Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Butësia—Pse ia vlen ta zhvillojmë?

Butësia—Pse ia vlen ta zhvillojmë?

«Jam e ndrojtur si natyrë,—shpjegon Sara, *dhe nuk kam shumë besim te vetja. Prandaj jam në siklet kur rri me njerëz që kanë karakter të fortë ose janë imponues. Por kur rri me dikë që është i butë dhe i përulur, ndihem rehat. Mund t’i hap zemrën këtij lloj personi, t’i them si ndihem dhe të flas me të për problemet e mia. Të tillë janë miqtë e mi të ngushtë.»

Komentet e Sarës zbulojnë se butësia na bën tërheqës për të tjerët. Gjithashtu, butësia i gëzon zemrën Jehovait. Fjala e tij na nxit: «Vishuni me . . . butësi.» (Kolos. 3:12) Çfarë është butësia? Si tregoi butësi Jezui? Dhe si na ndihmon të kemi një jetë më të lumtur kjo cilësi?

ÇFARË ËSHTË BUTËSIA?

Butësia është një cilësi që vjen kur ke një frymë të qetë. Një njeri i butë i trajton të tjerët me ëmbëlsi dhe dashuri, e është i aftë t’i përballojë situatat acaruese me qetësi dhe vetëkontroll.

Butësia është shenjë e forcës së brendshme. Në Bibël, fjala greke që përkthehet «butësi», është përdorur edhe për të përshkruar një kalë të egër që është zbutur. Kali është ende i fortë, por është stërvitur që ta mbajë nën kontroll fuqinë e tij. Po njësoj, kur tregojmë butësi, mbajmë nën kontroll prirjet tona të papërsosura dhe ruajmë paqen me të tjerët.

Por ndoshta mund të mendojmë: «Unë nuk jam tip i butë.» Jetojmë në një botë ku shumica janë të paduruar dhe i imponojnë me agresivitet opinionet e veta, prandaj mund ta kemi të vështirë të shfaqim butësi. (Rom. 7:19) Ja pse kërkohen përpjekje që të zhvillojmë butësi. Megjithatë fryma e shenjtë e Jehovait do të na ndihmojë të forcojmë vendosmërinë që të punojmë me këtë cilësi. (Gal. 5:22, 23) Po pse ia vlen të përpiqemi ta zhvillojmë butësinë?

Butësia është një cilësi tërheqëse. Ashtu si Sara, që u përmend më sipër, ndihemi rehat kur rrimë me njerëz që kanë natyrë të butë. Jezui është një shembull i jashtëzakonshëm i butësisë dhe i mirësisë. (2 Kor. 10:1) Madje edhe fëmijët donin të rrinin me të, ndonëse nuk e njihnin.—Mar. 10:13-16.

Butësia na mbron ne vetë dhe ata që kemi pranë. Nëse jemi të butë, nuk acarohemi  shpejt e nuk reagojmë të nervozuar. (Prov. 16:32) Kështu nuk na brejnë ndjenjat e fajit që vijnë kur lëndojmë dikë—veçanërisht dikë që e kemi për zemër. Veç kësaj, butësia mbron ata që kemi pranë nga vuajtjet që mund t’u shkaktonim po të mos i mbanim nën kontroll ndjenjat dhe sjelljen tonë.

SHEMBULLI I PËRSOSUR I BUTËSISË

Pavarësisht nga përgjegjësitë e mëdha dhe programi i ngjeshur, Jezui sillej me butësi ndaj të gjithëve. Në kohën e tij, shumë veta robtoheshin, ishin të ngarkuar dhe kishin nevojë të lehtësoheshin e të përtërinin forcat. Sa do t’u jetë ngrohur zemra kur Jezui u tha: «Ejani tek unë, . . . se jam me natyrë të butë e i përulur në zemër.»—Mat. 11:28, 29.

Si mund ta zhvillojmë atë lloj butësie që shfaqi Jezui? Duke studiuar Fjalën e Perëndisë, ne mësojmë si i trajtonte Jezui njerëzit dhe si i përballonte situatat e vështira. E më pas, kur hasim situata që na vënë në provë butësinë, bëjmë çmos të veprojmë si Jezui. (1 Pjet. 2:21) Të shqyrtojmë tri gjëra që e ndihmuan Jezuin të ishte i butë.

Jezui ishte i përulur në zemër. Jezui tha se ishte «me natyrë të butë e i përulur në zemër». (Mat. 11:29) Në Bibël, këto dy cilësi përmenden së bashku, sepse butësia lidhet ngushtë me përulësinë. (Efes. 4:1-3) Në ç’kuptim?

Përulësia na ndihmon të mos i japim shumë rëndësi vetes ose të mos jemi tepër të ndjeshëm. Si reagoi Jezui kur e akuzuan pa të drejtë se ishte «grykës» dhe «i dhënë pas verës»? Ai i hodhi poshtë ato akuza me shembullin e tij dhe me butësi theksoi se «mençuria del e drejtë nga veprat».—Mat. 11:19.

Nëse dikush bën një koment të pamenduar për racën, gjininë a prejardhjen tënde, pse të mos përpiqesh të reagosh me butësi? Piteri, një plak në Afrikën e Jugut, thotë: «Kur më acarojnë fjalët e dikujt, pyes veten: ‘Si do të reagonte Jezui?’» Ai shton: «Kam mësuar të mos i jap tepër rëndësi vetes.»

