Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Vuajtjet​—Ndëshkim nga Perëndia?

Vuajtjet​—Ndëshkim nga Perëndia?

LUÇIA ÇALON NGA KËMBA E MAJTË. Kur ishte e vogël, e zuri poliomieliti, një sëmundje mjaft ngjitëse që sulmon sistemin e nervave të trupit. Në moshën 16-vjeçare, një grua për të cilën punonte, i tha: «Zoti të ndëshkoi me paralizë se nuk i je bindur mamit dhe ia ke plasur shpirtin.» Ndonëse kanë kaluar vite, Luçia e kujton ende atë koment aq lëndues.

KUR DAMARISI MORI VESH SE KISHTE TUMOR NË TRU, i ati e pyeti: «Çfarë ke bërë që të ndodhi kjo? Duhet të kesh bërë diçka shumë të keqe, ja pse po të ndëshkon Zoti.» Këto fjalë ia copëtuan zemrën.

Mendimi se sëmundjet janë ndëshkim nga Perëndia, ka një histori të gjatë. Libri Zakone dhe tradita në vendet biblike (anglisht) thotë se mjaft njerëz në kohën e Krishtit besonin që «sëmundjet ishin ndëshkim për ndonjë mëkat që kishte bërë i sëmuri ose të afërmit e tij». Sipas librit Mjekësia mesjetare dhe murtaja (anglisht), në Mesjetë «disa njerëz besonin se Zoti solli murtaja që t’i ndëshkonte për mëkatet e tyre». Ndaj, a po ekzekutonte Perëndia gjykimin mbi të ligjtë kur miliona njerëz vdiqën nga murtaja e shekullit të 14-të në mbarë Evropën? Apo murtaja ishte thjesht pasojë e një infeksioni bakterial, siç e kanë përcaktuar prej kohësh studiuesit në fushën e mjekësisë? Disa mund të pyesin: a i përdor vërtet Perëndia sëmundjet si ndëshkim për mëkatet? *

NDALU E MENDO: Pse i shëroi Jezui të sëmurët nëse sëmundjet dhe vuajtjet ishin ndëshkim i merituar nga Perëndia? A nuk po minonte kështu drejtësinë e Perëndisë? (Mateu 4:23, 24) Jezui nuk do të dilte kurrë kundër Perëndisë. Ai tha: «Bëj gjithmonë gjërat që i pëlqejnë atij» dhe «ashtu si Ati më ka urdhëruar të bëj, kështu po bëj».​—Gjoni 8:29; 14:31.

Bibla e thotë qartë: te Perëndia Jehova «nuk ka padrejtësi». (Ligji i përtërirë 32:4) Për shembull, Perëndia nuk do të shkaktonte kurrë një aksident ajror e të vriste qindra njerëz të pafajshëm, vetëm ngaqë donte të ndëshkonte dikë në bordin e avionit. Në harmoni me drejtësinë e Perëndisë, Abrahami, një shërbëtor besnik i Tij, tha se Perëndia ‘nuk do ta shkatërronte kurrë të drejtin bashkë me të ligun’ dhe se kjo ‘s’mund të mendohej kurrë’ për Të. (Zanafilla 18:23, 25) Gjithashtu, Bibla thotë se «Perëndia nuk vepron me ligësi»; ai nuk ‘vepron me padrejtësi’.​—Jobi 34:10-12.

ÇFARË NA MËSON BIBLA PËR VUAJTJET

Vuajtjet tona nuk janë ndëshkim nga Perëndia për ndonjë mëkat specifik. Vetë Jezui e bëri shumë të qartë këtë të vërtetë kur ai dhe dishepujt panë një burrë që kishte lindur i verbër. «Dishepujt e pyetën: ‘Rabi, kush mëkatoi, ai apo prindërit e tij, që lindi i verbër?’ Jezui u përgjigj: ‘Nuk mëkatoi as ky, as prindërit e tij.’»​—Gjoni 9:1-3.

Duke pasur parasysh idetë e gabuara mbizotëruese, dishepujt e Jezuit duhet të jenë çuditur kur ai u tha se kjo fatkeqësi nuk vinte nga ndonjë mëkat i tij ose i prindërve të tij. Jezui jo vetëm që i ktheu shikimin atij burri të verbër, por edhe hodhi poshtë bindjen e gabuar se vuajtjet  janë ndëshkim nga Perëndia. (Gjoni 9:6, 7) Edhe sot, kush vuan nga probleme serioze me shëndetin, mund të ngushëllohet nga fakti se Perëndia nuk është shkaktari i vuajtjeve të tyre.

Pse i shëroi Jezui të sëmurët nëse Perëndia po i ndëshkonte për gabimet e tyre?

Shkrimet na sigurojnë se . . .

  • «Perëndia nuk mund të sprovohet me gjëra të liga, dhe as ai vetë nuk sprovon njeri.» (JAKOVI 1:13) Përkundrazi, ‘gjërat e liga’ që kanë pllakosur njerëzimin prej shekujsh, si sëmundjet, dhembjet dhe vdekja, do të marrin fund së shpejti.

  • Jezu Krishti «shëroi të gjithë ata që kishin keq». (MATEU 8:16) Duke shëruar të gjithë ata që vinin tek ai, Biri i Perëndisë tregoi se çfarë do të realizojë Mbretëria e Perëndisë në një shkallë globale.

  • «Ai [Perëndia] do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. Nuk do të ketë më vdekje. As vajtim, as klithmë, as dhembje nuk do të ketë më. Gjërat e mëparshme shkuan.»​—ZBULESA 21:3-5.

KUSH E KA FAJIN?

Atëherë, pse ka kaq shumë dhembje e vuajtje? Kjo pyetje e ka munduar njerëzimin prej shekujsh. Nëse nuk e ka Perëndia fajin, kush e ka? Përgjigjet e këtyre pyetjeve do të shqyrtohen në artikullin vijues.

^ par. 4 Edhe pse në të kaluarën në disa raste Perëndia i ndëshkoi njerëzit për mëkate specifike, Bibla nuk lë të kuptohet se sot Jehovai i ndëshkon njerëzit për mëkatet me gjëra, si sëmundjet ose tragjeditë.