Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ec sipas frymës dhe do të jetosh në lartësinë e kushtimit tënd

Ec sipas frymës dhe do të jetosh në lartësinë e kushtimit tënd

 Ec sipas frymës dhe do të jetosh në lartësinë e kushtimit tënd

«Vazhdoni të ecni sipas frymës dhe nuk do të përmbushni asnjë dëshirë të mishit.»—GAL. 5:16.

1. Cilat pagëzime ndodhën në festën e Ditës së Pesëdhjetë?

NË FESTËN e Ditës së Pesëdhjetë të vitit 33 të e.s., dishepujt e Jezuit folën në gjuhë të huaja pasi ishin pagëzuar me frymën e shenjtë. U bë e dukshme se ata kishin një dhuratë të mrekullueshme të frymës. (1 Kor. 12:4-10) Ç’ndikim pati kjo dhuratë si dhe fjalimi që mbajti apostulli Pjetër? Shumë vetave «u sëmboi në zemër». Pas thirrjes që u bëri Pjetri, ata u penduan dhe u pagëzuan. Dokumentimi historik thotë: «Ata që i përqafuan me zemër fjalët e tij, u pagëzuan, dhe atë ditë u shtuan rreth tre mijë shpirt.» (Vep. 2:22, 36-41) Ata duhet të jenë pagëzuar në ujë në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë, siç kishte urdhëruar Jezui.—Mat. 28:19.

2, 3. (a) Shpjego ndryshimin midis pagëzimit me frymë të shenjtë dhe pagëzimit në emër të frymës së shenjtë. (b) Pse nga të gjithë ata që sot bëhen të krishterë të vërtetë, pritet që të pagëzohen në ujë?

2 Por, a ka ndonjë ndryshim midis pagëzimit me frymë të shenjtë dhe pagëzimit në emër të frymës së shenjtë? Po. Ata që pagëzohen  me frymë të shenjtë lindin përsëri dhe bëhen bij të Perëndisë të lindur nga fryma. (Gjoni 3:3) Ata mirosen që të bëhen bashkëmbretër të ardhshëm dhe nënpriftërinj në Mbretërinë qiellore të Perëndisë, si dhe janë pjesë e trupit frymor të Krishtit. (1 Kor. 12:13; Gal. 3:27; Zbul. 20:6) Prandaj ishte ky pagëzim, pra pagëzimi me frymë të shenjtë, që kreu Jehovai në festën e Ditës së Pesëdhjetë e më pas kur zgjodhi individë që të bëheshin bashkëtrashëgimtarë me Krishtin. (Rom. 8:15-17) Por, ç’mund të themi për pagëzimin në emër të frymës së shenjtë i cili bëhet rregullisht në asambletë dhe kongreset e popullit të Jehovait sot?

3 Pagëzimi në ujë është një hap që të krishterët e vërtetë e ndërmarrin në simbol të kushtimit pa rezerva ndaj Perëndisë Jehova. Kështu bënë ata që morën thirrjen qiellore. Por pagëzimi në ujë është një hap i nevojshëm edhe për miliona burra e gra të ditëve të sotme që kanë shpresën të jetojnë përgjithmonë në tokë. Pavarësisht nga shpresa që ka dikush, pagëzimi në emër të Atit, të Birit dhe të frymës së shenjtë është një hap i nevojshëm që duhet bërë për t’u pranuar nga Perëndia. Nga të gjithë të krishterët që pagëzohen në këtë mënyrë pritet që ‘të ecin sipas frymës’. (Lexo Galatasve 5:16.) A po ecën sipas frymës duke jetuar kështu në lartësinë e kushtimit tënd?

Çfarë do të thotë ‘të ecësh sipas frymës’?

4. Çfarë do të thotë në thelb ‘të ecësh sipas frymës’?

4 ‘Të ecësh sipas frymës’ përfshin të pranosh veprimin e frymës së shenjtë te vetja jote, të lejosh të ndikohesh nga fryma e shenjtë. Me fjalë të tjera, do të thotë të drejtohesh nga fryma e shenjtë në veprimtaritë e përditshme. Kapitulli 5 i Galatasve thekson kontrastin që ekziston kur je nën ndikimin e frymës së shenjtë dhe nën ndikimin e mishit.—Lexo Galatasve 5:17, 18.

