Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 7

Kërko zemërbutësinë dhe kënaqe Jehovain

Kërko zemërbutësinë dhe kënaqe Jehovain

«Kërkoni Jehovain të gjithë ju zemërbutët e dheut . . . kërkoni zemërbutësinë.»—SOF. 2:3.

KËNGA 80 «Provoni dhe shijoni se sa i mirë është Jehovai!»

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Si përshkruhet në Bibël Moisiu, dhe çfarë bëri ai? (b) Çfarë arsyeje kemi që të zhvillojmë zemërbutësinë?

BIBLA e përshkruan Moisiun si «më zemërbuti ndër të gjithë ata që rronin mbi faqen e dheut». (Num. 12:3) A do të thotë kjo se ishte njeri i dobët, i pavendosur dhe kishte frikë të përballej me të tjerët? Ndoshta kështu do ta përshkruanin disa një njeri zemërbutë. Por sa larg së vërtetës është kjo! Moisiu ishte një shërbëtor i fortë, i vendosur e i guximshëm i Perëndisë. Me ndihmën e Jehovait, ai u përball me sundimtarin e fuqishëm të Egjiptit, u priu ndoshta 3.000.000 vetave përmes një shkretëtire dhe ndihmoi kombin e Izraelit të mundte armiqtë.

2 Edhe pse nuk ndeshim ato sfida që kapërceu Moisiu, kemi të bëjmë çdo ditë me njerëz a situata që na e bëjnë të vështirë të jemi zemërbutë. Ama kemi një arsye të fortë që ta zhvillojmë këtë cilësi. Jehovai premton se «zemërbutët do të trashëgojnë tokën». (Psal. 37:11) A do ta përshkruaje veten si njeri zemërbutë? A do të të përshkruanin kështu të tjerët? Para se t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve të rëndësishme, duhet të dimë ç’do të thotë të jesh zemërbutë.

ÇFARË ËSHTË ZEMËRBUTËSIA?

3-4. (a) Me çfarë mund të krahasohet zemërbutësia? (b) Cilat janë katër cilësi që na nevojiten për të qenë zemërbutë, dhe pse?

3 Zemërbutësia * është si një pikturë e bukur. Në ç’kuptim?  Ashtu si artisti që kombinon një sërë ngjyrash tërheqëse për të bërë një pikturë, ne duhet të kombinojmë një sërë cilësish tërheqëse për të qenë zemërbutë. Ndër to spikatin përulësia, nënshtrimi, butësia dhe forca e brendshme. Pse na nevojiten këto cilësi në veçanti nëse duam të kënaqim Jehovain?

4 Vetëm njerëzit e përulur i nënshtrohen vullnetit të Perëndisë. Pjesë e vullnetit të Perëndisë është të jemi të butë. (Mat. 5:5; Gal. 5:23) Kur bëjmë vullnetin e Perëndisë, Satanai tërbohet nga inati. Prandaj, edhe pse jemi të përulur e të butë, shumë njerëz që janë pjesë e botës së Satanait na urrejnë. (Gjoni 15:18, 19) Ja pse na duhet forcë e brendshme për t’i rezistuar Satanait.

5-6. (a) Pse i urren Satanai njerëzit zemërbutë? (b) Cilave pyetje do t’u përgjigjemi?

5 E kundërta e një njeriu zemërbutë është një person fodull, që nuk e frenon zemërimin dhe që nuk i bindet Jehovait. Ky është fiks përshkrimi për Satanain. S’është çudi që ai i urren njerëzit zemërbutë! Ata demaskojnë të këqijat e personalitetit të tij. Dhe, çka i vjen akoma më hidhur Satanait, ata provojnë se është gënjeshtar. Pse? Sepse, pavarësisht nga çfarë thotë a bën, ai nuk i ndal dot zemërbutët që t’i shërbejnë Jehovait!—Jobi 2:3-5.

6 Kur mund të jetë një sfidë të jemi zemërbutë? Dhe pse duhet të vazhdojmë ta kërkojmë, ose ta zhvillojmë, zemërbutësinë? Për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve, do të shqyrtojmë shembullin e Moisiut, të tre robërve hebrenj në Babiloni dhe të Jezuit.

