Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Le të duam . . . me vepra e të vërtetë»

«Le të duam . . . me vepra e të vërtetë»

«Le të mos duam veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë.»​—1 GJON. 3:18.

KËNGËT: 106, 100

1. Cila është forma më e lartë e dashurisë, dhe pse e themi këtë? (Shih figurën hapëse.)

DASHURIA e bazuar te parimet e drejta (agápe) është një dhuratë nga Jehovai. Ai është Burimi i saj. (1 Gjon. 4:7) Kjo lloj dashurie është forma më e lartë e dashurisë. Edhe pse mund të përfshijë përzemërsinë dhe ngrohtësinë, ajo dallohet kryesisht nga veprimet altruiste për të mirën e të tjerëve. Sipas një vepre referimi, dashuria agápe «mund të njihet vetëm nga veprimet që nxit». Kur tregojmë ose na tregohet dashuri altruiste, jeta jonë pasurohet, pasi mbushet me gëzim dhe merr kuptim.

2, 3. Si ka treguar Jehovai dashuri altruiste për njerëzit?

2 Jehovai tregoi dashuri për njerëzit që para se të krijonte Adamin dhe Evën. Ai e bëri tokën që të ishte shtëpia e përhershme e njeriut, një vend ku njeriu jo thjesht mbijeton, por e shijon plotësisht jetën. Këtë Jehovai e bëri vetëm për dobinë tonë, jo për ndonjë leverdi personale. Një shprehje tjetër e dashurisë së tij altruiste ishte që i bekoi fëmijët e tij në tokë me perspektivën e jetës së përhershme në Parajsën që kishte përgatitur për ta.

3 Pas rebelimit të Adamit dhe Evës, erdhi shprehja më e madhe  e dashurisë altruiste të Jehovait. Ai mori masa të paguhej shpërblesa për pasardhësit e atyre dy rebelëve, i sigurt se disa do t’i përgjigjeshin dashurisë së Tij. (Zan. 3:15; 1 Gjon. 4:10) Në fakt, qysh nga momenti që premtoi një Shpëtimtar të ardhshëm, Jehovai e pa këtë flijim si të ishte bërë tashmë. Pastaj, rreth 4.000 vjet më vonë, Jehovai bëri sakrificën që i kushtoi shtrenjtë​—flijoi Birin e vetëmlindur për njerëzimin. (Gjoni 3:16) Sa mirënjohës i jemi Jehovait për dashurinë e tij altruiste!

4. Ç’gjë tregon se njerëzit e papërsosur janë të aftë të tregojnë dashuri altruiste?

4 Ne kemi aftësinë të tregojmë dashuri altruiste sepse Perëndia na krijoi sipas shëmbëlltyrës së tij. Mëkati i trashëguar na e ka bërë të vështirë të shfaqim dashuri, por nuk na e ka hequr këtë aftësi. Abeli tregoi dashuri për Perëndinë duke ofruar me altruizëm më të mirën që kishte. (Zan. 4:3, 4) Noeja shfaqi dashuri altruiste për njerëzit duke u predikuar dekada të tëra mesazhin e Perëndisë, ndonëse nuk shihte asnjë reagim të mirë. (2 Pjet. 2:5) Abrahami e vuri dashurinë për Perëndinë para ndjenjave të veta kur mori urdhrin të flijonte të birin, Isakun. (Jak. 2:21) Ashtu si këta besnikë, ne duam të tregojmë dashuri, pavarësisht nga vështirësitë që hasim.

DASHURIA E SINQERTË DHE DASHURIA E SHTIRUR

5. Në cilat mënyra mund të tregojmë dashuri të sinqertë?

5 Bibla shpjegon se dashuria e sinqertë nuk tregohet «veç me fjalë e me gjuhë, por me vepra e të vërtetë». (1 Gjon. 3:18) A do të thotë kjo se nuk mund ta shprehim dashurinë me fjalë? Aspak! (1 Sel. 4:18) Ky varg ka kuptimin që dashuria jonë nuk duhet të kufizohet te fjalët, sidomos kur rrethanat kërkojnë të veprojmë. Për shembull, një bashkëbesimtar që nuk ka gjërat bazë të jetës, s’ka nevojë thjesht ta urojmë me fjalë të mira. (Jak. 2:15, 16) Në mënyrë të ngjashme, dashuria për Jehovain e për njerëzit na nxit jo vetëm t’i kërkojmë Perëndisë ‘të dërgojë punëtorë në të korra’, por edhe të japim maksimumin në veprën e predikimit.​—Mat. 9:38.

