Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga ndërtimi i armëve në shpëtimin e jetëve

Nga ndërtimi i armëve në shpëtimin e jetëve

 Jetëshkrim

Nga ndërtimi i armëve në shpëtimin e jetëve

TREGUAR NGA ISIDOROS ISMAILIDIS

Isha i ulur në gjunjë dhe lotët më rridhnin nëpër faqe. «Oh, Perëndi, ndërgjegjja më thotë se nuk mund të vazhdoj të punoj në prodhimin e armëve,​—i thashë në lutje,​—Jam përpjekur shumë të gjej një punë tjetër, por nuk kam gjetur dot. Nesër do të jap fletën e dorëheqjes. Të lutem, Jehova, mos lër që katër fëmijët tanë të vdesin urie.» Si arrita në këtë pikë?

JETA në Dramë, në Greqinë Veriore, ku linda unë në vitin 1932, ishte e qetë dhe e thjeshtë. Babai më fliste gjithnjë për dëshirat që kishte për mua. Më inkurajonte të shkoja në Shtetet e Bashkuara për t’u arsimuar. Pasi Greqia u plaçkit gjatë Luftës II Botërore, një moto që mbizotëronte ndër grekërit ishte: «Mund të na i vidhni zotërimet, por nuk mund të na vidhni kurrë atë që kemi në mendje.» Isha i vendosur të ndiqja arsimin e lartë dhe të fitoja diçka që askush nuk do të ishte në gjendje të ma vidhte.

Që kur isha i ri, isha futur në grupe të ndryshme të rinjsh, të mbështetur nga Kisha Ortodokse Greke. Na thoshin që t’i shmangnim sektet e rrezikshme. Mbaj mend në mënyrë të veçantë një grup që përmendej, Dëshmitarët e Jehovait, meqë supozohej se ata përfaqësonin antiKrishtin.

Pasi u diplomova në një shkollë teknike në Athinë, në vitin 1953, shkova në Gjermani që të kërkoja një punë dhe të vazhdoja shkollën në të njëjtën kohë. Por ky plan nuk më eci, kështu që shkova në vende të tjera. Pas disa javësh, u gjenda në një port në Belgjikë, pa asnjë para me vete. Mbaj mend që shkova në një kishë, u ula dhe qava kaq fort, saqë kishte lot edhe në dysheme. U luta që, nëse Perëndia do të më ndihmonte të shkoja në Shtetet e Bashkuara, nuk do të rendja  pas gjërave materiale, por do të arsimohesha dhe do të përpiqesha të isha i krishterë i mirë dhe qytetar i mirë. Më në fund, në vitin 1957, mbërrita atje.

Jetë e re në Shtetet e Bashkuara

Jeta në Shtetet e Bashkuara ishte e vështirë për një imigrant që nuk dinte gjuhën dhe nuk kishte asnjë para. Bëja dy punë gjatë natës dhe përpiqesha me mundim për të shkuar në shkollë gjatë ditës. Ndoqa disa kolegje dhe mora një diplomë parauniversitare. Pastaj ndoqa Universitetin e Kalifornisë, në Los Anxhelos, dhe mora një diplomë në shkencat e natyrës, në fizikën e aplikuar. Fjalët e babait që më nxitnin të arsimohesha më mbajtën që të vazhdoja gjatë këtyre viteve të vështira.

Rreth kësaj kohe, takova një vajzë tërheqëse greke, Ekaterinin, dhe u martuam në vitin 1964. Djali i parë na lindi tre vjet më vonë dhe në më pak se katër vjet, patëm edhe dy djem të tjerë dhe një vajzë. Ishte vërtet një sfidë të mbaje familjen dhe, në të njëjtën kohë, të studioje në universitet.