5. Nga cilat vepra përmbahet ai që është nën ndikimin e frymës së shenjtë?

5 Kur je nën ndikimin e frymës së shenjtë, përpiqesh të përmbahesh nga veprat e mishit. Në këto vepra përfshihen gjëra të tilla, si «kurvëria, ndyrësia, sjellja e shthurur, idhujtaria, marrja me spiritizëm, armiqësitë, konflikti, xhelozia, shpërthimet e zemërimit, grindjet, përçarjet, sektet, zilitë, dehjet, ahengjet e shfrenuara». (Gal. 5:19-21) Në njëfarë kuptimi, ‘me anë të frymës ti bën të vdesin veprat e trupit’. (Rom. 8:5, 13) Kjo do të të ndihmojë ta kesh mendjen te gjërat e frymës dhe të bashkëpunosh me drejtimin e saj, në vend që të lejosh të vihesh nën kontrollin e dëshirave mishore.

6. Ilustro se çfarë është e nevojshme që të shfaqim frytin e frymës.

6 Teksa te ti vepron fryma e shenjtë, ti shfaq cilësi të perëndishme, pra ‘frytin e frymës’. (Gal. 5:22, 23) Megjithatë, kupton se kërkohen përpjekje nga ty. Të bëjmë një ilustrim. Një bujk kultivon tokën. Sigurisht, drita e diellit dhe uji janë të nevojshëm, pasi pa to ai s’mund të presë ndonjë prodhim. Mund ta krahasojmë frymën e shenjtë me dritën e diellit. Fryma është e nevojshme që të shfaqim frytin e saj. Mirëpo, çfarë do të  prodhohej pa punën e palodhur të bujkut? (Prov. 10:4) Po, mënyra si e kultivon tokën e zemrës ndikon në cilësinë dhe sasinë e frytit të frymës së shenjtë që shfaq ti. Prandaj, pyet veten: «A po e lejoj frymën e shenjtë të prodhojë frytin e saj duke vepruar në përputhje me këtë frymë?»

7. Pse studimi dhe meditimi janë kaq të rëndësishëm nëse dëshiron të kultivosh frytin e frymës së shenjtë?

7 Për të pasur prodhime të mbara bujqit duhet gjithashtu t’i ujitin bimët. Edhe ti, për të kultivuar frytin e frymës, ke nevojë për ujërat e së vërtetës që gjenden në Bibël dhe që sot mund të merren nëpërmjet kongregacionit të krishterë. (Isa. 55:1) Ka të ngjarë që u ke treguar shumë njerëzve se Shkrimet e Shenjta janë produkt i frymës së shenjtë. (2 Tim. 3:16) Përveç kësaj, klasa e skllavit të besueshëm dhe të matur siguron kuptueshmërinë mjaft të nevojshme për ujërat e kulluara të së vërtetës biblike. (Mat. 24:45-47) Përfundimi është i qartë: për të qenë nën ndikimin e frymës së shenjtë, duhet të lexojmë dhe të meditojmë rreth Fjalës së Perëndisë. Nëse po e bën këtë, po imiton shembujt e shkëlqyer të profetëve që «shqyrtuan me ngulm dhe kërkuan me kujdes» rreth informacioneve që iu dhanë. Vlen të përmendet që edhe engjëjt kanë treguar interes të madh për të vërtetat frymore në lidhje me Farën e premtuar dhe kongregacionin e krishterë të mirosur.—Lexo 1 Pjetrit 1:10-12.

Të ndikuar nga fryma—Si?

8. Pse është jetësore që t’i kërkosh Jehovait frymë të shenjtë?

8 Nuk mjafton vetëm të studiosh Shkrimet e të meditosh. Ke nevojë të kërkosh ndihmën dhe drejtimin e Jehovait. Ai «mund të bëjë shumë më tepër nga sa kërkojmë ose konceptojmë ne». (Efes. 3:20; Luka 11:13) Por, si do të përgjigjeshe nëse dikush do të të pyeste: «Pse duhet të vazhdoj të kërkoj nëse Perëndia tashmë e di ‘për ç’gjëra kam nevojë, madje përpara se t’ia kërkoj’?» (Mat. 6:8) Po ja, pikësëpari, duke u lutur për frymën e shenjtë, tregon se mbështetesh te Jehovai. Për shembull, nëse dikush vjen te ti për ndihmë, do të bëje çmos për ta ndihmuar dhe një arsye është se të kërkoi ty ndihmë duke treguar kështu besim te ti. (Krahaso Proverbat 3:27.) Në të njëjtën mënyrë, Jehovai gjen kënaqësi kur i kërkon frymë të shenjtë, dhe ai do të ta japë.—Prov. 15:8.

