Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Marku​—«I dobishëm për shërbimin»

Marku​—«I dobishëm për shërbimin»

 Marku​—«I dobishëm për shërbimin»

KONGREGACIONI i Antiokisë kishte kaluar disa probleme, por mosmarrëveshja midis apostujve Pavël dhe Barnabë ishte ndryshe. Këta burra po planifikonin një udhëtim misionar, por kur u desh të vendosej se kush do të shkonte me ta, mes tyre pati «një shpërthim të madh zemërimi». (Vep. 15:39) Ata të dy u ndanë nga njëri-tjetri dhe morën rrugë të ndryshme. Debati i tyre lidhej me një misionar të tretë—Markun.

Kush ishte Marku? Pse dy apostujt debatuan në lidhje me të? Pse kishin opinione kaq të forta rreth tij? A ndryshuan opinionet e tyre? Çfarë mund të mësoni nga historia e jetës së Markut?

Te shtëpia e tij në Jerusalem

Marku, i cili me sa duket rridhte nga një familje e pasur judaike, ishte rritur në Jerusalem. Gjëja e parë që mësojmë konkretisht për të, ka lidhje me historinë e kongregacionit të hershëm të krishterë. Rreth vitit 44 të e.s., kur engjëlli i Jehovait çliroi me  anë të një mrekullie apostullin Pjetër nga burgu i Herod Agripës I, Pjetri shkoi «te shtëpia e Marisë, nënës së Gjonit, që mbiquhej Mark, ku ishin mbledhur së bashku mjaft veta dhe po luteshin».—Vep. 12:1-12. *

Duket se kongregacioni i Jerusalemit përdorte për mbledhjet shtëpinë e nënës së Markut. Fakti që aty ishin mbledhur «mjaft veta», lë të kuptosh se shtëpia ishte e madhe. Maria kishte një shërbëtore që quhej Rode, e cila u përgjigj kur Pjetri trokiti «te porta e jashtme». Këto hollësi lënë të kuptosh se Maria ishte një grua me njëfarë pasurie. Gjithashtu, për shtëpinë thuhet se ishte e saja jo e burrit, prandaj ka mundësi që ishte e ve dhe Marku ishte ende i ri.—Vep. 12:13.

Ndoshta Marku ishte mes atyre që ishin mbledhur për t’u lutur. Ai mund t’i ketë njohur mirë dishepujt e Jezuit dhe të tjerët që kishin qenë dëshmitarë të ngjarjeve që kishin ndodhur gjatë shërbimit të Jezuit. Në fakt, Marku mund të ketë qenë i riu i veshur me një rrobë liri të hollë që, kur e arrestuan Jezuin, u përpoq ta ndiqte, por pastaj ia mbathi kur deshën ta kapnin.—Mar. 14:51, 52.

Privilegje në kongregacion

Shoqërimi me të krishterët e pjekur, pa dyshim ndikoi për mirë te Marku. Ai u rrit frymësisht dhe u ra në sy vëllezërve përgjegjës. Rreth vitit 46 të e.s., kur Pavli dhe Barnaba dërguan «ndihmë» nga Antiokia në Jerusalem për të lehtësuar pasojat e zisë së bukës, ata u interesuan për Markun dhe kur u kthyen sërish në Antioki, e morën me vete.—Vep. 11:27-30; 12:25.

Nga një lexim sipërfaqësor dikush mund të mendojë se këta tre burra nuk kishin ndonjë lidhje mes tyre, përveç lidhjes frymore, dhe që Pavli e Barnaba e morën Markun thjesht për aftësitë që kishte. Por një nga letrat e Pavlit zbulon se Marku ishte kushëriri i Barnabës. (Kolos. 4:10) Kjo mund të ndihmojë për të shpjeguar ngjarjet vijuese që lidhen me Markun.

Kaloi rreth një vit dhe fryma e shenjtë e drejtoi Pavlin dhe Barnabën që të bënin një udhëtim misionar. Ata u nisën nga Antiokia për në Qipro. Gjon Marku shkoi me ta «si ndihmës». (Vep. 13:2-5) Ndoshta Marku duhej të kujdesej për nevojat praktike gjatë udhëtimit, në mënyrë që apostujt të përqendroheshin në gjërat frymore.

