Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të shërbeni atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë?

A mund të shërbeni atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë?

 A mund të shërbeni atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë?

«Bënim një jetë të rehatshme në Shtetet e Bashkuara, por kishim frikë se materializmi që na rrethonte, në fund do të ndikonte për keq te ne dhe dy djemtë tanë. Bashkë me gruan kishim shërbyer më parë si misionarë dhe donim ta kishim përsëri atë lloj jete të thjeshtë, por të lumtur.»

TË NXITUR nga kjo dëshirë, më 1991, Ralfi dhe Pami vendosën t’u shkruanin disa zyrave të degës, për të shprehur dëshirën për të shërbyer atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Zyra e degës në Meksikë u përgjigj se kishte nevojë urgjente për lajmëtarë të Mbretërisë që mund t’u predikonin anglishtfolësve në atë vend. Në të vërtetë, siç thoshte zyra, ajo fushë ishte ‘e bardhë për korrje’. (Gjoni 4:35) Pa vonuar, Ralfi dhe Pami, bashkë me dy djemtë, në atë kohë 8 dhe 12 vjeç, e pranuan ftesën dhe u bënë gati të transferoheshin në Meksikë.

Një territor shumë i madh

Ralfi tregon: «Para se të iknim nga Shtetet e Bashkuara, disa motra e vëllezër, pa të keq, na thanë: «Është tepër e rrezikshme të jetosh në vende të tjera.» «Po sikur të sëmureni!?» «E pse të shkoni të predikoni në një territor ku ka anglishtfolës. Ata nuk do të kenë interes për të vërtetën.» Por ne e kishin ndarë mendjen. Në fund të fundit, vendimi ynë nuk ishte i nxituar. Kishim vite që e mendonim. Kishim shmangur borxhet afatgjata, kishim kursyer para dhe kishim diskutuar gjerë e gjatë si familje për vështirësitë që mund të hasnim.»

Në fillim, Ralfi dhe familja e tij vizituan zyrën e Meksikës. Atje, vëllezërit u treguan një hartë të të gjithë vendit dhe u thanë të sapoardhurve: «Ky është territori juaj.» Familja u vendos në San-Migel de Ajende, një qytet që ndodhej rreth 240 kilometra në veriperëndim të qytetit të Meksikos dhe ku jetonin një numër i konsiderueshëm të huajsh. Tre vjet pas mbërritjes së tyre, në atë qytet u formua një kongregacion i gjuhës angleze me 19 lajmëtarë. Ky ishte kongregacioni i parë i gjuhës angleze në Meksikë—por kishte akoma më shumë për të bërë.

Sipas llogaritjeve, rreth një milion shtetas të Shteteve të Bashkuara jetojnë në Meksikë. Përveç këtyre, ka shumë intelektualë dhe studentë meksikanë që e flasin anglishten si gjuhë të dytë. Ralfi shpjegon: «U lutëm për më shumë punëtorë. Gjithmonë e mbanim një dhomë rezervë në shtëpi për vëllezërit e motrat  që vinin në zonën tonë, si të thuash, ‘për të vëzhguar vendin’.—Num. 13:2.

Thjeshtuan jetën për të zgjeruar shërbimin

Shumë shpejt, erdhën vëllezër e motra të tjerë që donin të zgjeronin shërbimin. Ndër ta ishin edhe Bill e Keti nga Shtetet e Bashkuara. Ata tashmë kishin shërbyer për 25 vjet në territore ku kishte shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Kishin menduar të mësonin spanjisht, por planet e tyre ndryshuan pasi u transferuan në qytetin Ahihik në brigjet e liqenit Çapala, që është një parajsë për pensionistët nga Shtetet e Bashkuara. Billi shpjegon: «Në Ahihik u përfshimë më shumë në kërkimin e anglishtfolësve që donin të mësonin për të vërtetën.» Brenda dy vjetësh pasi kishin mbërritur në këtë qytet, Billi dhe Keti patën kënaqësinë të shihnin formimin e kongregacionit të dytë të gjuhës angleze në Meksikë.

