Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Integriteti yt ia gëzon zemrën Jehovait

Integriteti yt ia gëzon zemrën Jehovait

 Integriteti yt ia gëzon zemrën Jehovait

«Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.»—PROV. 27:11.

1, 2. (a) Cila sfidë e bërë nga Satanai përshkruhet në librin e Jobit? (b) Nga e dimë se Satanai vazhdoi ta sfidonte Jehovain pas vdekjes së Jobit?

JEHOVAI e lejoi Satanain të sprovonte integritetin e Jobit, shërbëtorit të Tij besnik. Si rezultat, Jobi humbi gjithë bagëtinë, fëmijët dhe shëndetin e tij. Por, kur Satanai sfidoi integritetin e Jobit, ai nuk e kishte vetëm me Jobin. «Lëkurë për lëkurë, dhe njeriu jep gjithë ç’ka për shpirtin e tij»,—tha Satanai. Sfida e tij ngriti një çështje që përfshinte edhe të tjerë përveç Jobit dhe që ka vazhduar deri sot, shumë kohë pas vdekjes së tij.—Jobi 2:4.

2 Rreth 600 vjet pas sprovave të Jobit, Jehovai e frymëzoi Solomonin të shkruante: «Ji i mençur, biri im, dhe gëzoma zemrën, që të kem se ç’t’i përgjigjem atij që më sfidon.» (Prov. 27:11) Është e qartë se në atë kohë Satanai ende po sfidonte Jehovain. Përveç kësaj, në një vegim që iu dha apostullit Gjon, Satanai u paraqit duke paditur shërbëtorët e Jehovait pas dëbimit të tij nga qielli, pak kohë pas vendosjes së Mbretërisë së Perëndisë në vitin 1914. Po, edhe sot që jemi thellë në ditët e fundit të këtij sistemi të lig, Satanai akoma vë në dyshim integritetin e shërbëtorëve të Perëndisë.—Zbul. 12:10.

3. Ç’mësime të vlefshme mund të nxjerrim nga libri i Jobit?

3 Prandaj, le të shohim tri mësime të  rëndësishme që nxjerrim nga libri i Jobit. Së pari, sprovat e Jobit zbulojnë armikun e vërtetë të njerëzimit dhe burimin e kundërshtimit ndaj popullit të Perëndisë. Ky armik është Satana Djalli. Së dyti, pavarësisht nga sprovat që mund të hasim, marrëdhënia e ngushtë me Perëndinë do të na ndihmojë të mbajmë integritetin. Së treti, kur hasim vështirësi dhe sprovohemi në ndonjë mënyrë, Perëndia na mbështet, ashtu siç bëri me Jobin. Sot, Jehovai e bën këtë nëpërmjet Fjalës, organizatës dhe frymës së tij të shenjtë.

Mos harro kurrë kush është armiku i vërtetë

4. Kush e ka fajin për kushtet e sotme botërore?

4 Shumë njerëz sot nuk besojnë se Satanai ekziston. Prandaj, edhe pse mund të jenë të alarmuar për kushtet botërore, nuk arrijnë të kuptojnë se kush është shkaku i vërtetë: Satana Djalli. Është e vëretë se pjesën më të madhe të përgjegjësisë për mjerimet e njerëzimit, e mbajnë vetë njerëzit. Prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva, zgjodhën të ishin të pavarur nga Krijuesi i tyre. Dhe që atëherë, brezat më pas nuk kanë vepruar aspak me mençuri. Por ishte Djalli që e mashtroi Evën për t’u rebeluar kundër Perëndisë. Është pikërisht ai që ka zhvilluar mes njerëzve të papërsosur dhe vdekatarë një sistem botëror që është nën kontrollin e tij. Ngaqë Satanai është «perëndia i kësaj bote», shoqëria njerëzore shfaq të njëjtat karakteristika kryesore të tij: krenarinë, frymën e grindjes, xhelozinë, lakminë, mashtrimin dhe rebelimin. (2 Kor. 4:4; 1 Tim. 2:14; 3:6; lexo Jakovin 3:14, 15.) Karakteristika të tilla kanë çuar në konflikte politike e fetare, urrejtje, korrupsion dhe kaos, të cilat ia shtojnë mjerimin njerëzimit.

