Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Komunikimi paraprak dhe i hapur është jetësor

Kur një njeri i dashur ka sëmundje vdekjeprurëse

Kur një njeri i dashur ka sëmundje vdekjeprurëse

DORINA u trondit kur i shoqi 54-vjeçar, Uesli, u diagnostikua me tumor tepër agresiv në tru. * Mjekët i dhanë vetëm pak muaj jetë. Ajo kujton: «Nuk po u besoja dot veshëve. Për javë me radhë isha komplet e mpirë. Më dukej sikur po i ndodhte dikujt tjetër, jo neve. Nuk isha gati për këtë.»

Mjerisht, reagimi i Dorinës nuk është i pazakontë. Sëmundjet vdekjeprurëse mund të prekin çdokënd dhe në çdo kohë. Është e lavdërueshme që disa marrin përsipër të kujdesen për një të afërm që diagnostikohet me një sëmundje të tillë. Por të kujdesesh për të sëmurin, nuk është aspak e lehtë. Ç’mund të bëjnë familjarët që t’i japin zemër e të kujdesen për njeriun e tyre të dashur? Si t’i përballojnë ndjenjat e ndryshme që mund të provojnë teksa kujdesen për të sëmurin? Çfarë mund të pritet ndërsa afron vdekja? Fillimisht le të shohim pse është kaq e vështirë të kujdesesh për këta të sëmurë.

NJË DILEMË E DITËVE TË SOTME

Rreth një shekull më parë mosha mesatare e njerëzve ishte e ulët edhe në vende të zhvilluara. Ata vdisnin qoftë edhe nga një sëmundje ngjitëse ose aksident. Jo të gjithë mund të shkonin në spital, ndaj për shumë të sëmurë kujdesej familja, dhe vdisnin në shtëpi.

Sot, me përparimet në fushën e mjekësisë, mjekët kanë arritur t’i luftojnë intensivisht sëmundjet, që të zgjatin jetën. Sëmundjet që dikur u merrnin jetën shpejt njerëzve, tani mund të zgjatin shumë vjet. Megjithatë, zgjatja e jetës nuk nënkupton shërim. Pacientët shpesh vuajnë nga sëmundje të rënda, që ua bëjnë të pamundur të kujdesen për veten. Në ditët tona është bërë  edhe më e ndërlikuar e më e vështirë të kujdesesh për ta.

Si rrjedhojë, gjithnjë e më shumë veta vdesin në spitale, jo në shtëpi. Pjesa më e madhe e njerëzve dinë fare pak për procesin e vdekjes, dhe të paktë janë ata që kanë parë dikë të vdesë. Frika nga e panjohura mund t’i pengojë e madje t’i paralizojë përpjekjet e disave për t’u kujdesur për një familjar të sëmurë. Çfarë mund të ndihmojë?

PLANIFIKO QË MË PARË

Siç tregon rasti i Dorinës, mjaft veta ndihen përtokë kur një njeri i dashur diagnostikohet me sëmundje vdekjeprurëse. Por, si të përgatitesh për atë që të pret, pavarësisht nga frika, pikëllimi dhe ankthi i madh? Një shërbëtor besnik i Perëndisë u lut: «Na trego si t’i numërojmë ditët tona, që të fitojmë një zemër plot mençuri.» (Psalmi 90:12) Lutju sinqerisht Perëndisë Jehova të të tregojë si ‘t’i numërosh ditët e tua’ me mençuri, që t’i përdorësh sa më mirë ditët që të kanë mbetur me njeriun tënd të dashur.

Kjo kërkon planifikim të mirë. Nëse i afërmi yt mundet dhe ka dëshirë të flasë për situatën, mund të jetë e mençur ta pyesësh se kush duhet të marrë vendime për të kur të mos jetë më në gjendje. Bisedat e hapura me të sëmurin nëse do që ta mbajnë në jetë me anë të makinerive, ta shtrojnë në spital apo t’u nënshtrohet disa lloje trajtimeve, do të pakësohen keqkuptimet e ndjenjat e fajit të familjarëve që duhet të vendosin për pacientin e pavetëdijshëm. Bisedat e hapura që në fillim e ndihmojnë familjen të përqendrohet te ndihma që duhet t’i japë të sëmurit. Bibla thotë: «Planet prishen aty ku nuk flitet në mirëbesim.»​—Proverbat 15:22.