6, 7. (a) Çfarë është ‘dashuria pa hipokrizi’? (b) Jepni disa shembuj të dashurisë së shtirë.

6 Apostulli Gjon shkroi se duhet të duam «me vepra e të vërtetë». Pra, dashuria jonë duhet të jetë «pa hipokrizi». (Rom. 12:9; 2 Kor. 6:6) Kjo do të thotë se nuk mund të tregojmë dashuri të sinqertë ndërkohë që hiqemi ndryshe nga ç’jemi, si të kemi vënë një maskë. Ndoshta pyesim veten: «Po a mund të ketë vallë dashuri me hipokrizi?» Në të vërtetë, jo. Kjo s’do të ishte fare dashuri, por një imitacion i pavlerë.

7 Të shohim disa shembuj të dashurisë së shtirë. Në kopshtin e Edenit, Satanai u hoq sikur i donte të mirën Evës, por në të vërtetë veprimet e tij ishin egoiste dhe hipokrite. (Zan. 3:4, 5) Në kohën e Davidit, Ahithofeli tregoi se miqësia e tij me mbretin ishte një gënjeshtër. Ai e tradhtoi mbretin kur iu duk se do të nxirrte leverdi nga kjo. (2 Sam. 15:31) Po kështu sot, apostatët dhe të tjerë që krijojnë përçarje në kongregacion përdorin ‘fjalë të sheqerosura e një të folur miklues’ për t’u dukur të dashur, ndërkohë që motivi i tyre i vërtetë është egoist.​—Rom. 16:17, 18.

8. Cilën pyetje duhet t’i bëjmë vetes?

8 Dashuria hipokrite është e turpshme sidomos ngaqë është një falsifikim i dashurisë vetëmohuese, kësaj cilësie hyjnore. Kjo hipokrizi mund të mashtrojë njerëzit, ama jo Jehovain. Në fakt, Jezui tha se ata që janë si hipokritët do të ndëshkoheshin «me ashpërsinë më të madhe». (Mat. 24:51) S’do  mend që shërbëtorët e Jehovait nuk do të donin kurrë të shfaqnin dashuri hipokrite. Gjithsesi, bëjmë mirë të pyesim veten: «A është gjithmonë e sinqertë dashuria ime, e panjollosur nga egoizmi ose mashtrimi?» Le të shohim nëntë mënyra si mund të përpiqemi të tregojmë dashuri «pa hipokrizi».

SI TË TREGOJMË ‘DASHURI ME VEPRA E TË VËRTETË’

9. Çfarë do të na nxitë të bëjmë dashuria e sinqertë?

9 Ji i kënaqur të shërbesh pa rënë në sy. Duhet të jemi të gatshëm të tregojmë dashuri për vëllezërit tanë «në fshehtësi», pra pa tërhequr vëmendjen e askujt, po të jetë e mundur. (Lexo Mateun 6:1-4.) Anania dhe Safira nuk vepruan kështu. Ata s’ishin të kënaqur të kontribuonin pa e reklamuar këtë, ndaj e ekzagjeruan me paturpësi ofertën e tyre dhe e paguan rëndë hipokrizinë e tyre. (Vep. 5:1-10) Krejt ndryshe, dashuria e sinqertë na nxit të gjejmë gëzim teksa u shërbejmë vëllezërve tanë pa bujë ose pa marrë ndonjë meritë për këtë. Për shembull, vëllezërit që mbështetin Trupin Udhëheqës duke ndihmuar në përgatitjen e ushqimit të bazuar në Bibël e bëjnë këtë pa rënë në sy​—pa e tërhequr vëmendjen te vetja ose pa zbuluar me çfarë materiali kanë punuar.

10. Si mund të marrim iniciativën për të nderuar të tjerët?

10 Merr iniciativën për të nderuar të tjerët. (Lexo Romakëve 12:10.) Jezui la modelin në shfaqjen e nderimit për të tjerët duke kryer punën më të rëndomtë. (Gjoni 13:3-5, 12-15) Ne mund të na duhet të përpiqemi fort që të zhvillojmë përulësinë e nevojshme për t’i nderuar të tjerët në këtë mënyrë. As apostujt nuk arritën t’i kuptonin plotësisht veprimet e Jezuit derisa morën frymën e shenjtë. (Gjoni 13:7) Mund t’u tregojmë nderim të tjerëve duke mos pasur vlerësim të tepruar për veten për shkak të arsimimit, të mirave materiale ose privilegjeve në shërbim të Jehovait. (Rom. 12:3) E në vend se t’i kemi zili ata që marrin lëvdata, gëzojmë bashkë me ta, edhe nëse mendojmë se na takon i njëjti nderim ose një pjesë e meritave për atë që është bërë.

