Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pika kryesore nga libri i Abdisë, i Jonait dhe i Mikesë

Pika kryesore nga libri i Abdisë, i Jonait dhe i Mikesë

 Fjala e Jehovait është e gjallë

Pika kryesore nga libri i Abdisë, i Jonait dhe i Mikesë

«VEGIMI i Abdisë.» (Abdia 1) Me këto fjalë hapet libri i Abdisë. Përveç emrit, profeti nuk tregon asgjë tjetër për veten në librin që shkroi në vitin 607 p.e.s. Në një libër tjetër të përfunduar më shumë se dy shekuj më herët, Jonai, edhe ky profet, tregon me zemër të hapur atë që ka përjetuar në caktimin e tij si misionar. Ndërsa Mikea shërbeu si profet për 60 vjet, ndërmjet kohës së Abdisë dhe të Jonait, nga viti 777 p.e.s. deri në vitin 717 p.e.s. Ai tregon vetëm se është ‘nga [fshati i] Moreshetit’ dhe se fjala e Jehovait iu drejtua «në ditët e Jotamit, Akazit dhe Hezekisë, mbretërve të Judës». (Mikea 1:1) Profeti e njeh mirë jetën e fshatit, dhe kjo duket nga ilustrimet që përdor për të theksuar pika të rëndësishme të mesazhit të tij.

EDOMI ‘DO TË SHFAROSET PËRGJITHMONË’

(Abdia 1-21)

Për Edomin Abdia thotë: «Për shkak të dhunës ndaj Jakobit, vëllait tënd, do të të mbulojë turpi dhe do të shfarosesh përgjithmonë.» Profeti e ka akoma të freskët në mendje dhunën që kanë treguar kohët e fundit edomitët ndaj izraelitëve, bijve të Jakobit. Në vitin 607 p.e.s., kur babilonasit shkatërruan Jerusalemin, edomitët ‘qëndruan mënjanë’ dhe morën anën e ‘të panjohurve’ pushtues.​—Abdia 10, 11.

Shtëpia e Jakobit, nga ana tjetër, do të rivendoset. Në profecinë e Abdisë thuhet: «Të shpëtuarit do të jenë në malin e Sionit e ai do të bëhet një gjë e shenjtë.»​—Abdia 17.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

5-8​—Çfarë kuptimi ka krahasimi i shkatërrimit të Edomit me ardhjen e grabitësve natën dhe të vjelësve të rrushit? Nëse në Edom do të shkonin hajdutët, do të merrnin vetëm ato që donin. Nëse do të shkonin vjelësit, do të linin pas ndonjë gjë. Por kur të bjerë Edomi, pushtuesit s’do të lënë vend pa rrëmuar për thesaret e tij; ‘ata me të cilët bëri besëlidhje’—aleatët e tij babilonas—do ta plaçkitin.​—Jeremia 49:9, 10.

10​—Në ç’kuptim ‘u shfaros përgjithmonë’ Edomi? Siç ishte parathënë, Edomi, një komb i mirëfilltë me një qeveri dhe popullsi që jetonte në një zonë të caktuar të tokës, u zhduk nga faqja e dheut. Mbreti babilonas, Nabonidi, e pushtoi Edomin aty nga mesi i shekullit të gjashtë p.e.s. Në shekullin e katërt p.e.s. territori i Edomit u popullua nga nabateasit dhe edomitëve iu desh të kalonin në jug të Judesë, zonë e Negebit që më vonë u njoh si Idumea. Pasi romakët shkatërruan Jerusalemin në vitin 70 të e.s., emri edomit u harrua.

Mësime për ne:

3, 4. Terreni i thyer me male të larta e të thepisura dhe përroska të thella përbënte një  pozitë të shkëlqyer strategjike për edomitët. Për këtë arsye, arroganca mund t’i ketë mashtruar dhe mund të jenë ndier të sigurt e jashtë rrezikut. Por gjykimeve të Jehovait s’u shpëton dot.

8, 9, 15. Mençuria dhe fuqia e njeriut nuk janë mbrojtje në ‘ditën e Jehovait’.​—Jeremia 49:7, 22.

12-14. Edomitët janë një shembull paralajmërues për ata që kënaqen kur shërbëtorët e Jehovait janë në vështirësi. Jehovai nuk e sheh si diçka të vogël keqtrajtimin e popullit të tij.

