Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Jeta pa dritën e syve

Jeta pa dritën e syve

«Pjesën më të madhe të shikimit e humba menjëherë pas lindjes, kur më hodhën një ilaç tepër të fortë në sy. Gjatë adoleshencës u verbova fare dhe u zhyta në depresion.»—Paki, një mesogrua, burri i së cilës është po ashtu i verbër.

VERBËRIA ose problemet e rënda me shikimin mund të kenë shumë shkaqe, ku futen edhe dëmtimet ose sëmundjet. Këto mund të ndikojnë te sytë, te nervat optike ose te truri. Ata që humbin një pjesë të mirë ose të gjithë shikimin, shpesh e mohojnë atë që u ka ndodhur, ndihen të pikëlluar e të frikësuar. Megjithatë shumë të tjerë mësojnë ta përballojnë mjaft mirë dhe bëjnë jetë kuptimplotë.

Dihet që sytë janë burimi parësor që na informon për botën përreth. Prandaj, kur dikush humb shikimin, mbështetet edhe më tepër te shqisat e tjera: të dëgjuarit, të nuhaturit, të prekurit e të shijuarit.

Sipas revistës Scientific American, kërkimet rreth neuroplasticitetit hedhin idenë se truri ka aftësinë «të ndryshojë në bazë të përjetimeve». Artikulli shton: «Dëshmi të bollshme tregojnë se, kur truri nuk merr informacion nga njëra prej shqisave, ai është në gjendje të riorganizohet që të ndihmojë e të aftësojë më tepër shqisat e tjera.» Të shqyrtojmë faktet e mëposhtme.

Të dëgjuarit: Tingujt, që nga zërat e deri te zhurma e hapave, mund të krijojnë një imazh në mendje. Një i verbër me emrin Fernando thotë: «Kam mësuar t’i kujtoj e t’i njoh njerëzit nga zëri, madje edhe nga mënyra si ecin.» Kurse Huani, që po ashtu është i verbër, shprehet: «Për një të verbër, zëri identifikon njeriun.» Dhe, si të gjithë ne, të verbrit i kushtojnë mjaft vëmendje tonit të zërit, që përcjell një sërë emocionesh.

Për një të verbër me vesh të stërvitur, tingulli tregon shumë edhe për ambientin përreth, si drejtimi i trafikut, përmasat e një dhome dhe vendndodhja e pengesave.

Të nuhaturit: Edhe kjo shqisë siguron shumë informacione, dhe tregon më tepër sesa nga vjen një aromë e caktuar. Për shembull, kur një i verbër ecën në njëfarë rruge, shqisa e të nuhaturit e ndihmon të formojë një hartë mendore të kafeneve,  restoranteve, tregjeve e kështu me radhë. Natyrisht, tingujt e njohur e bëjnë edhe më të qartë këtë hartë, siç e bëjnë edhe hollësitë e përvetësuara nga shqisa e të prekurit.

Të prekurit: «Gishtat janë sytë e mi»,—thotë Fransisko. Dhe, me anë të bastunit, këta «sy» mund të shohin edhe më larg. Manaseu, që ka lindur i verbër dhe mësoi ta përdorte bastunin në fëmijëri, thotë: «E di me saktësi ku jam falë shqisave të tjera, falë kujtesës dhe falë formave që dalloj në trotuar me anë të bastunit.»

Duke lexuar revistën Kulla e Rojës në braile

Shqisa e të prekurit ndihmon shumë të verbër të lexojnë botimet në braile. Në fakt, në ditët e sotme, ka shumë gjëra në dispozicion që janë pasuri për mendjen dhe për besimin e një të verbri. Përveç botimeve në braile, ka edhe incizime audio e mjete ndihmëse kompjuterike. Me ndihmën e tyre, të verbrit mund të lexojnë Biblën dhe një sërë botimesh ndihmëse për studimin e saj. *

Këto mjete për të mësuar për Perëndinë kanë qenë një burim i pakrahasueshëm  lehtësimi e shprese për Pakin e për burrin e saj, që u përmendën në fillim. Ata kanë fituar edhe përkrahjen e një familjeje të madhe besimi, të kongregacionit të krishterë të Dëshmitarëve të Jehovait. Paki thotë: «Tani bëjmë një jetë kuptimplotë e deri diku të pavarur.»

Patjetër që verbëria ka vështirësitë e veta. Por, është e jashtëzakonshme kur sheh çfarë aftësie për t’u përshtatur e për t’u rimëkëmbur ka njeriu tek përballet me sfida të tilla dhe vazhdon ta gëzojë jetën.

^ par. 10 Dëshmitarët e Jehovait botojnë në braile mjete ndihmëse për studimin e Biblës në më tepër se 25 gjuhë.