Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 20

Të ngushëllojmë viktimat e abuzimit

Të ngushëllojmë viktimat e abuzimit

«Perëndia i çdo ngushëllimi . . . na ngushëllon në të gjitha shtrëngimet tona.»—2 KOR. 1:3, 4.

KËNGA 134 Fëmijët na i ka besuar Perëndia

PËRMBLEDHJE *

1-2. (a) Cili shembull tregon se njerëzit kanë nevojën e lindur për ngushëllim dhe aftësinë për t’i ngushëlluar të tjerët? (b) Në ç’mënyrë janë lënduar disa fëmijë?

NJERËZIT kanë një nevojë të lindur për ngushëllim dhe një aftësi mbresëlënëse për t’i ngushëlluar të tjerët. Për shembull, kur një vogëlush rrëzohet dhe gërvisht gjurin duke luajtur, mund të vrapojë me lot në sy drejt mamit ose babit. Prindërit nuk ia shërojnë dot plagën, ama mund ta ngushëllojnë fëmijën. Mbase e pyesin se çfarë ndodhi, i fshijnë lotët, i thonë fjalë qetësuese, e përqafojnë dhe e puthin. Veç kësaj, ndoshta ia mjekojnë plagën ose ia fashojnë. S’kalon shumë dhe fëmija pushon së qari, e mbase nis të luajë sërish. Me kohë, plaga do t’i shërohet.

2 Mirëpo, ndonjëherë fëmijët lëndohen në mënyra shumë më të rënda. Me disa abuzohet seksualisht. Abuzimi mund të ndodhë një herë të vetme ose mund të vazhdojë për vite me radhë. Sido që të jetë, abuzimi mund të lërë vraga të thella emocionale. Në disa raste, abuzuesi kapet dhe ndëshkohet. Në raste të tjera, duket sikur ia hedh pa u lagur. Por edhe nëse drejtësia vihet shpejt në vend, pasojat e dëmshme të abuzimit mund të vazhdojnë gjatë edhe në moshë të rritur.

3. Sipas 2 Korintasve 1:3, 4, cili është vullneti i Jehovait, dhe cilat pyetje do të shqyrtojmë?

3 Ç’mund ta ndihmojë një vëlla ose motër me të cilin kanë abuzuar në fëmijëri dhe që vazhdon të vuajë emocionalisht edhe në moshë të rritur? (Lexo 2 Korintasve 1:3, 4.) S’ka dyshim se vullneti i Jehovait është që shërbëtorët e tij të shtrenjtë të marrin dashurinë dhe ngushëllimin që u nevojitet. Ndaj le të shqyrtojmë këto tri pyetje: (1) Pse mund të  kenë nevojë për ngushëllim ata që kanë vuajtur nga abuzimi në fëmijëri? (2) Kush mund t’ua japë ngushëllimin që u nevojitet? (3) Si mund t’i ngushëllojmë në mënyrë të efektshme?

PSE KANË NEVOJË PËR NGUSHËLLIM?

4-5. (a) Pse është e rëndësishme të kuptojmë se fëmijët ndryshojnë nga të rriturit? (b) Si mund të ndikojë abuzimi tek aftësia e fëmijës për t’u zënë besë të tjerëve?

4 Disa të rritur me të cilët kanë abuzuar në fëmijëri, mund të kenë ende nevojë për ngushëllim ndonëse kanë kaluar vite të tëra. Pse? Që të kuptojmë këtë, së pari duhet të kuptojmë se fëmijët ndryshojnë jashtë mase nga të rriturit. Shpesh keqtrajtimi te një fëmijë ndikon krejt ndryshe nga ç’ndikon te një i rritur. Mendo për këta shembuj.

5 Fëmijët kanë nevojë të krijojnë lidhje të ngushta dhe t’u besojnë atyre që i rritin e kujdesen për ta. Falë lidhjeve të tilla, fëmijët ndihen të mbrojtur dhe mësojnë t’u besojnë atyre që i duan. (Psal. 22:9) Mjerisht, abuzimi ndodh më shpesh brenda shtëpisë, dhe zakonisht abuzuesit janë pjesëtarë të afërt të familjes ose miq të familjes. Kur ia shpërdoron besimin fëmijës në këtë mënyrë, mund t’ia bësh të vështirë t’u zërë besë të tjerëve, madje edhe vite më vonë.

