Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A të njeh Jehovai?

A të njeh Jehovai?

 A të njeh Jehovai?

«Jehovai i njeh ata që i përkasin.»​—2 TIM. 2:19.

1, 2. (a) Për çfarë merakosej Jezui? (b) Cilat pyetje duhet të shqyrtojmë?

NJË ditë, një farise iu afrua Jezuit dhe e pyeti: «Cili është urdhërimi më i madh i Ligjit?» Jezui iu përgjigj: «Duaje Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde.» (Mat. 22:35-37) Jezui e donte shumë Atin e tij qiellor dhe jetoi vërtet në përputhje me këto fjalë. Gjithashtu, merakosej për qëndrimin që kishte në sytë e Jehovait dhe këtë e tregoi duke bërë një jetë me besnikëri. Për këtë arsye, pak para se të vdiste, mundi të thoshte se Perëndia e njihte si një person që iu bind me besnikëri urdhërimeve të tij. Kështu Jezui qëndroi në dashurinë e Perëndisë.​—Gjoni 15:10.

2 Shumë njerëz sot thonë se e duan Perëndinë. Pa dyshim, edhe ne e themi këtë. Por, duhen shqyrtuar disa aspekte serioze: «A më njeh Perëndia? Si më sheh Jehovai? A mendon se i përkas atij?» (2 Tim. 2:19) Ç’privilegj i shkëlqyer është që kemi mundësi të gëzojmë një marrëdhënie të tillë të ngushtë me Sovranin e universit!

3. Pse disa dyshojnë se mund t’i përkasin Jehovait? Çfarë do t’i ndihmojë të hedhin poshtë këtë mendim?

3 Prapëseprapë, disa që e duan shumë Jehovain, e kanë të vështirë të besojnë se ai i njeh në mënyrë të favorshme. Disa kanë ndjenja pavlefshmërie, prandaj dyshojnë se dikush mund t’i përkasë Jehovait. Por, sa të lumtur jemi që Perëndia mund të na shohë ndryshe! (1 Sam. 16:7) Apostulli Pavël u tha të bashkëkrishterëve: «Nëse dikush do Perëndinë, Perëndia e njeh atë.» (1 Kor. 8:3) Dashuria jote për Perëndinë është një kusht i rëndësishëm që ai të të njohë. Mendo pak: pse po e lexon këtë revistë? Pse po përpiqesh t’i shërbesh Jehovait me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde? Nëse i je kushtuar Perëndisë dhe je i pagëzuar, ç’të shtyu t’i bësh këta hapa? Bibla shpjegon se Jehovai, i cili heton zemrat, tërheq ata që janë të dëshirueshëm për të. (Lexo Hageun 2:7; Gjonin 6:44.) Pra, mund të nxjerrësh përfundimin se po i shërben Jehovait ngaqë ai të tërhoqi. Ai kurrë nuk do t’i braktisë ata që ka tërhequr, nëse qëndrojnë besnikë. Perëndia i konsideron shumë të çmuar dhe i do tej mase.​—Psal. 94:14.

4. Pse duhet të vazhdojmë të reflektojmë rreth mënyrës se si na njeh Perëndia?

4 Tani që Jehovai na ka tërhequr, duhet të merakosemi që të qëndrojmë në dashurinë e tij. (Lexo Judën 20, 21.) Kujto se Bibla tregon që mund të na marrë rryma ose të largohemi nga Perëndia. (Hebr. 2:1; 3:12, 13) Për shembull, pikërisht para se të thoshte fjalët që gjenden te 2 Timoteut 2:19, apostulli Pavël përmendi Himeneun dhe Filetin. Ata me sa duket i përkitnin dikur Jehovait, por më vonë devijuan nga e vërteta. (2 Tim. 2:16-18) Kujto edhe se në kongregacionet e Galatisë, disa që Perëndia i kishte njohur, nuk qëndruan në dritën frymore që gëzonin dikur. (Gal. 4:9) Kurrë të mos e marrim si diçka të zakonshme qëndrimin tonë të çmuar në sytë e Perëndisë!

5. (a) Cilat janë disa cilësi që Perëndia i vlerëson? (b) Cilët shembuj do të shqyrtojmë?

5 Disa cilësi Jehovai i vlerëson në mënyrë të veçantë. (Psal. 15:1-5; 1 Pjet. 3:4) Disa  individë që Perëndia i njihte, dalloheshin për besimin dhe përulësinë e tyre. Le të shqyrtojmë shembujt e dy burrave për të parë se si këto cilësi i bënë të pëlqyeshëm për Jehovain. Po ashtu, do të shqyrtojmë rastin e një burri që mendonte se Perëndia e njihte, por që veproi me krenari dhe pastaj zbuloi se Jehovai e kishte hedhur poshtë. Mund të nxjerrim mësime të vlefshme nga këta shembuj.

