Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 ARTIKULLI I STUDIMIT 18

Dashuria dhe drejtësia në kongregacionin e krishterë

Dashuria dhe drejtësia në kongregacionin e krishterë

«Vazhdoni të mbani barrët e njëri-tjetrit dhe të përmbushni kështu ligjin e Krishtit.»—GAL. 6:2.

KËNGA 12 Jehova, Perëndi i madh

PËRMBLEDHJE *

1. Cilat janë dy gjëra për të cilat mund të jemi të sigurt?

PERËNDIA JEHOVA i do adhuruesit e tij. I ka dashur gjithmonë dhe do t’i dojë gjithmonë. Veç kësaj, ai e do drejtësinë. (Psal. 33:5) Prandaj mund të jemi të sigurt për dy gjëra: (1) Jehovai ndien dhimbje kur shërbëtorët e tij trajtohen padrejtësisht. (2) Ai do të sigurohet që drejtësia të vihet në vend. Në artikullin e parë të kësaj serie, * mësuam se Ligji që i dha Perëndia Izraelit nëpërmjet Moisiut bazohej te dashuria. Ai nxiste drejtësinë—drejtësi për të gjithë, edhe për të pambrojturit. (Ligj. 10:18) Ai Ligj zbulon sa e thellë është përzemërsia e Jehovait për adhuruesit e tij.

2. Cilave pyetje do t’u përgjigjemi?

2 Ligji i Moisiut u shfuqizua në vitin 33 të e.s. kur u themelua kongregacioni i krishterë. A do të privoheshin të krishterët nga dobitë e një ligji që bazohet te dashuria dhe që nxit drejtësinë? Kurrsesi! Të krishterët kishin një ligj të ri. Në këtë artikull, do të shohim së pari çfarë është ky ligj. Pastaj do t’u përgjigjemi këtyre pyetjeve: Pse mund të themi se ky ligj bazohet te dashuria? Pse mund të themi se ai nxit drejtësinë? Nën këtë ligj, si duhet t’i trajtojnë ata me autoritet të tjerët?

ÇFARË ËSHTË ‘LIGJI I KRISHTIT’?

3. Çfarë përfshin ‘ligji i Krishtit’ i përmendur te Galatasve 6:2?

3 Lexo Galatasve 6:2. Të krishterët janë nën «ligjin  e Krishtit». Edhe pse Jezui nuk hodhi me shkrim një kod ligjor për dishepujt e tij, u dha udhëzime, urdhra e parime për t’i ndjekur në jetë. ‘Ligji i Krishtit’ përfshin gjithçka që mësoi Jezui. Që ta kuptojmë më mirë këtë ligj, le të shohim paragrafët më poshtë.

4-5. Në cilat mënyra i mësoi Jezui njerëzit, dhe kur i mësoi?

4 Në cilat mënyra i mësoi Jezui njerëzit? Së pari, i mësoi me anë të asaj që thoshte. Fjalët e tij kishin fuqi sepse përcillnin të vërtetën për Perëndinë, mësonin qëllimin e vërtetë të jetës dhe e drejtonin vëmendjen te Mbretëria e Perëndisë si zgjidhja për gjithë vuajtjet e njerëzimit. (Luka 24:19) Jezui i mësoi të tjerët edhe me anë të shembullit. Me mënyrën si jetoi, ai u tregoi dishepujve të tij si duhej të jetonin.—Gjoni 13:15.

5 Kur i mësoi Jezui njerëzit? Gjatë shërbimit të tij në tokë. (Mat. 4:23) Gjithashtu, i mësoi dishepujt e tij pak pasi u ringjall. Për shembull, ai iu shfaq një grupi dishepujsh—që ndoshta bëheshin mbi 500—e u dha urdhrin ‘të bënin dishepuj’. (Mat. 28:19, 20; 1 Kor. 15:6) Si kreu i kongregacionit, Jezui vazhdoi t’u jepte drejtim dishepujve pasi u kthye në qiell. Për shembull, rreth vitit 96 të e.s., Krishti e udhëzoi apostullin Gjon t’u jepte inkurajim e këshilla të krishterëve të mirosur.—Kolos. 1:18; Zbul. 1:1.