6. Pse është mizor dhe i dëmshëm abuzimi seksual?

6 Fëmijët nuk e mbrojnë dot veten. Abuzimi seksual është mizor e i dëmshëm. T’i detyrosh fëmijët të kryejnë veprime seksuale shumë vite para se të jenë gati fizikisht, emocionalisht dhe mendërisht për marrëdhënie seksuale brenda martesës, mund të shkaktojë dëme të mëdha. Abuzimi mund t’ua shtrembërojë keqas pikëpamjen për seksin, për veten ose për këdo që kërkon të jetë i afërt me ta.

7. (a) Pse një abuzues dinak mund ta ketë të lehtë të mashtrojë një fëmijë, dhe si mund ta bëjë abuzuesi këtë? (b) Cilat mund të jenë pasojat e këtyre gënjeshtrave?

7 Fëmijët nuk e kanë plotësisht të zhvilluar aftësinë për të menduar, për të arsyetuar ose për të dalluar dhe shmangur rrezikun. (1 Kor. 13:11) Ja pse një abuzues dinak e ka tejet të lehtë që të mashtrojë një fëmijë. Abuzuesit u mësojnë fëmijëve gënjeshtra të rrezikshme, si ideja se fajin e ka fëmija, se abuzimi duhet mbajtur sekret, se askush nuk do ta dëgjojë a nuk do t’i bëhet vonë nëse fëmija tregon për abuzimin, ose që veprimet seksuale mes një të rrituri dhe një fëmije janë shprehje normale të dashurisë së sinqertë. Gënjeshtra të tilla mund t’ia shtrembërojnë fëmijës për vite të tëra aftësinë për të menduar dhe mënyrën si e percepton të vërtetën për këto gjëra. Ky fëmijë mund të rritet duke menduar se është pa pikë vlere, i fëlliqur dhe i padenjë që ta duan ose ta ngushëllojnë.

8. Pse mund të jemi të sigurt se Jehovai mund t’i ngushëllojë ata që janë lënduar?

8 Nuk habitemi, pra, që abuzimi seksual mund të shkaktojë vraga që nuk fshihen për një kohë të gjatë. Sa i lig është ky krim! Kjo murtajë kaq e përhapur është provë e qartë se po jetojmë në ditët e fundit, një kohë kur shumë veta nuk kanë «përzemërsi të natyrshme» dhe kur «njerëzit e ligj dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq». (2 Tim. 3:1-5, 13) Intrigat e Satanait janë vërtet të liga, dhe është e trishtueshme kur njerëzit veprojnë siç i pëlqen Djallit. Megjithatë, Jehovai është ku e ku më i fuqishëm se Satanai dhe se ata që i shërbejnë. Jehovai nuk është kurrë i verbër ndaj taktikave të Satanait. Të jemi të sigurt se Jehovai e kupton shumë mirë dhembjen tonë dhe  mund të na sigurojë ngushëllimin që na nevojitet. Jemi të bekuar që i shërbejmë ‘Perëndisë së çdo ngushëllimi, i cili na ngushëllon në të gjitha sprovat tona, që edhe ne të mund t’i ngushëllojmë të tjerët në çfarëdo sprove me po atë ngushëllim që marrim prej tij’. (2 Kor. 1:3, 4, NWT, botimi 2013) Por, kë përdor Jehovai për të na ngushëlluar?

KUSH MUND T’I NGUSHËLLOJË?

9. Siç tha mbreti David te Psalmi 27:10, çfarë do të bëjë Jehovai për ata që familja nuk i ka mbrojtur në fëmijëri?

9 Mund të kenë veçanërisht nevojë për ngushëllim ata që prindërit ‘i braktisën’, domethënë nuk i mbrojtën nga abuzuesi e nuk i ngushëlluan, ose ata me të cilët abuzuan persona të afërt. Psalmisti David e dinte se Jehovai është ngushëlluesi më i besueshëm. (Lexo Psalmin 27:10.) Davidi kishte besim se Jehovai ‘i merr në gji’ ata që familja i ka keqtrajtuar. Si e bën Jehovai këtë? Me anë të shërbëtorëve të tij besnikë në tokë. Adhuruesit e tjerë të Jehovait janë familja jonë. Për shembull, Jezui tha se ata që po adhuronin Jehovain bashkë me të ishin vëllezërit, motrat dhe nëna e tij.—Mat. 12:48-50.