Punoja për Forcat Ajrore të SHBA-së, në një kompani projektesh të hapësirës dhe të raketave në Saniveil, Kaliforni. Punova në një shumëllojshmëri projektesh ajër-hapësirë, ku përfshiheshin edhe programet Agena dhe Apollo. Madje, mora medalje për kontributin që dhashë në misionet Apollo 8 dhe Apollo 11. Pas kësaj, vazhdova arsimimin dhe u përfshiva thellësisht në projekte të ndryshme ushtarake për hapësirën. Në këtë pikë, mendoja se kisha gjithçka: një grua të dashur, katër fëmijë të mrekullueshëm, një punë me prestigj dhe një shtëpi të këndshme.

Një koleg ngulmues

Në fillim të vitit 1967, takova në punë Xhimin, një njeri shumë të përulur e dashamirës. Xhimi dukej sikur kishte gjithnjë buzëqeshje në fytyrë dhe nuk ma refuzonte asnjëherë ftesën për të pirë kafe bashkë. Këto raste i përdorte për të më dhënë informacione nga Bibla. Xhimi më tha se kishte studiuar me Dëshmitarët e Jehovait.

U trondita kur dëgjova se Xhimi ishte përfshirë me këtë grup fetar. Si ishte e mundur që një njeri kaq i mirë të binte viktimë e sektit të antiKrishtit? Gjithsesi, nuk i rezistoja dot interesit personal që tregonte Xhimi ndaj meje dhe dashamirësisë së tij. Dukej se çdo ditë ai kishte diçka të ndryshme që të ma jepte ta lexoja. Për shembull, një ditë erdhi në zyrën time dhe më tha: «Isidoros, ky artikull në Kullën e Rojës flet si të forcohet jeta familjare. Merre në shtëpi dhe lexoje së bashku me gruan.» I thashë se do ta lexoja artikullin, por më vonë shkova në banjo, e bëra copë-copë revistën dhe e hodha në koshin e plehrave.

Për tre vjet, grisja çdo libër dhe revistë që më jepte Xhimi. Duke pasur paragjykime ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, por duke dashur ta mbaja mik Xhimin, mendoja se më e mira ishte ta dëgjoja atë që kishte për të më thënë dhe pastaj ta hiqja menjëherë nga mendja.

Gjithsesi, nga ato biseda kuptova se shumica e gjërave në të cilat besoja dhe që i praktikoja nuk ishin të bazuara në Bibël. Kuptova se mësimet e  Trinitetit, të zjarrit të ferrit dhe të pavdekësisë së shpirtit nuk ishin biblike. (Predikuesi 9:10; Ezekieli 18:4; Gjoni 20:17) Duke qenë një ortodoks grek krenar, nuk doja ta pranoja haptazi se Xhimi kishte të drejtë. Por meqë përdorte gjithnjë Biblën dhe nuk më jepte asnjëherë opinionin e tij personal, më në fund e kuptova se ky njeri kishte një mesazh të vlefshëm për mua nga Bibla.

Gruaja ime e kuptoi se po ndodhte diçka dhe më pyeti nëse kisha folur me mikun tim, që shoqërohej me Dëshmitarët. Kur iu përgjigja po, më tha: «Të shkojmë në çdo kishë tjetër, por jo te Dëshmitarët e Jehovait.» Gjithsesi, shumë shpejt unë dhe gruaja, së bashku me fëmijët tanë, ndiqnim rregullisht mbledhjet e Dëshmitarëve.

Një vendim i vështirë

Ndërsa studioja Biblën, ndesha këto fjalë të profetit Isaia: «Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën.» (Isaia 2:4) Pyeta veten: ‘Si mundet një shërbëtor i Perëndisë që do paqen, të jetë i punësuar në projektimin dhe prodhimin e armëve shkatërrimtare?’ (Psalmi 46:9) Nuk m’u desh shumë kohë që të nxirrja përfundimin se më duhej të ndryshoja punën.