11. Pse lavdërimet tona duhet të jenë nga zemra?

11 Lavdëroji vëllezërit nga zemra. Duhet të shfrytëzojmë mundësitë për të lavdëruar njëri-tjetrin, sepse këto janë ‘fjalë të mira, që ndërtojnë’. (Efes. 4:29) Veçse lavdërimet duhet të vijnë nga zemra. Përndryshe, ka të ngjarë që po i bëjmë lajka tjetrit ose po i bëjmë bisht përgjegjësisë për të dhënë këshillat e nevojshme. (Prov. 29:5) Ta lavdërosh dikë, por pastaj të thuash gjithë të zezat për të prapa krahëve është një formë hipokrizie. Apostulli Pavël e shmangu këtë grackë dhe, me mënyrën si i lavdëronte të tjerët, la një shembull të shkëlqyer në shfaqjen e dashurisë së sinqertë. Për shembull, ai i lavdëroi nga zemra të krishterët në Korint për disa aspekte të sjelljes së tyre. (1 Kor. 11:2) Mirëpo, kur veprimet e tyre nuk ishin për t’u lavdëruar, ua shpjegoi arsyen me dashamirësi dhe qartë.​—1 Kor. 11:20-22.

Një mënyrë si tregojmë dashuri e bujari është t’u japim vëllezërve tanë në nevojë (Shih paragrafin 12.)

12. Si mund të shfaqim dashuri të sinqertë kur tregojmë mikpritje?

12 Ji mikpritës. Jehovai na urdhëron të jemi bujarë ndaj vëllezërve dhe motrave. (Lexo 1 Gjonit 3:17.) Ama këtë duhet ta bëjmë me motiv të pastër, duke shmangur çdo gjurmë egoizmi. Mund të pyesim veten: «A tregohem mikpritës kryesisht me miqtë e afërt, me personat me emër ose me ata që mund të ma kthejnë në ndonjë mënyrë të mirën? Apo, përkundrazi, kërkoj mënyra si të jem bujar ndaj vëllezërve e motrave që nuk i njoh mirë a që s’kanë me se të ma shpërblejnë?» (Luka 14:12-14) Ose ta zëmë  se një bashkëbesimtar gjendet në hall për shkak të planeve të veta jo të mençura. A ndoshta dikush nuk na falënderon për mikpritjen tonë. Në situata të tilla, duhet të zbatojmë këshillën: «Jini mikpritës me njëri-tjetrin, pa u qarë.» (1 Pjet. 4:9) Nëse ndjek këtë këshillë, do të marrësh si shpërblim lumturinë që vjen kur jep me motivin e duhur.​—Vep. 20:35.

13. (a) Kur mund të jetë më e vështirë t’i ndihmojmë ata që janë të dobët? (b) Çfarë gjërash praktike mund të bëjmë për të mbështetur të dobëtit?

13 Mbështet ata që janë të dobët. Sinqeriteti i dashurisë sonë mund të vihet në provë nga urdhri i Biblës që ‘të mbështetim të dobëtit dhe të jemi shpirtgjerë me të gjithë’. (1 Sel. 5:14) Edhe pse shumë veta që janë të dobët më vonë bëhen të fortë në besim, të tjerë kanë nevojë t’i mbështetim vazhdimisht me durim. Kjo mund të përfshijë t’u tregojmë mendime inkurajuese nga Shkrimet, t’i ftojmë të dalin me ne në shërbim ose thjesht t’u kushtojmë kohë për t’i dëgjuar. Veç kësaj, në vend që ta konsiderojmë një vëlla a motër ose «të fortë» ose «të dobët», duhet të pranojmë se të gjithë kemi pika të forta dhe dobësi. Madje edhe apostulli Pavël e pranoi se kishte dobësi. (2 Kor. 12:9, 10) Pra, të gjithë mund të nxjerrim dobi nga mbështetja e bashkëbesimtarëve.