10. Si e përshkroi Pavli punën e tij si plak?

10 Ja një shembull se si lidhjet brenda kongregacionit të krishterë, mund të jenë si lidhjet e ngrohta familjare. Apostulli Pavël ishte një plak punëtor e besnik. Ai la një shembull të shkëlqyer, e madje nën frymëzim i nxiti të tjerët ta imitonin, ashtu siç imitonte ai Krishtin. (1 Kor. 11:1) Vër re si e përshkroi një herë Pavli punën e tij si plak: «U sollëm ëmbëlsisht me ju, ashtu si nëna mënd e përkujdeset për fëmijët e saj.» (1 Sel. 2:7) Edhe pleqtë besnikë sot mund të përdorin fjalë të ëmbla e të buta teksa ngushëllojnë me anë të Shkrimeve ata që kanë nevojë për ndihmë.

Shpesh motrat e pjekura ngushëllojnë në mënyrë shumë të efektshme (Shih paragrafin 11) *

11. Ç’gjë tregon se pleqtë nuk janë të vetmit që mund t’i ngushëllojnë të tjerët?

11 A janë pleqtë të vetmit që mund të ngushëllojnë viktimat e abuzimit? Jo. Të gjithë ne kemi përgjegjësinë ‘të vazhdojmë  të ngushëllojmë njëri-tjetrin’. (1 Sel. 4:18) Motrat e pjekura në kongregacion mund të jenë një burim i madh inkurajimi për motrat që kanë nevojë për ngushëllim. Sa e përshtatshme është që Perëndia Jehova e krahasoi veten me një nënë që ngushëllon të birin! (Isa. 66:13) Bibla përmban shembuj të grave që ngushëlluan të dëshpëruarit. (Jobi 42:11) Sa kënaqet Jehovai kur sheh sot gra të krishtere tek ngushëllojnë motrat e tyre që e kanë zemrën plagë! Në disa raste, një ose dy pleq mund ta pyesin privatisht një motër të pjekur nëse ka mundësi të ndihmojë në këtë mënyrë një motër që po vuan. *

SI MUND T’I NGUSHËLLOJMË?

12. Çfarë duhet të shmangim?

12 Natyrisht, bëjmë kujdes të mos futim hundët në çështje për të cilat bashkëbesimtari preferon të mos bisedojë. (1 Sel. 4:11) Por, çfarë mund të bëjmë për ata që kanë nevojë për ngushëllim e ndihmë dhe që e duan ndihmën? Le të shqyrtojmë me anë të Shkrimeve pesë mënyra si mund t’i ngushëllojmë.

13. (a) Siç tregohet te 1 Mbretërve 19:5-8, çfarë bëri për Elijan engjëlli i Jehovait? (b) Si mund ta imitojmë engjëllin?

13 Ofro ndihmë praktike. Kur profeti Elija po ia mbathte për të shpëtuar jetën, ishte kaq i shkurajuar sa donte të vdiste. Jehovai dërgoi tek Elija i shkurajuar një engjëll të fuqishëm. Engjëlli e ndihmoi në mënyrë mjaft praktike. I dha Elijas ushqim të ngrohtë dhe e inkurajoi të hante. (Lexo 1 Mbretërve 19:5-8.) Ky tregim na ilustron një të vërtetë me vlerë: ndonjëherë një ndihmë e thjeshtë praktike e dhënë me mirësi, mund të sjellë shumë dobi. Mbase një vakt, një dhuratë modeste ose një kartolinë me fjalë të menduara mirë, do ta sigurojë një vëlla a motër të shkurajuar se e duam dhe se është i rëndësishëm për ne. Edhe nëse e kemi siklet të bisedojmë për gjëra tepër personale a të dhimbshme, prapë mund t’i ndihmojmë në mënyra të tilla praktike.

14. Çfarë mësimi mund të nxjerrim nga tregimi për Elijan?