17-20. Kjo profeci e rivendosjes së bijve të Jakobit filloi të përmbushej kur një mbetje e tyre u kthye nga Babilonia në Jerusalem në vitin 537 p.e.s. Fjala e Jehovait del gjithmonë e vërtetë. Mund të kemi besim të plotë te premtimet e tij.

«NINEVIA DO TË PËRMBYSET»

(Jonai 1:1–4:11)

Jonai nuk i bindet urdhrit të Perëndisë ‘për të shkuar në Ninevi, në qytetin e madh, dhe të shpallë kundër saj’ një mesazh gjykimi, por ia mbath në drejtim të kundërt. Atëherë, me anë të ‘një ere të fortë në det’ dhe ‘një peshku të madh’, Jehovai e çon prapë Jonain për ku e kishte nisur, për në kryeqytetin e Asirisë.​—Jonai 1:2, 4, 17; 3:1, 2.

Jonai shkon në Ninevi dhe shpall hapur: «Edhe dyzet ditë dhe Ninevia do të përmbyset.» (Jonai 3:4) Rezultati i paparashikuar i predikimit të tij ‘e nxeh’ Jonain. Me anë të ‘një bime kungullujësi’, Jehovai i jep Jonait një mësim për mëshirën.​—Jonai 4:1, 6.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

3:3—A ishte vërtet Ninevia një qytet aq i madh sa të duheshin «tri ditë udhë në këmbë që ta përshkoje»? Po. Në kohët e lashta, ka mundësi që Ninevia mendohej se përfshinte edhe ngulime të tjera, duke filluar nga Khorsabadi në veri deri në Nimrud në jug. Të gjitha ngulimet që njiheshin si pjesë e Ninevisë formonin një katror me perimetër prej 100 kilometrash.

3:4—A iu desh Jonait të mësonte gjuhën asiriane për t’u predikuar ninevitëve? Jonai mund ta ketë ditur gjuhën asiriane ose me anë të një mrekullie Jehovai i dha aftësinë për të folur në atë gjuhë. Një mundësi tjetër është që ndërsa ai shpallte mesazhin e tij të shkurtër në hebraisht, dikush e përkthente. Në këtë rast, mesazhi që po shpallte do të ketë ngjallur më shumë kureshtje.

Mësime për ne:

1:1-3. Programimi i qëllimshëm i aktiviteteve të tjera për të mos u përfshirë plotësisht në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve, nuk është shenjë e një motivi të duhur. Të veprosh kështu është sikur t’ia mbathësh e të braktisësh caktimin që të ka dhënë Perëndia.

1:1, 2; 3:10. Jehovai nuk i tregon mëshirë vetëm një kombi, race ose grupi të veçantë njerëzish. «Jehovai është i mirë ndaj të gjithëve, dhe u tregon mëshirë tërë veprave të tij.»​—Psalmi 145:9.

1:17; 2:10. Tri ditët dhe tri netët që kaloi Jonai në barkun e peshkut të madh tregojnë në mënyrë profetike vdekjen dhe ringjalljen e Jezuit.​—Mateu 12:39, 40; 16:21.

1:17; 2:10; 4:6. Jehovai e shpëtoi Jonain nga deti i egërsuar. Gjithashtu, Perëndia «bëri që të rritej një bimë kungullujësi, dhe të bënte hije mbi kokën e Jonait, që t’ia lehtësonte atë gjendje të vajtueshme». Ata që adhurojnë Jehovain sot mund të kenë besim te Perëndia, si dhe te dashamirësia e tij, se do t’i mbrojë e do t’i çlirojë.​—Psalmi 13:5; 40:11.

2:1, 2, 9, 10. Jehovai i dëgjon lutjet e shërbëtorëve të tij dhe i kushton vëmendje përgjërimit të tyre.​—Psalmi 120:1; 130:1, 2.

3:8, 10. Perëndisë së vërtetë «i erdhi keq», domethënë ndryshoi mendje, për gjëmën që kishte thënë se do t’u bënte ninevitëve, dhe  «nuk e bëri». Pse? Sepse ninevitët «hoqën dorë nga rruga e keqe». Edhe sot gjykimi i Perëndisë mund të shmanget nëse një mëkatar tregon pendim të vërtetë.

