Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Leximi i Biblës: Burimi i forcës gjatë gjithë jetës sime

Leximi i Biblës: Burimi i forcës gjatë gjithë jetës sime

 Leximi i Biblës: Burimi i forcës gjatë gjithë jetës sime

Treguar nga Marsó Lëruaja

«NË FILLIM Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.» Këto fjalë po i lexoja fshehurazi në dhomën time. Pse? Me siguri, im atë, një ateist i betuar, nuk do ta miratonte librin që po mbaja në duar​—Biblën.

Nuk e kisha lexuar kurrë më parë Biblën, prandaj fjalët hyrëse të Zanafillës më ranë si rrufe. «Ja ku qenka shpjegimi për harmoninë e ligjeve fizike, e cila më është dukur gjithnjë mahnitëse!»—thashë me vete. I magjepsur lexova nga ora tetë e mbrëmjes deri në katër të mëngjesit. Kështu nisa leximin e Fjalës së Perëndisë, një zakon që do të zgjaste gjithë jetën. Më lejoni t’ju tregoj se si leximi i Biblës ka qenë gjithnjë burim force për mua.

«Duhet ta lexosh çdo ditë»

Linda më 1926, në Vermel, një fshat me minierë qymyrguri, në veri të Francës. Gjatë Luftës ll Botërore, qymyri ishte një nga prodhimet më të rëndësishme të vendit. Prandaj, si minator isha i përjashtuar nga shërbimi ushtarak. Sidoqoftë, që të përmirësoja disi nivelin e jetesës, fillova të studioja radioteknikën dhe elektricitetin. Harmonia e ligjeve të fizikës më habiste. Kur isha 21 vjeç, një shok klase më dha Biblën time të parë e më tha: «Ky është një libër që ia vlen ta lexosh.» Kur e mbarova së lexuari, isha i bindur se Bibla është Fjala e Perëndisë, një zbulesë për njerëzimin.

Duke menduar se edhe fqinjëve të mi do t’u pëlqente të lexonin Biblën, mora tetë kopje. Për habinë time, hasa tallje e kundërshtime. Të afërmit besëtytë më paralajmëruan: «Kujdes, po fillove ta lexosh këtë libër, duhet ta lexosh çdo ditë!» Pikërisht këtë bëra dhe nuk më ka ardhur aspak keq. Ky u bë zakoni im për gjithë jetën.

Duke e parë se kisha interes për Biblën, disa nga fqinjët më dhanë botime që kishin marrë nga Dëshmitarët e Jehovait. Broshurat, si ajo me titull Një botë, një qeveri * (e treguar këtu në frëngjisht), shpjegonin pse Bibla thotë se Mbretëria e Perëndisë është e vetmja shpresë për njerëzimin. (Mat. 6:10) Isha më i vendosur se kurrë t’ua tregoja edhe të tjerëve këtë shpresë.

Një nga të parët që pranoi një Bibël prej meje ishte Noeli, një shok fëmijërie. Duke qenë katolik i devotshëm, Noeli më çoi të  takonim një burrë që po studionte për t’u bërë prift. Isha i frikësuar, por e dija që te Psalmi 115:4-8 dhe Mateu 23:9, 10 Perëndia tregon se nuk e miraton përdorimin e shëmbëlltyrave në adhurim dhe as që t’u drejtohemi klerikëve me tituj fetarë. Kjo më dha kurajë ta mbroja besimin e sapogjetur. Si rezultat Noeli pranoi të vërtetën dhe sot e kësaj dite është një Dëshmitar besnik.

Gjithashtu, shkova për vizitë tek ime motër. Burri i saj mbante libra rreth spiritizmit dhe kishin filluar ta ngacmonin demonët. Edhe pse në fillim u ndjeva disi i pafuqishëm, shkrime biblike si Hebrenjve 1:14 më bindën se kisha mbështetjen e engjëjve të Jehovait. Kur kunati zbatoi parimet biblike dhe hoqi çdo gjë që kishte lidhje me okultizmin, arriti të çlirohej nga ndikimi i demonëve. Së bashku me time motër u bënë Dëshmitarë të zellshëm.

Më 1947 erdhi në shtëpinë time Artur Emioti, një Dëshmitar amerikan. Me entuziazëm e pyeta ku mblidheshin Dëshmitarët dhe më tha se kishte një grup që mblidhej në Ljevin, rreth 10 kilometra larg. Në ato kohë ishte e vështirë të blije qoftë edhe një biçikletë, prandaj për disa muaj m’u desh të shkoja e të kthehesha më këmbë nga mbledhjet. Vepra e Dëshmitarëve të Jehovait në Francë kishte qenë nën ndalim për tetë vjet. Kishte vetëm 2.380 Dëshmitarë në të gjithë vendin, shumë prej të cilëve emigrantë polakë. Por në 1 shtator 1947, vepra jonë u njoh ligjërisht përsëri. Zyra e degës në Paris u rivendos në Vila-Giber. Ngaqë në Francë nuk kishte as edhe një pionier, te Njoftuesi (tani Shërbimi ynë i Mbretërisë), në numrin e dhjetorit të vitit 1947 u bë thirrja për pionierë të rregullt, të cilët duhej të predikonin 150 orë në muaj. (Në vitin 1949 u reduktua në 100 orë.) Duke qenë plotësisht dakord me fjalët e Jezuit te Gjoni 17:17 që thotë «Fjala [e Perëndisë] është e vërteta», u pagëzova në vitin 1948, dhe në dhjetor të 1949-s, fillova shërbimin si pionier.