9. Si të ndihmon ndjekja e mbledhjeve të krishtere që të jesh nën ndikimin e frymës së Perëndisë?

9 Mund ta kuptosh fare mirë se një mënyrë tjetër për të qenë nën ndikimin e frymës së Perëndisë ka të bëjë me mbledhjet, asambletë dhe kongreset. Është shumë e rëndësishme të përpiqesh për të qenë i pranishëm dhe për t’i kushtuar vëmendje programit. Kjo të ndihmon të kuptosh «gjërat e thella të Perëndisë». (1 Kor. 2:10) Po ashtu, ke dobi edhe duke komentuar rregullisht. Mendo për mbledhjet që ndoqe në katër javët e fundit. Sa shpesh ngrite dorën për t’u përgjigjur, domethënë për të shprehur besimin tënd? A sheh se ke nevojë të përmirësosh në këtë drejtim? Nëse po, vendos se ç’do të bësh në javët që do të vijnë. Jehovai do ta shohë gatishmërinë tënde për të komentuar dhe do të  të japë frymën e tij të shenjtë, e cila do të të ndihmojë të përfitosh edhe më shumë nga mbledhjet.

10. Që të ecim sipas frymës, cilën ftesë duhet t’u bëjmë të tjerëve?

10 Të ecim sipas frymës përfshin t’i përgjigjemi ftesës që lexojmë te Zbulesa 22:17: «Fryma dhe nusja vazhdojnë të thonë: ‘Eja!’ Dhe kushdo që dëgjon, le të thotë: ‘Eja!’ Kush ka etje, le të vijë. Kush dëshiron, le të marrë falas ujin e jetës.» Fryma, e cila vepron nëpërmjet klasës së mirosur të nuses, po bën këtë ftesë në lidhje me ujin e jetës. Nëse ke pranuar thirrjen «eja», a je i vendosur të thuash «eja»? Ç’privilegj është të marrësh pjesë në këtë vepër jetëshpëtuese!

11, 12. Si përfshihet fryma e shenjtë në veprën e predikimit?

11 Kjo vepër jetësore po kryhet tani nën drejtimin e frymës së shenjtë. Në Bibël lexojmë se si u përfshi fryma e shenjtë në shekullin e parë në hapjen e territoreve të reja për misionarët. Apostullit Pavël dhe bashkëpunëtorëve të tij «fryma e shenjtë ua kishte ndaluar ta thoshin fjalën në krahinën e Azisë» dhe ata nuk u lejuan të shkonin as në Bitini. Nuk e dimë tamam se si i pengoi fryma që të mos shkonin në këto vende, megjithatë është e qartë se fryma e drejtoi Pavlin në fushën e gjerë të predikimit në Evropë. Ai mori një vegim për një burrë maqedonas që i përgjërohej për ndihmë.—Vep. 16:6-10.

12 Sot fryma e Jehovait po drejton po njësoj predikimin mbarëbotëror. Për të dhënë drejtim nuk po përdoren vegime të mrekullueshme. Në vend të kësaj Jehovai i drejton të mirosurit me anë të frymës së shenjtë. Po ashtu, fryma i nxit vëllezërit e motrat të bëjnë çmos në predikim dhe mësimdhënie. Pa dyshim, ti ke marrë pjesë në këtë vepër jetësore. A mund ta shtosh gëzimin në këtë vepër emocionuese?

13. Si mund t’i nënshtrohesh drejtimit të frymës së shenjtë? Jep një shembull.

13 Mund t’i nënshtrohesh drejtimit të frymës së shenjtë duke zbatuar informacionet që sigurohen për popullin e Perëndisë. Të shqyrtojmë rastin e Mihokos, një e re nga Japonia. Si pioniere e re, ajo nuk ndihej e kualifikuar për të bërë rivizita. Mendonte që nuk dinte se si t’u ngjallte interesin personave që u predikonte. Rreth asaj kohe, te Shërbimi ynë i Mbretërisë u dhanë sugjerime praktike se si të bëhen rivizita të shkurtra. Më pas, u botua broshura Një jetë e kënaqshme: Si ta arrijmë? Kjo broshurë doli se ishte veçanërisht e dobishme për japonezët. Mihoko i zbatoi sugjerimet e dhëna për përdorimin e broshurës, sidomos për bërjen e rivizitave të shkurtra. Shumë shpejt ajo filloi studime biblike me ata që ndoshta më parë nuk kishin pranuar një studim. Ajo thotë: «Kisha aq shumë studime—madje njëherë 12—sa më duhej t’i lija në listën e pritjes.» Po, nëse ecën sipas frymës, duke zbatuar drejtimin që u jepet shërbëtorëve të Jehovait, mund të korrësh me bollëk.

Mbështetu te fryma e Perëndisë

14, 15. (a) Si është e mundur për njerëzit e papërsosur të jetojnë në lartësinë e kushtimit të tyre? (b) Si mund t’i gjesh miqtë më të mirë?

14 Si një shërbëtor i emëruar, ke një shërbim për të kryer. (Rom. 10:14) Ndoshta nuk  ndihesh plotësisht i kualifikuar për të mbajtur një përgjegjësi të tillë. Por, ashtu si me të mirosurit, ai që na kualifikon është Perëndia. (Lexo 2 Korintasve 3:5.) Mund të jetosh në lartësinë e kushtimit tënd duke bërë më të mirën dhe duke u mbështetur te fryma e Perëndisë.