Keni dhe Xhoana nga Kanadaja donin të thjeshtonin jetën e tyre dhe të kalonin më shumë kohë në predikim. Edhe ata u transferuan në Meksikë, bashkë me vajzën e tyre, Britaninë. Keni tregon: «Na u desh kohë të mësoheshim me jetën në një vend ku për ditë të tëra nuk ka ujë të ngrohtë, drita ose lidhje telefonike.» Megjithatë, vepra e predikimit ishte një burim gëzimi. Keni u emërua shumë shpejt shërbëtor ndihmës e dy vjet më vonë plak kongregacioni. Në fillim për vajzën e tyre Britaninë, ishte një sfidë të bënte pjesë në një kongregacion të vogël të gjuhës angleze, ku nuk kishte shumë të rinj në moshë. Por, kur filloi të merrte pjesë në projektet e ndërtimit të Sallave të Mbretërisë gjeti shumë shokë të shkëlqyer nga i gjithë vendi.

Patriku dhe Roksana, nga shteti i Teksasit në Shtetet e Bashkuara, u kënaqën kur dëgjuan që kishte një fushë misionare jo shumë larg, ku flitej anglisht. «Pasi bëmë një vizitë në Monterei, një qytet në verilindje të Meksikës, menduam se Jehovai po na drejtonte për të ndihmuar atje»,—thotë Patriku. Brenda pesë ditësh arritën të shitnin shtëpinë në Teksas dhe, si të thuash, ‘të kalonim në Maqedoni’. (Vep. 16:9) Nuk ka qenë e lehtë të siguronin jetesën në Meksikë, por vetëm për dy vjet patën kënaqësinë të shihnin grupin e vogël me 17 Dëshmitarë të rritej e bëhej një kongregacion me 40 lajmëtarë.

Xhefi dhe Debi janë një çift tjetër që thjeshtuan jetën për të zgjeruar shërbimin. Shitën shtëpinë e tyre të madhe në Shtetet e Bashkuara dhe u transferuan në një apartament të vogël në Kankun, një qytet në bregun lindor të Meksikës. Në të kaluarën, ishin mësuar të ndiqnin asambletë në rehatinë e kondicionerëve dhe afër shtëpisë. Tani duhet të udhëtonin tetë orë për në asamblenë më të afërt në anglisht, që mbahej në një stadium të hapur. Por patën kënaqësinë e madhe të shihnin në Kankun formimin e një kongregacioni prej rreth 50 lajmëtarësh.

Edhe disa vëllezër e motra meksikanë filluan të ndihmonin në veprën e predikimit në gjuhën angleze. Për shembull, kur Rubeni dhe  familja e tij dëgjuan se në San-Migel de Ajende ishte formuar kongregacioni i parë i gjuhës angleze dhe se kishte si territor gjithë Meksikën, ata menjëherë vendosën të jepnin ndihmën e tyre. Kjo do të thoshte të mësonin anglisht, të mësoheshin me një kulturë tjetër dhe të bënin rrugë të gjata—800 kilometra çdo javë—për të ndjekur mbledhjet. Rubeni tregon: «Kishim kënaqësinë t’u predikonim të huajve që kanë jetuar për vite në Meksikë, por që e dëgjonin për herë të parë mesazhin për lajmin e mirë në gjuhën e tyre. Disa prej tyre na e shprehnin vlerësimin me lot në sy.» Pasi kishin ndihmuar kongregacionin në San-Migel de Ajende, Rubeni dhe familja e tij shërbyen si pionierë në qytetin e Guanahuatos, në Meksikën Qendrore, ku ndihmuan për të formuar një kongregacion të gjuhës angleze me më shumë se 30 lajmëtarë. Sot, ata po shërbejnë në një grup të gjuhës angleze në Irapuato, një qytet afër Guanahuatos.

U predikojnë atyre që është e vështirë t’i gjesh

Përveç të huajve, ka edhe shumë meksikanë që flasin anglisht. Shpesh është e vështirë që këtyre t’u japësh mesazhin e Mbretërisë, sepse jetojnë në zonat e të pasurve ku derën ta hapin shërbyesit. Ose nëse të zotët e shtëpisë dalin te dera, mund të mos duan ta dëgjojnë mesazhin tonë, sepse mendojnë që Dëshmitarët e Jehovait janë një sekt i vogël i atij vendi. Por, kur takojnë Dëshmitarë nga vende të tjera, disa reagojnë mirë.

