Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Karrocat dhe një kurorë të mbrojnë

Karrocat dhe një kurorë të mbrojnë

«Kjo do të ndodhë nëse i bindeni plotësisht zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj.»​—ZAK. 6:15.

KËNGËT: 61, 22

1, 2. Cila ishte gjendja e judenjve në Jerusalem në fund të vegimit të shtatë të Zakarisë?

KUR përfundon vegimi i shtatë, profeti Zakaria ka shumë për të menduar. Jehovai garantoi se do t’u kërkonte llogari njerëzve të pandershëm për veprat e tyre të liga. Me siguri që ky premtim i dha forcë Zakarisë. Mirëpo, në realitet nuk kishte ndryshuar asgjë. Pandershmëria dhe praktika të tjera të liga ekzistonin ende, dhe rindërtimi i tempullit të Jehovait në Jerusalem ishte larg përfundimit. Si e braktisën aq shpejt judenjtë detyrën që u kishte caktuar Perëndia?! Mos ishin kthyer në atdhe thjesht për të parë interesin e vet?!

2 Zakaria e dinte se judenjtë e transferuar në Jerusalem ishin burra e gra plot besim. Ishin ata që «Perëndia i vërtetë u kishte zgjuar frymën» për të lënë sigurinë e shtëpive dhe të bizneseve të tyre. (Ezd. 1:2, 3, 5) Ata u larguan nga një vend që e njihnin mirë për t’u transferuar në një vend që shumica prej tyre s’e kishte parë kurrë. Sikur rindërtimi i tempullit të Jehovait të mos kishte rëndësi, nuk do ta kishin bërë atë udhëtim të vështirë rreth 1.600 kilometra përmes një vendi të egër.

3, 4. Cilat pengesa hasën judenjtë që u kthyen në atdhe?

 3 Si duhet të ketë qenë ai udhëtim? Gjatë rrugës, me siguri judenjtë mendonin me orë të tëra për shtëpinë e tyre të re. Kishin dëgjuar sa i bukur kish qenë dikur qyteti i Jerusalemit. Më të moshuarit mes tyre kishin parë lavdinë e mëparshme të tempullit. (Ezd. 3:12) Po të udhëtoje me ta, si do të ndiheshe kur të shihje për herë të parë Jerusalemin, shtëpinë tënde të re? Mos do të trishtoheshe kur të shihje ndërtesat e rrënuara, të mbuluara nga barishtet? Mos ndoshta do t’i krahasoje muret e dyfishta masive të Babilonisë me muret e shembura të Jerusalemit, që kishin të çara të mëdha aty ku ndodheshin dikur portat dhe kullat e vrojtimit? Gjithsesi, populli mori zemër. Tashmë kishin parë se si i kishte shpëtuar dora e Jehovait gjatë gjithë udhëtimit të gjatë për në atdhe. Gjëja e parë që bënë kur mbërritën ishte ndërtimi i një altari në vendin ku ndodhej më parë tempulli. Pastaj nisën t’i paraqitnin flijime Jehovait çdo ditë. (Ezd. 3:1, 2) Me zellin që i kishte pushtuar në fillim, dukej se asgjë s’do t’i shkurajonte.

4 Përveç tempullit, izraelitët duhej të rindërtonin edhe qytetet e tyre. Duhej të restauronin shtëpitë, të mbillnin arat e të mbanin me bukë familjet. (Ezd. 2:70) Puna që kishin para dukej kolosale. Pastaj nisi edhe kundërshtimi​—i fortë e i befasishëm. Ndonëse në fillim qëndruan të palëkundur, 15 vite armiqësi bënë punën e vet. (Ezd. 4:1-4) Një goditje dërrmuese erdhi në vitin 522 p.e.s. kur mbreti i Persisë urdhëroi të ndalej ndërtimi në Jerusalem. E ardhmja e qytetit dukej e pasigurt.​—Ezd. 4:21-24.

5. Çfarë bëri Jehovai për gjendjen joaktive të popullit të tij?

5 Jehovai e dinte për çfarë kishte nevojë populli i tij. Ai i dha Zakarisë një vegim të fundit që t’i siguronte judenjtë se i donte dhe se çmonte gjithë sa kishin bërë deri atëherë, si edhe që t’i garantonte se do t’i mbronte po t’i ktheheshin punës që u kishte caktuar. Lidhur me rindërtimin e tempullit, Jehovai premtoi: «Kjo do të ndodhë nëse i bindeni plotësisht zërit të Jehovait, Perëndisë tuaj.»​—Zak. 6:15.

