Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vazhdo të kesh miratimin e Perëndisë pavarësisht nga ndryshimet në jetë

Vazhdo të kesh miratimin e Perëndisë pavarësisht nga ndryshimet në jetë

 Vazhdo të kesh miratimin e Perëndisë pavarësisht nga ndryshimet në jetë

A PO përballesh me ndryshime në jetën tënde? A të duket e vështirë t’i pranosh këto ndryshime? Shumica prej nesh kanë qenë ose do të jenë në këtë situatë. Disa shembuj realë nga e kaluara mund të na ndihmojnë të dallojmë disa cilësi që do të na vlejnë në raste të tilla.

Për shembull, shqyrto Davidin dhe ndryshimet e shumta që iu desh të përballonte. Ishte veçse një bari i vogël kur Samueli e mirosi si mbret të ardhshëm. Kur ishte i ri, doli vullnetar që të ndeshej me gjigantin filistin Goliad. (1 Sam. 17:26-32, 42) I riu David u ftua të banonte në oborrin mbretëror të mbretit Saul dhe u caktua si kreu i ushtrisë. Davidi as që mund t’i kishte imagjinuar tërë këto ndryshime në jetë dhe as mund të kishte parashikuar se ç’do t’i ndodhte më pas.

Marrëdhëniet e Davidit me Saulin u acaruan tepër. (1 Sam. 18:8, 9; 19:9, 10) Për të shpëtuar jetën, Davidit iu desh të jetonte në arrati për disa vjet. Edhe kur mbretëronte si mbret në Izrael, rrethanat e tij ndryshuan kryekëput, sidomos pasi kreu kurorëshkelje e më pas edhe vrasje në përpjekje për të mbuluar atë mëkat. Si pasojë e mëkateve të tij, pati fatkeqësi në familje. Ndër të tjera, i biri, Absalomi, u rebelua kundër tij. (2 Sam. 12:10-12; 15:1-14) Megjithatë, pasi Davidi u pendua për mëkatin e kurorëshkeljes dhe atë të vrasjes, Jehovai e fali dhe Davidi rifitoi miratimin e Tij.

Edhe rrethanat e tua mund të ndryshojnë. Problemet shëndetësore, vështirësitë ekonomike ose familjare—madje edhe veprimet tona—sjellin ndryshime në jetë. Çfarë cilësish mund të na ndihmojnë të jemi më të përgatitur për t’u bërë ballë këtyre vështirësive?

Përulësia na ndihmon

Përulësia përfshin të kesh një qëndrim të nënshtruar. Përulësia e vërtetë na ndihmon ta shohim veten siç jemi në realitet dhe po kështu edhe të tjerët. Nëse nuk i minimizojmë cilësitë dhe arritjet e të tjerëve, do të kuptojmë më mirë se kush janë dhe gjërat që po bëjnë. Në mënyrë të ngjashme, përulësia  mund të na ndihmojë të kuptojmë pse na ka ndodhur diçka dhe si ta përballojmë atë.

Jonatani, biri i Saulit, është një shembull i mirë. Rrethanat e tij ndryshuan si pasojë e ngjarjeve që nuk mund t’i kishte nën kontroll. Kur Samueli i tha Saulit se Jehovai do t’ia merrte mbretërinë, ai nuk tha se Jonatani do të bëhej mbret. (1 Sam. 15:28; 16:1, 12, 13) Duke zgjedhur Davidin si mbretin e ardhshëm të Izraelit, Perëndia e la mënjanë Jonatanin. Në njëfarë kuptimi, mosbindja e Saulit pati ndikim negativ te Jonatani. Edhe pse nuk mbante përgjegjësi për fajet e Saulit, Jonatani nuk do të trashëgonte fronin e të atit. (1 Sam. 20:30, 31) Si reagoi Jonatani ndaj kësaj situate? A mbajti mëri ngaqë humbi këtë mundësi e si pasojë u bë xheloz ndaj Davidit? Jo. Edhe pse ishte shumë më i madh dhe më me përvojë, Jonatani e mbështeti me besnikëri Davidin. (1 Sam. 23:16-18) Përulësia e ndihmoi të kuptonte se kush kishte bekimin e Perëndisë dhe ai ‘nuk mendoi për veten më shumë nga sa duhej të mendonte’. (Rom. 12:3) Jonatani e kuptoi se çfarë priste Jehovai prej tij dhe pranoi vendimin e Tij në lidhje me këtë çështje.

