Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

‘Nëse dikush të merr angari’

‘Nëse dikush të merr angari’

 ‘Nëse dikush të merr angari’

«HEJ ti! Mjaft më me atë dhe ec merre këtë këtu!» Si mendoni se mund të kishte reaguar një punëtor jude në shekullin e parë, në qoftë se këtë do t’ia thoshte një ushtar romak? Në Predikimin në Mal, Jezui tha: «Nëse dikush që ka autoritet të merr angari për një kilometër, shko me të dy kilometra.» (Mateu 5:41) Si do ta merrnin këtë këshillë dëgjuesit e Jezuit? Dhe çfarë do të thotë për ne sot?

Për të marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje, duhet të kuptojmë se çfarë ishte shërbimi i detyruar në kohët e lashta. Kjo ishte diçka më se e zakonshme për banorët e Izraelit në ditët e Jezuit.

Shërbimi i detyruar

Dëshmitë e para për shërbimin e detyruar (ose angarinë) në Lindjen e Afërt datojnë që nga shekulli i 18-të p.e.s. Në dokumentet administrative të qytetit të lashtë sirian Alalak, përmenden edhe disa grupe, të cilat qeveria i merrte angari për shërbime personale. Në Ugarit, në bregun sirian, bujqit që merrnin tokë me qira shfrytëzoheshin për shërbime të tilla dhe vetëm mbreti mund t’i lironte nga një detyrim i tillë.

Sigurisht, popujt e pushtuar ose të nënshtruar shpesh bënin punë të detyruar. Mbikëqyrësit e punës në Egjipt i detyronin izraelitët që të punonin si skllevër për të bërë tulla. Më vonë, në Tokën e Premtuar, izraelitët përdorën kananitët për të bërë punë skllevërish dhe e njëjta praktikë u ndoq më pas nga Davidi dhe nga Solomoni.​—Eksodi 1:13, 14; 2 Samuelit 12:31; 1 Mbretërve 9:20, 21.

Kur izraelitët kërkuan të qeveriseshin nga një mbret, Samueli u shpjegoi se çfarë kishte të drejtë të kërkonte një mbret. Ai do të merrte nënshtetasit e tij për të shërbyer si karrocierë dhe kalorës, për të pluguar e për të korrur, për të bërë armë e kështu me radhë. (1 Samuelit 8:4-17) Megjithatë, gjatë ndërtimit të tempullit të Jehovait, kur të huajt përdoreshin për të bërë punë skllevërish, «nga bijtë e Izraelit, Solomoni nuk përdori asnjë për punë të detyruar; ata ishin përkundrazi luftëtarët e tij, shërbëtorët e tij, ministrat e tij, princat e tij, kapedanët e tij, komandantët e qerreve dhe të kalorësve të tij».​—1 Mbretërve 9:22.

Sa për izraelitët që merreshin me projektet e ndërtimit, te 1 Mbretërve 5:13, 14 thuhet: «Mbreti Solomon rekrutoi njerëz për punë të detyruar në tërë Izraelin dhe ata që u caktuan për punë të detyruar ishin tridhjetë mijë njerëz. I dërgonte me turne në Liban nga dhjetë mijë në muaj; kalonin një muaj në Liban dhe dy muaj në shtëpitë e tyre.» Një studiues thotë: «Nuk ka pikë dyshimi që mbretërit izraelitë dhe judenj e përdornin punën angari për të siguruar punëtorë pa pagesë, si në ndërtim, ashtu edhe në tokat e mbretit.»

Gjatë mbretërimit të Solomonit, barra e popullit ishte e rëndë. Kaq e rëndë sa, kur  Rehoboami kërcënoi se do t’ua bënte barrën edhe më të rëndë, të gjithë izraelitët u rebeluan dhe e vranë me gurë të dërguarin e mbretit që ishte përgjegjës i të rekrutuarve për punë të detyruar. (1 Mbretërve 12:12-18) Megjithatë, si sistem nuk u shfuqizua. Asa, nipi i Rehoboamit, thirri njerëzit e Judës, «pa përjashtuar asnjë», për të ndërtuar qytetin e Gebas dhe të Mitspahut.​—1 Mbretërve 15:22.

Nën sundimin romak

Predikimi në Mal tregon se judenjtë e shekullit të parë ishin mësuar me idenë se mund ‘t’i merrnin angari’. Kjo shprehje vjen nga fjala greke aggareuo, që e ka origjinën nga puna që bënin korrierët persë. Ata kishin autoritetin që të merrnin angari njerëz, kuaj, anije ose çdo gjë tjetër që u duhej për të kryer sa më shpejt punët e shtetit.

