Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

«Ju vleni më tepër.»​—MATEU 10:31

A të vë re Perëndia?

A të vë re Perëndia?

ÇFARË MËSOJMË NGA KRIJIMI

Për një bebe të porsalindur, 60 minutat e para të jetës janë periudhë vendimtare përshtatjeje. Pse? Sepse lidhja e ngushtë që krijon nëna me foshnjën gjatë kësaj kohe të rëndësishme, ndikon jashtëzakonisht për mirë te rritja dhe te zhvillimi i fëmijës. *

Çfarë e nxit nënën të kujdeset me butësi për beben e saj të porsalindur? Te The Journal of Perinatal Education, profesoreshë Zhanetë Krenshó shpjegon se niveli i lartë i hormonit oksitocinë «stimulon ndjenjat e mëmësisë pas lindjes ndërsa ajo prek, vështron dhe i jep gji të voglit të saj». Një hormon tjetër që çliron trupi gjatë kësaj periudhe, «e ndihmon nënën të kujdeset për foshnjën» dhe i përforcon lidhjen me të. Pse kjo është e rëndësishme?

Lidhja e ngushtë mes nënës dhe foshnjës u projektua nga Krijuesi ynë i dashur, Perëndia Jehova. * Mbreti David i dha meritën Perëndisë që ‘e nxori nga barku’ dhe e bëri të ndihej i sigurt në krahët e së ëmës. Ai u lut: «Sapo dola nga barku i nënës, u gjenda në prehrin tënd [isha në kujdesin tënd]. Që kur isha në bark të nënës, ke qenë Perëndia im.»​—Psalmi 22:9, 10.

NDALU E MENDO: Nëse Perëndia krijoi një sistem kaq kompleks që nëna të kujdesej me butësi për të voglin e saj e t’i plotësonte nevojat, a nuk është logjike që Ai vetë të interesohet për secilin nga ne ‘pasardhësit [ose fëmijët] e Tij’?​—Veprat 17:29.

ÇFARË NA MËSON BIBLA PËR SYRIN VIGJILENT TË PERËNDISË

Jezu Krishti, që e njeh Krijuesin më mirë se kushdo, mësoi: «A nuk shiten dy harabela për një qindarkë? E megjithatë, asnjë prej tyre nuk bie përtokë pa dijeninë e Atit tuaj. Megjithatë edhe fijet e flokëve tuaj janë të gjitha të numëruara. Prandaj, mos kini frikë: ju vleni më tepër se shumë harabela.»​—Mateu 10:29-31.

Pak prej nesh i kushtojnë vëmendje çdo zogu të vogël që shohim, le pastaj të vërejmë kur ndonjë prej tyre bie përtokë. Mirëpo, Ati ynë qiellor vëren çdonjërin prej tyre. Dhe zogjtë​—qoftë edhe shumë—​nuk vlejnë kurrë për të aq shumë sa vlen një njeri. Kështu, mësimi është i qartë: ‘mos ki frikë’ se mos Perëndia nuk të vë re. Përkundrazi, ai interesohet thellësisht për ty!

Perëndia interesohet thellësisht për mirëqenien tonë dhe vigjilon mbi ne me merak të dashur

 Shkrimet na sigurojnë se . . .

  • «Sytë e Jehovait janë në çdo vend, duke vrojtuar të këqijtë dhe të mirët.»​—PROVERBAT 15:3.

  • «Jehovai i kthen sytë nga të drejtët, dhe veshët nga thirrja e tyre për ndihmë.»​—PSALMI 34:15.

  • «Do të gëzoj e do të ngazëlloj falë dashamirësisë sate, sepse pe mundimin tim. Ti m’i njeh vuajtjet e shpirtit.»​—PSALMI 31:7.

«MENDOJA SE JEHOVAI NUK MË DONTE»

A do të ndryshonte diçka në jetën tonë po ta dinim se Perëndia interesohet thellësisht për mirëqenien tonë dhe se vigjilon mbi ne me merak të dashur? Patjetër që po. Hana * nga Anglia na tregon:

«Sa e sa herë mendoja se Jehovai nuk më donte dhe se lutjet e mia nuk merrnin përgjigje. Mendoja se fajin e kisha vetë, ngaqë nuk kisha edhe aq shumë besim. Ndihesha sikur Perëndia po më ndëshkonte ose më shpërfillte ngaqë isha e parëndësishme. Besoja se nuk i bëhej vonë për mua.»

Gjithsesi, Hana nuk dyshon më për kujdesin dhe dashurinë e Jehovait. Pse ndryshoi mendje? Ajo shpjegon: «Ndryshimi ndodhi gradualisht. Më kujtohet që vite më parë dëgjova një fjalim biblik për flijimin shpërblyes të Jezuit që më preku thellë e më siguroi se Jehovai më donte. Kur lutjet e mia merrnin përgjigje, shpesh shpërtheja në lot, se e dalloja që Jehovai më donte vërtet. Përveç kësaj, nga studimi i Biblës dhe nga mbledhjet e krishtere mësova më shumë për Jehovain, për personalitetin e tij dhe për ndjenjat që ka për ne. Tani e dalloj qartë se Jehovai na mbështet dhe na do të gjithëve, si dhe dëshiron me zjarr të kujdeset për secilin prej nesh.»

Fjalët e Hanës janë zemërdhënëse. Mirëpo, si mund të jesh i sigurt se Perëndia i kupton dhe nuk i shpërfill ndjenjat e tua? Kjo pyetje do të shqyrtohet në artikullin vijues.

^ par. 3 Disa nëna që vuajnë nga depresioni i paslindjes, mund ta kenë të vështirë të lidhen me foshnjat e tyre. Megjithatë, nuk duhet të ndihen fajtore. Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetit Mendor të SHBA-së, depresioni i paslindjes «ka të ngjarë që shkaktohet nga kombinimi i faktorëve fizikë dhe emocionalë . . . por nuk lidhet me diçka që bën apo nuk bën nëna». Për më shumë informacion rreth kësaj teme, shih artikullin «Të kuptojmë depresionin e paslindjes», në revistën Zgjohuni!, 8 qershor 2003.

^ par. 5 Jehova është emri i Perëndisë siç tregohet Bibël.​—Psalmi 83:18.

^ par. 15 Disa emra në këtë seri janë ndryshuar.