KUR ËSHTË SFIDË TË JEMI ZEMËRBUTË?

7-8. Si reagoi Moisiu kur e trajtuan pa respekt?

7 Kur na jepet autoritet: Për ata që kanë autoritet mund të jetë një sfidë të mbeten zemërbutë, sidomos kur dikush nën autoritetin e tyre i trajton pa respekt ose vë në dyshim gjykimin e tyre. A të ka ndodhur ndonjëherë kjo? Po sikur të vepronte kështu një pjesëtar i familjes sate, si do të reagoje? Shiko si veproi Moisiu në një situatë të tillë.

8 Jehovai e caktoi Moisiun udhëheqës të Izraelit e i dha privilegjin të shkruante ligjet që drejtonin atë komb. S’kishte fije  dyshimi se Jehovai e mbështeste Moisiun. Megjithatë, vetë e motra dhe i vëllai, Miriami dhe Aaroni, folën kundër Moisiut dhe vunë në dyshim gjykimin e tij në zgjedhjen e bashkëshortes. Disa burrave në pozitën e Moisiut mund t’u ndizej zemërimi e të kërkonin hakmarrje. Por nuk ndodhi kështu me Moisiun. Ai nuk u ofendua kollaj. Madje iu përgjërua Jehovait ta shëronte Miriamin nga lebra. (Num. 12:1-13) Pse reagoi ashtu Moisiu?

Moisiu iu përgjërua Jehovait ta shëronte Miriamin nga lebra (Shih paragrafin 8.)

9-10. (a) Çfarë kuptoi Moisiu me ndihmën e Jehovait? (b) Ç’mund të mësojnë nga Moisiu kryefamiljarët dhe pleqtë?

9 Moisiu kishte lejuar ta stërviste Jehovai. Rreth 40 vjet më parë, kur ishte pjesëtar i familjes mbretërore të Egjiptit, Moisiu nuk ishte zemërbutë. Në fakt, kish qenë aq gjaknxehtë, sa vrau një burrë që sipas gjykimit të tij po vepronte padrejtësisht. Moisiu shkoi me hamendjen se Jehovai ishte dakord me veprimet e tij. Jehovai kaloi 40 vjet duke e ndihmuar Moisiun të kuptonte se nuk mjaftonte guximi që t’u printe izraelitëve; i duhej të ishte zemërbutë. E për të qenë zemërbutë, i nevojitej edhe përulësi, nënshtrim dhe butësi. Moisiu e mësoi mirë këtë dhe u bë një mbikëqyrës i shkëlqyer.—Dal. 2:11, 12; Vep. 7:21-30, 36.

10 Sot ju kryefamiljarë dhe pleq bëni mirë të imitoni Moisiun. Kur të tjerët ju trajtojnë pa respekt, mos u fyeni menjëherë. Pranojini me përulësi gabimet tuaja. (Ekl. 7:9, 20) Nënshtrojuni Jehovait duke ndjekur drejtimin e tij në mënyrën si i trajtoni problemet. Dhe përgjigjuni gjithnjë me butësi. (Prov. 15:1) Kryefamiljarët dhe mbikëqyrësit që reagojnë kështu, kënaqin Jehovain, nxitin paqen dhe u lënë shembullin të tjerëve si të jenë zemërbutë.

11-13. Çfarë shembulli na lanë tre hebrenjtë?

11 Kur na përndjekin: Gjatë gjithë historisë, qeveritarët njerëzorë e kanë përndjekur popullin e Jehovait. Ata mund të na akuzojnë për «krime» nga më të ndryshmet, por arsyeja e vërtetë është se ne zgjedhim «t’i bindemi Perëndisë si sundimtar, dhe jo njerëzve». (Vep. 5:29) Mund të na tallin, të na burgosin a madje të na rrahin. Megjithatë, me ndihmën e Jehovait, ne s’do të hakmerremi por do të ruajmë një frymë të butë gjatë gjithë sprovës.