14. Deri ku duhet të jemi të gatshëm të shkojmë për të ruajtur paqen me vëllezërit?

14 Bëj paqe. Ne bëjmë gjithë sa kemi në dorë për të ruajtur paqen me vëllezërit, edhe kur mendojmë se na kanë keqkuptuar ose na kanë trajtuar padrejtësisht. (Lexo Romakëve 12:17, 18.) Kur kërkojmë ndjesë mund të ndihmojmë të shërohen ndjenjat e lënduara, por këtë duhet ta bëjmë me sinqeritet. Për shembull, në vend që të thuash «më vjen keq që ndihesh kështu», mund të pranosh pjesën tënde në atë problem duke thënë «më vjen keq që të lëndova me atë që thashë». Paqja është jetësore, sidomos në martesë. Burri dhe gruaja nuk duhet të hiqen sikur e duan njëri-tjetrin në sy të të tjerëve, por pastaj kur janë vetëm ta lëndojnë njëri-tjetrin me një heshtje të nderë, me fjalë therëse ose me dhunë fizike.

15. Si mund të tregojmë se kemi falur nga zemra?

15 Fal bujarisht. Nëse dikush na ka fyer, e falim kur e hedhim pas krahëve gabimin e tij dhe nuk mbajmë mëri. Kur ‘e durojmë njëri-tjetrin me dashuri dhe përpiqemi me zell që të ruajmë njëjësinë e frymës në lidhjen e paqes’, mund t’i falim bujarisht ata që ndoshta as nuk e dinë se na kanë fyer. (Efes. 4:2, 3) Për të falur nga zemra, duhet të kemi nën kontroll mendimet tona, që ‘të mos e mbajmë llogari të keqen’. (1 Kor. 13:4, 5) Po të ushqejmë mëri ose të mbajmë inat, rrezikojmë të dëmtojmë përgjithmonë jo vetëm marrëdhënien tonë me vëllanë a motrën, por edhe marrëdhënien me Jehovain. (Mat. 6:14, 15) Mund të tregojmë se po falim nga  zemra edhe duke u lutur për ata që mëkatojnë kundër nesh.​—Luka 6:27, 28.

16. Si duhet t’i shohim privilegjet në shërbim të Jehovait?

16 Sakrifiko interesat personale. Nëse marrim privilegje në shërbim të Jehovait, duhet t’i shohim si mundësi për të treguar sa e sinqertë është dashuria jonë, ‘duke kërkuar jo përfitimin tonë, por atë të tjetrit’. (1 Kor. 10:24) Për shembull, në asamble dhe kongrese, përcjellësit duhet të jenë te vendet për t’u ulur para orarit kur mund të hyjnë të tjerët. Në vend se ta shohin caktimin e tyre si një shans që të zënë vendet më të rehatshme për vete dhe familjen e tyre, shumë nga këta vëllezër zgjedhin të ulen në vende jo aq të mira brenda sektorit ku janë caktuar. Duke sakrifikuar interesat personale në këtë mënyrë, ata tregojnë dashuri pa asnjë fije egoizmi. Si mund ta imitosh shembullin e tyre të mirë?

17. Nëse dikush ka kryer një mëkat serioz, çfarë do ta nxitë të bëjë dashuria e sinqertë?

17 Rrëfeji dhe braktisi mëkatet e fshehta. Disa Dëshmitarë që kanë bërë një mëkat serioz përpiqen ta mbulojnë, ngaqë s’duan të turpërohen ose të zhgënjejnë të tjerët. (Prov. 28:13) Mirëpo, një sjellje e tillë tregon mungesë dashurie, pasi dëmton jo vetëm atë që ka mëkatuar, por edhe të tjerët. Ajo mund ta pengojë frymën e Perëndisë të rrjedhë lirshëm dhe mund të vërë në rrezik paqen e mbarë kongregacionit. (Efes. 4:30) Dashuria e sinqertë e nxit një Dëshmitar që ka bërë mëkat serioz të flasë me pleqtë, që t’i japin ndihmën e nevojshme.​—Jak. 5:14, 15.

18. Sa e rëndësishme është dashuria e sinqertë?

18 Dashuria është më e madhja ndër gjithë cilësitë. (1 Kor. 13:13) Ajo na dallon si dishepuj të Jezuit dhe si imitues të Jehovait, Burimit të dashurisë. (Efes. 5:1, 2) Pavli shkroi: «Sikur . . . të mos kem dashuri, nuk do të jem asgjë.» (1 Kor. 13:2) Le të vazhdojmë ta tregojmë dashurinë tonë jo veç «me fjalë», por edhe «me vepra e të vërtetë».