Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 TEMA KRYESORE | ÇFARË ËSHTË SUKSESI I VËRTETË?

Si të kesh sukses të vërtetë?

Si të kesh sukses të vërtetë?

Bibla na nxit të kemi pikëpamjen e duhur për suksesin. Ajo nuk thotë se suksesi mund të arrihet vetëm nga disa fatlumë. Nga ana tjetër, nuk mbështet përrallën se nëse ‘ndjek ëndrrat’, të gjitha dëshirat e tua do të bëhen realitet. Kjo pikëpamje, me të cilën ushqehen shpesh fëmijët që në vogëli, ka shumë të ngjarë që të çojë në zhgënjim.

Në fakt, suksesi i vërtetë është i arritshëm për këdo, por duhen përpjekje. Shqyrto parimet në vijim.

  • ÇFARË THOTË BIBLA?

    «Ai që do argjendin, nuk do të ngopet me argjend, as ai që do pasurinë, me të ardhura.»Eklisiastiu 5:10.

    ÇFARË DO TË THOTË KJO? Një mënyrë jetese materialiste nuk sjell medoemos kënaqësi. Në fakt, zakonisht ka efekt të kundërt. «Njerëzit që rendin kryesisht pas parave, ka më tepër gjasa të jenë më në ankth dhe më të dëshpëruar sesa ata që vlerësojnë marrëdhëniet e forta me të tjerët»,—shkruan dr. Xhin M. Tuengi në librin e saj Generation Me. Ajo shton: «Studimet tregojnë në mënyrë të vazhdueshme se lumturinë nuk e blen dot me para; pasi arrin të plotësosh nevojat bazë, kënaqësia në jetë nuk varet shumë nga të ardhurat.»

    ÇFARË MUND TË BËSH? Vër si synim diçka më shpërblyese se pasuria dhe zotërimet. Jezui tha: «Ruhuni nga çdo lloj lakmie, sepse edhe kur dikush ka me bollëk, jeta e tij nuk varet nga gjërat që zotëron.»Luka 12:15.

  •  ÇFARË THOTË BIBLA?

    «Krenaria vjen para rrëzimit dhe fryma e fodullëkut para pengimit.»Proverbat 16:18.

    ÇFARË DO TË THOTË KJO? Ambicia dhe kryelartësia nuk do të të ndihmojnë të kesh sukses të vërtetë. Në fakt, një libër (Good to Great) vëren se drejtuesit e kompanive që kanë arritur një sukses afatgjatë, «shfaqin një modesti që të ngjall respekt, nuk kërkojnë vëmendje dhe nuk bien në sy. Kurse, dy të tretat e kompanive të marra në shqyrtim kishin drejtues me ego të sëmurë që i çuan kompanitë drejt falimentimit ose i futën në mediokritet të vazhdueshëm». Cili është mësimi? Kur mendon tepër për veten, ka më tepër gjasa të dështosh sesa të kesh sukses.

    ÇFARË MUND TË BËSH? Në vend që të kërkosh prestigj, mëso të jesh modest. Bibla thotë: «Nëse dikush mendon se është diçka, kur s’është asgjë, mashtron veten», dhe ky zor se është tregues suksesi.Galatasve 6:3.

  •  ÇFARË THOTË BIBLA?

    «Për njeriun s’ka asgjë më të mirë se . . . të shohë të mira, për shkak të mundit të tij.»Eklisiastiu 2:24.

    ÇFARË DO TË THOTË KJO? Nëse zhvillon një etikë të fortë pune, do të të hyjë më shumë në zemër puna. Në librin e saj, dr. Madlin Levini shkruan: «Të ndihesh i suksesshëm do të thotë edhe të jesh i zoti në diçka, dhe të jesh i zoti do të thotë kryesisht të përpiqesh e të ngulmosh.» (Teach Your Children Well) Kjo nënkupton të jesh elastik për të kapërcyer pengesat që dalin herë pas here.

    ÇFARË MUND TË BËSH? Puno fort që të bëhesh shumë i aftë dhe mos u dorëzo para pengesave. Nëse ke fëmijë, jepu mundësi (sipas moshës dhe aftësisë) t’i zgjidhin vetë problemet. Mos nxito të ndërhysh dhe t’i zgjidhësh ti të gjitha problemet e tyre. Të rinjtë kënaqen vërtet dhe stërviten për moshën e rritur kur mësojnë të jenë elastikë.

  • ÇFARË THOTË BIBLA?

    «Një qen i gjallë është më mirë se një luan i ngordhur.»Eklisiastiu 9:4.

    ÇFARË DO TË THOTË KJO? Nëse ke një punë, ajo duhet të jetë pjesë e jetës sate, por jo e gjithë jeta jote. Në të vërtetë, sa i suksesshëm do të ndihesh nëse ke arritur majat në profesion, por humbet shëndetin ose respektin e familjes? Ata që janë vërtet të suksesshëm përpiqen të gjejnë ekuilibrin e duhur midis punës, shëndetit dhe familjes.

    ÇFARË MUND TË BËSH? Kujdesu për veten. Pusho sa duhet. Nuk ia vlen të bëhesh një i fiksuar pas punës që sakrifikon çdo gjë—shëndetin, familjen dhe miqësitë—për të arritur një sukses të rremë.

  • ÇFARË THOTË BIBLA?

    «Lum ata që janë të vetëdijshëm se kanë nevojë të mësojnë për Perëndinë.»Mateu 5:3.

    ÇFARË DO TË THOTË KJO? Studimi i Biblës dhe zbatimi i parimeve të saj janë thelbësore për suksesin e vërtetë. Në fakt, miliona Dëshmitarë të Jehovait kanë kuptuar se kur vë në vend të parë në jetë marrëdhënien me Perëndinë, pakëson ankthin për gjërat materiale.Mateu 6:31-33.

    ÇFARË MUND TË BËSH? Mëso si mund të të ndihmojë Bibla të gjesh edhe ti suksesin e vërtetë. Për më shumë informacion, kontakto Dëshmitarët e Jehovait në zonën tënde ose vizito faqen tonë të Internetitwww.jw.org/sq.