Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Besimi​—Një cilësi forcëdhënëse

Besimi​—Një cilësi forcëdhënëse

BESIMI ka fuqi të papërshkrueshme. Për shembull, ndonëse Satanai do që të na shkatërrojë marrëdhënien me Jehovain, besimi na ndihmon ‘të shuajmë të gjitha shigjetat e zjarrta të të ligut’. (Efes. 6:16) Me besim mund të përballojmë probleme që duken si male. Jezui u tha dishepujve të tij: «Po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali: ‘Lëviz nga këtu atje’, dhe ai do të lëvizë.» (Mat. 17:20) Përderisa besimi mund të na forcojë marrëdhënien me Jehovain, bëjmë mirë të shqyrtojmë këto pyetje: çfarë është besimi? Si ndikon qëndrimi ose gjendja e zemrës sonë te besimi? Si mund ta forcojmë besimin? Dhe te kush duhet të tregojmë besim?—Rom. 4:3.

ÇFARË ËSHTË BESIMI?

Besimi përfshin shumë më tepër se të besojmë ose të pranojmë të vërtetën e Biblës, pasi «edhe demonët e besojnë [se Perëndia ekziston] dhe dridhen». (Jak. 2:19) Atëherë, çfarë është besimi?

Siç kemi besim se do të ketë përherë ditë dhe natë, kemi besim se fjala e Perëndisë do të dalë përherë e vërtetë

Përkufizimi që jep Bibla për besimin ka dy aspekte. Së pari, «besimi është pritja e sigurt e gjërave të shpresuara». (Hebr. 11:1a) Nëse ke besim, je plotësisht i sigurt se çdo gjë që thotë Jehovai është e vërtetë dhe do të plotësohet. Për shembull, Jehovai u tha izraelitëve: «Vetëm po të prishni besëlidhjen time për ditën dhe natën, që dita dhe nata të mos vijnë në kohën e vet, vetëm atëherë mund të prishet besëlidhja ime me Davidin, shërbëtorin tim.» (Jer. 33:20, 21) A ke ndonjëherë frikë se mos dielli nuk lind e nuk perëndon, e kështu s’ka më ditë dhe natë? Nëse nuk dyshon te ligjet fizike, falë të cilave toka rrotullohet rreth boshtit të vet e rreth diellit, a duhet të dyshosh se Krijuesi i këtyre ligjeve mund t’i plotësojë premtimet e tij? S’do mend që jo!—Isa. 55:10, 11; Mat. 5:18.

Së dyti, besimi është «dëshmia e dukshme e realiteteve ndonëse të papara». Pra, sipas Shkrimeve, besimi është «dëshmia e dukshme», ose prova bindëse, e gjërave reale, ndonëse syri nuk i sheh. (Hebr. 11:1b) Ç’do të thotë kjo? Ta zëmë se një fëmijë të pyet: «Nga e di që ajri ekziston?» Edhe pse nuk e ke parë kurrë ajrin, ka shumë mundësi që do ta ndihmosh fëmijën të arsyetojë rreth provave se ajri ekziston, si: fakti që marrim frymë ose zhurma e erës dhe si i lëviz ajo gjethet. Pasi bindet për provat, fëmija e pranon se edhe diçka që nuk shihet, mund të ekzistojë. Pra, besimi bazohet në prova të forta.—Rom. 1:20.

NEVOJITET QËNDRIMI I DUHUR NË ZEMËR

Meqë besimi bazohet te provat, për të pasur besim së pari duhet të fitojmë «njohurinë e saktë të së vërtetës». (1 Tim. 2:4) Por njohuria nuk mjafton. Apostulli Pavël shkroi: «Me zemër njeriu tregon besim.» (Rom. 10:10) Duhet jo vetëm ta besojmë të vërtetën, por edhe ta vlerësojmë. Vetëm atëherë do të motivohemi të tregojmë besim, domethënë të jetojmë në harmoni me të vërtetën. (Jak. 2:20) Kush nuk është mirënjohës  nga zemra për të vërtetën, mund të hedhë poshtë edhe prova bindëse, ngaqë kapet me kokëfortësi pas paragjykimeve a ideve të rrënjosura ose përpiqet të justifikojë dëshirat mëkatare. (2 Pjet. 3:3, 4; Jud. 18) Ja pse në Bibël gjejmë raste kur jo të gjithë ata që panë me sy mrekulli, zhvilluan besim. (Num. 14:11; Gjoni 12:37) Fryma e shenjtë e Perëndisë prodhon besim vetëm tek ata që në zemër duan të vërtetën, jo gënjeshtrat.—Gal. 5:22; 2 Sel. 2:10, 11.

SI ZHVILLOI DAVIDI BESIM TË FORTË

Mes atyre që kishin besim të fortë ishte edhe mbreti David. (Hebr. 11:32, 33) Por jo çdo pjesëtar i familjes së tij kishte një besim të tillë. Për shembull, në një rast Eliabi, vëllai i madh i Davidit, tregoi mungesë besimi te fuqia e Jehovait kur e qortoi Davidin ngaqë u shpreh i indinjuar për sfidën e Goliadit. (1 Sam. 17:26-28) Askush nuk lind me besim, as e trashëgon nga prindërit, ndaj besimi i Davidit buronte nga marrëdhënia e tij me Perëndinë.