Sigurisht, mjaft ndryshime shkaktojnë ndonjë vështirësi. Në njëfarë pike, Jonatani kishte të bënte me dy burra që ishin të afërt për të. Njëri ishte miku i tij, Davidi, mbreti i ardhshëm që kishte zgjedhur Jehovai. Tjetri ishte Sauli, i ati, të cilin Jehovai e kishte hedhur poshtë, por që ende sundonte si mbret. Kjo situatë mund t’i ketë shkaktuar stres emocional Jonatanit, ndërsa përpiqej të kishte miratimin e Jehovait. Ndryshimet që duhet të përballojmë mund të na shkaktojnë njëfarë shqetësimi dhe ankthi. Por, nëse përpiqemi t’i shohim gjërat siç i sheh Jehovai, do të vazhdojmë t’i shërbejmë besnikërisht teksa përballojmë ndryshimet.

Rëndësia e modestisë

Modestia përfshin të jesh i vetëdijshëm për kufizimet e tua. Modestia nuk duhet ngatërruar me përulësinë. Një njeri i përulur mund të mos jetë plotësisht i vetëdijshëm për kufizimet e veta.

Davidi ishte modest. Ndonëse Jehovai e kishte zgjedhur që të ishte mbret, për vite të tëra Davidi nuk mundi të merrte fronin. Në Bibël nuk thuhet nëse Davidi mori ndonjë shpjegim nga Jehovai për arsyen e kësaj vonese në dukje. Megjithatë, kjo situatë nuk e shqetësonte, edhe pse në pamje të parë dukej angështuese. Ai ishte i vetëdijshëm për kufizimet dhe e kuptonte se Jehovai, i cili po e lejonte këtë situatë, i kishte gjërat nën kontroll. Prandaj, Davidi nuk do ta vriste Saulin edhe sikur t’i duhej për të shpëtuar jetën e vet. Në fakt, Davidi nuk e lejoi shokun e tij, Abishain, që të bënte një gjë të tillë.—1 Sam. 26:6-9.

Ndonjëherë në kongregacion mund të lindë një situatë që nuk e kuptojmë ose që neve na duket se nuk po trajtohet siç duhet. Ndoshta mendojmë se gjërat mund të organizoheshin më mirë. A do të pranojmë me modesti se Jezui është Kreu i kongregacionit dhe se ai vepron  nëpërmjet trupit të pleqve të cilët janë emëruar për të marrë drejtimin? A do të tregojmë modesti duke e ditur se për të pasur miratimin e Jehovait, duhet të presim që ai t’i drejtojë gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit? A do të jemi modestë e të presim edhe pse kjo nuk është e lehtë?—Prov. 11:2.

Zemërbutësia na ndihmon të jemi pozitivë

Zemërbutësia nënkupton butësi karakteri. Ajo na ndihmon t’i durojmë lëndimet pa u acaruar, pa u fyer dhe pa marrë hak. Zemërbutësia është një cilësi e vështirë për t’u kultivuar. Është interesante që në një varg biblik «zemërbutët e dheut» ftohen ‘të kërkojnë zemërbutësinë’. (Sof. 2:3) Zemërbutësia lidhet me përulësinë dhe modestinë, por ajo përfshin edhe cilësi të tjera, si për shembull mirësinë dhe ëmbëlsinë. Një person zemërbutë mund të rritet frymësisht kur pranon të mësohet dhe të modelohet.

Si mund të na ndihmojë zemërbutësia të përballojmë ndryshimet në jetë? Ndoshta ke vënë re që shumë njerëz priren t’i shohin ndryshimet nën një dritë negative. Por, në të vërtetë ato mund të jenë raste për t’u stërvitur më tej nga Jehovai. Jeta e Moisiut e ilustron këtë.

