Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vraponi në garë me qëndrueshmëri

Vraponi në garë me qëndrueshmëri

 Vraponi në garë me qëndrueshmëri

«Të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»​—HEBR. 12:1.

1, 2. Me çfarë e krahasoi apostulli Pavël jetën e krishterë?

ÇDO vit, në shumë vende zhvillohen maratona. E ashtuquajtura elitë e vrapuesve hyn në garë me një synim të vetëm​—të fitojë. Shumica e të tjerëve që marrin pjesë synojnë më pak. Për ta, vetëm mbarimi i garës është një arritje për t’u ndier krenarë.

2 Në Bibël, jeta e krishterë krahasohet me një garë. Apostulli Pavël ua tërhoqi vëmendjen te kjo pikë të bashkëkrishterëve në Korintin e lashtë kur u shkroi letrën e tij të parë. Ai tha: «A nuk e dini se në një garë vrapojnë të gjithë vrapuesit, por vetëm njëri e merr çmimin? Vraponi në mënyrë të tillë që ta fitoni.»​—1 Kor. 9:24.

3. Pse tha Pavli se vetëm një vrapues fiton?

3 A po thoshte Pavli se vetëm një nga ata të krishterë do ta fitonte çmimin e jetës dhe gjithë të tjerët do të vraponin më kot? Sigurisht që jo! Vrapuesit e garave stërviteshin rreptësisht dhe përpiqeshin me të gjitha forcat që të dilnin fitimtarë. Pavli donte që të bashkëkrishterët të përpiqeshin në këtë mënyrë ndërsa synonin jetën e përhershme. Kështu mund të shpresonin të fitonin çmimin e jetës. Po, në garën e krishterë, çmimin e fitojnë të gjithë ata që e mbarojnë garën.

4. Çfarë kemi nevojë të shqyrtojmë lidhur me garën që kemi përpara?

4 Këto fjalë u japin zemër, por edhe i bëjnë të mendojnë të gjithë ata sot që kanë nisur garën për jetën. Pse? Sepse çmimi​—qoftë jeta në qiell ose jeta në Parajsën në tokë—​s’ka të krahasuar. Vërtet, gara është e gjatë dhe e mundimshme; gjatë saj ka shumë pengesa, shpërqendrime dhe rreziqe. (Mat. 7:13, 14) Mjerisht, disa kanë ngadalësuar ritmin, kanë hequr dorë ose madje janë rrëzuar gjatë garës. Çfarë grackash dhe rreziqesh ka në garën për jetën? Si mund t’i shmangni? Çfarë mund të bëni për ta mbaruar dhe kështu ta fitoni këtë garë?

Për të fituar nevojitet qëndrueshmëri

5. Çfarë përmendi Pavli te Hebrenjve 12:1?

5 Në letrën drejtuar të krishterëve hebrenj në Jerusalem dhe Jude, Pavli përmendi përsëri disa veçori të lojërave ose garave atletike. (Lexo Hebrenjve 12:1.) Ai jo vetëm tërhoqi vëmendjen tek arsyeja pse duhet marrë pjesë në garë, por edhe theksoi se çfarë duhet bërë për të fituar. Le të shqyrtojmë në fillim pse Pavli u shkroi këtë letër hebrenjve dhe për çfarë po përpiqej t’i nxiste ata. Më pas, të shohim se çfarë mund të mësojmë nga fjalët që u shkroi ai.

6. Nën cilin presion nga udhëheqësit fetarë ishin të krishterët?

6 Të krishterët e shekullit të parë, sidomos ata që jetonin në Jerusalem dhe Jude, po hasnin shumë sprova dhe vështirësi. Ishin nën presion të madh nga udhëheqësit fetarë judenj, të cilët ende ushtronin ndikim të fuqishëm te njerëzit. Më parë, këta udhëheqës ia kishin dalë mbanë që Jezu Krishti të dënohej si kryengritës dhe të vritej si kriminel. Por ata nuk kishin ndër mend ta ndalnin kundërshtimin. Në Librin e Veprave, lexojmë njëri pas tjetrit tregime për kërcënimet dhe sulmet  e tyre kundër të krishterëve, duke filluar pothuajse menjëherë pas ngjarjeve të mrekullueshme në festën e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s. Pa dyshim, kjo ua bëri të vështirë jetën besnikëve.​—Vep. 4:1-3; 5:17, 18; 6:8-12; 7:59; 8:1, 3.