Kuptohet, kjo ishte një sfidë shumë e madhe. Kisha një punë të rëndësishme. Kisha luftuar vite të tëra duke punuar shumë, duke u arsimuar dhe duke bërë sakrifica për të arritur në këtë pikë. Kisha ngjitur shkallët e karrierës së korporatës dhe tani gjendesha përballë vendimit për të hequr dorë nga kjo karrierë. Megjithatë, dashuria e thellë për Jehovain dhe dëshira e zjarrtë për të bërë vullnetin e tij, në fund fituan.​—Mateu 7:21.

Vendosa të kërkoja punësim në një firmë në Siatëll, Uashington. Por, u zhgënjeva kur, pas pak kohe, zbulova se isha edhe më tepër i përfshirë me punë që nuk ishin në harmoni me Isainë 2:4. Përpjekjet për të punuar vetëm në projekte të tjera dështuan dhe ndërgjegjja filloi të më shqetësonte përsëri. E kuptova qartë se nuk mund të mbaja punën dhe, në të njëjtën kohë, të kisha një ndërgjegje të pastër.​—1 Pjetrit 3:21.

U bë e qartë se do të na duhej të bënim ndryshime të rëndësishme. Në më pak se gjashtë muaj, ndryshuam mënyrën e jetesës dhe i përgjysmuam shpenzimet e familjes. Pastaj, shitëm shtëpinë luksoze dhe blemë një të vogël në Denver, Kolorado. Tani isha gati për hapin e fundit: të lija punën. Shkrova letrën e dorëheqjes, duke shpjeguar pozicionin tim për shkak të ndërgjegjes. Atë natë, pasi fëmijët kishin rënë për të fjetur, u përkula në gjunjë së bashku me gruan dhe iu lutëm Jehovait, siç përmendej në fillim të këtij artikulli.

Në më pak se një muaj, u transferuam në Denver dhe dy javë më vonë, në korrik të vitit 1975, unë dhe gruaja u pagëzuam. Për gjashtë muaj nuk arrita të gjeja punë dhe dalëngadalë po na mbaronin të gjitha kursimet. Në muajin e  shtatë, bilanci i llogarisë së kursimeve ishte më i vogël se hipoteka mujore mbi shtëpinë. Fillova të kërkoja çfarëdo pune të rastit që do të mund të gjeja, por menjëherë pas kësaj, gjeta një punë si inxhinier. Rroga ishte vetëm gjysma e asaj që merrja më parë, por, gjithsesi, ishte shumë më tepër se ajo që i kisha kërkuar Jehovait. Sa i lumtur isha që i kisha vënë interesat frymore në vend të parë!​—Mateu 6:33.

I rritim fëmijët që të duan Jehovain

Ndërkohë, Ekaterini dhe unë ishim të zënë me punën sfiduese të rritjes së katër fëmijëve në harmoni me parimet hyjnore. Lumturisht, me ndihmën e Jehovait, që të gjithë ata janë bërë të krishterë të pjekur, duke e dedikuar plotësisht jetën e tyre në veprën e rëndësishme të predikimit të Mbretërisë. Tre djemtë, Kristos, Lakes dhe Gregori, që të gjithë janë diplomuar në Shkollën e Stërvitjes për Shërbim dhe tani po shërbejnë në caktime të ndryshme, duke vizituar dhe duke forcuar kongregacionet. Toula, vajza, punon si vullnetare në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Nju-Jork. Na u prek shumë zemra kur pamë se të gjithë ata sakrifikuan karriera premtuese dhe punë me paga të larta, që t’i shërbenin Jehovait.

Shumë kanë pyetur çfarë gjendet pas kësaj rritjeje të suksesshme të fëmijëve. Sigurisht, nuk ka ndonjë formulë të caktuar për të rritur fëmijët, por ne u përpoqëm me zell të ngulitnim në zemrën e tyre dashurinë për Jehovain dhe për të afërmin. (Ligji i përtërirë 6:6, 7; Mateu 22:37-39) Fëmijët mësuan se nuk mund t’i themi Jehovait që e duam, nëse veprat tona nuk e tregojnë këtë.