Ati i atyre që kanë besim

6. (a) Ç’besim tregoi Abrahami te premtimet e Jehovait? (b) Si e njihte Jehovai Abrahamin?

6 Abrahami ishte një njeri që «tregoi besim te Jehovai». Në fakt, është quajtur «ati i të gjithë atyre që kanë besim». (Zan. 15:6; Rom. 4:11) Me besim, Abrahami la shtëpinë, miqtë dhe jetën e tij të rehatshme, që të shkonte në një vend të largët. (Zan. 12:1-4; Hebr. 11:8-10) Edhe shumë vite më vonë, besimi i Abrahamit ishte ende i fortë. Kjo u duk qartë kur «pothuaj e flijoi Isakun» për t’iu bindur urdhrit të Jehovait. (Hebr. 11:17-19) Abrahami tregoi besim te premtimet e Jehovait dhe kjo e bëri të veçantë në sytë e Perëndisë. Jehovai e njihte vërtet Abrahamin. (Lexo Zanafillën 18:19.) Jehovai nuk ishte thjesht në dijeni të ekzistencës së Abrahamit; e çmonte atë si mik.​—Jak. 2:22, 23.

7. Çfarë vlen të theksohet lidhur me plotësimin e premtimeve të Jehovait? Si ndikoi kjo tek Abrahami?

7 Vlen të theksohet se Abrahami nuk e mori gjatë jetës së tij vendin që i ishte premtuar. Gjithashtu, ai nuk e pa farën e tij të bëhej «si kokrrizat e rërës në breg të detit». (Zan. 22:17, 18) Ndonëse këto premtime nuk u plotësuan gjatë jetës së Abrahamit, ai vazhdoi të kishte besim të fortë te Jehovai. E dinte që, nëse Perëndia kishte dhënë fjalën, ishte punë e kryer. Po, Abrahami jetoi në përputhje me këtë besim. (Lexo Hebrenjve 11:13.) A na njeh Jehovai si persona me besim të ngjashëm me të Abrahamit?

Të presësh Jehovain është shenjë besimi

8. Cilat dëshira të përshtatshme mezi presin të realizohen disa?

8 Ndoshta kemi dëshira që mezi presim të realizohen. Martesa, fëmijët dhe shëndeti i mirë janë të gjitha dëshira të natyrshme e të përshtatshme. Por për shumë veta, një a më shumë nga këto dëshira mund të mos realizohen. Nëse gjendemi në këtë situatë, mënyra si e përballojmë mund të jetë tregues i besimit tonë.

9, 10. (a) Si janë përpjekur disa të plotësojnë dëshirat e tyre? (b) Ç’mendon për plotësimin e premtimeve të Perëndisë?

 9 Sa e pamençur do të ishte po të përpiqeshim t’i plotësonim këto dëshira në një mënyrë që bie në kundërshtim me mençurinë hyjnore! Kjo do të ishte në dëm të gjendjes sonë frymore. Për shembull, disa kanë zgjedhur trajtime mjekësore që bien ndesh me këshillat e Jehovait. Të tjerë kanë filluar një punë që i mban larg familjes ose i pengon të shkojnë në mbledhje. Ç’të themi për lidhjet romantike me jobesimtarë? Nëse një i krishterë vepron kështu, a po kërkon vërtet që të njihet nga Jehovai? Si do të ndihej Jehovai sikur Abrahami të mos kishte pritur me durim plotësimin e premtimeve që i kishte bërë Ai? Po sikur Abrahami, në vend që të priste Jehovain, t’i merrte vetë gjërat në dorë që të rehatohej prapë e të bënte emër? (Krahaso Zanafillën 11:4.) A do të vazhdonte ta njihte në mënyrë të favorshme Jehovai?

10 Cilat dëshira mezi pret të plotësohen? A ke besim aq të fortë sa të presësh Jehovain, i cili premton të plotësojë dëshirat e tua të përshtatshme? (Psal. 145:16) Siç ishte e vërtetë në rastin e Abrahamit, disa premtime hyjnore mund të mos plotësohen aq shpejt sa do të donim. Gjithsesi, Jehovai e vlerëson kur zhvillojmë besim si ai i Abrahamit dhe kur veprojmë në përputhje me të. Patjetër kjo është për të mirën tonë të përhershme.​—Hebr. 11:6.