5. Për çfarë duhet të na shtyjë njohuria e çmuar që kemi?

5 Ç’njohuri të çmuar kemi si shërbëtorë të Jehovait! Po, ne e kuptojmë se kush duhet fajësuar për keqësimin e kushteve botërore. Prandaj, a nuk na shtyn kjo të marrim pjesë në shërbim që t’u tregojmë njerëzve se kush është shkaktari kryesor i telasheve? Dhe, a nuk jemi të lumtur të marrim anën e Perëndisë së vërtetë, Jehovait, e t’u shpjegojmë të tjerëve se si ai do t’i japë fund Satanait dhe mjerimeve të njerëzimit?

6, 7. (a) Kush është përgjegjës për përndjekjen e adhuruesve të vërtetë? (b) Si mund ta imitojmë shembullin e Elihut?

6 Satanai është përgjegjës jo vetëm për shumë nga brengat e botës, por edhe për kundërshtimin që has populli i Perëndisë. Ai është i vendosur të na sprovojë. Jezu Krishti i tha apostullit Pjetër: «Simon, Simon, ja, Satanai ka kërkuar t’ju shoshitë si grurin.» (Luka 22:31) Po kështu, secili prej nesh që ecën në  gjurmët e Jezuit, në një mënyrë a në një tjetër do të ketë sprova. Pjetri e krahasoi Djallin me «një luan që ulërin, duke kërkuar të gllabërojë dikë». Kurse Pavli tha: «Të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me përkushtim hyjnor në unitet me Krishtin Jezu, do t’i përndjekin.»—1 Pjet. 5:8; 2 Tim. 3:12.

7 Kur i ndodh një tragjedi një bashkëbesimtari, nuk duhet të nxjerrim përfundimin se për këtë është përgjegjës Jehovai. Siç kemi parë, Satanai është armiku i vërtetë. Në vend që t’i qëndrojmë larg këtij vëllai në vështirësi, duke vepruar kështu si ngushëlluesit e rremë, ne veprojmë si Elihu në kohën e Jobit, i cili i foli atij si një mik i vërtetë. E mbështetim vëllanë në luftën kundër armikut tonë të përbashkët, Satanait. (Prov. 3:27; 1 Sel. 5:25) Qëllimi ynë është që të bëjmë çmos për ta ndihmuar këtë bashkëshërbëtor që të mbajë integritetin e tij dhe kështu t’ia gëzojë zemrën Jehovait.

8. Pse Satanai nuk arriti ta ndalte Jobin të nderonte Jehovain?

8 Gjëja e parë që Satanai i hoqi Jobit, ishte bagëtia. Këto kafshë kishin shumë vlerë për të, sepse me to ndoshta siguronte jetesën. Megjithatë, Jobi i përdorte edhe në adhurimin e tij. Pasi bijtë e tij ishin shenjtëruar, Jobi «ngrihej herët në mëngjes dhe paraqiste flijime të djegura për secilin prej tyre; sepse thoshte: ‘Kushedi, mbase bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë mallkuar Perëndinë në zemrën e tyre.’ Kështu bënte Jobi gjithmonë.» (Jobi 1:5) Pra, Jobi flijonte rregullisht kafshë për Jehovain. Kur filluan sprovat, ai nuk mund ta bënte më këtë. Nuk kishte më ‘gjëra me vlerë’ me të cilat të nderonte Jehovain. (Prov. 3:9) Por mund ta nderonte Jehovain, dhe e nderoi, me buzët e tij.

Zhvillo një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain

9. Cila është gjëja më e çmuar që kemi?

9 Qofshim të pasur a të varfër, të rinj a të moshuar, me shëndet të mirë a të keq, mund të zhvillojmë një marrëdhënie të ngushtë me Jehovain. Pavarësisht nga sprovat, lidhja e ngushtë me Perëndinë do të na ndihmojë të mbajmë integritetin dhe t’ia gëzojmë zemrën Jehovait. Edhe disa njerëz që nuk e njihnin shumë mirë të vërtetën, me guxim morën anën e Jehovait dhe mbajtën integritetin.

10, 11. (a) Si i përballoi sprovat e integritetit një nga motrat tona? (b) Ç’përgjigje të fortë i dha kjo motër Satanait?

10 Një rast i tillë është shembulli i motër Valentina Garnovskajës, një nga shumë Dëshmitarët në Rusi, që, si Jobi besnik, e ruajtën integritetin me gjithë sprovat e rënda. Në vitin 1945, kur ishte rreth 20 vjeçe, asaj i predikoi një vëlla. Ai u kthye edhe dy herë për t’i folur për Biblën, por pastaj ajo nuk e takoi më. Megjithatë, Valentina filloi t’u predikonte fqinjëve. Për këtë arsye, u arrestua dhe  u dënua me tetë vjet në një kamp pune. U lirua në vitin 1953 dhe menjëherë rifilloi veprën e predikimit. E arrestuan dhe e dënuan përsëri, këtë herë me dhjetë vjet. Pas disa vjetësh në një kamp pune, e çuan në një tjetër. Në këtë të dytin, kishte ca motra që kishin një Bibël. Një ditë, një motër ia tregoi Biblën Valentinës. Ç’moment emocionues! Imagjino, kjo ishte e vetmja Bibël që Valentina shihte pas asaj që kishte parë në dorën e vëllait që i kishte predikuar më 1945.

