim, përgatitemi e ndjekim mbledhjet e krishtere dhe qëndrojmë të fortë frymësisht me anë të studimit personal e adhurimit familjar. Pavarësisht nga të gjitha gjërat që duhej të bënte në shërbim të Perëndisë, Noeja «bëri pikërisht ashtu». (Zan. 6:22) Natyrisht, nëse duam të vrapojmë deri në fund të garës së krishterë, është jetësore të mbajmë sa më pak pesha dhe të mos marrim ndonjë barrë të panevojshme.

6, 7. Cilën këshillë të Jezuit duhet të mbajmë ndër mend?

6 Ku e kishte fjalën Pavli kur tha që të heqim «çdo peshë»? Sigurisht, ne nuk mund të çlirohemi plotësisht nga çdo përgjegjësi që kemi. Në këtë aspekt, të sjellim ndër mend fjalët e Jezuit: «Mos jini kurrë në ankth e mos thoni: ‘Ç’do të hamë?’ ose ‘Ç’do të pimë?’ ose ‘Çfarë  do të veshim?’ Sepse të gjitha këto i kërkojnë me etje kombet, por Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.» (Mat. 6:31, 32) Fjalët e Jezuit nënkuptojnë se edhe të ashtuquajturat gjëra normale, si ushqimi dhe veshja, mund të bëhen një barrë ose pengesë po të mos mbahen në vendin e duhur.

7 Të përqendrohemi te fjalët e Jezuit: «Ati juaj qiellor e di se ju keni nevojë për të gjitha këto gjëra.» Kjo do të thotë se Ati ynë qiellor, Jehovai, do të bëjë pjesën e tij që të kujdeset për nevojat tona. Të themi të drejtën, ‘të gjitha këto gjëra për të cilat kemi nevojë’ mund të jenë ndryshe nga ato që na pëlqejnë ose duam. Gjithsesi, Jezui tha të mos jemi në ankth për gjërat që «i kërkojnë me etje kombet». Pse? Më vonë, ai i këshilloi dëgjuesit: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju si një lak.»​—Luka 21:34, 35.

8. Pse veçanërisht tani është koha që ‘të flakim çdo peshë’?

8 Vija e finishit ndodhet para nesh. Sa keq do të ishte po të lejonim të rëndoheshim nga pesha të panevojshme, të cilat mund të na pengonin ndërkohë që jemi kaq afër fundit! Ja pse këshilla e apostullit Pavël është vërtet e mençur: «Përkushtimi hyjnor bashkë me kënaqjen me atë që kemi, është një mjet për fitim të madh.» (1 Tim. 6:6) Nëse u kushtojmë vëmendje fjalëve të Pavlit, do të kemi shumë më tepër mundësi të fitojmë çmimin.

‘Mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’

9, 10. (a) Për çfarë bën fjalë shprehja ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’? (b) Si mund të ngecim?

9 Përveçse të flakim «çdo peshë», Pavli tha të flakim edhe «mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht». Cili mund të jetë ai? Fjala greke e përkthyer «ngecim lehtësisht» del vetëm një herë në Bibël, në këtë varg. Studiuesi Albert Barnz tha: «Ashtu si një vrapues do të tregohej i kujdesshëm që të mos vishte diçka që mund t’i mbështillej te këmbët gjatë vrapimit dhe ta pengonte, po kështu duhet të jetë edhe i krishteri, i cili duhet të heqë patjetër gjithçka që i ngjan kësaj veshjeje.» Një i krishterë nuk duhet të lejojë asgjë që ta pengojë, domethënë t’ia dobësojë besimin a madje të shkaktojë humbjen e tij. Si mund ta humbasë besimin një i krishterë?

10 Një i krishterë nuk e humbet besimin brenda një nate. Kjo mund të ndodhë gradualisht, madje pa e kuptuar. Më parë, në letrën e tij Pavli paralajmëroi për rrezikun që ‘të na marrë rryma’ dhe ‘të zhvillohet te ne një zemër e ligë, që i mungon besimi’. (Hebr. 2:1; 3:12) Kur një vrapuesi i ngatërrohen këmbët te veshja, është pothuajse e pashmangshme që do të rrëzohet. Mundësia që të pengohet është veçanërisht e madhe nëse vrapuesi shpërfill rrezikun duke veshur një veshje të papërshtatshme për vrapimin. Çfarë mund ta shtyjë të shpërfillë rrezikun? Ndoshta shkujdesja, siguria e tepruar ose ndonjë shpërqendrim. Ç’mësim mund të nxjerrim nga këshilla e Pavlit?