KALORËSIA E USHTRISË ENGJËLLORE

6. (a) Si fillon vegimi i tetë i Zakarisë? (Shih figurën hapëse.) (b) Pse kanë ngjyra të ndryshme kuajt?

6 Vegimi i tetë dhe i fundit i Zakarisë mbase është vegimi më besimforcues. (Lexo Zakarinë 6:1-3.) Përfytyro skenën: «në mes të dy maleve . . . prej bakri» dalin tërë vrull katër karroca, ka shumë të ngjarë të pajisura për luftë. Kuajt që i tërheqin kanë ngjyra të ndryshme, për t’i dalluar kalorësit nga njëri-tjetri. Zakaria pyet: «Çfarë janë këto?» (Zak. 6:4) Edhe ne duam ta dimë përgjigjen, pasi ky vegim ndikon drejtpërdrejt te ne.

Jehovai vazhdon të përdorë engjëjt e tij që të mbrojë e të forcojë popullin e vet

7, 8. (a) Çfarë paraqesin dy malet? (b) Pse janë prej bakri malet?

7 Në Bibël, malet mund të paraqesin mbretëri ose qeveri. Malet në vegimin e Zakarisë ngjajnë me dy malet për të cilat flitet në profecinë e Danielit. Njëri mal paraqet qeverisjen universale dhe të përhershme të Jehovait. Mali tjetër paraqet Mbretërinë mesianike të drejtuar nga Jezui. (Dan. 2:35, 45) Që kur Jezui hipi në fron në vjeshtë të vitit 1914, këto dy male kanë qenë së bashku për të luajtur një rol të veçantë në plotësimin e vullnetit të Perëndisë në tokë.

8 Pse janë prej bakri malet? Ashtu si ari, edhe bakri është një metal me shumë vlerë. Jehovai udhëzoi që ky metal i shndritshëm të përdorej në ndërtimin e tabernakullit dhe më vonë për tempullin në Jerusalem. (Dal. 27:1-3; 1 Mbret. 7:13-16)  Pra, me të drejtë, bakri i dy maleve simbolike na kujton sa të shkëlqyer janë sovraniteti universal i Jehovait dhe Mbretëria mesianike, që do t’i sjellin stabilitet dhe bekime mbarë njerëzimit.

9. Cilët janë kalorësit e karrocave, dhe çfarë caktimi kanë?

9 Tani të kthehemi te karrocat. Çfarë paraqesin ato dhe kalorësit e tyre? Kalorësit e këtyre karrocave janë engjëj, ka shumë të ngjarë grupe ose divizione engjëjsh. (Lexo Zakarinë 6:5-8.) Ata dalin pasi janë paraqitur «te Zotëria i mbarë tokës» dhe u është ngarkuar një mision i veçantë. Çfarë caktimi kanë marrë? Karrocat dhe kalorësit e tyre dërgohen që të kujdesen për territore të përcaktuara. Kanë përgjegjësinë të mbrojnë popullin e Jehovait, sidomos nga ‘vendi i veriut’, Babilonia. Jehovai do të sigurohej që Babilonia të mos e skllavëronte më popullin e tij. Sa duhet t’ia ketë ngrohur zemrën kjo ndërtuesve të tempullit në ditët e Zakarisë! S’kishin pse të shqetësoheshin se mos armiqtë e tyre i pengonin.

10. Çfarë sigurie i jep popullit të Perëndisë sot profecia e Zakarisë për karrocat dhe kalorësit e tyre?

10 Ashtu si në ditët e Zakarisë, Jehovai i ushtrive vazhdon të përdorë engjëjt e tij që të mbrojë e të forcojë popullin e vet. (Mal. 3:6; Hebr. 1:7, 14) Që më 1919, kur Izraeli i Perëndisë u çlirua nga robëria simbolike e Babilonisë së Madhe, përparimi i adhurimit të vërtetë ka qenë i pandalshëm me gjithë kundërshtimin e pareshtur. (Zbul. 18:4) Meqë kemi mbrojtjen e engjëjve, s’ka pse të frikësohemi se mos organizata e Jehovait vuan përsëri nën robërinë e fesë së rreme. (Psal. 34:7) Përkundrazi, mund të jemi të sigurt se shërbëtorët e Perëndisë në gjithë botën do të vazhdojnë të lulëzojnë në adhurimin e Tij. Teksa meditojmë për vegimin e Zakarisë, nuk kemi pikë dyshimi se jemi të sigurt nën hijen e dy maleve.