4:1-4. Askush s’mund ta detyrojë Perëndinë të kufizojë mëshirën e Tij. Duhet të tregojmë kujdes të mos i kritikojmë udhët e mëshirshme të Jehovait.

4:11. Jehovai po pret me durim që mesazhi i Mbretërisë të predikohet në mbarë botën, sepse, njësoj si për 120.000 njerëzit e Ninevisë, atij i vjen keq për ata «që nuk dinë të dallojnë as të djathtën nga e majta». A s’duhet të na vijë keq edhe neve për njerëzit e territorit tonë dhe të marrim pjesë me zell në veprën e predikimit të Mbretërisë dhe të bërjes së dishepujve?​—2 Pjetrit 3:9.

«RRUAJE KOKËN SI TË SHQIPONJËS»

(Mikea 1:1–7:20)

Në librin e tij Mikea nxjerr në shesh mëkatet e Izraelit dhe të Judës, parathotë shkretimin e kryeqyteteve të tyre dhe premton rivendosjen. Samaria do të kthehet në «një grumbull gërmadhash». Për shkak të idhujtarisë, Izraeli dhe Juda e kanë hak ‘t’u priten flokët’, ose të bëhen me turp. Vajtja e tyre në robëri është sikur t’u rruhet koka ‘si e shqiponjës’, me sa duket një lloj shkabe që ka vetëm pak qime të buta në kokë. Jehovai premton: «Do ta mbledh se s’bën . . . Jakobin.» (Mikea 1:6, 16; 2:12) Për faj të udhëheqësve të korruptuar dhe të profetëve të ligj, edhe Jerusalemi «do të bëhet një grumbull gërmadhash». Por Jehovai ‘ka për ta mbledhur popullin e tij’. Nga ‘Betlehem-Efratahu’ do të vijë «ai që ka për t’u bërë sundimtar në Izrael».​—Mikea 3:12; 4:12; 5:2.

A është treguar i padrejtë Jehovai me Izraelin? A janë tepër të rrepta kërkesat e tij? Jo. Jehovai kërkon nga adhuruesit e tij vetëm ‘të tregojnë drejtësi, të duan mirëdashjen dhe të jenë modestë’ ndërsa ecin me Perëndinë. (Mikea 6:8) Mirëpo bashkëkohësit e Mikesë janë bërë aq të ligj, sa «më i miri ndër ta është si një drizë, më i drejti ndër ta është më keq se një gardh me gjemba», dhe u sjellin dhembje e lëndojnë këdo që u afrohet. Profeti pyet: «Cili Perëndi është si [Jehovai]?» Jehovai do të tregohet përsëri i mëshirshëm me popullin e tij dhe ‘të gjitha mëkatet e tij do t’i hedhë në thellësi të detit’.​—Mikea 7:4, 18, 19.

Përgjigjet e pyetjeve biblike:

2:12—Kur u përmbush profecia për ‘mbledhjen e të mbeturve të Izraelit’? Përmbushja e parë ndodhi në vitin 537 p.e.s., kur një mbetje e të mërguarve judenj në Babiloni u kthye në vendlindje. Në kohën tonë, profecia përmbushet te ‘Izraeli i Perëndisë’. (Galatasve 6:16) Që nga viti 1919, të krishterët e mirosur janë mbledhur si «një kope në vathë». Meqenëse me ta është bashkuar edhe ‘shumica e madhe’ e ‘deleve të tjera’, ‘vendi gumëzhin nga njerëzit’, sidomos që nga viti 1935. (Zbulesa 7:9; Gjoni 10:16) Të gjithë së bashku ata përkrahin me zell adhurimin e vërtetë.

4:1-4—Si ‘do të gjykojë Jehovai mes shumë popujve dhe do t’i ndreqë gjërat për kombe të fuqishme në ditët e fundit’? Shprehjet ‘shumë popuj’ dhe «kombe të fuqishme» nuk u referohen kombeve ose fuqive politike. Përkundrazi, këto shprehje kanë të bëjnë me individë nga të gjitha kombet që janë bërë adhurues të Jehovait. Jehovai gjykon dhe i ndreq gjërat që kanë të bëjnë me adhurimin e tyre.