12 Të mendojmë për shembullin që na lanë tre mërgimtarët hebrenj—Hananiahu, Mishaeli dhe Azariahu. * Mbreti i Babilonisë  i urdhëroi të binin përmbys para një shëmbëlltyre gjigante prej ari. Me butësi, ata i shpjeguan mbretit pse nuk do ta adhuronin shëmbëlltyrën. Mbetën të nënshtruar ndaj Perëndisë, me gjithë kërcënimin e mbretit se do t’i digjte në një furrë përvëluese. Jehovai vendosi t’i shpëtonte menjëherë, ama ata nuk pretenduan se do ta bënte këtë. Përkundrazi, ishin të gatshëm të pranonin çfarëdo përfundimi të lejonte Jehovai. (Dan. 3:1, 8-28) Ata provuan se njerëzit zemërbutë janë vërtet të guximshëm—asnjë mbret, asnjë kërcënim e asnjë ndëshkim nuk na e thyen dot vendosmërinë që të jemi ‘të përkushtuar vetëm’ ndaj Jehovait.—Dal. 20:4, 5.

13 Si mund t’i imitojmë tre hebrenjtë kur sprovohet besnikëria jonë ndaj Perëndisë? Me përulësi, tregojmë besim se Jehovai do të kujdeset për ne. (Psal. 118:6, 7) Atyre që na akuzojnë për keqbërje, u përgjigjemi me butësi e respekt. (1 Pjet. 3:15) Dhe nuk pranojmë kurrsesi të bëjmë diçka që na cenon miqësinë me Atin tonë të dashur.

Kur na kundërshtojnë, ne përgjigjemi me respekt (Shih paragrafin 13.)

14-15. (a) Ç’mund të ndodhë kur jemi nën stres? (b) Sipas Isaisë 53:7, 10, pse mund të themi se Jezui është shembulli më i shkëlqyer i dikujt që tregoi zemërbutësi nën stres?

14 Kur jemi nën stres: Të gjithë ndiejmë stres për lloj-lloj arsyesh. Mbase kemi qenë të stresuar para një provimi në shkollë a një detyre të veçantë në punë. Ose na kap stresi edhe thjesht kur mendojmë për një procedurë mjekësore që ndoshta duhet të bëjmë. Kur jemi nën stres, është e vështirë të jemi zemërbutë. Mund të fillojnë të na acarojnë edhe incidente që zakonisht s’na shqetësojnë. Fjalët tona mund të bëhen të ashpra dhe toni i ftohtë. Nëse je ndier ndonjëherë i stresuar, mendo pak për shembullin e Jezuit.

15 Gjatë muajve të fundit të jetës në tokë, Jezui ishte nën një stres ekstrem. E dinte se do ta ekzekutonin dhe se do të vuante tmerrësisht. (Gjoni 3:14, 15; Gal. 3:13) Disa muaj para vdekjes, ai tha se po vuante. (Luka 12:50) Dhe vetëm pak ditë para se të vdiste, Jezui tha: «Shpirti im është i trazuar.» Mund ta dallojmë përulësinë dhe nënshtrimin e tij ndaj Perëndisë teksa i zbrazte zemrën në lutje: «O Atë, shpëtomë nga kjo orë! Sidoqoftë, prandaj erdha në këtë orë. O Atë, jepi lavdi emrit tënd!» (Gjoni 12:27, 28) Kur erdhi momenti, Jezui me guxim e la veten në duart e armiqve të Perëndisë, të cilët e ekzekutuan në mënyrën më agonike e më poshtëruese që mundeshin. Me gjithë stresin e me gjithë vuajtjet, Jezui tregoi zemërbutësi dhe bëri vullnetin e Perëndisë. Mund të themi me plot gojën se Jezui është shembulli më i shkëlqyer i dikujt që tregoi zemërbutësi nën stres!—Lexo Isainë 53:7, 10.

Jezui është shembulli më i shkëlqyer i zemërbutësisë (Shih paragrafët 16-17.) *

16-17. (a) Si ia sprovuan zemërbutësinë Jezuit miqtë e vet? (b) Si mund ta imitojmë Jezuin?