11 Në vitin 1967, Valentina u lirua dhe më në fund arriti ta simbolizonte kushtimin ndaj Jehovait me anë të pagëzimit në ujë. Me zell, e përdori lirinë për të marrë pjesë në shërbim deri në vitin 1969. Atë vit e arrestuan përsëri dhe këtë herë e dënuan me tre vjet burg. Prapëseprapë, Valentina vazhdoi të predikonte. Para se të vdiste në vitin 2001, ajo kishte ndihmuar 44 veta të mësonin të vërtetën. Kishte kaluar 21 vjet në burgje dhe kampe. Ishte treguar e gatshme të hiqte dorë nga çdo gjë, madje edhe nga liria, vetëm e vetëm që të mbante integritetin. Në fund të jetës së saj, Valentina tha: «Nuk kam pasur kurrë një vend timin ku të jetoja. Gjithçka kisha i nxinte një valixhe, por isha e lumtur dhe e kënaqur që po i shërbeja Jehovait.» Ç’përgjigje të fortë i dha Valentina Satanait, i cili tha se njerëzit nuk do t’i qëndrojnë besnikë Perëndisë përballë sprovave! (Jobi 1:9-11) Mund të jemi të sigurt se ajo ia gëzoi zemrën Jehovait dhe se ai mezi pret kohën kur do të kthejë në jetë Valentinën dhe gjithë të tjerët që i qëndruan besnikë deri në vdekje.—Jobi 14:15.

12. Ç’rol luan dashuria në marrëdhënien tonë me Jehovain?

12 Miqësia jonë me Jehovain bazohet në dashurinë tonë për të. I admirojmë cilësitë e Perëndisë dhe bëjmë ç’është e mundur për të jetuar në harmoni me qëllimet e tij. Ndryshe nga ajo që thotë Djalli, ne e duam Jehovain pa kushte. Kjo dashuri nga zemra na forcon që të ruajmë integritetin nën sprova. Jehovai nga ana e tij «do të ruajë udhën e besnikëve të tij».—Prov. 2:8; Psal. 97:10.

13. Si e sheh Jehovai atë që bëjmë për të?

13 Dashuria na shtyn të nderojmë emrin e Jehovait, edhe kur mendojmë se nuk mund të bëjmë shumë. Ai sheh motivet tona të mira dhe nuk na gjykon nëse nuk mund të bëjmë gjithçka që do të donim. Nuk ka rëndësi vetëm ajo që bëjmë, por edhe pse e bëjmë. Ndonëse Jobi ishte i pikëlluar dhe kishte kaluar shumë peripeci, ai u foli atyre që po e akuzonin për dashurinë e tij për udhët e Jehovait. (Lexo Jobin 10:12; 28:28.) Në kapitullin e fundit të librit të Jobit, Perëndia shprehu zemërimin e tij kundrejt Elifazit, Bildadit dhe Zofarit, për shkak se nuk kishin thënë të vërtetën. Në të njëjtën kohë, Jehovai shprehu edhe miratimin e tij ndaj Jobit duke e quajtur katër herë «shërbëtori im» dhe duke i thënë të lutej për ngushëlluesit e rremë. (Jobi 42:7-9) Le të veprojmë edhe ne në mënyrë të atillë që Jehovai të na shohë me miratim.

Jehovai i mbështet shërbëtorët e tij besnikë

14. Si e ndihmoi Jehovai Jobin të ndreqte mënyrën e të menduarit?

14 Jobi e mbajti integritetin megjithëse ishte i papërsosur. Ndonjëherë, kur ishte nën presion të madh, ai nuk i shihte gjërat qartë. Për shembull, ai i tha Jehovait: «Të thërras  për ndihmë, por ti s’më përgjigjesh; . . . me tërë fuqinë e dorës sate shfren mllef kundër meje.» Përveç kësaj, Jobi i dha tepër rëndësi justifikimit të vetes kur tha «nuk jam fajtor» e «s’ka dhunë në duart e mia dhe lutja ime është e sinqertë». (Jobi 10:7; 16:17; 30:20, 21) Megjithatë, Jehovai e ndihmoi Jobin me dashamirësi duke i bërë një sërë pyetjesh që e larguan vëmendjen nga ai. Gjithashtu, e ndihmuan të kuptonte më qartë sa i madh është Perëndia dhe sa i vogël është njeriu. Jobi e pranoi drejtimin dhe ndreqi mënyrën e tij të të menduarit.—Lexo Jobin 40:8; 42:2, 6.

