Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vetëkontrolli—Jetësor për të fituar miratimin e Jehovait

Vetëkontrolli—Jetësor për të fituar miratimin e Jehovait

«Kur kushëriri filloi të zihej me mua, e kapa për fyti dhe desh e mbyta. Doja ta vrisja.»—Poli.

«Në shtëpi më kërcente damari për acarimin më të vogël. Përplasja karrige e tavolina, flakja lodrat e fëmijëve e ç’të më dilte para.»—Marko.

Ndoshta nuk shkojmë në këto ekstreme. Ama të gjithë e kemi të vështirë hera-herës të tregojmë vetëkontroll. Arsyeja kryesore është se kemi trashëguar prirje mëkatare nga njeriu i parë, Adami. (Rom. 5:12) Disa, si Poli dhe Marko, e kanë të vështirë të kontrollojnë zemërimin. Të tjerë mund ta kenë të vështirë të mbajnë nën kontroll mendimet e tyre. Për shembull, i trazojnë shpesh mendime negative ose u rri mendja te gjërat që i frikësojnë. Kurse të tjerë mund ta kenë të vështirë t’i rezistojnë dëshirës që të kryejnë imoralitet seksual, që të pinë me tepri alkool ose që të marrin drogë.

Ata që nuk u vënë fre mendimeve, dëshirave dhe veprimeve, mund të shkatërrojnë jetën. Por s’ka pse të përfundojmë kështu. Çfarë do të na ndihmojë? Kultivimi i vetëkontrollit. Për këtë, le të shqyrtojmë tri pyetje: (1) Çfarë është vetëkontrolli? (2) Pse është jetësore kjo cilësi? (3) Si mund ta kultivojmë këtë aspekt të ‘frytit të frymës’? (Gal. 5:22, 23) Më pas do të shqyrtojmë çfarë mund të bëjmë nëse ndonjëherë e humbim vetëkontrollin.

ÇFARË ËSHTË VETËKONTROLLI?

Kush ka vetëkontroll, nuk vepron sipas çdo impulsi. Në vend të kësaj, përmbahet që të mos e mërzitë Perëndinë me fjalët dhe veprimet e tij.

Jezui tregoi qartë çfarë përfshin vetëkontrolli

Jezui tregoi ç’do të thotë të kesh vetëkontroll. Bibla thotë: «Kur e shanin, nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e Atij që gjykon me drejtësi.» (1 Pjet. 2:23) Jezui e tregoi këtë vetëkontroll kur kundërshtarët e tallnin ndërsa ishte në shtyllën e torturës. (Mat. 27:39-44) Para kësaj, tregoi vetëkontroll të jashtëzakonshëm kur krerët fetarë që e urrenin, u përpoqën ta zinin në grackë me fjalët e veta. (Mat. 22:15-22) Dhe çfarë shembulli la kur disa judenj të xhindosur morën gurë që ta goditnin. Në vend që të hakmerrej, «Jezui u fsheh dhe doli nga tempulli».—Gjoni 8:57-59.

A mund ta imitojmë shembullin e Jezuit? Në njëfarë mase, po. Apostulli Pjetër shkroi: «Krishti vuajti për ju e ju la një model, që të ndiqni me kujdes gjurmët e tij.» (1 Pjet. 2:21) Edhe pse të papërsosur, ne mund të bëjmë çmos të ndjekim me kujdes shembullin e Jezuit. Po pse është jetësore të imitojmë vetëkontrollin e tij?

 PSE ËSHTË JETËSOR VETËKONTROLLI?

Na nevojitet vetëkontroll për të pasur miratimin e Jehovait. Edhe nëse i kemi shërbyer besnikërisht Jehovait për shumë kohë, mund ta humbim miqësinë e tij po të mos i mbajmë nën kontroll veprimet dhe fjalët tona.

Të mendojmë për rastin e Moisiut, që në kohën e tij «ishte më zemërbuti ndër gjithë njerëzit në faqen e dheut». (Num. 12:3) Pasi kishte dëgjuar me durim për dekada ankesat e izraelitëve, Moisiu e humbi vetëkontrollin. Kur ata u ankuan prapë se s’kishin ujë, ai u mbush me zemërim dhe u foli vrazhdë: «Dëgjoni, tani, o rebelë! Na duhet të nxjerrim ujë tani nga ky shkrep për ju?!»—Num. 20:2-11.

Moisiu nuk tregoi vetëpërmbajtje. Nuk ia dha meritën Jehovait si Ai që bëri mrekullinë duke siguruar ujë. (Psal. 106:32, 33) Si pasojë, Jehovai nuk e lejoi të hynte në Tokën e Premtuar. (Num. 20:12) Ka shumë të ngjarë që deri ditën kur vdiq, Moisiu të ketë qenë pishman për gjaknxehtësinë që tregoi.—Ligj. 3:23-27.