11. Pse nuk ka arsye të kemi frikë nga sulmi i ardhshëm kundër popullit të Perëndisë?

11 Shumë shpejt fuqitë politike të botës së Satanait do të formojnë një koalicion që do të jetë i vendosur të shfarosë popullin e Perëndisë. (Ezek. 38:2, 10-12; Dan. 11:40, 44, 45; Zbul. 19:19) Profecia e Ezekielit i përshkruan këto forca të hipura mbi kuaj si re që mbulojnë vendin e që sulen me tërbim kundër nesh. (Ezek. 38:15, 16) * A kemi arsye për t’u frikësuar? Aspak! Ne kemi një kalorësi ushtarake në krahun tonë. Në atë moment kritik gjatë shtrëngimit të madh, ushtarët engjëllorë të Jehovait të ushtrive do të sulen së bashku për të mbrojtur popullin e Perëndisë e për të shkatërruar ata që i kundërvihen sovranitetit të tij. (2 Sel. 1:7, 8) Çfarë dite do të jetë ajo! Por kush i prin ushtrisë qiellore të Jehovait?

JEHOVAI KURORËZON MBRETIN DHE PRIFTIN E TIJ

12, 13. (a) Çfarë i thuhet Zakarisë të bëjë tani? (b) Shpjegoni pse burri që quhet Filiz i referohet në mënyrë profetike Jezu Krishtit.

12 Zakaria ka marrë tetë vegime që i pa vetëm ai. Tani merr pjesë në një veprim profetik për t’u dhënë zemër atyre që po  rindërtojnë tempullin e Perëndisë. (Lexo Zakarinë 6:9-12.) Zakarisë i thuhet të mbledhë argjend dhe ar nga Heldai, nga Tobija dhe nga Jedajahu​—tri burra të sapokthyer nga Babilonia—​dhe të bëjë «një kurorë të madhe» me këto kontribute. (Zak. 6:11) A i thuhet Zakarisë t’ia vërë kurorën në kokë guvernatorit Zorobabel që është nga fisi i Judës dhe pasardhës i Davidit? Jo. Kushedi sa kureshtarë bëhen të pranishmit kur shohin se ai ia vë kurorën kryepriftit Josi.

13 A e bëri mbret ky kurorëzim kryepriftin Josi? Jo, Josiu nuk ishte nga linja mbretërore e Davidit, prandaj nuk kualifikohej si mbret. Kurorëzimi i tij ishte profetik dhe e drejtonte vëmendjen te një mbret e prift i ardhshëm e i përhershëm. Kryeprifti që bëhet mbret quhet Filiz. Shkrimet tregojnë qartë se Filizi është Jezu Krishti.​—Isa. 11:1; Mat. 2:23. *

14. Çfarë pune ndërmerr Jezui si Mbret dhe Kryeprift?

14 Jezui, që ka rolin e Mbretit dhe të Kryepriftit, është udhëheqësi i ushtrisë qiellore të Jehovait. Si i tillë, ai punon me zell që populli i Perëndisë si një i tërë të banojë i sigurt, ndonëse jeton mes kësaj bote armiqësore. (Jer. 23:5, 6) Në të ardhmen e afërt, Krishti do të marrë drejtimin në luftën që do të mposhtë kombet, për të mbështetur sovranitetin e Perëndisë dhe për të mbrojtur popullin e Jehovait. (Zbul. 17:12-14; 19:11, 14, 15) Mirëpo para se të ekzekutojë gjykimin, Filizi duhet të kryejë një vepër kolosale.

AI DO TË NDËRTOJË TEMPULLIN

15, 16. (a) Cila vepër rivendosjeje dhe rafinimi është kryer në kohën tonë, dhe kush e ka kryer? (b) Çfarë do të sjellë në fund Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit?

15 Përveç detyrës si Mbret dhe Kryeprift, Jezuit u caktua edhe ‘të ndërtonte tempullin e Jehovait’. (Lexo Zakarinë 6:13.) Në kohën tonë, vepra e ndërtimit që ka bërë Jezui përfshiu çlirimin e adhuruesve të vërtetë nga Babilonia e Madhe dhe rivendosjen e kongregacionit të krishterë më 1919. Gjithashtu emëroi një ‘skllav të besueshëm dhe të matur’ për të marrë drejtimin në veprën që kryhet në oborret tokësore të tempullit të madh frymor. (Mat. 24:45) Veç kësaj, Jezui ka punuar plot zell për të rafinuar popullin e Perëndisë e për ta ndihmuar të bëjë një adhurim të pastër.​—Mal. 3:1-3.