SI TË NDIHMOSH

Zakonisht, detyra më e rëndësishme e atyre që kujdesen për të sëmurin, është t’i japin zemër. Një njeri me sëmundje vdekjeprurëse ka nevojë ta sigurojnë se e duan dhe se nuk është vetëm. Si ta bësh këtë? Lexo ose këndo për pacientin dhe zgjidh botime e këngë që i pëlqejnë dhe e inkurajojnë. Shumë ndihen më mirë kur një pjesëtar i familjes u mban dorën dhe u flet me butësi.

Shpesh është e nevojshme të identifikosh me emër çdo vizitor. Një raport vëren: «Nga pesë shqisat, mendohet se e fundit që humbet, është dëgjimi. Kjo shqisë mund të mbetet ende shumë e ndjeshme edhe nëse [i sëmuri] duket se po fle, prandaj në prani të tij mos thuaj asgjë që s’do ta thoshe po të ishte zgjuar.»

 Nëse është e mundur, lutuni bashkë. Bibla tregon se në një rast, apostulli Pavël e shokët e tij u gjendën në një presion tejet të madh dhe nuk ishin të sigurt as për jetën e tyre. Çfarë ndihme kërkuan? Pavli i nxiti miqtë e tij: «Edhe ju mund të na ndihmoni me anë të përgjërimeve që bëni për ne.» (2 Korintasve 1:8-11) Lutjet me gjithë shpirt gjatë një sëmundjeje serioze a stresi ekstrem, s’kanë të paguar.

PRANO REALITETIN

Shpesh vetëm ideja se po të vdes një njeri i dashur, është torturuese. Kjo nuk është për t’u habitur sepse nuk u krijuam që të vdesim, ndaj nuk e pranojmë dot vdekjen si pjesë normale të jetës. (Romakëve 5:12) Ja pse Fjala e Perëndisë e quan vdekjen ‘armik’. (1 Korintasve 15:26) Prandaj është e kuptueshme e madje normale që as duam ta çojmë ndër mend vdekjen e një njeriu të dashur.

Megjithatë, parapërgatitja për atë që mund të ndodhë, i ndihmon pjesëtarët e familjes të kenë më pak frikë dhe të përpiqen t’ia lehtësojnë sa më shumë situatën të sëmurit. Disa nga gjërat që mund të ndodhin, janë renditur në kutinë « Javët e fundit të jetës». Sigurisht jo të gjitha ndodhin te çdo i sëmurë, dhe jo medoemos sipas së njëjtës radhë. Gjithsesi, pjesa më e madhe e të sëmurëve përjetojnë të paktën disa prej këtyre ndryshimeve.

Pas vdekjes së një njeriu të dashur mund të jetë e mençur të flasësh me një mik të ngushtë i cili ka rënë dakord më përpara të të ndihmojë. Gjithashtu, ata që janë kujdesur për të sëmurin dhe familjarët mund të kenë nevojë të sigurohen se njeriu i tyre i dashur nuk po vuan më. Krijuesi i njerëzimit na siguron me dashuri se «të vdekurit s’janë të vetëdijshëm për asgjë».​—Eklisiastiu 9:5.

NDIHMËSI MË I MADH

Mund të mësojmë të mos refuzojmë ndihmën e askujt

Është shumë e rëndësishme të mbështetemi te Zoti​—jo vetëm kur një familjar po vuan nga një sëmundje vdekjeprurëse, por edhe gjatë hidhërimit që sjell vdekja e tij. Perëndia mund të të ndihmojë me fjalët e veprimet e të tjerëve. Dorina thotë: «Mësova të mos refuzoja ndihmën e askujt. Në të vërtetë morëm aq shumë ndihmë, sa mbetëm pa fjalë. Bashkë me burrin s’kishim pikë dyshimi se ishte Jehovai që po na thoshte ‘Jam pranë jush që t’ju ndihmoj në këtë periudhë të vështirë.’ S’do ta harroj kurrë këtë.»

Po, Perëndia Jehova është Ndihmësi më i madh. Duke qenë Krijuesi ynë, kupton mirë dhembjen dhe hidhërimin tonë. Është në gjendje dhe mezi pret të na japë ndihmën dhe inkurajimin e nevojshëm që t’ia dalim mbanë. Madje bën edhe më shumë. Ka premtuar se së shpejti do ta shfarosë vdekjen përgjithmonë dhe se do të ringjallë miliarda njerëz që ruan në kujtesën e tij. (Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 21:3, 4) Në atë kohë të gjithë do të mund të përsëritim fjalët e apostullit Pavël: «Ku është fitorja jote, o vdekje? Ku është thumbi yt, o vdekje?»​—1 Korintasve 15:55.

^ par. 2 Emrat janë ndryshuar.