Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Kënaqem kur rri me të rinjtë e kongregacionit

 BIBLA TË NDRYSHON JETËN

E doja bejzbollin më shumë se çdo gjë

E doja bejzbollin më shumë se çdo gjë
  • LINDUR: 1928

  • VENDI I LINDJES: KOSTA-RIKË

  • TË DHËNA: JETONTE VETËM PËR SPORTIN PROFESIONIST DHE PËR BIXHOZIN

E KALUARA IME

U rrita në Porto-Limon dhe në rrethinat e tij, një qytet-port në bregdetin perëndimor të Kosta-Rikës. Isha i shtati prej 8 fëmijëve. Im atë vdiq kur isha tetë vjeç dhe mamaja na rriti e vetme.

Që fëmijë më pëlqenin shumë sportet. Bejzbolli ka qenë pjesë e pandashme e jetës sime. Në fund të adoleshencës u futa në një skuadër të kategorisë amatore. Në të 20-at, ndërsa luaja në këtë skuadër, një kërkues talentesh më ftoi të luaja për një skuadër profesioniste në Nikaragua. Gjithsesi, ngaqë mamaja nuk ishte mirë me shëndet dhe kujdesesha për të, nuk doja të jetoja në Nikaragua. Ndaj e refuzova ofertën. Më vonë, një tjetër kërkues talentesh më ftoi të luaja për skuadrën kombëtare të bejzbollit të Kosta-Rikës, që përbëhej nga lojtarë të përzgjedhur nga kategoria e amatorëve. Këtë herë e pranova ofertën. Isha në skuadrën kombëtare në vitet 49-52 dhe luajta disa herë në Kubë, Meksikë dhe Nikaragua. Luaja në bazë dhe isha i zoti. Kam bërë 17 lojë pa ndërprerje, pa më të voglin gabim. Vdisja të dëgjoja turmën kur thërriste emrin tim.

Mjerisht, bëja jetë të shthurur. Edhe pse kisha të dashur, dilja gjithnjë dhe me të tjera. E teproja edhe në të pirë. Një ditë piva kaq shumë sa, kur u zgjova në krevatin tim të nesërmen, s’mbaja mend si isha kthyer në shtëpi. Gjithashtu luaja domino me pará e merresha me lotari.

Ndërsa bëja këtë lloj jete, mamaja u bë Dëshmitare e Jehovait. U përpoq të më ngjallte interes për besimin e saj, por në fillim nuk ia doli, sepse sporti më kishte përpirë të tërin. Po të më zinte koha e vakteve në stërvitje, as që më shkonte ndër mend të haja. Isha përqendruar vetëm te loja. Bejzbollin e doja më shumë se çdo gjë.

Megjithatë, në moshën 29-vjeçare u dëmtova rëndë ndërsa përpiqesha të kapja topin gjatë lojës. Pasi mora veten, hoqa dorë nga loja si profesionist. Prapëseprapë u  mora me bejzbollin e organizuar, duke stërvitur lojtarë të një skuadre amatore pranë shtëpisë sime.

SI MA NDRYSHOI JETËN BIBLA

Më 1957 pranova një ftesë për të ndjekur një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait që do të mbahej në një stadium ku kisha luajtur bejzboll. Ndërsa rrija në auditor, nuk mund të mos e vija re kontrastin mes sjelljes së respektueshme të Dëshmitarëve dhe poteres së turmave në lojërat e bejzbollit. Ajo që pashë në kongres, më nxiti të studioja Biblën me Dëshmitarët dhe të ndiqja mbledhjet e tyre.

Më bënë përshtypje shumë mësime biblike. Për shembull, Jezui paratha se në ditët e fundit dishepujt e tij do të predikonin lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë në gjithë botën. (Mateu 24:14) Mësova edhe se të krishterët e vërtetë nuk predikojnë për pará. Jezui tha: «Falas morët, falas jepni.»​—Mateu 10:8.

Ndërsa studioja Biblën, krahasoja fjalët e saj me sjelljen e Dëshmitarëve të Jehovait. I admiroja për përpjekjet e palodhura për të përhapur lajmin e mirë të Mbretërisë së Perëndisë në mbarë botën. Pashë tek ata frymën e dhënies, një urdhër nga Jezui për të krishterët. Ndaj, kur lexova ftesën e Jezuit «eja e bëhu ithtari im» te Marku 10:21, doja të bëhesha Dëshmitar.

Megjithatë, m’u desh ca kohë ta ndaja mendjen që të jetoja si i krishterë. Për shembull, për vite me radhë kisha luajtur çdo javë në lotarinë kombëtare duke përdorur numrin tim të «fatit». Gjithsesi, mësova nga Bibla se Zoti i dënon adhuruesit e ‘perëndisë së Fatit të Mirë’, si dhe lakmitarët. (Isaia 65:11; Kolosianëve 3:5) Ndaj vendosa të mos luaja më. Të dielën e parë pasi hoqa dorë nga lotaria, fitoi numri im i «fatit». Njerëzit më tallën ngaqë s’luajta atë javë, dhe më bënë presion të luaja prapë, por nuk iu ktheva më kurrë lotarisë.

Pikërisht ditën që u pagëzova në një kongres të Dëshmitarëve të Jehovait, ‘personaliteti im i ri’ u sprovua sërish. (Efesianëve 4:24) Atë mbrëmje u ktheva në hotelin ku po rrija, dhe te dera po më priste ish-e dashura. Ajo më nxiti: «Hajde të bëjmë qejf, Sami!» Mirëpo ia preva menjëherë: «Jo.» I kujtova se tani po jetoja sipas normave morale të Biblës. (1 Korintasve 6:18) «Ça the?!»​—tha e nevrikosur. Më pas përbuzi pikëpamjen e Biblës për imoralitetin dhe këmbënguli të lidheshim prapë bashkë. Por, unë i ktheva krahët, u futa në dhomë dhe kyça derën. Sot jam i kënaqur të them se, që kur u bëra Dëshmitar më 1958, nuk i jam rikthyer më jetës së mëparshme.

DOBITË

Po t’i shkruaja dobitë që kam nxjerrë nga drejtimi i Biblës, do të mbushja një libër të tërë. Për shembull, kam shumë miq të sinqertë, një jetë plot domethënie dhe lumturi të vërtetë.

Akoma më pëlqen të luaj bejzboll, por tani kam të tjera përparësi. Në bejzboll fitova famë e para, por nuk zgjatën shumë. Kurse miqësia ime me Perëndinë dhe me vëllezërit e krishterë do të mbeten përjetë. Bibla thotë: «Bota po kalon, e po kështu edhe dëshirat e saj, kurse ai që bën vullnetin e Perëndisë, mbetet përgjithmonë.» (1 Gjonit 2:17) Tani dua Perëndinë Jehova dhe popullin e tij më shumë se çdo gjë.