 Mësime për ne:

1:6, 9; 3:12; 5:2. Samaria u shkatërrua nga asirianët në vitin 740 p.e.s., gjatë kohës kur jetoi Mikea. (2 Mbretërve 17:5, 6) Gjatë mbretërimit të Hezekisë asirianët shkuan deri te portat e Jerusalemit. (2 Mbretërve 18:13) Babilonasit e bënë shkrumb Jerusalemin në vitin 607 p.e.s. (2 Kronikave 36:19) Siç ishte profetizuar, Mesia lindi në «Betlehem-Efratah». (Mateu 2:3-6) Fjala profetike e Jehovait del gjithmonë e vërtetë.

2:1, 2. Sa e rrezikshme do të ishte nëse themi se i shërbejmë Perëndisë, por kërkojmë në radhë të parë pasuritë, dhe jo «mbretërinë dhe drejtësinë e Perëndisë»!​—Mateu 6:33; 1 Timoteut 6:9, 10.

3:1-3, 5. Jehovai pret nga ata që marrin drejtimin mes popullit të tij të veprojnë me drejtësi.

3:4. Nëse duam që Jehovai t’u përgjigjet lutjeve tona, nuk duhet të praktikojmë mëkatin ose të bëjmë jetë të dyfishtë.

3:8. Mund ta përmbushim caktimin për të predikuar lajmin e mirë, i cili përfshin edhe mesazhe gjykimi, vetëm nëse marrim forcë nga fryma e shenjtë e Jehovait.

5:5. Kjo profeci mesianike na siguron se kur popullin e Perëndisë ta sulmojnë armiqtë, «shtatë [numër që paraqet plotësi] barinj» dhe «tetë dukë», një numër i konsiderueshëm burrash të aftë, do të ngrihen për të marrë drejtimin mes popullit të Jehovait.

5:7, 8. Për shumëkënd, të krishterët e mirosur sot janë «si vesa që vjen nga Jehovai», një bekim nga Perëndia. Kjo për shkak se ai i përdor të mirosurit për të shpallur mesazhin e Mbretërisë. ‘Delet e tjera’ ndihmojnë për t’i freskuar njerëzit frymësisht, duke i mbështetur me zell të mirosurit në veprën e predikimit. (Gjoni 10:16) Ç’privilegj është të marrim pjesë në këtë vepër që u sjell freskim të vërtetë të tjerëve!

6:3, 4. Duhet të imitojmë Perëndinë Jehova e të jemi mirëdashës e të dhembshur edhe me ata që e kemi të vështirë të shkojmë mirë ose që janë të dobët frymësisht.

7:7. Nuk duhet të na lëshojë zemra tek luftojmë me problemet në fund të këtij sistemi të lig. Por, ashtu si Mikea, duhet ‘të rrimë në pritje të Perëndisë’.

7:18, 19. Ashtu si Jehovai është gati të falë fajet tona, ne duhet të jemi gati të falim ata që mëkatojnë kundër nesh.

Vazhdoni ‘të ecni në emër të Jehovait’

Ata që luftojnë kundër Perëndisë dhe popullit të tij ‘do të shfarosen përgjithmonë’. (Abdia 10) Megjithatë, Jehovai e ndal zemërimin nëse ua vëmë veshin paralajmërimeve të tij dhe ‘heqim dorë nga rruga e keqe’. (Jonai 3:10) Në këto kohë, «në ditët e fundit», adhurimi i vërtetë po lartësohet mbi të gjitha fetë e rreme dhe të bindurit po vërshojnë drejt tij. (Mikea 4:1; 2 Timoteut 3:1) Prandaj, qofshim të vendosur «të ecim në emër të Jehovait, Perëndisë tonë, në jetë të jetëve, po, përgjithmonë»!​—Mikea 4:5.

Sa mësime të vyera nxjerrim nga libri i Abdisë, i Jonait dhe i Mikesë! Megjithëse janë shkruar më shumë se 2.500 vjet më parë, mesazhi i tyre edhe sot është ‘i gjallë dhe ushtron fuqi’.​—Hebrenjve 4:12.

[Figura në faqen 13]

Abdia profetizoi: ‘Edomi do të shfaroset përgjithmonë’

[Figura në faqen 15]

Mikea ‘ndenji në pritje të Perëndisë’, njësoj mund të bëni edhe ju

[Figura në faqen 16]

Vepra e predikimit është një privilegj që duhet çmuar