Në ditët e Jezuit, Izraeli ishte i pushtuar nga romakët të cilët kishin adoptuar një sistem të ngjashëm. Në provincat orientale, përveç taksave të zakonshme, rregullisht ose me raste, nga populli mund të kërkohej edhe punë e detyruar. Sigurisht, këto detyra nuk ishin të pëlqyeshme. Për më tepër, marrja e paautorizuar e kafshëve, e karrocierëve dhe e karrocave për të bërë transportin shtetëror ishte diçka e zakonshme. Sipas historianit Majkëll Rostovcif, administratorët «përpiqeshin të rregullonin [sistemin], por pa sukses, sepse për aq kohë sa vazhdonte kjo praktikë, sigurisht që do të sillte pasoja të këqija. Prefektët, që me ndershmëri përpiqeshin t’i jepnin fund shfrytëzimit arbitrar dhe shtypjes që ishte pjesë e atij sistemi, nxirrnin dekret pas dekreti. . . . Prapëseprapë, sistemi mbetej shtypës».

«Kushdo mund të merrej angari për të mbartur materialet e luftës për njëfarë largësie,​—thotë një studiues grek,​—dhe ishte i detyruar të kryente çdo shërbim që pushtuesi përcaktonte.» Kjo i ndodhi edhe Simonit nga Kirena, të cilit ushtarët romakë «i ngarkuan angari» të mbartte shtyllën e torturës së Jezuit.​—Mateu 27:32.

Edhe në tekstet rabinike përmendet kjo praktikë e papëlqyeshme. Për shembull, një rabin e ngarkuan të mbante mërsina deri te  një pallat. Punëtorët mund t’i merrnin nga pronarët e tyre dhe t’u ngarkonin punë të tjera, ndërkohë që ishin pronarët ata që duhej t’i paguanin. Kafshët e transportit ose qetë mund t’i merrnin kur të donin. Edhe nëse ndodhte t’i kthenin, zor se ishin më në gjendje për punë. Mund ta kuptoni shumë mirë pse kjo lloj marrjeje ishte njësoj si konfiskim. Prandaj një fjalë e urtë judeje thotë: «Angaria është si vdekja.» Një historian pohon: «Një fshat mund të rrënohej nëse u merrnin angari qetë e plugimit, në vend të kafshëve të caktuara për transport.»

Mund ta imagjinoni se sa të papëlqyeshme ishin këto lloj shërbimesh, sepse shpesh i detyronin me arrogancë dhe me të padrejtë. Nga urrejtja e madhe për fuqitë johebreje që sundonin mbi ta, hebrenjtë ishin vërtet të indinjuar nga kjo punë poshtëruese që u kishte ardhur në majë të hundës. Nuk ka asnjë ligj ekzistues që na tregon se deri në ç’largësi ishte i detyruar një qytetar të mbartte një ngarkesë. Ka mundësi që asnjë nuk donte që ta mbante ngarkesën sikur edhe një hap më shumë seç e kërkonte ligji.

Por, pikërisht për këtë e kishte fjalën Jezui kur tha: «Nëse dikush që ka autoritet të merr angari për një kilometër, shko me të dy kilometra.» (Mateu 5:41) Disa, kur e dëgjuan mund të kenë menduar se ajo që po thoshte ishte absurde. Po ku e kishte fjalën ai?

Si duhet të reagojnë të krishterët?

E thënë thjesht, Jezui po u thoshte dëgjuesve se, në rast se një autoritet i detyronte të bënin ndonjë lloj pune të ligjshme, duhej ta bënin me gatishmëri dhe pa u indinjuar. Ata duhej t’i paguanin «Cezarit, gjërat e Cezarit», por pa lënë pas dore detyrimin për t’i dhënë «Perëndisë, gjërat e Perëndisë».​—Marku 12:17. *

Për më tepër, apostulli Pavël i nxiti të krishterët: «Çdo shpirt le të jetë i nënshtruar ndaj autoriteteve më të larta, sepse nuk ka autoritet veçse nga Perëndia; autoritetet ekzistuese janë vendosur në pozitat e tyre relative nga Perëndia. Prandaj, ai që kundërshton autoritetin i është kundërvënë rregullit të Perëndisë. . . . Nëse po bën të keqen, ki frikë: sepse ai nuk e mban më kot shpatën.»​—Romakëve 13:1-4.

Pra, Jezui dhe Pavli e pranonin të drejtën që kishte një mbret ose një qeveri për të dënuar ata që nuk i bindeshin urdhrit. Çfarë lloj dënimi? Në shekullin e parë dhe të dytë të erës sonë, filozofi grek Epikteti, jep një përgjigje: «Nëse papritur bëhet një rekuizim dhe një ushtar ju merr gomarin, lëre ta marrë. Mos e pengo, mos murmurit, përndryshe, jo vetëm që do të humbasësh gomarin, por edhe do të të rrahin.»

 Por, ka raste kur të krishterët, si në lashtësi, ashtu edhe në kohët moderne, kanë kuptuar se nuk mund t’u binden disa kërkesave të shtetit, sepse bien ndesh me ndërgjegjen e tyre të krishterë. Ndonjëherë pasojat kanë qenë serioze. Disa të krishterë janë dënuar me vdekje. Të tjerë kanë kaluar vite në burg se nuk kanë pranuar të marrin pjesë në ato aktivitete që i konsideronin joasnjanëse. (Isaia 2:4; Gjoni 17:16; 18:36) Në raste të tjera, të krishterët kanë kuptuar se mund t’i bindeshin asaj që u kërkohej. Për shembull, disa të krishterë mendojnë se ndërgjegjja ua lejon të kryejnë disa shërbime në administratën civile, ku përfshihen shërbimet joushtarake, të dobishme për komunitetin. Këtu mund të futen ndihma që u jepet të moshuarve ose të gjymtuarve, shërbimi si zjarrfikës, pastrimi i plazheve, puna në park, në pyll, në librari e kështu me radhë.