Cili është mësimi për ne? Edhe nëse jemi në të vërtetën prej vitesh, kurrë nuk duhet t’u flasim pa respekt atyre që na acarojnë ose që kanë nevojë të ndreqen. (Efes. 4:32; Kolos. 3:12) Vërtet, ndërsa afrohet pleqëria dhe shëndeti përkeqësohet, mund ta kemi më të vështirë të tregojmë durim. Por le të kujtojmë Moisiun. Nuk duam kurrsesi të prishim emrin e mirë që kemi bërë para Jehovait për vite të tëra për shkak të një mungese vetëkontrolli. Çfarë mund të bëjmë që të kultivojmë këtë cilësi jetësore?

SI TA KULTIVOJMË VETËKONTROLLIN

Lutu për frymën e shenjtë. Pse? Sepse vetëkontrolli është një aspekt i frytit të frymës së shenjtë, dhe Jehovai ua jep frymën e tij atyre që ia kërkojnë. (Luka 11:13) Me anë të frymës së tij, Jehovai na jep fuqinë që na nevojitet. (Filip. 4:13) Ai mund të na ndihmojë të kultivojmë edhe cilësi të tjera të frytit të frymës, si dashuria, që na e bëjnë më të lehtë të tregojmë vetëkontroll.—1 Kor. 13:5.

Shmang çdo gjë që ta bën më të vështirë të tregosh vetëkontroll

Shmang çdo gjë që ta bën më të vështirë të tregosh vetëkontroll. Për shembull, shmang sitet e Internetit dhe zbavitjet që paraqesin sjellje të gabuara. (Efes. 5:3, 4) Në fakt, duhet të rrimë larg çdo gjëje që mund të na tundojë të bëjmë diçka të gabuar. Për  shembull, dikush që tundohet kollaj të bëjë diçka imorale, mund të vendosë t’i shmangë krejtësisht librat ose filmat romantikë.

Mund ta kemi të vështirë ta zbatojmë këtë këshillë. Megjithatë, nëse bëjmë përpjekje, Jehovai do të na japë forcën që na nevojitet për të pasur vetëkontroll. (2 Pjet. 1:5-8) Ai do të na ndihmojë të kemi nën kontroll mendimet, fjalët dhe veprimet tona. Poli dhe Marko, të përmendur më sipër, janë provë e gjallë e kësaj, sepse të dy mësuan të mbanin nën kontroll temperamentin e dhunshëm. Të mendojmë edhe për rastin e një vëllai që, kur ishte në timon, shpesh nevrikosej e madje hapte sherr me të tjerët. Çfarë bëri për këtë problem? Ai thotë: «Lutesha me zjarr çdo ditë. Studioja artikuj për vetëkontrollin dhe mësoja përmendsh shkrime që do të më ndihmonin. Edhe pse kam vite që punoj me këtë, prapë i kujtoj vetes çdo mëngjes synimin që të ruaj qetësinë. Gjithashtu nisem herët për takimet që kam, që të mos jem me ngut.»

KUR E HUMBIM VETËKONTROLLIN

Të gjithëve na ndodh ta humbim ndonjëherë vetëkontrollin. Kur ndodh kjo, mund të na vijë shumë turp t’i lutemi Jehovait. Por pikërisht atëherë kemi më tepër nevojë të lutemi. Prandaj lutju Jehovait menjëherë. Përgjëroju të të falë, kërkoji të të ndihmojë dhe ji i vendosur të mos e përsëritësh atë gabim. (Psal. 51:9-11) Jehovai nuk do ta përbuzë lutjen tënde të sinqertë për mëshirë. (Psal. 102:17) Apostulli Gjon na kujton se gjaku i Birit të Perëndisë «na pastron nga çdo mëkat». (1 Gjon. 1:7; 2:1; Psal. 86:5) Mos harro se Jehovai u kërkon atyre që i shërbejnë, të falin vazhdimisht. Prandaj të jemi të sigurt se ai do të bëjë të njëjtën gjë për ne.—Mat. 18:21, 22; Kolos. 3:13.

Jehovai u mërzit shumë kur Moisiu humbi përkohësisht vetëkontrollin në shkretëtirë. Megjithatë e fali. Veç kësaj, në Fjalën e Tij flet për Moisiun si një shembull të jashtëzakonshëm besimi. (Ligj. 34:10; Hebr. 11:24-28) Edhe pse nuk e lejoi të hynte në Tokën e Premtuar, Jehovai do ta mirëpresë Moisiun në tokën parajsore dhe do t’i japë mundësinë të jetojë përgjithmonë. Ne mund të kemi të njëjtën shpresë nëse vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat për të kultivuar vetëkontrollin, këtë cilësi jetësore.—1 Kor. 9:25.