16 Natën e fundit të jetës në tokë, miqtë më të ngushtë ia sprovuan zemërbutësinë Jezuit. Imagjino çfarë stresi ndiente Jezui atë natë! A do të mbetej plotësisht besnik deri në vdekje? Nga kjo varej jeta e miliarda njerëzve. (Rom. 5:18, 19) Ç’është më e rëndësishmja, kjo do të ndikonte te reputacioni i Atit të tij. (Jobi 2:4) Kur ja, gjatë darkës së fundit me miqtë më të ngushtë, apostujt, biseda e tyre u katandis në ‘një debat të zjarrtë’ se «kush nga ata dukej se ishte më i madhi». Jezui i kishte ndrequr mjaft herë për këtë miqtë e tij, e rasti i fundit ishte pak më parë po atë mbrëmje. Sa mbresëlënëse që Jezui nuk u acarua! Përkundrazi, reagoi me butësi. Me dashamirësi, por edhe me vendosmëri,  u shpjegoi—edhe një herë—çfarë qëndrimi duhej të kishin. Pastaj i lavdëroi miqtë e tij që kishin qëndruar besnikërisht me të.—Luka 22:24-28; Gjoni 13:1-5, 12-15.

17 Si do të kishe reaguar ti në një situatë të ngjashme? Ne mund ta imitojmë Jezuin e ta ruajmë frymën e butë edhe kur jemi nën stres. Le t’i nënshtrohemi Jehovait duke iu bindur urdhrit të tij që ‘të vazhdojmë të durojmë njëri-tjetrin’. (Kolos. 3:13) Nëse kujtojmë se të gjithë themi e bëjmë gjëra që i acarojnë të tjerët, do t’i bindemi këtij urdhri. (Prov. 12:18; Jak. 3:2, 5) E le të përpiqemi t’i përmendim të mirat që shohim te të tjerët.—Efes. 4:29.

PSE TË VAZHDOJMË TË KËRKOJMË ZEMËRBUTËSINË?

18. Si i ndihmon Jehovai zemërbutët që të marrin vendime të mençura, por ç’duhet të bëjnë ata vetë?

18 Do të marrim vendime më të mençura. Para zgjedhjeve të vështira në jetë, Jehovai do të na ndihmojë të marrim vendime të mençura—ama vetëm nëse jemi zemërbutë. Ai premton se do ta dëgjojë «dëshirën e zemërbutëve». (Psal. 10:17) Madje jo thjesht do ta dëgjojë dëshirën a kërkesën tonë. Bibla premton: «Ai i bën zemërbutët të ecin sipas ligjeve të tij, dhe u mëson atyre udhën e vet.» (Psal. 25:9) Jehovai na udhëheq me anë të Biblës dhe të botimeve * e programeve që nxjerr «skllavi i besueshëm dhe i matur». (Mat. 24:45-47) Ne duhet të bëjmë pjesën tonë duke pranuar me përulësi se kemi nevojë për ndihmë, duke studiuar materialet që siguron Jehovai dhe duke e zbatuar me gatishmëri atë që mësojmë.

19-21. Çfarë gabimi bëri Moisiu në Kadesh, dhe cilat mësime mund të nxjerrim nga kjo?

19 Do të shmangim gabimet. Mendo edhe një herë për Moisiun. Për dekada të tëra, ai mbeti zemërbutë dhe e kënaqi Jehovain. Pastaj, nga fundi i udhëtimit të vështirë 40-vjeçar në shkretëtirë, Moisiu nuk tregoi zemërbutësi. Motra e tij—ka shumë të ngjarë ajo që ndihmoi për t’i shpëtuar jetën në Egjipt—sapo kishte vdekur e ishte varrosur në Kadesh. Dhe tani izraelitët po këmbëngulnin sërish se nuk po u tregohej kujdesi i duhur. Kësaj here ata po ‘grindeshin me Moisiun’ se s’kishin  ujë. Ndonëse Jehovai kishte bërë gjithë ato mrekulli nëpërmjet Moisiut dhe ndonëse Moisiu i kishte udhëhequr me altruizëm për vite të tëra, populli u ankua. Ata u ankuan jo vetëm se s’kishin ujë, por edhe për Moisiun, a thua se e kishte ai fajin që ishin të etur.—Num. 20:1-5, 9-11.