14 Bëj që të dëshpëruarit të ndihen të mbrojtur dhe rehat. Mund të nxjerrim edhe një mësim tjetër nga tregimi për Elijan. Me anë të një mrekullie, Jehovai i dha profetit ndihmën që i nevojitej për të përshkuar gjithë atë udhë deri në malin Horeb. Ndoshta Elija ndihej i mbrojtur në atë vend të largët, ku Jehovai kishte bërë besëlidhjen me popullin e tij shekuj më parë. Mbase ndiente që, më në fund, ishte shumë larg atyre që donin ta vritnin. Ç’mësim mund të nxjerrim? Nëse duam të ngushëllojmë viktimat e abuzimit, në fillim mund të jetë e nevojshme t’i ndihmojmë të ndihen të mbrojtur. Për shembull, pleqtë duhet të mbajnë parasysh se një motër zemërvrarë mund të ndihet më e mbrojtur dhe më rehat në shtëpi ndërsa pi një filxhan çaj në një atmosferë të çlirët sesa në Sallën e Mbretërisë. Për dikë tjetër, mund të jetë e kundërta.

Mund të jemi ilaç për të tjerët duke i dëgjuar me durim, duke u lutur nga zemra dhe duke zgjedhur fjalë ngushëlluese (Shih paragrafët 15-20) *

15-16. Çfarë do të thotë të jesh dëgjues i mirë?

15 Ji dëgjues i mirë. Bibla jep këtë këshillë të qartë: «Çdo njeri duhet të jetë i shpejtë në të dëgjuar, të mos nxitohet në të folur.» (Jak. 1:19) A jemi dëgjues të mirë? Ndoshta mendojmë se të dëgjuarit është një veprim pasiv—sikur përfshin thjesht të qëndrosh pa lëvizur, të shohësh tjetrin dhe të mos thuash gjë. Por të jesh dëgjues i mirë, përfshin më tepër se kaq. Për shembull, në fund Elija ia zbrazi dhembjen e shpirtit Jehovait, dhe Jehovai e dëgjoi me të vërtetë.  Jehovai e kuptoi se Elija ishte i frikësuar, se ndihej i vetmuar dhe se mendonte që gjithë puna e tij kishte qenë e kotë. Jehovai u kujdes me dashuri për çdo merak që kishte Elija. Tregoi se e kishte dëgjuar vërtet Elijan.—1 Mbret. 19:9-11, 15-18.

16 Si mund të shfaqim keqardhje e dhembshuri të butë—që janë shprehje të dashurisë—ndërsa dëgjojmë dikë? Ndonjëherë, mund të mjaftojnë pak fjalë të ngrohta e me takt. Mund të thuash: «Më vjen tmerrësisht keq që të ka ndodhur kjo! Asnjë fëmijë nuk duhet të trajtohet kështu!» Ndoshta mund të bësh një ose dy pyetje për t’u siguruar se po e kupton atë që thotë miku ose mikja jote e brengosur. Mund ta pyesësh: «Të lutem, a mund të më ndihmosh ta kuptoj se ku e ke fjalën?» ose «Kur the këtë, kuptova që . . . Mirë e kuptova?» Fjalë të tilla të dashura mund ta sigurojnë se po e dëgjon vërtet dhe se po përpiqesh fort ta kuptosh.—1 Kor. 13:4, 7.

17. Pse duhet të jemi të duruar dhe ‘të mos nxitohemi në të folur’?

17 Sidoqoftë, bëj kujdes ‘të mos nxitohesh në të folur’ gjatë bisedës. Mos e ndërprit që t’i japësh këshilla ose që t’i ndreqësh mënyrën si mendon. Dhe ki durim! Kur në fund Elija ia zbrazi zemrën Jehovait, e shprehu ankthin që ndiente me fjalë të ngarkuara emocionalisht. Më vonë, pasi Jehovai ia forcoi besimin, Elija iu zbraz sërish për ndjenjat e veta, duke përdorur po ato fjalë. (1 Mbret. 19:9, 10, 13, 14) Cili është mësimi? Ka raste kur njerëzit e dëshpëruar kanë nevojë ta zbrazin zemrën më shumë se një herë. Ne duam të dëgjojmë me durim, ashtu si Jehovai. Në vend që të përpiqemi të japim zgjidhje, tregojmë keqardhje dhe dhembshuri të butë.—1 Pjet. 3:8.