11. Çfarë mund të na e shkaktojë humbjen e besimit?

11 Duhet të kemi parasysh se humbja e besimit është rezultati përfundimtar i asaj që mund të bëjmë me kalimin e kohës. Në lidhje me «mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht», një studiues tjetër thotë se ky është «mëkati që ka epërsinë më të madhe kundër nesh, për shkak të rrethanave ku ndodhemi, natyrës sonë ose shoqërive tona». Ideja është se mjedisi, dobësitë personale dhe shoqëritë tona mund të ushtrojnë një ndikim të fuqishëm te ne. Mund të na e dobësojnë besimin a madje të shkaktojnë humbjen e tij.​—Mat. 13:3-9.

12. Cilëve përkujtues duhet t’u vëmë veshin që të mos humbim besimin?

12 Skllavi i besueshëm dhe i matur shpesh na ka paralajmëruar që të tregojmë kujdes ndaj gjërave që shohim e dëgjojmë, sepse  këto gjëra ndikojnë në atë që mendojmë dhe dëshirojmë. Gjithashtu, na ka paralajmëruar për rrezikun e ngecjes duke u dhënë pas parasë dhe zotërimeve materiale. Mund të dalim nga udha e së vërtetës për shkak të vezullimit dhe magjepsjes së botës së zbavitjes ose për shkak të pajisjeve të reja elektronike që s’kanë të sosur. Do të ishte një gabim i madh të mendonim se kjo këshillë është tejet kufizuese ose vlen vetëm për të tjerët, kurse ne vetë jemi disi të imunizuar nga rreziqet. Pengesat që na vë në rrugë bota e Satanait janë dinake dhe mashtruese. Shkujdesja, siguria e tepruar dhe shpërqendrimet i kanë çuar në rrënim disa. Nëse na ndodh edhe neve kjo, rrezikojmë të humbim çmimin e jetës së përhershme.​—1 Gjon. 2:15-17.

13. Si mund të mbrohemi nga ndikimet e dëmshme?

13 Ditë pas dite jemi nën ndikimin e njerëzve që përhapin synimet, vlerat dhe mënyrën e të menduarit të botës që na rrethon. (Lexo Efesianëve 2:1, 2.) Megjithatë, se sa ndikohemi varet shumë nga ne, domethënë nga mënyra si reagojmë ndaj këtyre ndikimeve. ‘Ajri’ për të cilin foli Pavli është vdekjeprurës. Duhet të ruhemi vazhdimisht që të mos mbytemi ose asfiksohemi, dhe kështu të mos e mbarojmë garën. Ç’ndihmë kemi për të qëndruar në garë? Jezui është shembulli më i mirë i dikujt që vrapoi në garë deri në fund dhe ne mund ta imitojmë atë. (Hebr. 12:2) Gjithashtu, kemi shembullin e Pavlit, pasi ai e konsideroi veten një vrapues në garën e krishterë dhe i nxiti bashkëbesimtarët që ta imitonin.​—1 Kor. 11:1; Filip. 3:14.

Si mund «ta fitoni» çmimin?

14. Si e konsideronte Pavli pjesëmarrjen e tij në garë?

14 Si e konsideronte Pavli pjesëmarrjen e tij në garë? Kur u foli për herë të fundit pleqve të Efesit, ai tha: «Nuk e quaj të shtrenjtë shpirtin tim, por dua veç të përfundoj vrapimin dhe shërbimin që mora nga Zotëria Jezu.» (Vep. 20:24) Pavli ishte i gatshëm të sakrifikonte gjithçka, përfshirë edhe jetën, që të përfundonte garën. Për të, të gjitha  përpjekjet dhe puna e palodhur në lidhje me lajmin e mirë, nuk do të vlenin asgjë nëse nuk do ta përfundonte vrapimin. Gjithsesi, nuk kishte siguri të tepërt te vetja, duke menduar se do ta fitonte patjetër garën. (Lexo Filipianëve 3:12, 13.) Vetëm nga fundi i jetës tha me njëfarë sigurie: «Luftën e shkëlqyer e bëra, vrapimin e përfundova, besimin e ruajta.»​—2 Tim. 4:7.