15 Patjetër nuk është e lehtë për ne njerëzit e papërsosur, të jetojmë në lartësinë e kushtimit ndaj Perëndisë tonë të përsosur, Jehovait. Një problem është se disa me të cilët shoqëroheshe dikur, mund të mos arrijnë të kuptojnë mënyrën tënde të re të jetesës dhe ndoshta ‘të shajnë’. (1 Pjet. 4:4) Megjithatë, mos e shpërfill faktin se tani ke zhvilluar miqësi të reja, ku më të rëndësishmet janë miqësia me Jehovain dhe Jezu Krishtin. (Lexo Jakovin 2:21-23.) Gjithashtu, është jetësore të njohësh vëllezërit dhe motrat në kongregacionin tënd, që janë pjesë e ‘gjithë vëllazërisë’. (1 Pjet. 2:17; Prov. 17:17) Jehovai nëpërmjet frymës së tij do të të ndihmojë të kesh miq që do të vazhdojnë të ndikojnë për mirë te ti.

16. Pse edhe ti, ashtu si Pavli, ‘mund të gjesh ëndje në dobësi’?

16 Edhe nëse në kongregacion ke miq që të mbështetin, mund ta kesh të vështirë t’u bësh ballë sfidave të përditshme. Nga problemet që duhet të përballosh, ndonjëherë mund të ndihesh i humbur, sikur të ishe në mes të një pylli të dendur. Kjo është sidomos koha që t’i drejtohesh Jehovait për t’i kërkuar frymën e shenjtë. Apostulli Pavël shkroi: «Kur jam i dobët, atëherë jam i fuqishëm.» (Lexo 2 Korintasve 4:7-10; 12:10.) Pavli e dinte se fryma e Perëndisë mund të kompensojë dobësitë njerëzore, pavarësisht nga natyra e tyre. Pra, forca vepruese e Perëndisë mund të të fuqizojë kurdoherë që ndihesh i dobët dhe ke nevojë për ndihmë. Pavli shkroi se ai ‘gjente ëndje në dobësi’. Pikërisht kur ishte i dobët ai ndiente veprimin e frymës së shenjtë te vetja. Edhe ti mund të ndihesh po njësoj.—Rom. 15:13.

17. Si mund të të ndihmojë fryma e shenjtë ndërsa shkon drejt vendmbërritjes tënde?

17 Kemi nevojë për frymën e Perëndisë që të bëjmë një jetë të kushtuar ndaj tij. Konsideroje veten sikur drejton një varkë me vela. Synimi yt është t’i shërbesh Jehovait përgjithmonë. Fryma e shenjtë është si era që kërkon të shfrytëzosh për të arritur në vendmbërritje shëndoshë e mirë. Ti nuk do që fryma e botës së Satanait të të çojë andej-këtej. (1 Kor. 2:12) Duhet, si të thuash, të dallosh erën e favorshme dhe ta shfrytëzosh atë. Kjo është fryma e shenjtë. Nëpërmjet Fjalës së Perëndisë dhe organizatës së tij të drejtuar nga fryma, fryma e shenjtë do të të shtyjë në drejtimin e duhur.

18. Çfarë je i vendosur të bësh tani dhe pse?

18 Nëse po studion me Dëshmitarët e Jehovait dhe po gëzon shoqërinë frymore me ta, por ende nuk ke bërë hapat jetësorë të kushtimit dhe pagëzimit, pyet veten: «Pse po ngurroj?» Në qoftë se pranon rolin e frymës së shenjtë sot në kryerjen e vullnetit të Jehovait dhe kupton veprimin e saj, atëherë bëj hapat e nevojshëm që ke mësuar se duhet të bësh. Jehovai do të të bekojë me bollëk. Ai do të të japë me bujari frymë të shenjtë. Në rast se je pagëzuar vite ose dekada më parë, me siguri ke përjetuar ndikimin e frymës së shenjtë. Ke parë dhe ndier se si Perëndia mund të të forcojë me frymën e tij. Dhe kështu mund të jetë jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen e pafundme. Prandaj, ji i vendosur që të vazhdosh të ecësh sipas frymës.

A të kujtohet?

• Çfarë do të thotë ‘të ecësh sipas frymës’?

• Çfarë mund të të ndihmojë që ‘të vazhdosh të ecësh sipas frymës’?

• Si mund të jetosh në lartësinë e kushtimit tënd?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 15]

Kultivimi i tokës së zemrës kërkon përpjekje

[Figurat në faqet 16, 17]

A ndikohesh nga fryma e Perëndisë?