Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Falja

Falja

 Falja

(Ky artikull është një përkthim nga libri Mendjehollësi mbi Shkrimet, Vëllimi 1, faqet 861-862, anglisht.)

VEPRIMI i faljes së një fajtori; të mos i mbash më mëri atij për shkak të fajit që ka bërë dhe të heqësh dorë nga çdo pretendim për kompensim. Folja hebraike salachʹ (fal) është përdorur vetëm në kuptimin që Perëndia e fal një mëkatar. Termi grek afiemi fjalë për fjalë do të thotë «të lësh të shkojë».​—Shih NDJESË.

Sipas ligjit që Perëndia i dha kombit të Izraelit, ai që kishte mëkatuar ndaj Perëndisë ose ndaj njerëzve e donte që t’i faleshin mëkatet, në fillim duhej të ndreqte gabimin siç e parashtronte Ligji dhe pastaj, në shumicën e rasteve, t’i paraqiste Jehovait një blatim gjaku. (Levitiku 5:5​—6:7) Nisur nga kjo, Pavli shpalli këtë parim: «Po, sipas Ligjit, pothuajse të gjitha gjërat janë të pastruara me gjak dhe pa u derdhur gjak nuk bëhet asnjë falje.» (Hebrenjve 9:22) Megjithatë, në të vërtetë gjaku i flijimeve të kafshëve nuk mund t’i hiqte mëkatet dhe t’i jepte individit një ndërgjegje plotësisht të pastër. (Hebrenjve 10:1-4; 9:9, 13, 14) Në dallim me këtë, besëlidhja e re e parathënë bëri të mundur faljen e vërtetë, të bazuar në flijimin shpërblyes të Jezu Krishtit. (Jeremia 31:33, 34; Mateu 26:28; 1 Korintasve 11:25; Efesianëve 1:7) Edhe kur ishte në tokë, duke shëruar një të paralizuar, Jezui demonstroi se kishte autoritet për të falur mëkatet.​—Mateu 9:2-7.

Jehovai fal «në një masë të madhe». Kjo tregohet nga ilustrimet e Jezuit për djalin plëngprishës dhe për mbretin që i fali një skllavi një borxh prej 10.000  talentash (60.000.000 denarë ose afërsisht 40.000.000 dollarë), kurse ky skllav nuk donte t’i falte një skllavi tjetër një borxh prej vetëm njëqind denarësh (afërsisht 70 dollarë). (Isaia 55:7, BR; Luka 15:11-32; Mateu 18:23-35) Megjithatë, falja nga ana e Jehovait nuk nxitet nga sentimentalizmi, sepse ai nuk i lë pa ndëshkuar veprimet famëkeqe. (Psalmi 99:8) Josiu e paralajmëroi Izraelin se Jehovai nuk do ta falte apostazinë e tyre.​—Josia 24:19, 20; krahaso Isainë 2:6-9.

Perëndia ka një mënyrë të caktuar se si dikush mund të kërkojë e të marrë faljen e tij. Një person duhet ta pranojë mëkatin e tij, të kuptojë që kjo është një fyerje ndaj Perëndisë, ta rrëfejë plotësisht atë, të ndiejë një keqardhje të thellë në zemër për gabimin e bërë dhe të jetë i vendosur për t’u larguar nga një rrugë ose praktikë e tillë. (Psalmi 32:5; 51:4; 1 Gjonit 1:8, 9; 2 Korintasve 7:8-11) Ai duhet të bëjë çmos për të ndrequr gabimin a dëmin që ka bërë. (Mateu 5:23, 24) Pas kësaj, duhet t’i lutet Perëndisë, duke i kërkuar falje në bazë të flijimit shpërblyes të Krishtit.​—Efesianëve 1:7; shih PENDIMI.

Për më tepër, të falësh të tjerët për lëndime personale, pavarësisht se sa herë përsëritet kjo, është një kërkesë e krishterë. (Luka 17:3, 4; Efesianëve 4:32; Kolosianëve 3:13) Perëndia nuk u jep faljen atyre që nuk pranojnë të falin të tjerët. (Mateu 6:14, 15) Megjithatë, edhe kur një keqbërje e rëndë çon në përjashtimin e ‘njeriut të lig’ nga kongregacioni i krishterë, ky person, në kohën e duhur, mund të falet, nëse jep prova që është penduar me të vërtetë. Atëherë, të gjithë në kongregacion mund të vërtetojnë dashurinë e tyre për të. (1 Korintasve 5:13; 2 Korintasve 2:6-11) Gjithsesi, të krishterëve nuk u kërkohet të falin ata që praktikojnë mëkatin me ligësi, me vullnetin e tyre dhe pa u penduar. Njerëz të tillë bëhen armiq të Perëndisë.​—Hebrenjve 10:26-31; Psalmi 139:21, 22.

Është e përshtatshme të lutemi për të kërkuar faljen e Perëndisë në dobi të të tjerëve, madje edhe të një kongregacioni të tërë. Moisiu bëri kështu për kombin e Izraelit, duke rrëfyer mëkatin e tyre si komb e duke kërkuar falje, dhe u dëgjua në mënyrë të favorshme nga Jehovai. (Numrat 14:19, 20) Gjithashtu, Solomoni, në dedikimin e tempullit, u lut që Jehovai të mund ta falte popullin e tij kur të mëkatonte e pastaj të kthehej mbrapsht nga rruga e gabuar. (1 Mbretërve 8:30, 33-40, 46-52) Ezdra veproi si përfaqësues në rrëfimin publik të mëkateve të judenjve të riatdhesuar. Lutja nga zemra dhe nxitja e tij bënë që populli të ndërmerrte hapa për të marrë faljen e Jehovait. (Ezdra 9:13​—10:4, 10-19, 44) Jakovi dha nxitjen që një i sëmurë frymësisht të thërrasë pleqtë e kongregacionit që të luten mbi të dhe «nëse ka kryer mëkate, do t’i falen». (Jakovit 5:14-16) Megjithatë, ka «një mëkat që çon në vdekje», domethënë mëkati kundër frymës së shenjtë, praktikimi me vullnet i mëkatit, dhe për këtë nuk ka falje. Një i krishterë nuk duhet të lutet për ata që kryejnë një mëkat të tillë.​—1 Gjonit 5:16; Mateu 12:31; Hebrenjve 10:26, 27; shih MËKATI; FRYMA.