Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si t’i kapërcesh ndjenjat e pasigurisë?

Si t’i kapërcesh ndjenjat e pasigurisë?

NUK ka gjë më të brishtë se një fëmijë i porsalindur. Kur erdhëm në jetë, siguria jonë varej krejtësisht nga prindërit. Kur mësuam të ecnim, ndeshnim të huaj që na dukeshin si gjigantë. Frikësoheshim prej tyre nëse s’i kishim pranë prindërit. Por ndiheshim të sigurt kur kapnim dorën e mamit ose të babit.

Gjatë fëmijërisë, lumturia jonë varej nga dashuria dhe inkurajimi që na jepnin prindërit. Kur e kuptonim se prindërit na donin, kjo na e përforconte ndjenjën e sigurisë. Kur na siguronin se po i bënim gjërat siç duhej, ndiheshim edhe më të sigurt dhe ecnim mirë.

Ndërsa rriteshim, edhe miqtë e ngushtë na e shtonin sigurinë. Ndiheshim rehat me ta dhe falë tyre ambienti i shkollës na dukej më pak frikësues.

Sigurisht, të gjitha këto përshkruajnë një fëmijëri ideale. Disa të rinj zënë pak miq të ngushtë dhe një numër i madh fëmijësh thuajse s’gjejnë fare mbështetje nga prindërit. «Sa herë që shoh fotografi familjesh që janë të lidhura e i bëjnë gjërat bashkë, mendoj: ‘Ah, sikur ta kisha pasur edhe unë këtë mundësi kur isha e vogël!’»​—thotë Melisa. * Mbase edhe ti ndihesh kështu.

PROBLEMET KUR RRITESH PA SIGURI

Mbase të ka munguar siguria gjatë viteve të formimit. Ndoshta të kanë dhënë pak dashuri dhe inkurajim. Ka mundësi që nuk të shqiten nga mendja zënkat e vazhdueshme të prindërve që çuan në divorcin e tyre dhe për të cilin gabimisht ke fajësuar veten. Ose më keq, mbase prindërit kanë abuzuar me ty fizikisht a me fjalë.

Si mund të reagojë një fëmijë i pasigurt? Disa i drejtohen drogës ose alkoolit gjatë viteve të adoleshencës. Të tjerë u bashkohen bandave sepse nuk duan të ndihen vetëm. Adoleshentë të pasigurt mund të turren në një lidhje romantike, që të gjejnë dashuri e përzemërsi. Por këto lidhje rrallë zgjatin, dhe ndarjet sjellin edhe më tepër pasiguri.

Edhe adoleshentët e ndjeshëm që i shmangin këto gracka të mëdha mund të rriten me një vlerësim të ulët për veten. Ana shpjegon: «Ngaqë mamaja më thoshte herë pas here se s’kisha vlerë,  u binda edhe unë. Nuk e mbaj mend të më ketë lavdëruar ndonjëherë ose të më ketë shfaqur përzemërsi.»

Pasiguria nuk vjen vetëm nga mënyra si rritemi. Por, një divorc traumatik, vështirësitë e moshës së thyer ose madje meraku për pamjen e jashtme, të gjitha këto mund të na bëjnë të ndihemi të pasigurt. Pavarësisht nga shkaku, pasiguria mund të na e heqë lumturinë dhe të na prishë marrëdhënien me të tjerët. Si mund t’i kapërcejmë këto ndjenja?

ZOTI KUJDESET PËR NE

Të jemi të sigurt se nuk jemi pa ndihmë. Të gjithë kemi dikë që mund të na ndihmojë, dikë që dëshiron të na ndihmojë​—vetë Zotin.

Ja çfarë mesazhi dha Perëndia me anë të profetit Isaia: «Mos i hidh sytë rreth e përqark [ose, mos ji në ankth], se unë jam Perëndia yt. Unë do të të jap forcë e do të të ndihmoj. Unë do të të mbaj fort me të djathtën time të drejtësisë.’» (Isaia 41:10, 13) Sa na ngushëllon dijenia se Zoti dëshiron të na kapë për dore, si të thuash. S’ka pse të jemi në ankth!

Bibla përmend disa adhurues të Perëndisë që ishin në ankth, por që mësuan të mbështeteshin tek Ai. Hanës, nënës së Samuelit, i dukej vetja dështake, pasi nuk mund të lindte fëmijë. Shpeshherë e vinin në lojë për këtë. Si pasojë, Hanës i iku oreksi dhe shpesh qante. (1 Samuelit 1:6, 8) Por, pasi ia zbrazi ndjenjat Perëndisë, ajo nuk ndihej më zemërlëshuar.​—1 Samuelit 1:18.

Edhe psalmisti David ndihej i pasigurt ndonjëherë. Për vite të tëra, mbreti Saul e ndoqi si të ishte një kafshë. Davidi u mbijetoi disa orvatjeve për ta vrarë, dhe nganjëherë ndihej i mbytur nga problemet. (Psalmi 55:3-5; 69:1) Pavarësisht nga kjo, ai shkroi: «Në paqe do të bie të fle, sepse vetëm ti, o Jehova, më jep siguri.»​—Psalmi 4:8.

Si Hana, edhe Davidi, ia hodhën Jehovait barrët e tyre emocionale dhe panë se ai i mbështeti. (Psalmi 55:22) Si mund ta bëjmë edhe ne këtë?