Natyrisht, kjo është në varësi të vendit. Kështu që, për të vendosur nëse do t’u bindemi kërkesave të shtetit apo jo, çdo i krishterë duhet të ndjekë një ndërgjegje të stërvitur nga Bibla.

Çfarë do të thotë të shkojmë dy kilometra?

Parimi që na mësoi Jezui, i cili thotë se duhet të jemi të gatshëm për të përmbushur kërkesat e ligjshme, vlen jo vetëm për kërkesat shtetërore, por edhe për jetën e përditshme. Për shembull, mund të ndodhë që dikush i cili ka autoritet mbi ty të kërkon të bësh diçka që nuk bie ndesh me ligjin e Perëndisë, por që ty nuk të pëlqen ta bësh. Çfarë do të bësh? Mund të mendosh se nuk është e drejtë sepse po të kërkohet më tepër kohë dhe energji, dhe kështu mund të indinjohesh. Kjo mund të sjellë si rezultat armiqësi. Nga ana tjetër, në qoftë se bindesh, por e bën me mllef, mund të humbasësh paqen tënde të brendshme. Zgjidhja? Vepro ashtu si tha Jezui: shko me të dy kilometra. Bëj jo vetëm atë që të kërkohet, por edhe më shumë. Bëje me dëshirë. Duke pasur këtë këndvështrim, nuk do të mendosh se po të shfrytëzojnë, në fund të fundit ti je vetë zot i veprimeve të tua.

Një autor shkruan: «Shumë njerëz e kalojnë jetën duke bërë vetëm ato gjëra që janë të detyruar t’i bëjnë. Jeta është e vështirë për ta dhe janë gjithë kohën të lodhur. Të tjerët shkojnë përtej ndjenjës së detyrës dhe i ndihmojnë me gatishmëri të tjerët.» Në fakt, shumë herë njeriut i duhet të zgjedhë nëse duhet të bëjë vetëm atë kilometër që ka për detyrë apo të bëjë dy. Në rastin e parë, njeriu kërkon më shumë të drejtën e tij. Ndërsa në të dytin, mund të jetë shpërblyese në shumë mënyra. Po ti, në cilin rast bën pjesë? Mund të jesh më i lumtur dhe më frytdhënës, nëse e sheh punën tënde, jo vetëm si detyrë a diçka që duhet ta bësh, por si diçka që ke dëshirë ta bësh.

Po në qoftë se ke autoritet? Është e qartë që nuk tregon dashuri dhe nuk është e krishterë t’i detyrosh të tjerët të bëjnë diçka pa dëshirë. «Sundimtarët e kombeve sillen si padronë me to dhe njerëzit e mëdhenj ushtrojnë autoritet mbi to»,​—tha Jezui. Por të krishterët nuk veprojnë kështu. (Mateu 20:25, 26) Edhe pse një qëndrim autoritar sjell rezultat, marrëdhëniet e njerëzve që përfshihen do të ishin më të mira nëse, ajo që kërkohet, bëhet me respekt dhe gëzim. Po, gatishmëria për të bërë dy në vend të vetëm një kilometri, mund të na e pasurojë jetën.

[Shënimi]

^ par. 18 Për një shqyrtim më të plotë se çfarë do të thotë ‘t’i paguash Cezarit, gjërat e Cezarit, kurse Perëndisë, gjërat e Perëndisë’, shih Kullën e Rojës të 1 majit 1996, faqet 15-20.

[Kutia në faqen 25]

KEQPËRDORIMI I ANGARISË NË LASHTËSI

Angaria shpesh përdorej nga disa si pretekst për të shfrytëzuar të tjerët, e kjo duket qartë nga dekretet që kishin dalë për t’u vënë fre këtyre abuzimeve. Në vitin 118 p.e.s., Ptolemeu VIII i Egjiptit dekretoi se zyrtarët e tij «nuk duhej të merrnin asnjë banor të vendit për shërbime personale, as të merrnin me forcë (aggareuein) kafshët e punës për punët e tyre personale». Për më tepër: «Askush nuk duhet të rekuizojë . . . varkat për përdorim personal, cilido qoftë preteksti.» Në një mbishkrim të vitit 49 p.e.s., në tempullin e Oazit të Madh egjiptian, prefekti romak Virgjil Kapito pranonte se ushtarët kishin bërë rekuizime të paligjshme dhe ai vendosi se «askush nuk duhet të marrë apo të rekuizojë . . . asgjë, në rast se nuk ka autorizim me shkrim nga unë».

[Figura në faqen 24]

Simonin nga Kirena e morën angari

[Figura në faqen 26]

Shumë Dëshmitarë i kanë futur në burg për qëndrimin e tyre si të krishterë