Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çfarë parimesh zgjidhni?

Çfarë parimesh zgjidhni?

 Çfarë parimesh zgjidhni?

A JENI njerëz që udhëhiqeni nga parimet? Apo mendoni se normat morale janë paksa të dala mode? E vërteta është se të gjithë udhëhiqen nga parime të ndonjë lloji, që ata besojnë se janë të rëndësishme. Parimi mund të përkufizohet si «një kod personal veprimesh të drejta». Parimet ndikojnë në vendimet tona dhe përcaktojnë drejtimin që marrim në jetë. Ato mund të veprojnë si një busull.

Për shembull, Jezui i nxiti ithtarët e tij që të zbatonin Rregullën e Artë, të cilën e gjejmë te Mateu 7:12, ku thuhet: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre.» Pasuesit e Konfucit ndjekin parimet li dhe jen, të cilat kanë të bëjnë me cilësi të tilla, si: mirëdashja, përulësia, respekti dhe besnikëria. Edhe njerëzit që nuk janë fetarë kanë disa parime ose udhëzime që përcaktojnë sjelljen e tyre.

Parime të cilit lloj?

Megjithatë, bëjmë mirë të mbajmë në mend se parimet mund të jenë të mira ose të këqija. Për shembull, një numër gjithnjë e më i madh njerëzish motivohen nga ajo që për afro dhjetë vjetët e fundit është përcaktuar si uni. Ndonëse shumë mund të mos e njohin këtë term ose mund të mendojnë se nuk zbatohet për ta, uni është një kod sjelljeje të cilin shumë e përdorin, dalëngadalë që braktisin normat e larta të sjelljes. Identifikohet apo jo nga ky term, uni është një shfaqje e egoizmit, shpesh e shoqëruar me materializmin e pakuptimtë. «Kemi vetëm dy parime,​—pohoi një administrator televiziv në Kinë.​—Njëri parim është të plotësojmë kërkesat tona. Tjetri është të bëjmë para.»

Uni mund të veprojë si një magnet. Si ndikon magneti te një busull? Kur vendosen afër njëri-tjetrit, gjilpëra e busullës humbet drejtimin. Në të njëjtën mënyrë, uni mund ta ngatërrojë busullën morale ose kodin e sjelljes së drejtë të një personi, duke ia nënshtruar gjithçka dëshirave të atij personi.

A do të habiteshit po të merrnit vesh se uni nuk është një dukuri moderne? Kjo mënyrë jetese e pati origjinën në kopshtin e Edenit, kur prindërit tanë të parë braktisën normën e sjelljes që kishte vendosur Krijuesi. Kjo ua ngatërroi busullën morale. Si pasardhës të Adamit dhe të Evës, njerëzit ballafaqohen me të njëjtën mënyrë jetese, që kohët e fundit është quajtur «uni».​—Zanafilla 3:6-8, 12.

Përhapja e këtij qëndrimi vërehet në mënyrë të veçantë gjatë këtyre ‘ditëve të fundit’, siç i quajnë profecitë e Biblës, ditë që janë të karakterizuara nga «kohë kritike, të vështira për t’u përballuar». Shumë njerëz janë «të dashuruar pas vetes». S’është për t’u habitur që jemi nën presion për të imituar këtë mënyrë  jetese, unin.​—2 Timoteut 3:1-5.

Ndoshta do të jeni të një mendimi me një të ri me emrin Olaf, i cili i shkroi një dege në Evropë të Dëshmitarëve të Jehovait: «Është shumë e vështirë të mbetesh i ndershëm nga ana morale, sidomos për ne të rinjtë. Ju lutem, vazhdoni të na kujtoni nevojën për t’u mbajtur fort pas parimeve biblike.»

Olafi paraqiti një pikëpamje që tregon gjykim të thellë. Parimet hyjnore mund të na ndihmojnë të gjithëve​—të rinj a të moshuar​—që t’u përmbahemi normave të larta të sjelljes. Gjithashtu, mund të na ndihmojnë t’i kundërvihemi unit, pavarësisht nëse quhet ashtu apo jo. Nëse dëshironi të dini më shumë se si mund t’ju ndihmojnë vërtet parimet biblike, ju lutemi, shqyrtoni artikullin vijues.

[Figurat në faqen 4]

Shumë njerëz sot nuk i marrin fare parasysh nevojat e të tjerëve