7. Në ç’kohë kritike po jetonin të krishterët të cilëve u shkroi Pavli?

7 Gjithashtu, këta të krishterë po jetonin pak kohë para fundit të sistemit judaik. Jezui u kishte folur për shkatërrimin që do të vinte mbi kombin e pabesë jude. Po ashtu u kishte treguar dishepujve për ngjarjet që do të ndodhnin pak përpara fundit, duke u dhënë udhëzime specifike se çfarë të bënin që të mbijetonin. (Lexo Lukën 21:20-22.) Atëherë, çfarë do të bënin ata? Jezui i paralajmëroi: «Kushtojini vëmendje vetes, që të mos ju rëndohen zemrat nga të ngrënët e tepërt, nga pirja e tepërt dhe nga ankthet e jetës, që ajo ditë të mos bjerë befas mbi ju.»​—Luka 21:34.

8. Pse disa të krishterë mund të kenë ngadalësuar ritmin ose të kenë hequr dorë nga gara?

8 Kur Pavli shkroi Letrën drejtuar Hebrenjve, kishin kaluar pothuajse 30 vjet që kur Jezui kishte dhënë këtë paralajmërim. Ç’u ndodhi këtyre të krishterëve gjatë kësaj kohe? Disa u dorëzuan para presioneve e shpërqendrimeve të jetës së përditshme dhe nuk arritën të bënin atë përparim frymor që do t’i kishte forcuar. (Hebr. 5:11-14) Të tjerë me sa duket mendonin se jeta e tyre do të ishte shumë më e lehtë po të bënin si shumica e judenjve që i rrethonin. Mund të kenë menduar se kjo nuk ishte e gabuar pasi judenjtë nuk e kishin braktisur tërësisht Perëndinë; ende po zbatonin deri në njëfarë mase Ligjin e tij. Të krishterë të tjerë ishin bindur ose frikësuar nga individë në kongregacion që kërkonin me ngulm t’i përmbaheshin Ligjit të Moisiut dhe traditës. Çfarë mund të thoshte Pavli për t’i ndihmuar vëllezërit e tij të krishterë që të rrinin syçelë frymësisht dhe të qëndronin në garë?

9, 10. (a) Cilin inkurajim të Pavlit lexojmë nga fundi i kapitullit të 10-të të Hebrenjve? (b) Pse shkroi Pavli për veprat besnike të dëshmitarëve të lashtësisë?

9 Është interesante të vërejmë mënyrën se si Pavli, nën frymëzim, u përpoq t’i forconte të krishterët hebrenj. Në kapitullin e 10-të të letrës së tij, Pavli theksoi se Ligji nuk ishte veçse «një hije e gjërave të mira që do të vijnë» dhe tregoi qartë vlerën e flijimit shpërblyes të Krishtit. Nga fundi i atij kapitulli, Pavli i këshilloi lexuesit: «Ju keni nevojë për qëndrueshmëri, që, pasi të keni bërë vullnetin e Perëndisë, të merrni përmbushjen e premtimit. Sepse edhe ‘shumë pak kohë’ dhe ‘ai që po vjen, do të mbërrijë e nuk do të vonojë’.»​—Hebr. 10:1, 36, 37.

10 kapitullin e 11-të të Hebrenjve, Pavli shpjegon me mjeshtëri se çfarë është besimi i vërtetë te Perëndia. Gjithashtu e ilustron me shembuj historikë të burrave dhe grave me besim. Mos po dilte nga tema pa qenë e nevojshme? Aspak. Apostulli e dinte se bashkadhuruesit e tij kishin nevojë të kuptonin se besimi kërkonte veprime të guximshme dhe qëndrueshmëri. Shembulli i shkëlqyer që kishin lënë ata shërbëtorë besnikë të Jehovait në lashtësi, do t’i forconte hebrenjtë të përballonin sprovat dhe vështirësitë që hasnin. Kështu, pasi përmendi veprat e besimit të këtyre besnikëve të së kaluarës, Pavli mundi të thoshte: «Meqenëse na rrethon një re kaq e madhe dëshmitarësh, le të flakim edhe ne çdo peshë dhe mëkatin në të cilin ngecim lehtësisht, e të vrapojmë me qëndrueshmëri në garën që na është vënë përpara.»​—Hebr. 12:1.

‘Një re dëshmitarësh’

11. Ç’ndikim mund të ketë te ne meditimi rreth ‘resë së madhe të dëshmitarëve’?

