Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A mund të çlirohemi nga vargonjtë e dhunës?

A mund të çlirohemi nga vargonjtë e dhunës?

A keni qenë ndonjëherë viktimë e dhunës ti ose ndonjë pjesëtar i familjes? A ke arsye të frikësohesh se do të bëhesh viktimë e saj? Dhuna është cilësuar si «problem në rritje i shëndetit publik anembanë botës». Shqyrto disa statistika.

DHUNA NË FAMILJE DHE DHUNA SEKSUALE: Kombet e Bashkuara raportojnë se «një në tre gra është dhunuar fizikisht ose seksualisht nga partneri në ndonjë moment të jetës së tyre». Mjerisht «është llogaritur se afro një në pesë gra në mbarë botën do të jetë viktimë e përdhunimit ose e tentativës për përdhunim».

KRIMI NË RRUGË: Raportohet se në Shtetet e Bashkuara ka mbi 30.000 gangsterë të dhunshëm që nuk e kanë lënë rrugën e krimit. Në Amerikën Latine gati 1 në 3 persona ka raportuar se ka qenë viktimë e një krimi të dhunshëm.

VRASJET: Është llogaritur se në 2012-n u vranë gati gjysmë milioni njerëz, pra më tepër se të vrarët në luftë. Afrika e Jugut dhe Amerika Qendrore kishin shkallën më të lartë të vrasjeve, mbi katër herë më të lartë se ajo botërore. Brenda një viti u vranë më tepër se 100.000 veta në Amerikën Latine, rreth 50.000 prej të cilëve vetëm në Brazil. A mund të gjendet një zgjidhje e përhershme për dhunën?

A MUND TË NDALET DHUNA?

Pse dhuna ka marrë përmasa të tilla? Janë identifikuar disa shkaqe, si: tensioni që krijon pabarazia shoqërore dhe ekonomike, mungesa e respektit për jetën e të tjerëve, abuzimi me alkoolin dhe drogën, ekspozimi i fëmijëve ndaj dhunës së të rriturve dhe fakti se kriminelët e dhunshëm duket se nuk ndëshkohen.

Duhet pranuar se në disa pjesë të botës dhuna është pakësuar. Qyteti me popullsi të dendur i San-Paulos, Brazil, raportoi se dekadën e fundit numri i vrasjeve ra rreth 80 për qind. Prapëseprapë, krime të dhunshme të çdo lloji po bëjnë kërdinë në këtë qytet dhe raporti mbetet afërsisht 10 të vrarë në 100.000 banorë. Atëherë çfarë do t’i japë fund dhunës njëherë e mirë?

Zgjidhja përfundimtare e problemit të dhunës lidhet me njerëzit, me qëndrimet dhe sjelljen e tyre. Që njerëzit e dhunshëm të ndryshojnë, tipare të tilla, si krenaria, lakmia dhe egoizmi duhet t’i lënë vendin dashurisë, respektit dhe merakut për të tjerët.

Çfarë mund ta motivojë një person që të bëjë ndryshime kaq drastike? Mendo për këtë që mëson Bibla.

  • «Kjo është dashuria për Perëndinë: të zbatojmë urdhërimet e tij.»​—1 Gjonit 5:3.

  • «Të kesh frikë Jehovain do të thotë të urresh të keqen.» *​—Proverbat 8:13.

Dashuria për Perëndinë dhe frika se mos i shkaktojmë pakënaqësi atij, janë forca kaq të mëdha  motivuese, sa mund të ndihmojnë edhe njerëzit e dhunshëm ta ndryshojnë jetën, jo thjesht sa për sy e faqe, por ta transformojnë tërësisht personalitetin. A ndodh vërtet kjo?

Mendo për Aleksin, * që 19 vitet e fundit i ka kaluar në burgjet e Brazilit, ngaqë kishte kryer disa akte dhune. Ai u bë Dëshmitar i Jehovait në vitin 2000 pasi studioi Biblën me ta. A ka ndryshuar vërtet sjellje? Po, madje i vjen shumë keq për të gjitha të këqijat që ka bërë. Ai thotë: «Kam mësuar ta dua Perëndinë, sepse falë tij e ndiej se më ka falur vërtet. Mirënjohja dhe dashuria për Jehovain më kanë ndihmuar të ndryshoj rrugë.»

Sezari, që po ashtu jeton në Brazil, ishte përfshirë në plaçkitje dhe grabitje me armë. Për gati 15 vjet bëri këtë lloj jete. Çfarë e ndihmoi të ndryshonte? Kur ishte në burg, e takuan Dëshmitarët e Jehovait dhe studioi Biblën me ta. Sezari shpjegon: «Për herë të parë gjeta një qëllim në jetë. Mësova ta doja Zotin. Gjithashtu mësova t’i frikësohesha Jehovait, një frikë e shëndetshme që të ndihmon të mos i rikthehesh udhës së keqe e të mos e mërzitësh atë. Nuk doja të isha mosmirënjohës ndaj dashamirësisë së tij. Kjo lloj dashurie e frike më nxiti të ndryshoja.»

Mëso si mund të jetosh në një botë pa dhunë

Çfarë na tregojnë këto histori jete? Që Bibla ka fuqinë të transformojë krejtësisht jetën e njerëzve, duke ua ndryshuar mënyrën si mendojnë. (Efesianëve 4:23) Aleksi që u përmend më sipër, shton: «Ajo që mësova nga Bibla, ishte si ujë i pastër që pak nga pak më pastroi nga brenda duke më larguar mendimet e këqija. Ishin gjëra që as e kisha imagjinuar që do të arrija t’i hiqja.» Po, kur e mbushim mendjen me mesazhin e kulluar të Biblës, mund t’i pastrojmë ose t’i largojmë tiparet e këqija. Fjala e Perëndisë ka fuqi pastruese. (Efesianëve 5:26) Si rezultat, njerëzit mizorë dhe egoistë mund të ndryshojnë sjellje e të bëhen të mirë e paqësorë. (Romakëve 12:18) Gjejnë paqe kur zbatojnë parimet biblike.​—Isaia 48:18.

Më tepër se tetë milionë Dëshmitarë të Jehovait në 240 vende kanë zbuluar çelësin për të çrrënjosur dhunën. Njerëz të çdo lloj race, shtrese shoqërore dhe formimi kanë mësuar ta duan e t’i frikësohen Perëndisë, si dhe të duan njëri-tjetrin, duke jetuar në paqe si një familje mbarëbotërore. (1 Pjetrit 4:8) Ata janë një provë e gjallë se është e mundur një botë pa dhunë.

SË SHPEJTI NJË BOTË PA DHUNË

Bibla premton se së shpejti Perëndia do ta pastrojë tokën nga dhuna. Sot kjo botë e dhunshme po pret «ditën e gjykimit e të shkatërrimit të njerëzve të paperëndishëm» që do të sjellë Perëndia. (2 Pjetrit 3:5-7) Njerëzit e dhunshëm nuk do t’u shkaktojnë më vuajtje të tjerëve. Si mund të jemi të sigurt se Zoti dëshiron të ndërhyjë që të çrrënjosë dhunën?

Bibla thotë se Perëndia ‘e urren atë që do dhunën’. (Psalmi 11:5) Krijuesi do paqen dhe drejtësinë. (Psalmi 33:5; 37:28) Ja pse ai nuk do t’i tolerojë përgjithmonë njerëzit e dhunshëm.

Po, një botë e re paqësore është afër. (Psalmi 37:11; 72:14) Pse të mos mësosh më tepër çfarë duhet të bësh që të jetosh në këtë botë pa dhunë?

^ par. 14 Emrat janë ndryshuar.