15. Ç’inkurajim u dha Pavli vrapuesve të tjerë?

15 Përveç kësaj, Pavli dëshironte me zjarr t’i shihte të bashkëkrishterët të përfundonin vrapimin dhe të mos hiqnin dorë përgjatë rrugës. Për shembull, të krishterët në Filipi i nxiti të përpiqeshin fort për shpëtimin e tyre. Ata kishin nevojë të mbaheshin «fort pas fjalës së jetës». Ai vazhdoi: «Që unë të kem shkak për ngazëllim ditën e Krishtit, se nuk vrapova më kot e nuk u mundova më kot.» (Filip. 2:16) Në mënyrë të ngjashme, Pavli i nxiti të krishterët në Korint: «Vraponi në mënyrë të tillë që ta fitoni [çmimin].»​—1 Kor. 9:24.

16. Pse duhet ta kemi të qartë në mendje synimin ose çmimin?

16 Në një garë të gjatë, siç është maratona, vija e finishit nuk duket menjëherë. Sidoqoftë, gjatë gjithë garës, vrapuesi përqendrohet te finishi. Kur e di se arritja e synimit është afër, ai përqendrohet gjithnjë e më shumë. Njësoj duhet të jetë edhe në garën tonë. Synimi ose çmimi duhet të jetë real për ne. Kjo do të na ndihmojë ta fitojmë.

17. Si na ndihmon besimi të përqendrohemi te çmimi?

17 «Besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara, dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara»,—shkroi Pavli. (Hebr. 11:1) Abrahami dhe Sara ishin të gatshëm të linin pas një jetë të rehatshme e të jetonin si «të huaj dhe banorë të përkohshëm në vend». Çfarë i ndihmoi? «Panë [përmbushjen e premtimeve të Perëndisë] nga larg.» Moisiu refuzoi «kënaqësinë e përkohshme të mëkatit» dhe «thesaret e Egjiptit». Nga e gjeti besimin dhe forcën që të vepronte kështu? «E mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit.» (Hebr. 11:8-13, 24-26) Kuptohet pse Pavli i parapriu përshkrimit të secilit prej këtyre njerëzve me shprehjen «me anë të besimit». Besimi i ndihmoi të shihnin përtej sprovave e vështirësive që kishin dhe të shihnin atë që po bënte Perëndia për ta e që do të bënte ende.

18. Cilët hapa mund të marrim që të flakim «mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht»?

18 Duke medituar për burrat e gratë me besim që përmenden te kapitulli i 11-të i Hebrenjve dhe duke imituar shembullin e tyre, mund të kultivojmë besimin dhe të flakim «mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht». (Hebr. 12:1) Gjithashtu, mund «të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera» duke u mbledhur së bashku me ata njerëz që po kultivojnë një besim të tillë.​—Hebr. 10:24.

19. Pse sot është e rëndësishme të vazhdojmë vrapimin në garë?

19 Jemi afër fundit të garës dhe thuajse e shohim vijën e finishit. Me anë të besimit dhe me ndihmën e Jehovait, edhe ne mund ‘të flakim çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht’. Po, ne mund të vrapojmë në mënyrë të tillë që ta fitojmë çmimin, pra bekimet që ka premtuar Perëndia dhe Ati ynë, Jehovai.

[Shënimi]

^ par. 3 Kjo ishte fyese për judenjtë e kohëve të lashta. Sipas librit apokrif 2 Makabenjve (2 Mak. 4:7-17), lindën mjaft polemika kur, në përpjekje për t’i helenizuar judenjtë, kryeprifti apostat Jasoni propozoi të ndërtonte një palestër në Jerusalem.

A ju kujtohet?

• Çfarë do të thotë të flakim «çdo peshë»?

• Çfarë mund të shkaktojë humbjen e besimit të një të krishteri?

• Pse duhet të vazhdojmë të përqendrohemi te çmimi?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 23]

Çfarë është ‘mëkati në të cilin ngecim lehtësisht’ dhe si mund të ngecim?