Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A ju kujtohet?

A ju kujtohet?

 A ju kujtohet?

A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:

• Pse është shumë e rëndësishme të mbajmë integritetin e krishterë?

Mbajtja e integritetit na jep mundësinë të mbështetim sovranitetin e Jehovait nga dashuria për të dhe të tregojmë se Satanai është gënjeshtar. Integriteti ynë gjithashtu përbën bazën mbi të cilën Perëndia mund të na gjykojë, e prandaj është thelbësor për shpresën tonë për të ardhmen.—15/​12, faqet 4-6.

• Cilët janë disa tituj që pasqyrojnë rolin e Jezuit në qëllimin e Perëndisë?

Biri i vetëmlindur. Fjala. Amini. Ndërmjetësi i besëlidhjes së re. Kryeprifti. Fara e premtuar.—15/​12, faqja 15.

• Pse është domethënës fakti që Elija i kërkoi ndihmësit të tij të shihte në drejtim të detit ndërsa profeti lutej për shi? (1 Mbret. 18:43-45)

Elija tregoi se kishte njohuri për ciklin e qarkullimit të ujit. Retë që formoheshin mbi det do të vinin drejt tokës ku ato mund të shkaktonin shiun.—1/​1, faqet 15-16.

• Si mund të gjejmë më shumë gëzim në shërbim?

Mund ta përgatitim zemrën, duke u përqendruar te ndihma e madhe që mund t’u japim të tjerëve. Mund të predikojmë me synimin për të filluar studime biblike. Nëse hasim indiferentizëm, mund ta përshtatim fillimin e bisedës që t’u ngjallim interesin njerëzve në territor.—15/​1, faqet 8-10.

• A ishte lebra e përshkruar në Bibël e njëjtë me sëmundjen që njihet me këtë emër sot?

Infeksioni bakterial i quajtur lebër ekzistonte vërtet në kohët biblike. (Lev. 13:4, 5) Bibla flet edhe për lebrën që shfaqej në rroba ose në shtëpi. Kjo «lebër» mund të ketë qenë ajo që sot njihet si vrugu ose myku. (Lev. 13:47-52)—1/​2, faqja 19.

• Si duhet të ndikojnë mësimet biblike në qëndrimin dhe veprimet e një të krishteri gjatë një funerali?

Megjithëse një i krishterë mund të vajtojë për njerëzit e dashur që i vdesin, ai e di se të vdekurit nuk janë të vetëdijshëm. Edhe nëse jobesimtarët e kritikojnë, ai i shmang zakonet që lidhen me besimin se të vdekurit kanë fuqi të ndikojnë te të gjallët. Për të shmangur problemet, disa të krishterë i hedhin me shkrim kërkesat për funeralin e tyre.—15/​2, faqet 29-31.

• Cilat janë tri gjërat që duhet të shmangim sipas Psalmit 1:1, nëse duam të jemi të lumtur?

Vargu përmend «këshillat e të ligjve», «udhën e mëkatarëve» dhe «vendin ku ulen tallësit». Po, që të jemi të lumtur, duhet të shmangim ata që tallen ose shpërfillin ligjet e Perëndisë. Dhe duhet të gjejmë kënaqësi në ligjin e Jehovait.—1/​3, faqja 17.

• A janë ‘libri i Jasharit’ dhe ‘libri i Luftërave të Jehovait’ shkrime të frymëzuara që kanë humbur? (Jos. 10:13; Num. 21:14)

Jo. Me sa duket, ishin dokumente ekzistuese në kohët biblike që u përdorën nga shkrimtarët e Biblës, por që nuk ishin të frymëzuara nga Perëndia.—15/​3, faqja 32.

• Ç’ndryshim domethënës u bë në një përkthim modern të Biblës në latinisht?

Në vitin 1979, papa Gjon Pali II miratoi Nova Vulgatën, një përkthim i ri në latinisht. Në botimin e parë, emri hyjnor Iahveh përmendej në disa vende. (Dal. 3:15; 6:3) Por, kur doli botimi i dytë zyrtar në vitin 1986, emri Iahveh u zëvendësua nga Dominus [Zot].—1/​4, faqja 22.