15, 16. Në ç’mënyra i ndihmon Jehovai sot shërbëtorët e tij?

15 Edhe sot, Jehovai i drejton me dashamirësi dhe vendosmëri shërbëtorët e tij. Për më tepër, ne nxjerrim shumë dobi. Për shembull, Jezu Krishti siguroi flijimin shpërblyes dhe kështu hodhi bazën për faljen e mëkateve. Në bazë të këtij flijimi, mund të kemi një marrëdhënie të ngushtë me Perëndinë, ndonëse jemi të papërsosur. (Jak. 4:8; 1 Gjon. 2:1) Kur hasim sprova, gjithashtu lutemi për mbështetjen dhe ndihmën forcuese të frymës së shenjtë të Perëndisë. Kemi edhe Biblën e plotë, dhe duke lexuar e medituar për përmbajtjen e saj, përgatitemi për sprovat e besimit. Studimi na ndihmon të kuptojmë çështjet e sovranitetit universal dhe të integritetit tonë.

16 Përveç këtyre, nxjerrim shumë dobi edhe duke qenë pjesë e vëllazërisë mbarëbotërore që Jehovai i siguron ushqim frymor me anë të ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45-47) Në çdonjërin prej afro 100.000 kongregacioneve të Dëshmitarëve të Jehovait, organizohen mbledhje që na mësojnë e na forcojnë për të përballuar sprovat e mundshme të besimit. Këtë mund ta ilustrojë edhe përvoja e Shilës, një Dëshmitare adoleshente që jeton në Gjermani.

17. Ilustro sa e mençur është t’u përmbahemi ngushtësisht udhëzimeve të organizatës së Jehovait sot.

17 Një ditë, kur ishte në shkollë, klasa e Shilës mbeti pa mësues. Shokët e klasës vendosën të provonin një tabelë Ouija që ka lidhje me spiritizmin. Shila doli menjëherë nga klasa dhe më vonë, kur dëgjoi se çfarë kishte ndodhur, ishte e kënaqur që kishte vepruar ashtu. Ndërsa përdornin tabelën Ouija, disa nga nxënësit kishin ndjerë praninë e demonëve dhe ishin larguar nga paniku. Po çfarë e kishte ndihmuar Shilën të vendoste që të ikte menjëherë nga klasa? «Pak kohë më parë, në një mbledhje në Sallën e Mbretërisë ishte folur për rreziqet e tabelave Ouija. Prandaj e dija çfarë duhej të bëja,—shpjegon Shila.—Doja t’i pëlqeja Jehovait, pikërisht siç thotë Bibla te Proverbat 27:11.» Sa mirë që Shila kishte qenë në mbledhje dhe kishte dëgjuar me vëmendje!

18. Për çfarë je i vendosur?

18 Secili prej nesh qoftë i vendosur të ndjekë udhëzimet që vijnë nga organizata e Perëndisë! Drejtimin dhe mbështetjen e duhur e marrim duke ndjekur rregullisht mbledhjet, duke lexuar Biblën, duke studiuar botimet e bazuara në Bibël, duke u lutur dhe duke u shoqëruar me të krishterë të tjerë të pjekur. Jehovai do që të dalim fitimtarë dhe ka besim se do të vazhdojmë të jemi besnikë. Ç’privilegj është të lartësojmë emrin e Jehovait, të mbajmë integritetin dhe t’ia gëzojmë zemrën Atij!

A të kujtohet?

• Për çfarë kushtesh dhe sprovash është përgjegjës Satanai?

• Cila është gjëja më e çmuar që kemi?

• Ku bazohet miqësia jonë me Jehovain?

• Cilat janë disa nga mënyrat se si na mbështet sot Jehovai?

[Pyetjet]

[Figura në faqen 8]

A ndihesh i nxitur t’ua japësh edhe të tjerëve njohurinë e çmuar që ke?

[Figura në faqen 9]

Mund t’i ndihmojmë bashkadhuruesit të mbajnë integritetin

[Figura në faqen 10]

Valentina ishte e gatshme të sakrifikonte çdo gjë që të mbante integritetin