 TRI MËNYRA SI TË NDIHESH MË I SIGURT

1. Mëso të mbështetesh te Jehovai si te një Atë.

Jezui na nxiti ta njohim Atin e tij, «të vetmin Perëndi të vërtetë». (Gjoni 17:3) «Ai nuk është larg nga secili prej nesh»,​—na siguron Pavli. (Veprat 17:27) Jakovi shkroi: «Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet.»​—Jakovi 4:8.

Dijenia se kemi një Atë qiellor që na do dhe kujdeset për ne, është një hap jetësor për të kapërcyer ndjenjat e ankthit. Në fakt, mund të duhet kohë që të mësojmë të mbështetemi tek ai, megjithatë shumë kanë parë se kjo ndihmon vërtet. «Kur Jehovai u bë Ati im, më në fund kisha dikë të cilit mund t’ia zbrazja ndjenjat më të thella. Sa shumë më lehtësoi kjo!»​—thotë Karolina.

Rakela kujton: «Jehovai është ai që më ndihmoi të ndihesha e sigurt kur mbeta fillikat, pa prindërit. Atij mund t’i flisja dhe t’i kërkoja të më ndihmonte për problemet e mia. Dhe, ai më ndihmoi vërtet.» *

2. Gjej familjen e madhe të besimit.

Jezui i mësoi dishepujt ta shihnin njëri-tjetrin si vëllezër e motra. «Të gjithë jeni vëllezër»,​—u tha atyre. (Mateu 23:8) Ai donte që dishepujt e tij të vërtetë ta donin njëri-tjetrin dhe të bëheshin një familje e madhe besimi.​—Mateu 12:48-50; Gjoni 13:35.

Kongregacionet e Dëshmitarëve të Jehovait përpiqen me gjithë zemër të ofrojnë ngrohtësi dhe ngushëllim, si në një familje të vërtetë besimi. (Hebrenjve 10:24, 25) Shumë veta kanë parë se mbledhjet e kongregacionit mund të jenë si një ilaç qetësues që shëron plagët emocionale.

«Kisha një shoqe të veçantë në kongregacion, e cila e kuptonte ç’dhembje po përjetoja. Ajo më dëgjonte, më lexonte vargje biblike dhe lutej me mua. Sigurohej që të mos isha vetëm. Më ndihmonte të zbrazesha dhe të ndihesha e lehtësuar. Falë mbështetjes së saj, nisa të ndihesha më e sigurt»,​—kujton Eva. «Gjeta ‘nënë e baba’ në kongregacion. E ndieja dashurinë e tyre dhe nuk ndihesha më e pasigurt»,​—shton Rakela.

 3. Trego dashuri dhe dashamirësi.

Kur tregojmë dashuri e dashamirësi, krijojmë miqësi të forta. Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh, se të marrësh.» (Veprat 20:35) Dhe, do të shohim pa pikë dyshimi se sa më shumë dashuri të tregojmë, aq më tepër do të marrim. Jezui u tha dishepujve: «Bëjeni zakon të jepni, dhe do t’ju japin.»​—Luka 6:38.

Ndihemi shumë më të sigurt kur japim dhe marrim dashuri. Bibla thekson se «dashuria nuk shuhet kurrë». (1 Korintasve 13:8) Maria pranon: «E di se disa mendime negative që kam për veten nuk janë të vërteta. E largoj mendjen prej tyre duke ndihmuar të tjerët dhe duke mos u përqendruar te vetja. Ndihem gjithmonë e kënaqur kur bëj diçka për të tjerët.»

SIGURI PËR TË GJITHË

Hapat e mësipërm nuk janë një «formulë magjike» që sjell lehtësim të menjëhershëm e afatgjatë. Ama ndihmojnë jashtë mase. Karolina pranon: «Ende s’më janë larguar plotësisht ndjenjat e pasigurisë. Por tani kam më shumë vlerësim për veten. E di se Perëndia kujdeset për mua dhe kam shumë miq të ngushtë që më japin siguri.» Edhe Rakela ndihet kështu. Ajo thotë: «Herë pas here më mbyt trishtimi. Por kam vëllezër e motra në besim, të cilëve mund t’u drejtohem për këshilla dhe që më ndihmojnë t’i shoh gjërat pozitivisht. Dhe, mbi të gjitha, kam një Atë qiellor me të cilin flas çdo ditë. Kjo më ndihmon jashtë mase.»

Bibla thotë se së shpejti do të vijë një botë e re ku secili prej nesh do të ndihet i sigurt

Ekziston edhe një zgjidhje përfundimtare. Bibla thotë se së shpejti do të vijë një botë e re ku secili prej nesh do të ndihet i sigurt. Fjala e Perëndisë premton: «Kanë për t’u ulur secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë.» (Mikea 4:4) Në atë kohë, askush nuk do të na bëjë të ndihemi të pambrojtur, dhe as do të na lëndojë. Edhe traumat e së kaluarës që s’na shqiten dot, «nuk do të vijnë më në mendje». (Isaia 65:17, 25) Perëndia dhe Biri i tij, Jezu Krishti, do të vendosin ‘drejtësi të vërtetë’. Si rezultat, do të gëzojmë ‘qetësi dhe siguri përjetë’.​—Isaia 32:17.

^ par. 5 Të gjithë emrat janë ndryshuar.

^ par. 21 Dëshmitarët e Jehovait ofrojnë studime biblike falas për ata që duan t’i afrohen më tepër Zotit.