Një rast i tillë është edhe ai i Glorias në qytetin e Keretaros, në Meksikën Qendrore. Ajo  shpjegon: «Kisha takuar edhe më parë Dëshmitarë që flisnin spanjisht, por nuk i kisha dëgjuar. Megjithatë, kur familja dhe miqtë e mi filluan të kishin probleme, isha e dëshpëruar dhe i isha lutur Perëndisë me përgjërime që të më ndihmonte të gjeja një zgjidhje. Pak pas kësaj, një grua që fliste anglisht erdhi në shtëpinë time. Ajo pyeti nëse kishte ndonjë në shtëpinë tonë që fliste anglisht. Ngaqë ishte e huaj, u bëra kureshtare dhe i thashë që unë flisja anglisht. Ndërsa ajo fliste, mendoja me vete: ‘Mos është e çmendur kjo amerikane që ka ardhur në lagjen time?’ Por i kisha kërkuar Perëndisë një shenjë. Kështu që, ndoshta kjo e huaj ishte përgjigjja e Perëndisë për lutjen time.» Gloria pranoi një studim biblik dhe shumë shpejt përparoi drejt pagëzimit, pavarësisht nga kundërshtimi i familjes së saj. Sot, Gloria shërben si pioniere e rregullt, madje edhe burri e djali i saj i shërbejnë Jehovait.

Bekime për ata që zgjerojnë shërbimin

Është e vërtetë që shërbimi atje ku ka më shumë nevojë ka vështirësitë e tij, por bekimet janë të shumta. Ralfi, i përmendur në fillim të artikullit, thotë: «Kishim studime biblike me britanikë, kinezë, xhamajkanë, suedezë e madje me njerëz të ngritur nga Gana. Disa nga këta studentë biblikë tani kanë filluar edhe vetë shërbimin e plotkohor. Gjatë viteve të kaluara, familja jonë ka përjetuar formimin e shtatë kongregacioneve të gjuhës angleze. Të dy djemtë tanë filluan shërbimin si pionierë bashkë me ne dhe tani shërbejnë në Bethel, në Shtetet e Bashkuara.»

Tani, ka 88 kongregacione dhe shumë grupe të gjuhës angleze në Meksikë. Si u bë e mundur një rritje kaq e shpejtë? Shumë anglishtfolës në Meksikë nuk kishin takuar kurrë më parë Dëshmitarë. Disa reaguan pozitivisht sepse nuk kishin presionin e moshatarëve që i kishte penguar kur ishin në vendin e tyre. Kurse të tjerë pranuan ftesën për të studiuar Biblën sepse kishin dalë në pension dhe kishin kohë të studionin. Përveç këtyre, më shumë se një e treta e lajmëtarëve në kongregacionet e gjuhës angleze shërbejnë si pionierë, dhe kjo ndikon shumë në zellin dhe në rritjen e kongregacioneve.

Të presin bekime

Pa dyshim, më shumë njerëz anembanë botës do të reagojnë pozitivisht kur të dëgjojnë mesazhin për Mbretërinë në gjuhën e tyre. Prandaj të ngroh zemrën kur mendon se shumë vëllezër e motra me mendje frymore—të rinj a të moshuar, beqarë a të martuar—janë të gatshëm të transferohen në zona ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë. Është e vërtetë që mund të hasin vështirësi, por janë të papërfillshme në krahasim me lumturinë që ndiejnë kur gjejnë njerëz të sinqertë që përqafojnë të vërtetat biblike. A mund të bësh ndryshimet e nevojshme që të transferohesh në një territor brenda vendit tënd ose në një vend tjetër ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë? * (Luka 14:28-30; 1 Kor. 16:9) Nëse po, mund të jesh i sigurt se të presin shumë bekime.

[Shënimi]

^ par. 21 Për më shumë informacion për shërbimin atje ku ka më shumë nevojë, shih librin Të organizuar për të bërë vullnetin e Jehovait, faqet 111-112.

