Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të marrim njohuri​—Tani e përgjithmonë

Të marrim njohuri​—Tani e përgjithmonë

 Të marrim njohuri​—Tani e përgjithmonë

MJEKU gjerman Ulrih Shtrunc shkroi një seri librash me titullin Përgjithmonë të rinj. Në këta libra arsyeton se fizkultura, ushqimi i mirë dhe një jetë e shëndetshme të bëjnë mirë dhe të japin mundësi të jetosh më gjatë. Gjithsesi, ai nuk u premton lexuesve të tij se, duke ndjekur këto këshilla, do të jetojnë përgjithmonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.

Por, ka një lloj njohurie e cila ofron mundësinë e jetës së përhershme. Nga ana tjetër, po të kishit mundësi të jetonit përgjithmonë, do të mund të merrnit njohuri të dobishme përgjithmonë. Jezui i tha Perëndisë në lutje: «Kjo do të thotë jetë e përhershme: të vazhdojnë të marrin njohuri për ty, të vetmin Perëndi të vërtetë dhe për atë që ti dërgove, Jezu Krishtin.» (Gjoni 17:3) Le të përkufizojmë së pari shprehjen «jetë e përhershme» dhe pastaj të përcaktojmë çfarë përfshin kjo lloj njohurie, dhe si mund ta marrim.

Sipas Biblës, së shpejti Krijuesi ynë do ta kthejë tokën në një parajsë të mirëfilltë, ku do të ketë kushtet e duhura për një jetë të gjatë. Për ta sjellë këtë parajsë do të bëhen veprime rrënjësore, ashtu si veprimet që u bënë në Përmbytjen e ditëve të Noesë. Tek ungjilli sipas Mateut, kapitulli 24, vargjet 37 deri 39, thuhet se Jezui e krahasoi kohën tonë me «ditët e Noes», kur njerëzit ‘nuk i kushtuan vëmendje’ gjendjes kritike në të cilën ndodheshin. Po ashtu, s’ia vunë veshin mesazhit që predikonte Noeja. Mirëpo, erdhi ‘dita që Noeja hyri në arkë’. Në Përmbytjen që pasoi, u shkatërruan të gjithë ata që nuk e deshën këtë njohuri. Noeja dhe ata që ishin me të në arkë, shpëtuan.

 Jezui tregoi se edhe në kohën tonë do të ketë një ‘ditë’ të ngjashme. Ata që ia vënë veshin njohurisë që lidhet me këtë ngjarje, do të kenë shpresën jo vetëm për të mbijetuar, por edhe për të jetuar përgjithmonë. Gjithashtu, të vdekurit që Perëndia i ka në kujtesë, do të kthehen në jetë, me shpresën për të mos vdekur më kurrë. (Gjoni 5:28, 29) Shiko se si i shprehu Jezui këto dy mendime. Kur po i fliste Martës për ringjalljen e të vdekurve, ai tha: «Ai që ushtron besim tek unë, edhe sikur të vdesë, do të vijë në jetë; dhe kushdo që jeton dhe ushtron besim tek unë, nuk do të vdesë kurrën e kurrës.» Të gjitha provat tregojnë se kjo ‘ditë’ është shumë pranë, e kjo do të thotë se ti ke mundësinë ‘të mos vdesësh kurrën e kurrës’.​—Gjoni 11:25-27.

Më pas, Jezui e pyeti Martën: «A e beson këtë?» Ajo iu përgjigj: «Po, Zotëri.» Si do të përgjigjeshe ti, sikur Jezui të të bënte këtë pyetje? Ndoshta do ta kishe të vështirë të besoje se ekziston mundësia që të mos vdesësh kurrë. Por, edhe sikur të reagoje kështu, me siguri që do të të pëlqente ta besoje këtë gjë. Mendo se sa shumë do të arrije të mësoje, sikur ‘të mos vdisje kurrë’! Përfytyroje veten ndërsa merresh me gjithë gjërat që tani dëshiron të mësosh e të bësh, po për të cilat nuk ke kohë. Pastaj, mendo kur të bashkohesh prapë me njerëzit që i ke humbur për shkak të vdekjes! Po, cila është kjo njohuri që do t’i bënte reale këto gjëra, e si mund ta fitosh?