11 ‘Reja e madhe e dëshmitarëve’ nuk përbëhej thjesht nga spektatorë ose vëzhgues që  ishin aty vetëm për të parë garën ose atletin a skuadrën e tyre të preferuar të fitonte. Përkundrazi, ata ishin pjesëmarrës, si vrapuesit në një garë. Në fakt kishin vrapuar me sukses në garë dhe e kishin përfunduar atë. Megjithëse tani kishin vdekur, mund të konsideroheshin si vrapues me përvojë që mund t’u jepnin zemër vrapuesve më të rinj në garë. Imagjinoni si do të ndihej një vrapues nëse do ta dinte që atë e rrethonin ose e vështronin disa nga vrapuesit më të suksesshëm. A nuk do të nxitej të bënte më të mirën ose madje ta tejkalonte veten? Ata dëshmitarë të lashtësisë mund të dëshmonin se një garë e tillë e figurshme, pavarësisht se sa e mundimshme, mund të fitohet. Pra, duke mbajtur mirë në mendje shembullin e ‘resë së dëshmitarëve’, të krishterët hebrenj të shekullit të parë mund të merrnin guxim dhe ‘të vraponin në garë me qëndrueshmëri’​—siç mund të bëjmë edhe ne sot.

12. Pse kanë rëndësi për ne shembujt që citoi Pavli?

12 Shumë nga besnikët që përmendi Pavli kishin rrethana të ngjashme me tonat. Për shembull, Noeja jetonte në kohën kur po merrte fund bota para Përmbytjes. Ne jetojmë pranë fundit të sistemit të sotëm. Jehovai i kërkoi Abrahamit dhe Sarës të linin vendin e tyre që të ndiqnin adhurimin e vërtetë dhe të pritnin plotësimin e premtimit të Tij. Ne nxitemi të mohojmë veten e të fitojmë miratimin e Jehovait dhe bekimet që na ofron. Moisiu udhëtoi nëpër një shkretëtirë të frikshme në drejtim të Tokës së Premtuar. Ne po udhëtojmë drejt botës së re të premtuar, në këtë sistem që po vdes. Ajo që kaluan këta njerëz, sukseset e dështimet e tyre, si edhe pikat e forta e të dobëta, ia vlen vërtet t’i marrim në shqyrtim.​—Rom. 15:4; 1 Kor. 10:11.

Ata ia dolën mbanë​—Si?

13. Çfarë sfidash hasi Noeja? Çfarë e ndihmoi t’i kapërcente?

13 Çfarë i ndihmoi këta shërbëtorë të Jehovait të qëndronin dhe t’ia dilnin mbanë në garë? Vini re çfarë shkroi Pavli për Noenë. (Lexo Hebrenjve 11:7.) ‘Ujërat e përmbytjes në tokë që do të shkatërronin çdo mish’ ishin diçka që Noeja ‘ende nuk i kishte parë’. (Zan. 6:17) Përmbytja ishte diçka që s’kishte ndodhur kurrë më parë. Megjithatë, Noeja nuk e hodhi poshtë si diçka pa shumë gjasa ose madje të pamundur. Pse? Sepse kishte besim se çfarëdo që të thoshte Jehovai, do ta bënte. Noeja nuk mendonte se ajo që iu kërkua të bënte, ishte tepër e vështirë. Përkundrazi, «ai bëri pikërisht ashtu». (Zan. 6:22) Kur mendojmë për gjithçka që duhej të bënte Noeja​—të ndërtonte arkën, të mblidhte kafshët, ta mbushte arkën me ushqim për kafshët dhe njerëzit, të predikonte një mesazh paralajmërimi dhe ta mbante familjen të fortë frymësisht—​kuptojmë se nuk ishte gjë e vogël të bënte «pikërisht ashtu». Gjithsesi, falë besimit dhe qëndrueshmërisë së Noesë, ai dhe familja e tij patën jetë dhe bekime.

14. Çfarë sprovash hasën Abrahami dhe Sara? Cilat mësime na dhanë?