Te Psalmi 27, Davidi tregon si zhvilloi një besim kaq të fortë. (Vargu 1) Ai meditonte për përvojat e së kaluarës dhe për mënyrën si kishte vepruar Jehovai me kundërshtarët e tij. (Vargjet 2, 3) Davidi e çmonte thellë tabernakullin—masën e Jehovait për ta adhuruar. (Vargu 4) Ai e adhuronte Perëndinë tok me bashkëbesimtarët në tabernakull. (Vargu 6) E kërkonte me ngulm Jehovain në lutje. (Vargjet 7, 8) Gjithashtu kishte dëshirë që Perëndia t’i mësonte udhën e Tij. (Vargu 11) Kaq i rëndësishëm ishte besimi për Davidin, sa tha se po të mos kishte pasur besim, nuk do të kishte mbijetuar dot.—Vargu 13.

SI TA FORCOSH BESIMIN

Ti mund të kesh një besim si i Davidit nëse imiton qëndrimin mendor dhe zakonet e tij të përshkruara në Psalmin 27. Meqë besimi bazohet te njohuria e saktë, sa më shumë t’i studiosh Biblën dhe botimet e bazuara tek ajo, aq më të lehtë do ta kesh të zhvillosh këtë aspekt të frytit të frymës së Perëndisë. (Psal. 1:2, 3) Lër kohë për të medituar kur studion. Meditimi është toka ku rritet çmueshmëria. Ndërsa të thellohet çmueshmëria për Jehovain, do të të thellohet edhe dëshira që të tregosh besim duke e adhuruar në mbledhje dhe duke u folur të tjerëve për shpresën tënde. (Hebr. 10:23-25) Besimin e tregojmë edhe kur vazhdojmë ‘të lutemi e të mos dorëzohemi’. (Luka 18:1-8) Prandaj ‘lutju pa pushim’ Jehovait, plot besim se ‘ai interesohet për ty’. (1 Sel. 5:17; 1 Pjet. 5:7) Besimi na nxit të veprojmë, dhe këto vepra na e forcojnë akoma më shumë besimin.—Jak. 2:22.

TREGO BESIM TE JEZUI

Mbrëmjen para se të vdiste, Jezui u tha dishepujve: «Tregoni besim te Perëndia, tregoni besim edhe tek unë.» (Gjoni 14:1) Pra, duhet të  tregojmë besim jo vetëm te Jehovai, por edhe te Jezui. Si mund të tregosh besim te Jezui? Le të shohim tri mënyra.

Ç’do të thotë të tregosh besim te Jezui?

Së pari, shihe shpërblesën si një dhuratë që Perëndia ta ka bërë personalisht ty. Apostulli Pavël tha: «Jetoj me anë të besimit te Biri i Perëndisë, që më deshi dhe e dorëzoi veten për mua.» (Gal. 2:20) Besimi që tregon te Jezui, të jep sigurinë e patundur se shpërblesa të sjell dobi ty, është baza që të falen mëkatet e tua, të jep ty shpresën që të jetosh përgjithmonë dhe është prova më e fortë e dashurisë së Perëndisë për ty. (Rom. 8:32, 38, 39; Efes. 1:7) Kjo siguri do të të japë forcën të mposhtësh ndjenjat negative për veten.—2 Sel. 2:16, 17.

Së dyti, afrohu me Jehovain duke iu lutur në bazë të flijimit të Jezuit. Falë shpërblesës, mund t’i lutemi Jehovait «me lirshmëri . . . , që të marrim mëshirë e të gjejmë dashamirësi të pamerituar, për ndihmë në kohën e duhur». (Hebr. 4:15, 16; 10:19-22) Lutjet na forcojnë vendosmërinë që t’u rezistojmë tundimeve për të mëkatuar.—Luka 22:40.

Së treti, bindju Jezuit. Apostulli Gjon shkroi: «Ai që tregon besim te Biri, ka jetë të përhershme, kurse ai që nuk i bindet Birit, nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë mbetet mbi të.» (Gjoni 3:36) Vër re se Gjoni vuri në kontrast dy gjëra: të tregosh besim dhe të mos bindesh. Pra, ti tregon besim te Jezui kur i bindesh, dhe Jezuit i bindesh duke jetuar sipas ‘ligjit të Krishtit’, domethënë sipas të gjitha mësimeve e urdhrave të tij. (Gal. 6:2) Gjithashtu i bindesh Jezuit duke i vënë veshin drejtimit që jep ai nëpërmjet ‘skllavit të besueshëm dhe të matur’. (Mat. 24:45) Duke iu bindur Jezuit, do të kesh forcën t’u bësh ballë sprovave të stuhishme.—Luka 6:47, 48.

‘FORCOHU MBI THEMELIN E BESIMIT TËND SHUMË TË SHENJTË’

Në një rast, një burrë që po fliste me Jezuin, thirri: «Kam besim! Më ndihmo kur të kem nevojë për më shumë besim!» (Mar. 9:24) Ai burrë kishte njëfarë besimi, por me modesti pranoi se kishte nevojë për më shumë besim. Ashtu si ai burrë, ka momente që të gjithëve do të na duhet më shumë besim, dhe të gjithë mund ta forcojmë besimin tani. Siç kemi parë, besimin e forcojmë kur studiojmë Fjalën e Perëndisë dhe meditojmë për të, çka na thellon çmueshmërinë për Jehovain. Besimi ynë forcohet edhe kur adhurojmë Jehovain tok me vëllezërit e motrat, kur u flasim të tjerëve për shpresën tonë dhe kur ngulmojmë në lutje. Veç kësaj, kur forcojmë besimin, marrim një shpërblim që s’ka të krahasuar. Fjala e Perëndisë na nxit: «Të dashur, duke u forcuar mbi themelin e besimit tuaj shumë të shenjtë . . . , ruani veten në dashurinë e Perëndisë.»—Jud. 20, 21.