Pavli, Barnaba dhe Marku përshkuan Qipron, duke predikuar gjatë udhëtimit. Më pas u drejtuan për në Azinë e Vogël. Atje Gjon Marku mori një vendim që e zhgënjeu Pavlin. Tregimi thotë se kur ata burra mbërritën në Pergë, «Gjoni u largua prej tyre dhe u kthye në Jerusalem». (Vep. 13:13) Nuk thuhet përse veproi kështu.

Dy vjet më pas, Pavli, Barnaba dhe Marku ishin përsëri në Antioki. Dy apostujt po  diskutonin të bënin një udhëtim të dytë misionar që të vazhdonin punën e nisur gjatë udhëtimit të parë. Barnaba donte që me ta të vinte kushëriri i tij, mirëpo Pavli nuk donte ta merrte absolutisht, sepse Marku i kishte braktisur herën e parë. Kështu u krijua situata e përshkruar në hyrje të artikullit. Barnaba mori Markun dhe shkoi të predikonte në vendlindje, në Qipro, kurse Pavli shkoi në Siri. (Vep. 15:36-41) Patjetër, Pavli dhe Barnaba kishin mendime të ndryshme për vendimin e mëparshëm të Markut.

Pajtohen

Me siguri, Marku u hidhërua nga kjo përvojë. Megjithatë, ai mbeti një shërbëtor besnik. Rreth 11 ose 12 vjet pas kësaj ngjarjeje, Marku rishfaqet në historinë e krishterimit të hershëm. Me kë është? Me personin që ndoshta nuk e prisnit të ishte—me Pavlin.

Në vitet 60-61 të e.s., ndërsa ishte në Romë, Pavli dërgoi disa letra që tani janë pjesë e Shkrimeve të Shenjta. Në një letër drejtuar kolosianëve, ai shkroi: «Aristarku, shoku im i robërisë, ju dërgon të fala, e po kështu edhe Marku, kushëriri i Barnabës (për të cilin keni marrë urdhër që ta mirëpritni, nëse vjen ndonjëherë te ju). . . . Veç këta janë bashkëpunëtorët e mi për mbretërinë e Perëndisë, e po këta kanë qenë për mua një ndihmë fuqizuese.»—Kolos. 4:10, 11.

Çfarë ndryshimi! Dikur Pavli nuk ishte fare i kënaqur me Markun, ndërsa tani e shihte përsëri si një bashkëpunëtor të vlefshëm. Me sa duket, Pavli i kishte njoftuar kolosianët se mund t’i vizitonte Marku. Nëse ndodhi kështu, Marku do të ketë vepruar si përfaqësues i Pavlit.

Mos kishte qenë tepër kritik Pavli ndaj Markut vite më parë? Mos vallë Marku kishte nxjerrë dobi nga disiplina që i nevojitej? Apo ndoshta të dyja këto mundësi ishin të vërteta? Sido që të ketë qenë, pajtimi mes tyre dëshmon për pjekurinë e Pavlit dhe të Markut. Ata si të thuash i vunë kapakun të shkuarës dhe bashkëpunuan përsëri. Çfarë shembulli i shkëlqyer për çdo të krishterë që ka mospërputhje mendimesh me një tjetër!

Marku, udhëtari

Kur lexoni për udhëtimet që bëri Marku, kuptoni se udhëtoi goxha. Ai jetonte në Jerusalem, u transferua në Antioki dhe që andej lundroi për në Qipro dhe Pergë. Më pas shkoi në Romë. Që andej Pavli donte ta dërgonte Markun në Kolose. Por ka edhe më.

Apostulli Pjetër e shkroi letrën e tij të parë rreth viteve 62 deri 64 të e.s. Ai shkroi: «Ajo që është në Babiloni . . . ju çon të fala e po kështu edhe Marku, biri im.» (1 Pjet. 5:13) Pra, Marku udhëtoi në Babiloni që të shërbente përkrah apostullit i cili vite më parë ndiqte mbledhjet në shtëpinë e nënës së vet.