6-7. (a) Ku janë shkruar mësimet e Jezuit? (b) Si i bindemi ligjit të Krishtit?

6 Ku janë shkruar mësimet e Jezuit? Në katër ungjijtë janë shkruar shumë nga gjërat që tha e bëri Jezui në tokë. Pjesa tjetër e Shkrimeve të Krishtere Greke—e shkruar nga burra që u frymëzuan nga fryma e shenjtë dhe që kishin «mendjen e Krishtit»—na ndihmon të kuptojmë akoma më mirë mënyrën si mendon Jezui.—1 Kor. 2:16.

7 Mësime: Mësimet e Jezuit hyjnë në punë në të gjitha aspektet e jetës. Pra, ligji i Krishtit na udhëheq në çdo gjë që bëjmë në shtëpi, në punë a në shkollë dhe në kongregacion. E mësojmë këtë ligj duke  lexuar e medituar për Shkrimet e Krishtere Greke. I bindemi këtij ligji duke e përputhur jetën tonë me udhëzimet, urdhrat dhe parimet që përmbajnë këto shkrime të frymëzuara. Kur i bindemi ligjit të Krishtit, i bindemi Perëndisë tonë të dashur, Jehovait, i cili është Burimi i gjithçkaje që mësoi Jezui.—Gjoni 8:28.

NJË LIGJ I BAZUAR TE DASHURIA

8. Cili është themeli i ligjit të Krishtit?

8 Një shtëpi e mirë, e ngritur mbi një themel të fortë i bën të ndihen të mbrojtur e të sigurt ata që jetojnë në të. Po njësoj, një ligj i mirë, i ngritur mbi një themel të fortë i bën të ndihen të mbrojtur e të sigurt ata që jetojnë sipas tij. Ligji i Krishtit bazohet te themeli më i mirë që ekziston—dashuria. Pse e themi këtë?

Kur i trajtojmë me dashuri të tjerët, po i bindemi ‘ligjit të Krishtit’ (Shih paragrafët 9-14) *

9-10. Cilët shembuj tregojnë se Jezui motivohej nga dashuria, dhe si mund ta imitojmë?

9 Së pari, Jezui motivohej nga dashuria në gjithçka bënte. Keqardhja, ose dhembshuria e butë, është shprehje e dashurisë. I shtyrë nga kjo keqardhje, Jezui mësoi turma njerëzish, shëroi të sëmurë, ushqeu të uritur dhe ktheu në jetë të vdekur. (Mat. 14:14; 15:32-38; Mar. 6:34; Luka 7:11-15) Ndonëse këto i merrnin shumë kohë dhe energji, Jezui i vinte me gatishmëri nevojat e të tjerëve para të vetave. Mbi të gjitha, ai tregoi dashuri të madhe duke dhënë jetën për të tjerët.—Gjoni 15:13.

10 Mësime: Mund ta imitojmë Jezuin duke i vënë nevojat e të tjerëve para tonave. Mund ta imitojmë edhe duke zhvilluar dhembshuri të butë për njerëzit në territor. Kur kjo dhembshuri na nxit t’u predikojmë e t’u mësojmë lajmin e mirë, po i bindemi ligjit të Krishtit.

11-12. (a) Nga e dimë se Jehovai ka dashuri të thellë për ne? (b) Si mund ta imitojmë dashurinë e Jehovait?

11 Së dyti, Jezui nxori në pah dashurinë e Atit të tij. Gjatë shërbimit në tokë, Jezui tregoi sa e thellë është përzemërsia e Jehovait për adhuruesit e vet. Ja një nga gjërat që mësoi Jezui: secili nga ne është i shtrenjtë dhe i çmuar për Atin qiellor. (Mat. 10:31) Jehovai dëshiron fort ta presë krahëhapur një dele të humbur që pendohet dhe kthehet në kongregacion. (Luka 15:7, 10) Ai tregoi sa shumë na do duke dhënë Birin e tij si shpërblesë për ne.—Gjoni 3:16.