Të marrim njohurinë jetëdhënëse është brenda aftësive tona

Mos vallë kjo njohuri për Perëndinë e për Krishtin është përtej aftësive që kemi ne si njerëz? Jo. Vërtet që njohuria për veprat e Krijuesit është e pafundme. Megjithatë, kur e lidhi ‘njohurinë’ me ‘jetën e përhershme’, Jezui nuk e kishte fjalën për astronominë ose për ndonjë shkencë tjetër. Te Fjalët e urta, kapitulli 2, vargjet 1 dhe 5, tregohet se për të marrë «kuptimin [njohurinë, BR] e Perëndisë» janë thelbësore «fjalët» dhe «urdhërimet» që gjejmë në Bibël. E për sa i përket Jezuit, te Gjoni 20:30, 31 thuhet se gjërat e shkruara në Bibël, janë të mjaftueshme që ne ‘të kemi jetën’.

Prandaj, njohuria që gjejmë në Bibël për Jehovain dhe për Jezu Krishtin, mjafton për të na treguar si ta fitojmë jetën e përhershme. Bibla është një libër shumë i veçantë. Me dashuri, Krijuesi e frymëzoi atë në mënyrë të tillë, që edhe një njeri pa shumë arsim e me mundësi të kufizuara për të mësuar, të arrijë të marrë aq njohuri sa të fitojë jetën e përhershme. Në të njëjtën kohë, edhe ata njerëz që kanë një mendje të shkathët e që kanë shumë kohë dhe mjete të tjera në dispozicion, do të kenë gjithnjë diçka të re për të mësuar nga Shkrimet e frymëzuara. Fakti që arrin të lexosh këtë artikull tregon se e ke aftësinë për të mësuar, por, si duhet ta përdorësh këtë aftësi?

Përvoja e shumë njerëzve në gjithë tokën, ka treguar se mënyra më e efektshme për të marrë këtë njohuri, është nëpërmjet një studimi personal të Biblës, nën drejtimin e dikujt që tashmë e ka kuptuar atë material. Ashtu si Noeja, që u përpoq t’u jepte njohuri bashkëkohësve të tij, Dëshmitarët e Jehovait janë të gatshëm të vijnë në shtëpinë tënde për të shqyrtuar Biblën bashkë me ty. Ndoshta do të përdorin broshurën Çfarë kërkon Perëndia prej nesh? ose librin që në mënyrë të përshtatshme është titulluar Njohuria që të çon në jetën e përhershme. * Edhe sikur të të duket i vështirë koncepti se njerëzit besnikë do të jetojnë në një  parajsë tokësore dhe ‘nuk do të vdesin kurrën e kurrës’, nga këto biseda biblike mund të arrish të krijosh siguri te ky premtim. Prandaj, çfarë duhet të bësh, nëse dëshiron të jetosh përgjithmonë ose edhe nëse thjesht dëshiron të shqyrtosh në është e arsyeshme ta besosh këtë koncept? Pranoje këtë mundësi për të studiuar Biblën.

Sa kohë do të të kërkojë ky studim? Broshura me 32 faqe që përmendëm më sipër, e cila gjendet në qindra gjuhë, përmban vetëm 16 mësime të shkurtra. Ose, po të arrish të rezervosh rreth një orë në javë, do të të duhen vetëm disa muaj për të studiuar argumentet kryesore të Biblës me librin Njohuria që të çon në jetën e përhershme. Këto botime i kanë ndihmuar njerëzit që të marrin shumë njohuri dhe t’u lindë një dashuri e thellë për Perëndinë. Krijuesi do t’i shpërblejë ata që e duan vërtet, dhe do t’u japë mundësinë të fitojnë jetën e përhershme.

Pra, jo vetëm që mund ta marrim njohurinë jetëdhënëse, por edhe mund ta gjejmë atë shumë kollaj. Bibla është përkthyer, e plotë ose pjesërisht, në më shumë se 2.000 gjuhë. Dëshmitarët e Jehovait në 235 vende janë të gatshëm të sigurojnë ndihmë personale dhe botime të bazuara në Bibël, me qëllim që njerëzit të shtojnë njohurinë që kanë.

Studimi personal

Marrëdhënia që do të lidhësh me Perëndinë është diçka personale, vetëm mes teje dhe Krijuesit. Vetëm ti mund ta mbash e ta forcosh këtë marrëdhënie, dhe vetëm ai mund të të japë jetën e përhershme. Prandaj, duhet të vazhdosh të bësh një studim personal të Fjalës së tij të shkruar. Mbase do të arrish të gjesh kohë për këtë studim, po të pranosh që dikush të vijë rregullisht në shtëpinë tënde për të studiuar me ty.