Në moshën 40-vjeçare, Moisiu tashmë kishte cilësi të shkëlqyera. Ai ishte treguar i ndjeshëm ndaj nevojave të popullit të Perëndisë dhe kishte shfaqur një frymë vetëmohuese. (Hebr. 11:24-26) Sidoqoftë, para se të caktohej nga Jehovai që të udhëhiqte Izraelin jashtë Egjiptit, Moisiu përballoi ndryshime që e bënë më zemërbutë. Atij iu desh të ikte nga Egjipti dhe të jetonte në vendin e Midianit për 40 vjet, duke punuar si bari, pa qenë më në qendër të vëmendjes. Cili qe rezultati? Ky ndryshim e bëri njeri më të mirë. (Num. 12:3) Ai mësoi të vinte vullnetin e Jehovait përpara interesave personale.

Për të ilustruar zemërbutësinë e Moisiut, le të shqyrtojmë çfarë ndodhi kur Jehovai tha se donte ta hidhte poshtë kombin e pabindur dhe pasardhësit e Moisiut t’i bënte një komb të fuqishëm. (Num. 14:11-20) Moisiu ndërmjetësoi për kombin. Fjalët e tij tregojnë se ai merakosej për emrin e Perëndisë dhe mirëqenien e vëllezërve e jo për interesat e veta. Nevojitej një person zemërbutë për rolin e Moisiut si udhëheqës i kombit dhe ndërmjetës. Edhe nëse Miriami dhe Aaroni murmuritën kundër tij, Bibla e përshkruan Moisiun si «më zemërbuti ndër të gjithë» njerëzit. (Num. 12:1-3, 9-15) Duket se Moisiu i duroi me zemërbutësi fyerjet e tyre. Si do të kishin shkuar gjërat nëse Moisiu nuk do të kishte qenë zemërbutë?

Në një rast tjetër, fryma e Jehovait zuri vend mbi disa burra dhe i bëri të profetizonin. Josiu,  shërbëtori i Moisiut, mendoi se këta izraelitë po vepronin në mënyrë të papërshtatshme. Nga ana tjetër, me zemërbutësi, Moisiu i pa gjërat nga këndvështrimi i Jehovait dhe nuk u shqetësua se mos humbiste autoritetin. (Num. 11:26-29) A do ta kishte pranuar Moisiu këtë ndryshim nga Jehovai nëse nuk do të kishte qenë zemërbutë?

Zemërbutësia e ndihmoi Moisiun ta përdorte siç duhej autoritetin e madh që iu dha dhe rolin që i caktoi Perëndia. Jehovai e ftoi të ngjitej në malin Horeb si përfaqësues të popullit. Perëndia i foli Moisiut nëpërmjet një engjëlli dhe e caktoi si ndërmjetës të besëlidhjes. Falë zemërbutësisë Moisiu pranoi këtë ndryshim të madh për sa i përket autoritetit dhe vazhdoi të kishte miratimin e Perëndisë.

Ç’mund të themi për ne? Zemërbutësia është e domosdoshme për rritjen frymore të secilit prej nesh. Të gjithë ata, që u janë besuar privilegje dhe u është dhënë autoritet mes popullit të Perëndisë, duhet të jenë zemërbutë. Zemërbutësia nuk na lejon të bëhemi krenarë kur hasim ndryshime në jetë dhe na ndihmon t’i përballojmë situatat me qëndrimin e duhur. Reagimi ynë është i rëndësishëm. A do t’i pranojmë ndryshimet? A do t’i shohim si mundësi për t’u përmirësuar? Këto mund të jenë raste unike për të kultivuar zemërbutësinë.

Vazhdimisht do të hasim ndryshime në jetë. Ndonjëherë nuk është e lehtë të kuptojmë pse ndodhin disa gjëra. Kufizimet personale dhe gjendja e trazuar emocionale mund të na e bëjnë të vështirë të vazhdojmë t’i shohim gjërat siç i sheh Jehovai. Megjithatë, cilësi të tilla, si përulësia, modestia dhe zemërbutësia do të na ndihmojnë të pranojmë ndryshimet dhe të vazhdojmë të kemi miratimin e Perëndisë.

[Diçitura në faqen 4]

Përulësia e vërtetë na ndihmon ta shohim veten siç jemi në realitet

[Diçitura në faqen 5]

Zemërbutësia është e domosdoshme për rritjen frymore të secilit prej nesh

[Figura në faqen 5]

Moisiu përballoi ndryshime që e bënë më zemërbutë