20 Në inat e sipër, Moisiu e humbi frymën e butë. Në vend që t’i fliste me besim shkëmbit, siç e kishte urdhëruar Jehovai, ai i foli me mllef popullit dhe e mori meritën për vete. Pastaj e goditi shkëmbin dy herë dhe prej tij vërshoi shumë ujë. Krenaria dhe zemërimi e çuan Moisiun në një gabim që i solli shumë dhembje. (Psal. 106:32, 33) Për ato pak çaste që e humbi zemërbutësinë, Moisiu nuk u lejua të hynte në Tokën e Premtuar.—Num. 20:12.

21 Nga kjo ngjarje nxjerrim mësime të çmuara. Së pari, duhet të përpiqemi pa pushim të mbetemi zemërbutë. Nëse e neglizhojmë këtë për një moment, krenaria mund të nxjerrë kokë sërish dhe të na shtyjë të flasim e të veprojmë marrëzisht. Së dyti, stresi mund të na bëjë të dobët, ndaj duhet të bëjmë çmos të jemi zemërbutë edhe nën presion.

22-23. (a) Pse duhet të vazhdojmë të kërkojmë zemërbutësinë? (b) Çfarë tregojnë fjalët e Sofonisë 2:3?

22 Do të jemi të mbrojtur. Së shpejti, Jehovai do t’i fshijë gjithë të ligjtë nga toka dhe do të mbeten vetëm zemërbutët. Atëherë në tokë do të mbretërojë vërtet paqja. (Psal. 37:10, 11) A do të jesh mes atyre zemërbutëve? Mund të jesh nëse i përgjigjesh ftesës së ngrohtë që të ka bërë Jehovai nëpërmjet profetit Sofonia.—Lexo Sofoninë 2:3.

23 Pse te Sofonia 2:3 thuhet «ka mundësi që të jeni të fshehur»? Kjo s’do të thotë se Jehovai nuk është i zoti t’i mbrojë ata që dëshirojnë ta kënaqin dhe që i do. Përkundrazi, tregon se kemi edhe ne pjesën tonë për të përcaktuar nëse do të jemi të mbrojtur. Nëse sot përpiqemi të kërkojmë zemërbutësinë dhe të kënaqim Jehovain, kemi mundësinë të mbijetojmë «ditën e zemërimit të Jehovait» e të jetojmë pafundësisht.

KËNGA 120 Imitoni butësinë e Krishtit

^ par. 5 Asnjë nga ne nuk lind zemërbutë. Duhet ta zhvillojmë këtë cilësi. Ndoshta vërejmë se mund të jemi zemërbutë kur kemi të bëjmë me njerëz paqësorë, por mund ta kemi të vështirë të mbetemi zemërbutë kur përballemi me individë krenarë. Në këtë artikull do të shqyrtojmë disa sfida që mund të duhet të kapërcejmë për të zhvilluar cilësinë e bukur të zemërbutësisë.

^ par. 3 SHPJEGIMI I FJALËVE: Zemërbutësi. Ata që janë zemërbutë i trajtojnë me mirësi të tjerët dhe mbajnë një frymë të butë edhe kur i provokojnë. Përulësi. Ata që janë të përulur nuk kanë krenari ose arrogancë; i shohin të tjerët si më të lartë se veten. Kur përdoret për Jehovain, përulësia ka kuptimin që ai i trajton me dashuri e mëshirë ata që qëndrojnë më poshtë se ai.

^ par. 12 Babilonasit u vunë këtyre tre hebrenjve emrat Shadrak, Meshak dhe Abednego.—Dan. 1:7.

^ par. 18 Për shembull, shih artikullin «Të marrim vendime që nderojnë Perëndinë», botuar në numrin e 15 prillit 2011 të Kullës së Rojës.

^ par. 59 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui ruan frymën e butë dhe i ndreq me qetësi dishepujt pasi ata kanë debatuar se kush është më i madhi.