12 Mësime: Si mund ta imitojmë dashurinë e Jehovait? (Efes. 5:1, 2) Ne e shohim çdo vëlla e motër si të shtrenjtë e të çmuar, dhe e presim krahëhapur një ‘dele të humbur’ që kthehet te Jehovai. (Psal. 119:176) Tregojmë se i duam vëllezërit e motrat duke dhënë nga vetja, si për shembull duke i ndihmuar kur janë në nevojë. (1 Gjon. 3:17) Kur i trajtojmë të tjerët me dashuri, i bindemi ligjit të Krishtit.

13-14. (a) Sipas Gjonit 13:34, 35, çfarë i urdhëroi Jezui dishepujt e tij të tregojnë, dhe pse ky është një urdhërim i ri? (b) Si i bindemi këtij urdhërimi të ri?

13 Së treti, Jezui i urdhëroi dishepujt e tij të tregojnë dashuri vetëmohuese. (Lexo Gjonin 13:34, 35.) Urdhërimi i Jezuit është i ri se kërkon një lloj dashurie që nuk kërkohej nën Ligjin që i dha Perëndia Izraelit: t’i duash bashkëbesimtarët siç të deshi Jezui ty. Kjo kërkon një dashuri vetëmohuese. * Duhet t’i duam vëllezërit e motrat akoma më shumë nga ç’duam veten.  Duhet t’i duam deri aty sa të jemi të gatshëm të japim jetën për ta, siç e dha Jezui për ne.

14 Mësime: Si i bindemi këtij urdhërimi të ri? Me dy fjalë, duke bërë sakrifica për vëllezërit e motrat. Jemi të gatshëm të bëjmë jo vetëm sakrificën supreme—të japim jetën—por edhe sakrifica më të vogla. Për shembull, kur bëjmë përpjekje të veçanta që të shoqërojmë për në mbledhje një vëlla a motër të moshuar, kur heqim dorë me gatishmëri nga preferencat tona për të kënaqur një njeri të dashur ose kur marrim ditë pushimi nga puna për të ndihmuar në rast katastrofash, po i bindemi ligjit të Krishtit. Kështu ndihmojmë edhe që kongregacioni të bëhet një vend ku çdokush ndihet i mbrojtur dhe i sigurt.

NJË LIGJ QË NXIT DREJTËSINË

15-17. (a) Si e nxorën në pah veprimet e Jezuit ndjenjën e tij të drejtësisë? (b) Si mund ta imitojmë Jezuin?

15 Fjala «drejtësi» në Bibël, në thelb ka kuptimin të bësh atë që Perëndia e quan të drejtë dhe ta bësh me paanësi. Pse themi se ligji i Krishtit nxit drejtësinë?

Jezui i trajtonte me respekt dhe dashamirësi gratë, madje edhe ato që të tjerët i shihnin me përbuzje (Shih paragrafin 16) *

16 Së pari, të shohim si e nxorën në pah veprimet e Jezuit ndjenjën e tij të drejtësisë. Në kohën e tij, krerët fetarë judenj i urrenin jojudenjtë, i përçmonin judenjtë e thjeshtë dhe nuk i respektonin gratë. Por Jezui i trajtonte të gjithë me drejtësi dhe paanësi. Ai i mirëpriste jojudenjtë që i afroheshin të shtyrë nga besimi. (Mat. 8:5-10, 13) U predikonte pa paragjykim të gjithëve, të pasur e të varfër. (Mat. 11:5; Luka 19:2, 9) Kurrë nuk i keqtrajtonte ose nuk sillej vrazhdë me gratë. Përkundrazi, i trajtonte me respekt dhe dashamirësi, madje edhe ato gra që të tjerët i shihnin me përbuzje.—Luka 7:37-39, 44-50.

17 Mësime: Mund ta imitojmë Jezuin duke i trajtuar të tjerët me paanësi dhe duke u predikuar të gjithë atyre që dëshirojnë të dëgjojnë—pavarësisht nga shtresa shoqërore a feja që kanë. Burrat e krishterë imitojnë shembullin e Jezuit duke u sjellë me respekt ndaj grave. Kur veprojmë kështu, i bindemi ligjit të Krishtit.