Meqë Bibla dhe botimet ndihmëse për studimin e saj përmbajnë «njohurinë e Perëndisë», është më se e përshtatshme që t’i mbash me kujdes këto mjete. (Proverbat [Fjalët e urta] 2:5, BR) Në këtë mënyrë, mund t’i kesh për vite të tëra. Në qoftë se jeton në një vend në zhvillim, ndoshta s’ke përdorur shumë libra në shkollë, e kryesisht ke mësuar duke dëgjuar e duke parë. Për shembull, në Benin fliten më shumë se 50 gjuhë. Aty është e zakonshme të gjesh njerëz që flasin rrjedhshëm katër ose pesë gjuhë, ndonëse s’kanë pasur kurrë libra për t’i mësuar ato. Aftësia për t’i mësuar gjërat duke dëgjuar, duke parë e duke u përqendruar, është vërtet një bekim. Po gjithsesi, do të vëresh se librat mund të të ndihmojnë shumë në studim.

Edhe sikur banesa ku jeton të jetë e vogël, përpiqu të gjesh një vend të përshtatshëm për të mbajtur Biblën dhe botimet biblike. Mbaji në një vend ku mund t’i gjesh kollaj, e ku nuk ka rrezik të dëmtohen.

Studimi familjar

Po të jesh prind, duhet të jesh i interesuar t’i ndihmosh fëmijët e tu për të fituar të njëjtën njohuri që po merr ti. Në vendet në zhvillim, shpesh prindërit e kanë zakon t’u mësojnë fëmijëve shumë gjëra që do t’u duhen për jetën. Për shembull, u mësojnë të gatuajnë, të mbledhin dru, të mbushin ujë, të punojnë tokën, të peshkojnë e të bëjnë pazar. Ky është vërtet edukim për jetën. Mirëpo, shumë prindër nuk përfshijnë në këtë edukim njohurinë që mund t’i çojë në jetën e përhershme.

Cilado qoftë situata jote, ndoshta ti mendon se nuk ke shumë kohë të lirë për këtë. Edhe Krijuesi e kupton një gjë të tillë. Shumë kohë më parë, kur po i këshillonte prindërit se si t’u mësonin fëmijëve rrugët e tij, ai u tha: «Do t’ua ngulitësh bijve të tu [ose bijave], do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.» (Ligji i përtërirë 6:7) Në bazë të këtyre mendimeve, pse të mos përpiqesh të bësh një program tëndin për të mësuar fëmijët, si për shembull:

1. «Kur rri ulur në shtëpinë tënde»: përpiqu të bësh rregullisht biseda me fëmijët në shtëpi,  ndoshta çdo javë, ashtu si mund të ketë bërë dikush me ty. Dëshmitarët e Jehovait kanë botime biblike që janë bërë posaçërisht për të mësuar fëmijë të çdo moshe.

2. «Kur ecën rrugës»: fol për Jehovain me fëmijët në bisedat e lirshme, siç u flet kur u mëson për gjërat e nevojshme të jetës ose kur u jep këshilla.

3. «Kur ke rënë në shtrat»: lutu çdo darkë bashkë me fëmijët.

4. «Kur çohesh»: shumë familje kanë pasur rezultate të mira duke shqyrtuar çdo mëngjes një shkrim nga Bibla. Dëshmitarët e Jehovait përdorin broshurën * Të shqyrtojmë Shkrimet çdo ditë si bazë për këtë diskutim.

Në vendet në zhvillim shumë prindër bëjnë çmos që të paktën njëri nga fëmijët të marrë arsim të mirë shkollor. Kështu, kur të rritet, fëmija do të jetë në gjendje të kujdeset për prindërit e moshuar. Por, në qoftë se studion Biblën dhe i ndihmon të gjithë fëmijët e tu që të bëjnë po kështu, të gjithë si familje do të merrni njohurinë që do t’ju japë mundësi të jetoni përgjithmonë.

A do të vijë ndonjëherë dita kur do të dimë gjithçka? Jo. Ndërkohë që toka jonë vazhdon udhëtimin e vet në universin e paanë, do të vazhdojmë të marrim njohuri. Në fakt, te Predikuesi 3:11 thuhet: «[Perëndia] e ka bërë të bukur çdo gjë në kohën e vet; ka vënë madje përjetësinë në zemrat e tyre, pa i dhënë mundësinë asnjë njeriu të zbulojë veprën që Perëndia ka bërë nga fillimi deri në fund.» Do ta kemi pafundësisht kënaqësinë që të marrim njohuri.

[Shënimet]

^ par. 10 Të dyja janë botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 23 Botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

[Diçitura në faqen 5]

«Kjo do të thotë jetë e përhershme: të marrin njohuri . . .»

[Figurat në faqen 7]

Ndihmoje familjen që të marrë njohuri tani e përgjithmonë