Nga burgu, kthehem në Dynkerk

Caktimi im i parë në Azhen, në jug të Francës, qe jetëshkurtër. Ngaqë kisha lënë punën si minator, më thirrën për shërbimin ushtarak. Nuk pranova të hyja në ushtri, kështu që më futën në burg. Edhe pse nuk më lejohej të mbaja një Bibël, arrita të siguroja disa faqe nga libri i Psalmeve. Leximi i tyre më jepte zemër. Kur u lirova, më duhej të merrja një vendim: a do ta ndërprisja shërbimin e plotkohor, që të stabilizohesha diku? Ajo që lexova në Bibël më ndihmoi përsëri. Meditova për fjalët e Pavlit te Filipianëve 4:11-13, ku pjesërisht thuhet: «Për çdo gjë kam forcë falë atij që më jep fuqi.» E ndava mendjen dhe vazhdova shërbimin si pionier. Më 1950 mora një caktim të ri​—Dynkerk, një qytet ku kisha predikuar më parë.

Kur mbërrita atje, nuk kisha asgjë. Qyteti ishte dëmtuar goxha gjatë Luftës ll Botërore dhe ishte e vështirë të gjeje një vend për t’u strehuar. Shkova të takoja një familje që i kisha predikuar më parë dhe e zonja e shtëpisë më tha me ngazëllim: «Oh, zoti Lëruá, paskeni dalë nga burgu! Im shoq thotë se po të kishte më shumë njerëz si ju, nuk do të kishte pasur kurrë luftë.» Ata kishin një dhomë mysafirësh, ndaj më ofruan të qëndroja aty derisa të fillonte sezoni turistik. Po atë ditë, Evansi, vëllai i Artur Emiotit, më ofroi një vend pune. * Ai punonte si përkthyes në port dhe po kërkonte një roje nate për një anije. Më çoi te një nga drejtuesit e anijes. Pasi kisha dalë nga burgu isha kockë e lëkurë. Kur Evansi i shpjegoi pse, drejtuesi më tha se mund të shkoja te frigoriferi e të merrja ushqim sa të doja. Brenda ditës gjeta strehim, punë dhe ushqim! Besimi im te fjalët e Jezuit të dokumentuara te Mateu 6:25-33 m’u forcua vërtet.

Kur filloi sezoni turistik, së bashku me shokun tim të shërbimit, Simon Apolinarskin, na u desh të gjenim një vend tjetër ku të rrinim,  sidoqoftë ishim të vendosur të qëndronim në caktimin tonë. Na ofruan strehim në një stallë të vjetër kuajsh dhe flinim në dyshekë kashte. Gjithë ditën e kalonim në shërbim. I dhamë dëshmi pronarit të stallës dhe ai qe një nga të shumtët që pranuan të vërtetën. Pak kohë më vonë, në gazetën lokale doli një artikull që i paralajmëronte banorët e Dynkerkut të kishin kujdes nga «shpërthimi i veprës së Dëshmitarëve të Jehovait në atë zonë». Mirëpo të vetmit Dëshmitarë atje ishim unë, Simoni dhe një grusht lajmëtarësh. Meditimi për shpresën tonë të krishterë dhe për mënyrën si ishte kujdesur Jehovai për ne, na dhanë zemër të përballonim vështirësitë. Kur ndryshova caktim në vitin 1952, në Dynkerk kishte rreth 30 lajmëtarë.

Marr forcë për përgjegjësi të reja

Pasi qëndrova pak kohë në qytetin e Amiensit, u caktova si pionier special në Bulonj-Bilankur, në periferi të Parisit. Kisha shumë studime biblike, disa prej të cilëve më vonë filluan shërbimin e plotkohor dhe veprën misionare. Një i ri, Gi Mabilai, pranoi të vërtetën, përparoi dhe shërbeu si mbikëqyrës qarkor e më pas si mbikëqyrës krahinor. Më vonë mbikëqyri ndërtimin e shtypshkronjës në Bethelin e tanishëm në Luvjé, që ndodhet në njëfarë distance nga Parisi. Diskutimet e shpeshta që bënim në shërbim, më ngulitën më tej në mendje Fjalën e shkruar të Perëndisë, duke më mbushur me gëzim e duke më ndihmuar të përmirësoja aftësitë e mia në mësimdhënie.