Një kontrast midis përulësisë dhe krenarisë

11. Cilat privilegje mund të ketë pasur Korahu? Me sa duket, çfarë tregonte kjo për qëndrimin e tij në sytë e Perëndisë?

11 Moisiu dhe Korahu janë në kontrast të plotë me njëri-tjetrin për sa i përket respektit ndaj masave organizative dhe vendimeve të Jehovait. Reagimi i tyre ndikoi te mënyra si i shihte Jehovai. Korahu ishte levit nga familja e Kehathit dhe gëzonte shumë privilegje. Ndër të tjera, ndoshta ai kishte parë çlirimin e kombit përmes Detit të Kuq, kishte mbështetur gjykimin e Jehovait kundër izraelitëve të pabindur në malin Sinai dhe kishte luajtur një rol të rëndësishëm në transportimin e arkës së besëlidhjes. (Dal. 32:26-29; Num. 3:30, 31) Ka të ngjarë të ketë qenë besnik ndaj Jehovait për vite të tëra dhe për këtë arsye gëzonte respektin e shumë vetave në kampin e Izraelit.

12. Siç përshkruhet në faqen 28, si ndikoi krenaria e Korahut te mënyra si e njihte Jehovai?

12 Sidoqoftë, ndërkohë që kombi i Izraelit ishte rrugës për në Tokën e Premtuar, Korahu dalloi disa gjëra që, sipas tij, nuk shkonin në mënyrën se si po drejtohej kombi. Pastaj, 250 prijës të tjerë të kombit morën anën e Korahut duke u përpjekur të bënin ndryshime. Ka mundësi që Korahu dhe të tjerët të jenë ndier të sigurt për marrëdhënien e tyre me Jehovain. Ata i thanë Moisiut dhe Aaronit: «Mjaft më me ju, sepse tërë asambleja, po, të gjithë janë të shenjtë, dhe Jehovai është mes tyre.» (Num. 16:1-3) Ç’qëndrim krenar dhe besim i tepruar te vetja! Moisiu u tha: «Jehovai do të bëjë të njohur se kush i përket atij.» (Lexo Numrat 16:5.) Në fund të ditës tjetër, Korahu dhe të gjithë ata që ishin rebeluar bashkë me të, vdiqën.​—Num. 16:31-35.

13, 14. Në cilat mënyra tregoi përulësi Moisiu?

13 Krejt ndryshe, Moisiu «ishte më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut». (Num. 12:3) Ai tregoi zemërbutësi dhe përulësi duke qenë i vendosur të ndiqte drejtimin e Jehovait. (Dal. 7:6; 40:16) Nuk ka prova që të tregojnë se Moisiu vinte shpesh në diskutim mënyrën si i bënte gjërat Jehovai ose se mërzitej duke ndjekur procedurat që kishte vendosur ai. Për shembull, Jehovai  dha deri në hollësitë më të vogla udhëzime për ndërtimin e tabernakullit, si ngjyrën e fillit dhe numrin e iliqeve që do të përdoreshin për të bërë pëlhurat e tendës. (Dal. 26:1-6) Nëse një mbikëqyrës në organizatën e Perëndisë të jep udhëzime që duken tejet të hollësishme, ndonjëherë mund të ndihesh i shkurajuar. Megjithatë, Jehovai është një mbikëqyrës i përsosur që delegon bujarisht dhe ka besim te shërbëtorët e tij. Kur ai jep shumë hollësi, ka arsye të vlefshme. Ki parasysh megjithatë, se Moisiu nuk u zemërua me Jehovain që dha kaq shumë hollësi, sikur po e nënvlerësonte ose po i mbyste krijimtarinë a lirinë. Përkundrazi, Moisiu tregoi kujdes që punëtorët ‘të bënin pikërisht ashtu’ ndërsa ndiqnin udhëzimet e Perëndisë. (Dal. 39:32) Çfarë përulësie! Moisiu e kuptoi se kjo ishte puna e Jehovait dhe se ai ishte vetëm një mjet që po përdorej për të bërë atë punë.