Një ditë në javë, zakonisht të shtunën, merrnim pjesë në shërbim si familje. Mbanim rregullisht studimin biblik familjar të hënën në mbrëmje, pas darke, dhe bënim, gjithashtu, studim biblik me çdo fëmijë më vete. Kur fëmijët ishin më të vegjël, studionim me secilin prej tyre për periudha të shkurtra në disa ditë të javës, ndërsa kur u rritën, bënim studime më të gjata, një herë në javë. Gjatë këtyre studimeve, fëmijët flitnin lirisht dhe i diskutonin pa ndrojtje me ne problemet e tyre.

Gjithashtu, gëzonim zbavitje ndërtuese si familje. Na pëlqente t’u binim veglave muzikore së bashku dhe çdo fëmijë kishte shumë qejf të luante këngët e tij ose të saj të preferuara. Gjatë disa fundjavëve, ftonim familje të tjera për të pasur shoqëri ndërtuese. Bënim edhe udhëtime si familje. Në një udhëtim të tillë, kaluam dy javë duke eksploruar malet e Kolorados dhe duke punuar me kongregacionet vendase në shërbimin në fushë. Fëmijët tanë e kujtojnë me kënaqësi kur merrnin pjesë në kongreset krahinore në reparte të ndryshme dhe kur ndihmonin  në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në vende të ndryshme. Kur i çuam fëmijët në Greqi, për të vizituar të afërmit, patën mundësi, gjithashtu, të takonin shumë Dëshmitarë besnikë që kishin qenë në burg për besimin e tyre. Kjo u la mbresa të thella, duke i ndihmuar të jenë të vendosur që të qëndrojnë të palëkundur dhe të guximshëm për të vërtetën.

Sigurisht, ndonjëherë disa fëmijë u sollën keq ose bënë zgjedhje jo të mira lidhur me shoqëritë. Herë të tjera, krijuam ne probleme për ta, duke qenë ndoshta tepër kufizues në disa aspekte. Por, duke iu drejtuar ‘normës mendore të Jehovait’, e cila gjendet në Bibël, morëm ndihmë për t’i rregulluar gjërat.​—Efesianëve 6:4; 2 Timoteut 3:16, 17.

Koha më e lumtur në jetën time

Pasi fëmijët ndërmorën shërbimin e plotkohor, unë dhe Ekaterini filluam të mendonim seriozisht çfarë mund të bënim për të zgjeruar pjesëmarrjen tonë në këtë vepër jetëshpëtuese. Kështu, në vitin 1994, pasi dola në pension para kohe, filluam të shërbenim të dy si pionierë të rregullt. Shërbimi ynë përfshin vizita nëpër kolegjet dhe universitetet lokale, ku u dëshmojmë studentëve dhe drejtojmë studime biblike me disa prej tyre. Duke qenë se mund t’i kuptoj vështirësitë e tyre, pasi kisha qenë në situatën e tyre jo shumë vjet më parë, kam pasur shumë sukses duke i ndihmuar që të mësojnë për Jehovain. Sa gëzim ka qenë të studioj me studentë nga Bolivia, Brazili, Egjipti, Etiopia, Kili, Kina, Meksika, Tailanda dhe Turqia! Më pëlqen edhe dëshmia me telefon, veçanërisht kur u dëshmoj njerëzve që flasin gjuhën time amtare.

Ndonëse kam shumë kufizime për shkak të theksit të rëndë grek dhe të moshës së shkuar, jam përpjekur gjithnjë të vihem në dispozicion dhe të kem frymën e Isaisë, i cili shpalli: «Ja ku jam, dërgomë mua!» (Isaia 6:8) Kemi pasur gëzimin të ndihmojmë më shumë se gjysmë duzine njerëz t’ia dedikojnë jetën Jehovait. Kjo ka qenë patjetër koha më e lumtur për ne.