Krejt papritur, në vitin 1953 u caktova të shërbeja si mbikëqyrës qarkor në Alsas-Lorenë, një zonë që në vitet 1871-1945 ishte aneksuar dy herë nga Gjermania. Kështu që më duhej të mësoja ca gjermanisht. Kur fillova veprën qarkore në atë zonë, kishte pak makina, televizorë ose makina shkrimi, e jo më radio me transistorë a kompjuterë personalë. Megjithatë, jeta ime nuk ishte e zymtë ose asketike, përkundrazi ishte një periudhë e gëzueshme. Duke ndjekur këshillën e Biblës për të mbajtur një ‘sy të thjeshtë’, kisha më pak shpërqendrime në shërbim të Jehovait sesa ka sot.​—Mat. 6:19-22.

Asambleja «Mbretëri triumfuese» që u mbajt në Paris më 1955, ishte një rast i paharrueshëm për mua. Atje takova gruan time të ardhshme, Iren Kolanskin, që e kishte nisur shërbimin e plotkohor një vit para meje. Prindërit i kishte me origjinë polake dhe ishin Dëshmitarë të zellshëm prej vitesh. Në Francë i kishte vizituar Adolf Ueberi, i cili kishte qenë kopshtari i vëlla Rasëllit. Ai kishte ardhur në Evropë për të shpallur lajmin e mirë.  U martova me Irenën më 1956 dhe vazhduam së bashku në veprën qarkore. Ç’mbështetje të shkëlqyer më ka dhënë Irena ndër vite!

Pas dy vjetësh më priste një surprizë tjetër: u caktova mbikëqyrës krahinor! Gjithsesi, meqë nuk kishte mjaft vëllezër të kualifikuar, vazhdova të vizitoja disa kongregacione si mbikëqyrës qarkor. Sa i zënë isha ato kohë! Përveçse duhej të predikoja 100 orë në muaj, çdo javë duhej të mbaja fjalime, të vizitoja tre studime të librit, të kontrolloja regjistrimet e kongregacioneve dhe të përgatitja raportet. Si t’ia bëja që të blija kohë për të lexuar Biblën? Kisha vetëm një rrugëzgjidhje​—bëra fletë-fletë një Bibël të vjetër dhe i mbaja disa prej tyre me vete. Sa herë që prisja dikë me të cilin kisha lënë takim, nxirrja fletët dhe i lexoja. Këto momente të shkurtra freskimi frymor më dhanë forcë të vazhdoja në caktimin tim.

Më 1967, bashkë me Irenën na ftuan të bëheshim anëtarë të përhershëm të familjes Bethel në Bulonj-Bilankur. Fillova të punoja në Repartin e Shërbimit, një privilegj që e kam edhe sot, më shumë se 40 vjet më pas. Një nga aspektet që më pëlqen më shumë në punën time, është t’u përgjigjem pyetjeve biblike që vijnë me anë të letrave. Sa kënaqem kur gërmoj në Fjalën e Perëndisë dhe ‘mbroj lajmin e mirë’! (Filip. 1:7) Gjithashtu, më pëlqen shumë të drejtoj diskutimet biblike gjatë adhurimit të mëngjesit, para se të hamë. Në vitin 1976 u emërova anëtar i Komitetit të Degës në Francë.

Udha më e mirë e jetës

Edhe pse kam kaluar periudha me sprova, koha më sfiduese më duket kjo tani, pasi mosha e shkuar dhe shëndeti i dobët na kanë kufizuar në atë që mund të bëjmë unë dhe Irena. Prapëseprapë, leximi dhe studimi i Fjalës së Perëndisë së bashku na e mban të gjallë shpresën tonë. Na pëlqen të marrim autobusin për të shkuar në territorin e kongregacionit tonë, që t’u flasim të tjerëve për këtë shpresë. Përvoja që kemi fituar në shërbimin e plotkohor, më shumë se 120 vite të marra së bashku, na nxit t’ua rekomandojmë me gjithë zemër këtë udhë jete të gjithë atyre që duan të kenë një jetë emocionuese, të gëzuar dhe të frytshme. Kur mbreti David shkroi fjalët e Psalmit 37:25 edhe ai ishte ‘i plakur’, por njësoj si ai, edhe unë «s’kam parë asnjë të drejtë të braktisur».

Gjatë gjithë jetës sime, Jehovai më ka dhënë forcë me anë të Fjalës së tij. Më shumë se 60 vjet më parë, të afërmit më thanë se leximi i Biblës do të më bëhej një zakon për gjithë jetën. Kishin të drejtë. Ka qenë vërtet një zakon për cilin nuk më vjen aspak keq!

[Shënimet]

^ par. 8 Botuar më 1944, por tani nuk shtypet më.

^ par. 14 Për më shumë informacione rreth Evans Emiotit shih Kullën e Rojës 1 janar 1999, faqet 22 dhe 23.

[Figura në faqen 5]

Unë dhe Simoni

[Figura në faqen 5]

Një Bibël e ngjashme me Biblën e parë që mora

[Figura në faqen 5]

Kur shërbeja si mbikëqyrës krahinor

[Figura në faqen 6]

Ditën e dasmës

[Figura në faqen 6]

Mua dhe Irenës na pëlqen ta lexojmë e ta studiojmë Fjalën e Perëndisë