18. Cilat lloj lutjesh mund t’i ngushëllojnë ata që po vuajnë?

18 Lutu me gjithë zemër me atë që po vuan. Ata që ndihen përtokë ndoshta e  kanë të pamundur të luten. Dikush mund të ndihet i padenjë t’i lutet Jehovait. Nëse duam ta ngushëllojmë, mund të lutemi bashkë me të duke përdorur emrin e tij a të saj. Mund t’i shprehim Jehovait sa i shtrenjtë është për ne dhe për kongregacionin vëllai a motra e shkurajuar. Mund t’i lutemi Jehovait që t’ia qetësojë shpirtin dhe ta ngushëllojë delen e tij të shtrenjtë. Këto lloj lutjesh mund të jenë një ngushëllim i jashtëzakonshëm.—Jak. 5:16.

19. Si mund të përgatitemi për të ngushëlluar dikë?

19 Zgjidh fjalë që shërojnë dhe ngushëllojnë. Mendo para se të flasësh. Fjalët e pamenduara mund të lëndojnë. Fjalët e dashura mund të shërojnë. (Prov. 12:18) Ndaj, lutju Jehovait të të ndihmojë të gjesh fjalë të dashura, ngushëlluese e qetësuese. Mos harro, s’ka fjalë më të fuqishme se fjalët e Jehovait që i gjejmë në Bibël.—Hebr. 4:12.

20. Për çfarë mund t’ua kenë mbushur mendjen disave përvojat e këqija, por çfarë duam t’u kujtojmë atyre?

20 Abuzimet e së kaluarës mund t’ua kenë mbushur mendjen disave se janë të fëlliqur, të pavlerë ose se askush nuk i do—a madje se nuk e meritojnë t’i duan. Sa gënjeshtër e tmerrshme! Prandaj përdor Shkrimet për t’u kujtuar vlerën e vërtetë që kanë në sytë e Jehovait. (Shih kutinë « Ngushëllim nga Shkrimet».) Kujto se si e forcoi me dashamirësi një engjëll profetin Daniel kur ndihej i pafuqishëm e i shkurajuar. Jehovai dëshironte që ai shërbëtor i shtrenjtë ta dinte se ishte i vyer. (Dan. 10:2, 11, 19) Edhe motrat e vëllezërit tanë zemërvrarë janë të vyer për Jehovain!

21. Ç’e ardhme i pret të gjithë keqbërësit e papenduar, por ndërkohë çfarë duhet të jemi të vendosur të bëjmë të gjithë ne?

21 Kur i ngushëllojmë të tjerët, u kujtojmë se Jehovai i do. E nuk duhet të harrojmë kurrë se Jehovai është edhe Perëndi i drejtësisë. Asnjë veprim i lig abuzimi nuk është i fshehtë për të. Jehovai sheh gjithçka dhe nuk do t’i lërë pa ndëshkuar keqbërësit e papenduar. (Num. 14:18) Ndërkohë, le të bëjmë gjithë sa kemi në dorë për t’u treguar dashuri atyre që kanë vuajtur nga abuzimi. Veç kësaj, sa na ngushëllon dijenia se Jehovai do t’i shërojë një herë e mirë të gjithë ata që kanë pësuar abuzime nga Satanai dhe bota e tij! Së shpejti, këto gjëra të dhimbshme nuk do të vijnë më kurrë në mendje e as do të zgjohen më në zemër.—Isa. 65:17.

KËNGA 109 Kini dashuri të zjarrtë nga zemra

^ par. 5 Ata me të cilët është abuzuar në fëmijëri mund të përballojnë vështirësi edhe vite më vonë. Ky artikull do të na ndihmojë të kuptojmë arsyet pse. Do të shqyrtojmë edhe se kush mund të jetë në gjendje t’i ngushëllojë. Në fund, do të shohim disa mënyra të efektshme se si mund t’i ngushëllojmë.

^ par. 11 I takon personit që ka vuajtur nga abuzimi të vendosë nëse do të kërkojë ndihmë të specializuar.

^ par. 76 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Një motër e pjekur ngushëllon një motër që po vuan.

^ par. 78 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Dy pleq vizitojnë një motër të dëshpëruar. Ajo ka ftuar motrën e pjekur të jetë e pranishme.