18-19. Çfarë u mësoi Jezui dishepujve për drejtësinë, dhe cilat mësime nxjerrim nga kjo?

18 Së dyti, të shohim çfarë u mësoi Jezui dishepujve për drejtësinë. Ai mësoi parime që do t’i ndihmonin dishepujt t’i trajtonin të tjerët me drejtësi. Mendo, për shembull, për Rregullën e Artë. (Mat. 7:12) Të gjithë duam të na trajtojnë me drejtësi. Ndaj duhet t’i trajtojmë të tjerët me drejtësi. Po të veprojmë kështu, edhe ata mund të nxiten të na trajtojnë me drejtësi. Po në rast se na kanë trajtuar padrejtësisht? Jezui u mësoi dishepujve të tij edhe të kenë besim se Jehovai ‘do t’u japë të drejtën atyre që i thërrasin ditë e natë për ndihmë’. (Luka 18:6, 7) Këto fjalë janë një premtim: Perëndia ynë i drejtë e di mirë çfarë sprovash po heqim në këto ditë të fundit dhe do të na japë të drejtën në kohën që ka caktuar Ai.—2 Sel. 1:6.

19 Mësime: Po të zbatojmë parimet që mësoi Jezui, do t’i trajtojmë të tjerët me drejtësi. Dhe nëse kemi qenë viktimë e padrejtësive në botën e Satanait, mund të na e ngushëllojë zemrën fakti që Jehovai do të na e japë të drejtën.

SI DUHET T’I TRAJTOJNË ATA ME AUTORITET TË TJERËT?

20-21. (a) Si duhet t’i trajtojnë ata me autoritet të tjerët? (b) Si mund të tregojë dashuri vetëmohuese një burrë, dhe si duhet t’i trajtojë një baba fëmijët e vet?

20 Nën ligjin e Krishtit, si duhet t’i  trajtojnë ata me autoritet të tjerët? Meqë themeli i këtij ligji është dashuria, ata me autoritet duhet t’u japin dinjitet dhe t’i trajtojnë me dashuri ata që janë nën kujdesin tyre. Duhet të mos harrojnë se ajo që kërkon Krishti është të ndjekim në çdo rast udhën e dashurisë.

21 Në familje. Burri duhet ta dojë gruan e tij «ashtu si edhe Krishti e deshi kongregacionin». (Efes. 5:25, 28, 29) Një burrë duhet ta imitojë dashurinë vetëmohuese të Krishtit duke i vënë nevojat dhe interesat e gruas para të tijave. Disa burra mund ta kenë të vështirë të tregojnë një dashuri të tillë, mbase ngaqë janë rritur në një shoqëri ku nuk vlerësohet sjellja e drejtë dhe e dashur ndaj të tjerëve. Ndoshta s’e kanë të lehtë t’i heqin zakonet e këqija, ama duhet t’i bëjnë këto ndryshime që t’i binden ligjit të Krishtit. Një burrë që tregon dashuri vetëmohuese fiton respektin e së shoqes. Një baba që i do vërtet fëmijët e tij, nuk i keqtrajton kurrë me fjalët a me mënyrën si vepron. (Efes. 4:31) Në vend të kësaj, ua shpreh dashurinë dhe miratimin në mënyra që i bëjnë fëmijët të ndihen të mbrojtur dhe të sigurt. Ky baba fiton dashurinë dhe besimin e fëmijëve të vet.

22. Siç tregon 1 Pjetrit 5:1-3, kujt i përkasin ‘delet’, dhe si duhen trajtuar?

22 Në kongregacion. Pleqtë duhet të mbajnë ndër mend se ‘delet’ nuk u përkasin atyre. (Gjoni 10:16; lexo 1 Pjetrit 5:1-3.) Shprehjet ‘kopeja e Perëndisë’ dhe «trashëgimia e Perëndisë» u kujtojnë pleqve se delet i përkasin Jehovait. Ai do që delet e tij të trajtohen me dashuri e zemërbutësi. (1 Sel. 2:7, 8) Pleqtë që e përmbushin me dashuri përgjegjësinë e tyre si barinj,  fitojnë miratimin e Jehovait. Këta pleq fitojnë edhe dashurinë e respektin e vëllezërve dhe motrave të tyre.