14 Përulësia e Moisiut u duk qartë edhe kur hasi rrethana negative që ndikuan tek ai vetë. Në një rast, Moisiu humbi vetëkontrollin dhe nuk e shenjtëroi Perëndinë kur populli u ankua. Si pasojë, Jehovai tha se nuk do të ishte Moisiu ai që do ta çonte popullin në Tokën e Premtuar. (Num. 20:2-12) Ai dhe Aaroni, vëllai i tij, i kishin duruar ankesat e izraelitëve për vite të tëra. Por ngaqë Moisiu gaboi në atë rast të vetëm, nuk do të përjetonte atë që kishte pritur prej kaq shumë kohësh. Si reagoi Moisiu? Ndonëse është e kuptueshme që u zhgënjye, pranoi me përulësi vendimin e Jehovait. Ai e dinte se Jehovai është një Perëndi i drejtë, tek i cili nuk ka padrejtësi. (Ligj. 3:25-27; 32:4) Kur mendon për Moisiun, a nuk e konsideron si një njeri që Jehovai e njihte?​—Lexo Daljen 33:12, 13.

Nënshtrimi ndaj Jehovait kërkon përulësi

15. Ç’mund të mësojmë nga sjellja krenare e Korahut?

15 Reagimi ynë ndaj ndryshimeve në kongregacionin e krishterë mbarëbotëror dhe ndaj vendimeve të atyre që marrin drejtimin në të, ndikon në mënyrën si na njeh Jehovai. Korahu dhe bashkëpunëtorët e tij u larguan nga Perëndia për shkak të sigurisë së tepruar,  krenarisë dhe mungesës së besimit. Megjithëse në sytë e Korahut dukej sikur ai që merrte vendime të përditshme ishte Moisiu i moshuar, në të vërtetë ishte Jehovai që po e drejtonte kombin. Korahu humbi nga sytë këtë fakt dhe si pasojë nuk tregoi besnikëri ndaj njerëzve që po përdorte Perëndia. Sa më e mençur do të kishte qenë për Korahun të priste Jehovain për t’i kuptuar më mirë gjërat ose për të bërë ndryshime, nëse këto ishin vërtet të nevojshme. Si përfundim, me veprimet e tij krenare Korahu e prishi reputacionin si shërbëtor besnik.

16. Si na ndihmon shembulli i përulësisë së Moisiut?

16 Ky tregim përbën sot një paralajmërim serioz për pleqtë dhe të tjerët në kongregacion. Kërkohet përulësi për të pritur Jehovain dhe për të ndjekur udhëzimet e atyre që janë caktuar të marrin drejtimin. A tregojmë se jemi po aq të përulur dhe zemërbutë sa Moisiu? A e pranojmë pozitën e atyre që marrin drejtimin mes nesh dhe u nënshtrohemi udhëzimeve që marrim? A jemi në gjendje të kapërcejmë ndjenjat tona kur zhgënjehemi? Nëse po, Jehovai do të na njohë edhe ne në mënyrë të favorshme. Përulësia dhe nënshtrimi ynë do të na bëjnë të çmuar për të.

Jehovai i njeh ata që i përkasin

17, 18. Ç’mund të na ndihmojë që të vazhdojmë të njihemi si persona që i përkasin Jehovait?

17 Është mirë të meditojmë rreth atyre që Jehovai i ka tërhequr dhe i ka njohur në mënyrë të favorshme. Abrahami dhe Moisiu ishin të papërsosur e kishin të meta, ashtu si ne. Sidoqoftë, Jehovai i njohu si persona që i përkitnin. Por, shembulli i Korahut ilustron se ne mund të largohemi nga Jehovai e si pasojë të mos na njohë më me miratim. Secili nga ne duhet të pyesë veten: «Si më sheh Jehovai? Ç’mund të mësoj nga këta shembuj biblikë?»

18 Mund të ndihesh mjaft i lehtësuar duke ditur se ata besnikë që ka tërhequr, Jehovai i konsideron si njerëz që i përkasin atij. Vazhdo të zhvillosh besim, përulësi dhe cilësi të tjera që të bëjnë edhe më të çmuar për Perëndinë. Të njihesh nga Jehovai është në mënyrë të pamohueshme një privilegj i çmuar që sjell kënaqësi në jetë tani dhe në të ardhmen bekime të mrekullueshme.​—Psal. 37:18.

A të kujtohet?

• Ç’qëndrim të çmuar mund të kesh në sytë e Jehovait?

• Si mund ta imitosh besimin e Abrahamit?

• Ç’mësime mund të nxjerrim nga Korahu dhe Moisiu?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 26]

A kemi besim si Abrahami se Jehovai do t’i përmbushë plotësisht premtimet?

[Figura në faqen 28]

Korahu nuk ishte i gatshëm t’i nënshtrohej përulësisht drejtimit

[Figura në faqen 29]

A njihesh nga Jehovai si dikush që u nënshtrohet përulësisht udhëzimeve?