Gjatë burgimit të dytë në Romë, rreth vitit 65 të e.s., Pavli i shkroi Timoteut që të vinte nga Efesi dhe shtoi: «Merre me vete Markun dhe sille.» (2 Tim. 4:11) Kështu në atë kohë Marku ishte në Efes. S’ka dyshim që ai iu përgjigj thirrjes së Pavlit për t’u kthyer në Romë me Timoteun. Asokohe nuk ishte e lehtë të udhëtoje, por Marku u tregua i gatshëm.

 Një tjetër privilegj i madh

Një tjetër privilegj të madh që pati Marku ishte se Jehovai e frymëzoi të shkruante një nga Ungjijtë. Edhe pse Ungjilli i dytë nuk përmend askund autorin, sipas traditave të hershme ai ishte Marku dhe burimi i informacioneve të tij ishte Pjetri. Në fakt, Pjetri ishte dëshmitar i pothuajse gjithçkaje që dokumentoi Marku.

Analistët e Ungjillit të Markut besojnë se ai shkroi për lexuesit johebrenj, pasi dha shpjegime të dobishme për praktikat judaike. (Mar. 7:3; 14:12; 15:42) Marku përkthen terma aramaikë që përndryshe nuk do t’i kishte kuptuar një auditor jojudaik. (Mar. 3:17; 5:41; 7:11, 34; 15:22, 34) Ai përdor shumë terma latinë e madje shpjegon fjalë të zakonshme greke duke përdorur fjalë latine. Tregon vlerën e monedhave judaike sipas parasë romake. (Mar. 12:42, shën.) E gjithë kjo duket se përputhet me traditën e vjetër se Marku e shkroi Ungjillin e tij në Romë.

«I dobishëm për shërbimin tim»

Në Romë, Marku nuk u mjaftua vetëm duke shkruar Ungjillin e tij. Kujtoni që Pavli i tha Timoteut: «Merre me vete Markun dhe sille.» Për ç’arsye? Pavli tha: «Sepse është i dobishëm për shërbimin tim.»—2 Tim. 4:11.

Kjo përmendje e Markut, e cila është e fundit në Shkrime nga ana kronologjike, thotë shumë për të. Askund në përshkrimet e karrierës së tij teokratike Marku nuk shfaqet si apostull, udhëheqës ose profet. Ai ishte një shërbëtor, domethënë dikush që merrte udhëzime nga të tjerët dhe u shërbente. Dhe në këtë kohë, pra pak para se Pavli të vdiste, me siguri ai mund të ketë nxjerrë dobi nga ndihma e Markut.

Kur mblidhen bashkë pjesët e ndryshme të mozaikut, me informacione rreth Markut, del në pah portreti i një njeriu të zellshëm për përhapjen e lajmit të mirë në vise të ndryshme të botës, një njeri që ishte i lumtur t’u shërbente të tjerëve. Po, ç’privilegje shpërblyese pati Marku ngaqë nuk u dorëzua!

Ashtu si Marku, si shërbëtorë të Perëndisë ne tregojmë të njëjtën vendosmëri për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë. Njësoj si ai, disa prej nesh kanë mundësi të transferohen në zona të tjera, madje edhe jashtë shtetit, për të përhapur lajmin e mirë. Megjithëse shumica prej nesh nuk kanë mundësi të bëjnë një gjë të tillë, të gjithë mund ta imitojmë Markun në një mënyrë tjetër të rëndësishme. Ashtu si ai bëri çmos t’u shërbente vëllezërve të krishterë, edhe ne jemi të gatshëm të bëjmë çdo përpjekje për t’i ndihmuar bashkëbesimtarët në mënyra praktike që të kryejnë shërbimin ndaj Perëndisë. Teksa veprojmë kështu, jemi të sigurt se do të vazhdojmë të marrim bekimin e Jehovait.—Prov. 3:27; 10:22; Gal. 6:2.

[Shënimi]

^ par. 5 Në kohën e Markut ishte e zakonshme që njerëzit merrnin ose pranonin një emër të dytë me origjinë hebraike ose të huaj. Emri judaik i Markut ishte Johanan—Gjon në shqip. Emri i dytë latin ishte Markus, pra Mark.—Vep. 12:25.

[Harta dhe figura në faqet 8, 9]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Disa qytete që vizitoi Marku

Romë

Efes

Kolose

Pergë

Antioki (e Sirisë)

Qipro

DETI MESDHE

Jerusalem

Babiloni