[Kutia në faqen 21]

I bëjnë përshtypje pensionistët e lumtur

Berila u transferua nga Britania në Kanada. Atje punonte si drejtoreshë për disa kompani ndërkombëtare. Ajo u bë shumë e aftë edhe në hipizëm, madje u zgjodh për të përfaqësuar Kanadanë në Lojërat Olimpike të vitit 1980. Pas daljes në pension në Çapala, Meksikë, Berila dhe burri i saj shpesh hanin në restorante. Kur shihte pensionistët anglishtfolës që dukeshin të lumtur, ajo prezantohej me ta dhe i pyeste se çfarë bënin në Meksikë. Këta njerëz të lumtur pothuajse gjithmonë dilnin se ishin Dëshmitarë të Jehovait. Berila dhe burri i saj mendonin se nëse lumturia dhe domethënia e jetës varen nga njohuria për Perëndinë, atëherë edhe ata donin ta njihnin. Pasi shkuan për disa muaj në mbledhjet e krishtere, Berila pranoi të studionte Biblën. Për disa vjet, Berila mundi të shërbente si pioniere e rregullt.

[Kutia në faqen 22]

«Janë një bekim për ne»

Ata që transferohen atje ku ka më shumë nevojë për lajmëtarë të Mbretërisë, vlerësohen jashtë mase nga vëllezërit vendës. Një zyrë dege në Karaibe shkruante: «Nëse ata qindra të huaj që shërbejnë këtu do të largoheshin, kjo do të ndikonte në stabilitetin e kongregacioneve. Janë një bekim për ne.»

Fjala e Perëndisë thotë se «gratë që shpallin lajmin e mirë, janë një ushtri e madhe». (Psal. 68:11) Pra, nuk është çudi që ka shumë motra beqare ndër ata që shërbejnë jashtë vendit të tyre. Këto motra vetëmohuese janë një ndihmë e madhe. Një zyrë dege në Evropën Lindore tha: «Përqindja e motrave në kongregacionin tonë është mjaft e lartë, ndonjëherë arrin deri në 70 për qind. Shumica e tyre janë të reja në të vërtetën, por motrat beqare që kanë ardhur nga vende të tjera japin një ndihmë të madhe duke stërvitur këto të reja. Këto motra nga vende të tjera janë një dhuratë e vërtetë për ne!»

Si ndihen këto motra që shërbejnë në vende të tjera? «Vështirësitë janë të shumta,—thotë Anxhelika, një motër në mes të të 30-ave, e cila shërbeu për disa vjet në vende të tjera si pioniere beqare.—Në një nga caktimet e mia, ditë pas dite duhej të çaja me vështirësi përmes rrugëve plot baltë dhe më rrethonin skena dëshpëruese të njerëzve që vuanin. Por kënaqesha kur ndihmoja njerëzit në shërbim. Më preknin edhe shprehjet e shumta të mirënjohjes nga motrat vendëse të cilat shpesh më falënderonin që kisha shkuar për t’i ndihmuar. Një motër më tha se shembulli që kisha lënë duke shkuar aq larg në vendin e saj për të shërbyer si pioniere e kishte inkurajuar edhe atë që të fillonte shërbimin e plotkohor.»

Sju, një pioniere në fillim të të 50-ave, thotë: «Patjetër që ke vështirësi, por ato as që krahasohen me bekimet që merr. Shërbimi është fantastik! Meqë kaloj shumë kohë në shërbim me motra të reja, flas me to për atë që kam mësuar nga Bibla dhe nga botimet tona se si mund të përballohen vështirësitë. Ato shpesh më thonë se shembulli im në përballimin e problemeve, ndërkohë që vazhdoj të shërbej prej shumë vjetësh si pioniere beqare, i ndihmon të kuptojnë që edhe ato mund t’i kapërcejnë vështirësitë në jetë. Ndihma që u jap këtyre motrave më bën të kem një ndjenjë të thellë kënaqësie.»

[Harta në faqen 20]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

MEKSIKË

Monterei

Guanahuato

Irapuato

Ahihik

Çapala

Liqeni Çapala

San-Migel de Ajende

Keretaro

QYTETI I MEKSIKOS

Kankun

[Figura në faqen 23]

Disa kanë kënaqësinë t’u predikojnë të huajve që e dëgjojnë për herë të parë lajmin e mirë