Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

 PIKËPAMJA E BIBLËS

Shëmbëlltyrat

Shëmbëlltyrat

Miliona njerëz të sinqertë i përnderojnë shëmbëlltyrat si pjesë të adhurimit të tyre. Por a e mbështet Bibla këtë praktikë? A i pëlqen Perëndisë?

A i përnderonin shëmbëlltyrat judenjtë besnikë në kohët biblike?

«Mos bëj asnjë shëmbëlltyrë të gdhendur, asnjë formë të ngjashme me asgjë që është lart në qiell, poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Mos u përkul para tyre dhe mos u shërbe.»Dalja 20:4, 5.

Përnderimi i shëmbëlltyrave dënohet shumë herë në Shkrimet Hebraike, të njohura gjerësisht si Dhiata e Vjetër

NJË IDE E PËRHAPUR

Sipas një enciklopedie, judenjtë përdornin shumë shëmbëlltyra në adhurimin e tyre «dhe këto objekte nderoheshin, përnderoheshin dhe adhuroheshin». * (New Catholic Encyclopedia) Kjo enciklopedi përmend si shembuj një sërë objektesh të gdhendura në formën e frutave, luleve dhe kafshëve që zbukuronin tempullin në Jerusalem.1 Mbretërve 6:18; 7:36.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Ndryshe nga ç’pohon New Catholic Encyclopedia, judenjtë besnikë nuk përnderonin asnjë nga gdhendjet ose figurat që kishin lidhje me tempullin. Në fakt, askund në Bibël nuk flitet për ndonjë izraelit besnik që përdor një shëmbëlltyrë në adhurim.

ÇFARË THOTË BIBLA?

«Lavdinë time nuk do t’ia jap askujt tjetër,—tha Perëndia me anë të profetit Isaia,—as lëvdimin tim shëmbëlltyrave të gdhendura.»Isaia 42:8.

 A përdornin shëmbëlltyra të krishterët e hershëm në adhurimin e tyre?

«Ç’marrëveshje ka tempulli i Perëndisë me idhujt? . . . Mjaft e prekët gjënë e papastër.»2 Korintasve 6:16, 17.

«Të krishterët e hershëm do të tmerroheshin vetëm nga ideja e vendosjes së shëmbëlltyrave në kisha dhe do ta konsideronin kryekëput idhujtari përkuljen ose lutjen para tyre.»Historia e kishës së krishterë

NJË IDE E PËRHAPUR

«Sot nuk është e arsyeshme të vihet në dyshim përdorimi i shëmbëlltyrave në adhurimin e krishterimit të hershëm,—thotë New Catholic Encyclopedia.Katakombet e krishtere janë galeri të vërteta arti të krishterimit të hershëm. . . . Madje figurat mitologjike zbukurojnë dhomat e shenjta të adhurimit dhe të varrimit të shenjtë.» *

ÇFARË DUHET TË DISH?

Shëmbëlltyrat më të vjetra që gjenden në këto katakombe—tunele të nëndheshme që përdoreshin si vende varrimi—datojnë vetëm në shekullin e tretë. I bie rreth 200 vjet pasi vdiq Jezui. Pra, ajo që New Catholic Encyclopedia cilëson si «adhurimin e krishterimit të hershëm», nuk është adhurimi i krishterë më i hershëm—ai që praktikohej nga dishepujt e shekullit të parë dhe që përshkruhej në Shkrimet e Krishtere Greke, të cilat njihen gjerësisht si Dhiata e Re. Fakti që këto shëmbëlltyra ndodheshin në katakombe thjesht tregon se aty nga shekulli i tretë, të ashtuquajturit të krishterë kishin marrë zakonin pagan të përdorimit të shëmbëlltyrave, ndoshta për të tërhequr njerëzit që të bëheshin të krishterë. *

ÇFARË THOTË BIBLA?

«Ikni nga idhujtaria.»1 Korintasve 10:14.

A duhen përdorur shëmbëlltyrat thjesht si një mjet ndihmës në adhurim?

«Ruhuni nga idhujt.»1 Gjonit 5:21.

Përnderimi i shëmbëlltyrave është një praktikë fetare që nuk përkrahet nga Bibla. Për këtë arsye, Dëshmitarët e Jehovait as i përnderojnë shëmbëlltyrat dhe as mbajnë shëmbëlltyra fetare në shtëpitë e tyre ose në vendet e adhurimit

NJË IDE E PËRHAPUR

«Meqë adhurimi që i bëhet një shëmbëlltyre, i drejtohet vetëm personit që përfaqëson kjo shëmbëlltyrë, i njëjti lloj adhurimi që i drejtohet personit, mund t’i bëhet shëmbëlltyrës që përfaqëson atë person»,—thuhet te New Catholic Encyclopedia.

ÇFARË DUHET TË DISH?

Kur Jezui i mësoi dishepujt si të luteshin, ai nuk u tha të përdornin shëmbëlltyra. As ideja e përdorimit të shëmbëlltyrave në adhurimin e Perëndisë së vërtetë nuk gjendet në Shkrimet e Krishtere Greke.

ÇFARË THOTË BIBLA?

«Jehovain, Perëndinë tënd, adhuro dhe vetëm atij bëji shërbim të shenjtë.»Mateu 4:10.

^ par. 7 New Catholic Encyclopedia e përkufizon përnderimin si «një akt fetar, një akt adhurimi».

^ par. 13 Në këtë kontekst, te shëmbëlltyrat futen pikturat, ikonat, statujat, simbolet dhe çdo gjë tjetër që përnderohet.

^ par. 14 Përdorimi i shëmbëlltyrave ishte i përhapur në shumë kultura të lashta, përfshirë ato në Egjipt, Greqi dhe Indi.