Jezui i kuptonte dobësitë njerëzore. Dishepujt e Jezuit donin të bënin atë që është e drejtë, por për shkak të papërsosmërisë, nuk ia dilnin gjithmonë. Për shembull, edhe pse natën para vdekjes Jezui u kërkoi Pjetrit, Jakovit dhe Gjonit ta mbështetnin nga ana emocionale, ata nuk e bënë këtë. Jezui e kuptonte që «zemra është gati, por trupi është i dobët». (Mat. 26:40, 41) E ngaqë e mbante parasysh këtë, Jezui nuk u acarua me apostujt e tij.

Një motër që quhet Mandi, dikur ishte tepër kritike ndaj të tjerëve, por tani përpiqet fort të imitojë butësinë e Jezuit. Ajo thotë: «Përpiqem të mbaj parasysh se të gjithë njerëzit janë të papërsosur dhe të përqendrohem tek cilësitë e mira që kanë, siç bën Jehovai.» A mund të të ndihmojë dhembshuria e Jezuit ndaj dobësive njerëzore t’i trajtosh të tjerët me butësi?

Jezui i linte gjërat në duart e Perëndisë. Kur ishte në tokë, Jezui duroi sa e sa padrejtësi. E keqkuptuan, e përbuzën dhe e torturuan. Megjithatë, ai e ruajti frymën e butë, sepse «e linte veten në duart e Atij që gjykon me drejtësi.» (1 Pjet. 2:23) Jezui e dinte se Ati i tij qiellor do të kujdesej për të dhe se në kohën e duhur do t’i ndëshkonte ata që e kishin trajtuar padrejtësisht.

Nëse zemërohemi dhe përpiqemi të luftojmë ndaj një padrejtësie që na bëhet, mund të reagojmë në mënyrë të ekzagjeruar e kështu ta përkeqësojmë situatën. Ja pse Shkrimet na kujtojnë: «Zemërimi i njeriut nuk sjell drejtësinë e Perëndisë.» (Jak. 1:20) Edhe nëse kemi arsye të zemërohemi, papërsosmëria mund të na shtyjë të reagojmë në mënyrë të gabuar.

Një motër në Gjermani, që quhet Keti, më parë mendonte: «Po nuk i dole zot vetes, askush nuk të vjen në ndihmë.» Por kur mësoi të mbështetej te Jehovai, qëndrimi i saj ndryshoi. Ajo thotë: «Tani nuk e ndiej më të nevojshme të vihem në pozita mbrojtëse. E di që Jehovai i ka të gjitha gjërat nën kontroll, prandaj mund të sillem me butësi.» Nëse ke qenë viktimë e ndonjë padrejtësie, shembulli i Jezuit  që i linte gjërat në duart e Perëndisë, do të të ndihmojë të ruash një frymë të butë.

«LUM ATA QË JANË ME NATYRË TË BUTË»

Si mund të na ndihmojë butësia në situata të vështira?

Jezui mësoi se butësia luan rol të rëndësishëm në lumturinë tonë. Ai tha: «Lum ata që janë me natyrë të butë.» (Mat. 5:5) Vër re si ndihmon butësia në situatat e mëposhtme.

Butësia zbut tensionet në martesë. Roberti, një vëlla nga Australia, pranon: «E kam lënduar shumë herë gruan me fjalë që nuk i kisha me tërë mend. Ama fjalët e pamenduara, të thëna në zemërim e sipër, nuk mund të tërhiqen. Ndihesha tmerrësisht keq kur shihja sa shumë e kisha lënduar.»

«Të gjithë ne gabojmë shumë herë» kur flasim, dhe fjalët tona të pamenduara mund të kërcënojnë paqen në martesë. (Jak. 3:2) Në raste të tilla, butësia na ndihmon të ruajmë qetësinë dhe t’i vëmë fre gjuhës.—Prov. 17:27.

Roberti punoi fort që të zhvillonte një frymë të qetë dhe vetëkontrollin. Cili ishte rezultati? Ai thotë: «Tani, sa herë lind një mosmarrëveshje, bëj çmos të dëgjoj me vëmendje, të flas me butësi dhe të mos nervozohem. Kështu kemi një marrëdhënie shumë më të mirë me njëri-tjetrin.»

Butësia na ndihmon të shkojmë më mirë me të tjerët. Ata që ofendohen shpejt, në përgjithësi nuk kanë shumë miq. Kurse butësia na ndihmon ‘të ruajmë . . . paqen’ që na bashkon. (Efes. 4:2, 3) Keti, e cituar më sipër, thotë: «Kur tregoj një frymë të butë, marrëdhënia me të tjerët bëhet më e këndshme, pavarësisht se disa janë tipa të vështirë.»

Butësia sjell paqe të brendshme. Në Bibël «mençuria nga lart» lidhet me butësinë dhe paqen. (Jak. 3:13, 17) Një njeri i butë ka ‘zemër të qetë’. (Prov. 14:30) Martini, që është përpjekur fort të zhvillojë cilësinë e butësisë, shprehet: «Tani u hap më shumë rrugë të tjerëve dhe jam më pak imponues. Kështu kam më shumë paqe të brendshme dhe jam më i lumtur.»

Vërtet, për ne mund të jetë një luftë të zhvillojmë një frymë të butë. Një vëlla thotë: «Të them të drejtën, edhe sot e kësaj dite, ka raste kur më kërcen damari.» Por Jehovai, i cili na inkurajon të kërkojmë me ngulm butësinë, do të na ndihmojë në këtë luftë. (Isa. 41:10; 1 Tim. 6:11) Ai mund ‘ta çojë deri në fund stërvitjen tonë’; ai mund ‘të na bëjë të fortë’. (1 Pjet. 5:10) Dhe me kohë, ashtu si apostulli Pavël, mund të pasqyrojmë ‘butësinë dhe mirësinë e Krishtit’.—2 Kor. 10:1.

^ par. 2 Disa emra janë ndryshuar.