Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Respekti për autoritetin: Përse mungon?

Respekti për autoritetin: Përse mungon?

 Respekti për autoritetin: Përse mungon?

«Kundërshtimi i hapur i autoritetit të vendosur, fetar dhe shekullar, shoqëror dhe politik, si një fenomen mbarëbotëror, një ditë mund të konsiderohet fare mirë si ngjarja më e shquar e dekadës së fundit.»

QË NGA vitet 60 të shekullit të 20-të, së cilës dekadë i referohet këtu historiania dhe filozofja Hana Arent, kanë kaluar vite. Sot vala e mungesës së respektit për autoritetin është më e fortë se kurrë më parë.

Për shembull, në një raport të kohëve të fundit në The Times të Londrës, pohohet: «Disa prindër refuzojnë ta pranojnë autoritetin e mësuesit mbi fëmijët e tyre dhe, kur bëhen përpjekje për të disiplinuar fëmijët, ankohen.» Shpesh, kur disiplinohen fëmijët në shkollë, prindërit shkojnë atje jo thjesht për t’i kërcënuar mësuesit, por për t’i sulmuar.

Një zëdhënës për Shoqatën Kombëtare të Drejtorëve të Shkollave në Britani, citohet të ketë thënë: «Njerëzit janë duke thënë ‘kam të drejta’, në vend që të thonë ‘kam përgjegjësi’.» Përveçse nuk arrijnë të ngulitin te fëmijët e tyre një respekt të shëndetshëm për autoritetin, disa prindër nuk i korrigjojnë të vegjlit dhe refuzojnë t’i lënë të tjerët ta bëjnë këtë punë. Fëmijët që pretendojnë «të drejtat» e tyre lejohen që të shpërfillin autoritetin e prindërve dhe të mësuesve, dhe rezultati është i parashikueshëm. «Një brez i ri pa respekt për autoritetin dhe që s’e ka idenë çfarë është e drejtë dhe e gabuar»,​—shkruan gazetarja Margaret Driskoll.

Revista Time, në artikullin «Brezi i humbur», nxori në pah zhgënjimin e shumë të rinjve rusë, duke cituar një këngëtar të famshëm të muzikës rep, i cili tha: «Si ka mundësi që dikush i lindur në këtë botë, ku asgjë nuk zgjat shumë dhe ku asgjë nuk është e ndershme, të ketë besim te shoqëria?» Sociologu Mikail Topalov shprehu këtë mendim: «Këta të rinj nuk janë budallenj. Kanë parë që shteti i ka gënjyer prindërit e tyre, i kanë parë këta të fundit të humbin kursimet dhe punën. A mund të presim nga ata që ta respektojnë autoritetin?»

Gjithsesi, do të ishte e gabuar të nxirrnim përfundimin se mosbesimi në autoritetin karakterizon vetëm brezin e ri. Sot, njerëz të çdo moshe e shohin çdo lloj autoriteti me mosbesim, e madje, me shpërfillje. A do të thotë kjo se nuk mund t’i besojmë asnjë lloj autoriteti? Nëse ushtrohet në mënyrën e duhur, autoriteti, i cili përkufizohet si «fuqia ose e drejta për të kontrolluar, gjykuar ose për të ndaluar veprimet e të tjerëve», mund të jetë një forcë që vepron për mirë. Mund të jetë i dobishëm si për individët, ashtu edhe për shoqërinë. Artikulli vijues do të shqyrtojë si bëhet kjo.