23-24. (a) Çfarë roli luajnë pleqtë kur dikush në kongregacion kryen një mëkat të rëndë? (b) Çfarë shqyrtojnë pleqtë kur trajtojnë çështje të tilla?

23 Çfarë roli luajnë pleqtë kur dikush në kongregacion kryen një mëkat të rëndë? Roli i tyre ndryshon nga ai i gjykatësve dhe pleqve nën Ligjin që i dha Perëndia Izraelit. Nën atë Ligj, burrat e emëruar trajtonin jo vetëm çështjet e lidhura me adhurimin, por edhe ato civile e penale. Kurse nën ligjin e Krishtit, roli i pleqve është të trajtojnë vetëm ato aspekte të mëkatit që lidhen me adhurimin e Jehovait. Ata e pranojnë se Perëndia ua ka dhënë autoriteteve qeveritare përgjegjësinë për të trajtuar çështjet civile dhe penale. Kjo përfshin autoritetin për të dhënë ndëshkime, si gjoba ose burgosje.—Rom. 13:1-4.

24 Si veprojnë pleqtë kur trajtojnë ato aspekte të mëkatit që lidhen me adhurimin? Ata përdorin Shkrimet për të analizuar çështjet e për të marrë vendime. Mbajnë parasysh se themeli i ligjit të Krishtit është dashuria. Dashuria i shtyn pleqtë të shqyrtojnë: Ç’duhet bërë për të ndihmuar çdokënd në kongregacion që ka qenë viktimë e mëkatit? Lidhur me atë që ka kryer mëkatin, dashuria i shtyn pleqtë të shqyrtojnë: A është penduar? A mund ta ndihmojmë të rimëkëmbë marrëdhënien me Jehovain?

25. Çfarë do të shqyrtojmë në artikullin tjetër?

25 Sa mirënjohës ndihemi që jemi nën ligjin e Krishtit! Kur të gjithë bëjmë çmos t’i bindemi këtij ligji, ndihmojmë që kongregacioni të bëhet një vend ku çdokush ndihet i mbrojtur, i vlerësuar dhe se e duan. Gjithsesi, jetojmë në një botë ku «njerëzit e ligj» janë bërë «keq e më keq». (2 Tim. 3:13) Nuk duhet ta ulim vigjilencën. Si mund ta pasqyrojë drejtësinë e Perëndisë kongregacioni i krishterë kur trajton abuzimin seksual me fëmijët? Artikulli tjetër do t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

KËNGA 15 T’i thurim lavdi të parëlindurit të Jehovait

^ par. 5 Ky artikull dhe dy të tjerët pas tij janë pjesë e një serie që shqyrton pse mund të jemi të sigurt se Jehovai është Perëndi i dashurisë dhe i drejtësisë. Ai do që shërbëtorët e tij të trajtohen me drejtësi dhe i ngushëllon ata që u janë bërë padrejtësi në këtë botë të ligë.

^ par. 1 Shih artikullin «Dashuria dhe drejtësia në Izraelin e lashtë» në Kullën e Rojës të shkurtit 2019.

^ par. 13 SHPJEGIMI I SHPREHJES: Dashuria vetëmohuese na motivon t’i vëmë nevojat dhe interesat e të tjerëve para tonave. Jemi të gatshëm të heqim dorë nga diçka ose t’i mohojmë vetes diçka, me qëllim që t’i ndihmojmë ose t’u sjellim dobi të tjerëve.

^ par. 61 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui vëren një vejushë që i ka vdekur djali i vetëm. I shtyrë nga keqardhja, Jezui e ringjall djalin.

^ par. 63 PËRSHKRIMI I FIGURËS: Jezui është shtruar për të ngrënë në shtëpinë e një fariseu që quhet Simon. Një grua, mbase një prostitutë, sapo ia ka larë këmbët Jezuit me lotët e saj, ia ka tharë me flokë dhe ka derdhur vaj mbi to. Simoni i sheh shtrembër veprimet e saj, por Jezui e mbron gruan.