Një kohë, e gjithë jeta ime rrotullohej rreth ndërtimit të armëve përbindëshe për të vrarë njerëz të tjerë. Por, Jehovai, me anë të dashamirësisë së tij të pamerituar, hapi udhën që unë dhe familja ime të bëheshim shërbëtorë të dedikuar dhe ta përdornim jetën tonë për t’u çuar njerëzve lajmin e mirë të jetës së përhershme në një tokë parajsore. Ndërsa meditoj për vendimet e vështira që më është dashur të marr, më vijnë në mend fjalët e Malakisë 3:10, ku thuhet: «Më vini në provë për këtë gjë,​—thotë Zoti i ushtrive,​—në se unë nuk do t’i hap pragjet e qiellit dhe nuk do të derdh mbi ju aq shumë bekim, sa nuk do të keni vend të mjaftueshëm ku ta shtini.» Ai e ka bërë vërtet këtë me dëshirat tona!

[Kutia dhe figura në faqen 27]

Lakes: Babai e përbuzte hipokrizinë. Përpiqej shumë të mos ishte hipokrit, veçanërisht duke lënë shembullin e duhur për familjen tonë. Na thoshte shpesh: «Nëse ia dedikoni jetën Jehovait, kjo nënkupton diçka. Duhet të jeni gati për të bërë sakrifica për Jehovain. Kjo do të thotë të jesh i krishterë.» Këto fjalë më kanë mbetur në mendje dhe më kanë aftësuar për të ndjekur shembullin e tij, duke bërë sakrifica për Jehovain.

[Kutia dhe figura në faqen 27]

Kristos: E kam vlerësuar shumë besnikërinë me gjithë shpirt të prindërve të mi ndaj Jehovait dhe angazhimin e tyre të madh në përgjegjësinë si prindër. Si familje, bënim çdo gjë së bashku: që nga shërbimi e deri te pushimet. Ndonëse mund të ishin të përfshirë në shumë gjëra të tjera, prindërit e mi e mbanin jetën të thjeshtë dhe përqendroheshin te shërbimi. Sot, e di që provoj lumturinë më të madhe kur jam tërësisht i angazhuar në shërbim të Jehovait.

[Kutia dhe figura në faqen 28]

Gregori: Më shumë se fjalët e inkurajimit për të zgjeruar shërbimin tim, shembulli i prindërve dhe dëshmia e gëzimit që provonin në shërbimin e Jehovait më shtyu të peshoja edhe një herë rrethanat e mia, të vija mënjanë shqetësimet dhe ankthet rreth fillimit të shërbimit të plotkohor dhe të angazhohesha më plotësisht në veprën e Jehovait. I falënderoj prindërit se më ndihmuan të gjej gëzimin që vjen duke ushtruar veten energjikisht.

[Kutia dhe figura në faqen 28]

Toula: Prindërit e mi e theksonin gjithnjë se marrëdhënia jonë me Jehovain është gjëja më e çmuar që mund të kemi ndonjëherë në zotërim dhe se mënyra e vetme për të qenë vërtet të lumtur është duke i dhënë Jehovait më të mirën tonë. Ata na e bënë Jehovain shumë real. Babai na thoshte shpesh se është një ndjenjë e papërshkrueshme të kesh mundësi të shkosh çdo natë për të fjetur, me një ndërgjegje të pastër, duke e ditur se je përpjekur me më të mirën tënde për ta bërë Jehovain të lumtur.

[Figura në faqen 25]

Kur isha ushtar në Greqi, 1951

[Figura në faqen 25]

Me Ekaterinin në vitin 1966

[Figura në faqen 26]

Familja në vitin 1996: (nga e majta në të djathtë, prapa) Gregori, Kristos, Toula; (para) Lakes, Ekaterini dhe unë