16 Gjatë Mbretërimit të tij Mijëvjeçar, Jezui dhe ata 144.000 që do të shërbejnë me të si mbretër e priftërinj do t’i çojnë njerëzit besnikë drejt përsosmërisë. Kur të arrihet kjo, në tokën e pastruar do të mbeten vetëm adhuruesit e vërtetë të Perëndisë. Më në fund, adhurimi i vërtetë do të jetë rivendosur plotësisht!

BËJ PJESËN TËNDE NË VEPRËN E NDËRTIMIT

17. Për çfarë i siguron më tej Jehovai judenjtë, dhe si ndikon ky mesazh tek ata?

17 Por, si ndikoi mesazhi i Zakarisë te judenjtë e kohës së tij? Jehovai u kishte garantuar se do të gëzonin stabilitet dhe mbrojtje gjatë punës së tyre. Siguria që u dha ai se tempulli do të ndërtohej, do t’ua ketë mbushur zemrën e lodhur me shpresë. Mirëpo si do ta kryenin gjithë atë punë një grusht njerëzish? Fjalët vijuese të Zakarisë fashitin çdo gjurmë frike e dyshimi. Përveç mbështetjes nga burra besnikë si Heldai, Tobija dhe Jedajahu, Perëndia parathotë se edhe shumë të tjerë «do të vijnë dhe do të marrin pjesë në ndërtimin e tempullit të Jehovait». (Lexo Zakarinë 6:15.) Të bindur se kanë mbështetjen hyjnore, judenjtë hidhen menjëherë në  veprim dhe rifillojnë veprën e ndërtimit pavarësisht nga ndalimi. Shpejt Jehovai heq ndalimin zyrtar, një pengesë që dukej si një mal, dhe tempulli përfundon më 515 p.e.s. (Ezd. 6:22; Zak. 4:6, 7) Megjithatë, fjalët e Jehovait përshkruajnë gjëra shumë më madhështore për ditët tona.

Jehovai nuk do ta harrojë kurrë dashurinë që tregojmë për të! (Shih paragrafët 18, 19.)

18. Si po përmbushet në kohën tonë Zakaria 6:15?

18 Sot, miliona veta përqafojnë adhurimin e vërtetë dhe nxiten nga zemra të kontribuojnë ‘gjërat e tyre me vlerë’, që përfshijnë kohën, energjitë dhe të mirat materiale, për të mbështetur tempullin e madh frymor të Jehovait. (Prov. 3:9) Si mund të jemi të sigurt se Jehovai e vlerëson mbështetjen tonë besnike? Sill ndër mend se Heldai, Tobija dhe Jedajahu dhanë materialet për kurorën që bëri Zakaria. Ajo kurorë pastaj u ruajt «në kujtim» të kontributit të tyre për adhurimin e vërtetë. (Zak. 6:14) Po njësoj, mundi ynë dhe dashuria që tregojmë për Jehovain nuk do të harrohen kurrë. (Hebr. 6:10) Do të mbeten përgjithmonë, të ruajtura si thesar në kujtesën e Jehovait.

19. Si duhet të ndikojnë vegimet e Zakarisë te ne sot?

19 Gjithçka që është arritur për adhurimin e vërtetë në këto ditë të fundit është provë e gjallë e bekimit të Jehovait dhe e udhëheqjes së Krishtit. Bëjmë pjesë në një organizatë që gëzon stabilitet e siguri dhe që do të mbetet përherë. Qëllimi i Jehovait për adhurimin e vërtetë «do të ndodhë» se s’bën. Çmoje vendin që ke mes popullit të Jehovait dhe ‘bindju plotësisht zërit të Jehovait, Perëndisë tënd’. Atëherë mund të mbetesh nën mbrojtjen e Mbretit dhe Kryepriftit tonë e të kalorësve qiellorë. Bëj gjithë sa ke në dorë për të mbështetur adhurimin e vërtetë. Ndërsa e bën këtë, të jesh i bindur se Jehovai i ushtrive do të të mbajë të mbrojtur e të sigurt gjatë kohës që i mbetet këtij sistemi​—e madje në përjetësi!

^ par. 13 Ka mundësi që fjala «nazareas» të vijë nga fjala hebraike për «filiz».