Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A e dini?

A e dini?

Sinagogë e shekullit të parë: Ky maket paraqet disa veçori të sinagogës së shekullit të parë në Gamlë, rreth 10 kilometra në verilindje të detit të Galilesë. Ai na jep një ide se si mund të ketë qenë një sinagogë në kohët e lashta

Cila ishte origjina e sinagogës?

TERMI «sinagogë» vjen nga një fjalë greke që do të thotë «asamble» ose «mbledhje». Ky emër është me vend, sepse që nga lashtësia, sinagogat kanë qenë vende ku komunitetet judeje mblidheshin për të mësuar dhe për të adhuruar Perëndinë. Në Shkrimet Hebraike nuk përmendet fjala sinagogë, por nga Shkrimet e Krishtere Greke e kuptojmë qartë se në shekullin e parë të e.s., këto vende mbledhjesh ekzistonin prej kohësh.

Shumica e studiuesve mendojnë se sinagogat u formuan gjatë robërisë së judenjve në Babiloni. Një enciklopedi (Encyclopaedia Judaica) bën këtë arsyetim: «Mërgimtarët, të mbetur pa tempull, në vend të huaj dhe të etur për ngushëllim në vuajtjen e tyre, takoheshin herë pas here, ka shumë të ngjarë në sabat, dhe lexonin Shkrimet.» Pasi u liruan nga robëria, judenjtë me sa duket vazhdonin të mblidheshin për t’u lutur e për të lexuar Shkrimet dhe ngrinin sinagoga kudo që vendoseshin me banim.

Kështu, në shekullin e parë të e.s., sinagogat ishin bërë qendra të jetës fetare dhe sociale për komunitetet judeje të shpërndara nëpër Mesdhe, në gjithë Lindjen e Mesme dhe në Izrael. Profesori Li Levin nga Universiteti Hebraik i Jerusalemit vëren: «[Sinagoga] shërbente si një vend për studim, për vaktet e shenjta, për procese gjyqësore, për depozitimin e fondeve të përbashkëta dhe për mbledhje politike e shoqërore.» Pastaj shton: «Me rëndësi thelbësore, sigurisht, ishin shërbesat fetare.» Ndaj nuk habitemi që Jezui ndiqte shpesh mbledhjet në sinagoga. (Mar. 1:21; 6:2; Luka 4:16) Atje i mësonte, i nxiste dhe i inkurajonte të pranishmit. Pas themelimit të kongregacionit të krishterë, edhe apostulli Pavël predikonte shumë nëpër sinagoga. Ata që donin të afroheshin me Perëndinë, shkonin në sinagoga. Ja pse kur hynte në një qytet, zakonisht Pavli shkonte në fillim në sinagogë dhe predikonte atje.—Vep. 17:1, 2; 18:4.