14 Në listën e ‘resë së dëshmitarëve që na rrethon’, Pavli renditi më tej Abrahamin dhe Sarën. Ata u shpërngulën nga jeta normale që bënin në Ur, dhe e ardhmja e tyre dukej e pasigurt. Treguan se ishin shembuj besimi dhe bindjeje të patundur në kohë të vështira. Për shkak të gjithë sakrificave që Abrahami ishte i gatshëm të bënte për adhurimin e vërtetë, me të drejtë u quajt «ati i të gjithë atyre që kanë besim». (Rom. 4:11) Pavli përmendi vetëm pikat kryesore, meqë lexuesit i njihnin mirë hollësitë e jetës së Abrahamit. Sidoqoftë, mësimi që theksoi Pavli është i fuqishëm: «Të gjithë këta [përfshirë Abrahami dhe familja e tij] vdiqën me besim, megjithëse nuk e morën përmbushjen e premtimeve, por i panë ato nga larg e i mirëpritën dhe shpallën botërisht se ishin të huaj  dhe banorë të përkohshëm në vend.» (Hebr. 11:13) Është e qartë se besimi te Perëndia dhe marrëdhënia personale që kishin me të, i ndihmuan të vraponin në garë me qëndrueshmëri.

15. Çfarë e nxiti Moisiun të jetonte ashtu siç jetoi?

15 Moisiu është një shërbëtor tjetër shembullor i Jehovait që bën pjesë në ‘renë e dëshmitarëve’. Ai la pas një jetë të begatë e plot privilegje, ‘duke zgjedhur të keqtrajtohej me popullin e Perëndisë’. Çfarë e nxiti të vepronte kështu? Pavli u përgjigj: «[Ai] e mbante shikimin të ngulur në dhënien e shpërblimit. . . . Qëndroi i palëkundur si të shihte Atë që është i padukshëm.» (Lexo Hebrenjve 11:24-27.) Moisiu nuk u shpërqendrua nga ‘kënaqësia e përkohshme e mëkatit’. Perëndia dhe premtimet e Tij ishin kaq realë për të, saqë tregoi guxim dhe qëndrueshmëri të jashtëzakonshme. U përpoq pa u lodhur t’u printe izraelitëve nga Egjipti në Tokën e Premtuar.

16. Pse Moisiu nuk u dëshpërua kur s’u lejua të hynte në Tokën e Premtuar?

16 Ashtu si Abrahami, Moisiu nuk e përjetoi plotësimin e premtimit të Perëndisë gjatë jetës së tij. Ndërsa ishte gati të hynte në Tokën e Premtuar bashkë me izraelitët, Perëndia i tha Moisiut: «Do ta shohësh vendin nga larg, por atje, në vendin që unë po u jap bijve të Izraelit, ti nuk do të hysh.» Kjo ndodhi ngaqë më parë ai dhe Aaroni, të acaruar nga rebelimi i popullit, ‘nuk vepruan me Perëndinë siç e kishin për detyrë mes bijve të Izraelit, kur ishin pranë ujërave të Meribës’. (Ligj. 32:51, 52) A e lëshoi zemra Moisiun ose a u dëshpërua? Jo. Ai e bekoi popullin dhe përfundoi me këto fjalë: «Lum ti, o Izrael! Kush është si ti, popull i shpëtuar nga Jehovai, që është mburoja e ndihmës sate dhe shpata jote e famshme?»​—Ligj. 33:29.

 Mësime për ne

17, 18. (a) Ç’mund të mësojmë nga ‘reja e dëshmitarëve’ për sa i përket garës për jetën? (b) Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin vijues?

17 Nga shqyrtimi i jetës së disa prej individëve që bënin pjesë në ‘renë e dëshmitarëve që na rrethon’, është e qartë se për të vrapuar në garë deri në fund, duhet të kemi besim të patundur te Perëndia dhe te premtimet e tij. (Hebr. 11:6) Besimi nuk mund të jetë në cep të jetës sonë: duhet të jetë në qendër të saj. Ndryshe nga njerëzit pa besim, shërbëtorët e Jehovait mund të shohin përtej së tashmes. Ne jemi në gjendje të shohim «Atë që është i padukshëm» dhe kështu të vrapojmë në garë me qëndrueshmëri.​—2 Kor. 5:7.

18 Gara e krishterë nuk është e lehtë. Megjithatë, është e mundur ta mbarojmë garën me sukses. Në artikullin vijues do të shqyrtojmë se ç’ndihmë tjetër kemi në dispozicion.

A mund të shpjegoni?

• Pse Pavli foli gjerë e gjatë për dëshmitarët besnikë të lashtësisë?

• Si marrim zemër të vrapojmë me qëndrueshmëri duke përfytyruar ‘renë e dëshmitarëve që na rrethon’?

• Çfarë keni mësuar duke shqyrtuar shembujt e dëshmitarëve të tillë besnikë, si Noeja, Abrahami, Sara dhe Moisiu?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 19]

Abrahami dhe Sara ishin të gatshëm të linin pas rehatitë e Urit